Vlorë, 18 prill 2019: Nuk besoj se gjendet ndonjë vlonjat që mori pjesë apo dëgjoi për një ceremoni nderimi të veçantë morti në Vlorë, si ajo e përcjelljes së mjekut fisnik Pelivan Hasanaj dhe nuk u ndie ligsht. Nëse do të kërkonim një sinonim të mjekut model në Spitalin Rajonal të Vlorës për gjysmëshekullin e fundit, pa mëdyshje, mendja na shkon tek dr. Pelivani. Aq i mirë, aq i zoti, aq i papërtuar, aq i mirësjellshëm qe Doktori i Vlorës nga Vranishti, saqë shok veten kishte, kur thonë. Nëse Nënë Tereza e bekuar ishte Misoniare e Bamirësisë në botë, Doktor Pelivani qe jo më pak misionar bamirësie për Vlorën dhe fshatrat ku shërbeu e ku e kërkuan për të shpëtuar jetë njerëzish të sëmurë. Dëlirësia e tij në ushtrimin e profesionin brenda orarit dhe jashtë orarit, brenda dhe jashtë qytetit, ditën e natën, me shi apo zheg ishte visar i çmuar njerëzor, sepse, me bindje, u shërbente të gjithëve, sidomos hallexhinjve me më pak të ardhura ekonomiko-financiare. Nuk numërohen dot rastet se sa e sa herë Doktori ynë ka bërë shërbime falas e me gjithë zemër tek pacientët, jo vetëm në klinikë. Ai e merrte me vete “klinikën”, kur i sëmuri s’mundte të vinte në spital. Këto solla ndërmend, në fraksion të sekondës, kur mora vesh lajmin e hidhur se Doktor Pelivani na la… U gjenda keq dhe ndjenja tej dhembjes së natyrshme më përshkuan trupin. Në thelb, fjalëlamtumira ime për dr. Pelivan Hasanaj është një fjalë nderimi e përditshme, që jehon lehtësisht qetë si stafetë paharrimi. Nuk e pata të lehtë të shprehja dy fjalë ngushëllimi në përcjelljen e dr. Pelivanit, përveçse ç’ka mirëdinin të gjithë, kjo ikje më kujtoi babain tim që, dhjetë vjet më parë na tha lamtumirë, ende pa mbushur 74 vjeç, pikërisht si dr. Pelivani, të cilin, po ashtu, pa mbushur 74 vjeç e në këmbë, e përcollëm për në banesën e fundit me nderimet e merituara. Në përcjelljen e Doktorit, një përjetim i ligështuar na dhembi në ndjenjën humane të respektit, sepse na iku njeriu që ka frymëzuar jo banorët e Vlorës për jetën e shëndetshme, po na iku mjeku shembullor që u ka dhënë jetë njerëzve, na iku qytetari i mirë dhe intelektuali i spikatur. Nga ikja e tij, dinjiteti qytetar u trishtua, por nuk e uli ballin, sepse Dr. Pelivan Hasanaj vërtet u largua, edhe vetëm fizikisht, por ka lënë pas: firmën – garanci profesionale, gjurmën – emblemë humanizmi, emrin e tij që kullon i tëri dinjitet larë në gurgullimën e nderit.
Pelivan Shefqet Hasanaj lindi më 13 maj 1945 në Vranisht. Rridhte nga një familje emërdëgjuar jo vetëm për histori, deri në përmasa kombëtare, por me kontribute të dukshme edhe në kulturë dhe arsim. Po ashtu, edhe krushqitë e miqësitë i bënin, sipas traditës së të parëve, brenda fshatit dhe tej Lumit, por gjithmonë nga derë e parë. Doktori kishte plot vëllezër e motra. Si fieri kishin buruar prindërit e tij me Bardhoshin, ai Bardhosh i bardhë e i bukur në virtyte, aviator klasi që mbetet në kujtesën e njerëzve një shqiponjë në fluturim, me Seftedinin, Teftën, Kaçandonin, Pestrovën, Levenin, Gjinon, Kostandinin e Danizën, që krijuan profile të lartë individualë në shoqëri dhe në familjet që ndërtuan. Xha Shefqeti ishte një burrë tipik vranishnjot që bënte mirë e s’mburrej. Kontributet e tij në ndihmë të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare janë të çmuara, por ai s’i përmendi kurrë. Qe burrë i drejtë e korrekt. Mjafton të theksojmë se qe pikërisht Shefqet Hasanaj, vranishnjoti fisnik, i cili shpëtoi nga kthetrat e vdekjes një luftëtar lirie, goditur me plumba e hedhur nga nazistët honeve të thella e të thepisura, greminave mitologjike të Çikës, partizanin trim me nëntë plagë në trup, Biblil Gjikën, që në popull njihet si Gjegj Elez Alia i Tërbaçit… Xha Bilbili e ka shkruar vetë në librin e tij këtë episode lartësisht të virtytshëm, ndërsa xha Shefqeti, me thjeshtësi gati ëngjëllore, përsëri nuk u mburr…
