HAZIR MEHMETI: NË VJENË U PROMOVUA ‘LIBRI I LUFTËS’ I AUTORIT NUHI BYTYQI

Vjenë, 6 maj 2019: Më 3 maj 2019, pikërisht në Ditën Botërore të Mediave në Vjenë u promovua vepra “Libri i luftës” i gazetarit të njohur Nuhi Bytyqi. Promovimi u organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri dhe u mbajt në hapësirat e saj nën drejtimin e konsullit Isa Kosumi. Këtë aktivitet e mbështeti Rrjeti i Bizneseve nga Stairmarku dhe disa veprimtarë.
Programi filloi me filmin dokumentar nga raportimet e luftës me zërin e gazetarit Nuhi Bytyqi nga fronti nën fishkëllimën e predhave për rreth tij dhe ekipit xhirues. Ishte një rikthim në kohë lufte me gjithë vuajtjet e njerëzve i përcjellë me emocione deri në lot, por edhe në krenarinë kombëtare rrënjosur me gjakun e heronjve të lirisë së munguar shekujve. Aty Komandanti Legjendar Adem Jashari, Familja Heroike Haradinaj dhe martirët e lirisë që nga Qirezi e gjithë Kosova me Reçakun e kthesave historike. Aty vendimet e mëdha e të vështira me plotë kthesa e rreziqe, por gjaku nuk falet. Në gjithë këto ngjarje ishte fjala e gazetarit Nuhi Bytyqi. Ai nuk ishte vetëm reporter, por më shumë. Ai ishte bashke ndërtues strukture e prezantimi modern të ushtrisë ashtu si e kërkonte koha. Ishte forca e morali në front, aty ku derdhej gjaku. Bashkë me kameramanin Abaz Zeka ishin përjetues e dëshmitarë të gjallë të ngjarjeve, ishin imazhi i Ushtrisë në syrin e ekraneve botërore. “Para dy vjetëve isha i sëmurë, nuk frikohesha nga vdekja, por frikësohesha se më mbetej libri pa përfunduar”, kjo e dëshmon shpirtin e tij krijues e atdhetar edhe për nesër. Dhe, dëshmitë e përjetimet nuk do treten me mishtë, do mbesin në përjetësi të pavdekshme në kujtesën e kombit bashkë me emrin e autorit Nuhi Bytyqi.
Në emër të organizatorit përshëndeti Isa Kosumi, konsull. “Ndihem shumë i nderuar që sonte para jush do ju prezantoj gazetarin e njohur dhe veprimtarin e madh i cili me raportimet e tij nga zonat e luftës dhe nga ngjarjet e mëdha rreth rrjedhave në Kosovë dhe për Kosovën z. Nuhi Bytyqi. “Libri i Luftës” ka vlera të pakrahasueshme për kombin tonë, andaj e përgëzoj autorin në emër të Ambasadorit z.Sami Ukelli i cili për