Edhe Doktor Pelivani, nën edukimin prindëror të babë Shefqet dhe nënë Hajdilisë, në vendlindje kaloi fëmijërinë dhe kreu shkollën fillore. Shkollën 8 vjeçare e bëri në Tiranë tek halla e tij, ku, përfundoi në vijim shkollën e mesme mjekësore. Po ashtu, në Tiranë kreu studimet e larta për mjekësi. Dashuria për vendlindjen e ktheu në Vlorë, ku filloi ushtrimin të profesionit të nderuar të mjekut në spitalin e Vlorës. Në vitet 1973-1974 shkon në Brataj, në spitalin zonal, ku krijon tjetër përmasë shprese në shërbimin e kulturuar profesional ndaj banorëve të fshatrave të atij lokaliteti e më gjerë. Rikthehet në Vlorë, deri në vitin 1990 punon si mjek pediatër, ndëkohë specializohet edhe si kardiolog. Në kohën e Liri Balilit me emër, ishte nëndrejtor i Spitalit të Vlorës. Njihet si ndër mjekët më të dalluar të zemrës në Vlorë dhe ishte punëtor i përkushtuar, si ai. Doktor Pelivani mbahet mend nga shumë familjarë për cilësitë e tij të larta e të rralla. Ai njehësohej me pjesëtarët e familjes së fëmijës së sëmurë. Kur shkonte në shtëpi të atyre që i kërkonin ndihmën e tij dhe, kur kishte të bënte me fëmijë të sëmurë rëndë, gati në mosshpëtim, ai nuk hante, nuk vinte gjë në gojë, bëhej keq e shpesh edhe qante, si të ishte babai i fëmijës së shkretë e s’kishte ç’t’i bënte dot. Ç’akt human gati unikal lë mesazh për kolegët e mjekët e brezave që ngrihen në shërbim të shëndetit qytetar ky mjek fisnik, doktor Pelivani i derës së madhe të Hasanajve të Vranishtit. Edhe pse me punë në Vlorë, nuk gjen dot një bashkëfshatar apo banor të krahinës së Lumit të Vlorës, që mos ta ketë ndihmuar si ta kishte babain, nënën, vëllain apo motrën e vetë.
Vlen të kujtojmë se specializimi në Gjermani si punonjës ambasade për mjekësinë i hapi dritare të reja, më të qarta jo vetëm në funksion të shërbimit më human në botë, por, patjetër në aspektin e punës me njerëzit, të komunikimit me ta për kulturimin qytetar. Ai qe njohës i disa gjuhëve të huaja, si gjermanisht, anglisht, italisht, rusisht, etj. dhe kreu disa specializime. Në Itali dha provime plotësuese dhe, atje, për 28 vjet punoi si mjek. Në jetën e përditshme, atje, kishte miq të shumtë dhe nuk dallonte nga qytetarët e intelektualët italianë, por spikaste për këmbënguljen dhe karakterin e tij të fortë, si ndër modelet më të larta të shqiptarit, vlonjatit, labit vranishtnjot. Në Itali realizoi studime dhe shkrime të mirëpritura nga opinion shkencor i fushës dhe ka lënë gati për botim edhe një libër për mjekësinë. Profili i tij nuk mund të kuptohet veçe me bisturi dhe libër në dorë.
Në vitin 1981 u martua me të urtën, të thjeshtën, të mirën Hava Alikaj, me origjinë nga një familje e dëgjuar fterriote. Edhe pse u kuruan në Itali, nuk i ndihmoi fati për fëmijë, por rrënja e edukimit familjar u dha një shpirt të bukur, që ishte i mbushur plot e përplot me dashuri, dhembshuri, mirësjellje e rrezatonte kulturë model për të tjerët. Gjatë gjithë jetës së tij, Doktori nuk u kursye për familjen e tij, për vëllezërit e motrat. Qe për ta si një baba e jo vëlla. Edhe pse s’pati fëmijë, nuk besoj se ndonjë baba tjetër do t’i trajtonte fëmijët e tij më mirë se Pelivani vëllezërit e vegjël. Po ashtu, nipërit e mbesat e donin, si ta kishin prindin e tyre. Por, ç’të bësh. Njeriu me fatin nuk hahet dot, veçmas trimi nuk ulet. Doktori qe dhe trim. Para dy vitesh, sëmuret dhe vizitohet, ku diagnoza ish’ fatkeqësisht tumor në zorrë. Për dy vjet luftoi me sëmundjen, por nuk arriti ta fitonte betejën. Dhe përsëri, nuk mund të lë pa përmendur kujdesin e gruas së tij, Havasë, kësaj amazone labe, që jo vetëm gjatë gjithë jetës së tyre të bukur, por sidomos në këto dy vitet e fundit të dhembjes e shpresës, me kujdesin, dashurinë, komunikimin qetësues, ia lehtësoi dhembjet dhe vuajtjet bashkëshortit të saj. Të gjithë nipërit, mbesat, vëllezërit e mbesat i ndenjën mbi kokë, sespe e donin shumë, siç i donte ai. Edhe mjekët italianë bënë maksimunim e mundshëm për ta shpëtuar këtë vlerë njerëzore. Havaja e qan shokun e jetës, bashkëshortin shembullor, por nuk e uli kokën, sepse Ai e la emrin pas me një barrë nder e krenari jo vetëm për të, për vëllezërit e motrat, por edhe për edhe për të afërmit, rrethanat miqësore, shoqërinë e dashamirësit e shumë. Ai që me vetëmohim e përkushtim luftoi e fitoi betejat për të shëruar të tjerët, ai që u dha jetë sa e sa njerëzve, luftën për jetën e tij nuk mundi ta përballonte vetëm fizikisht.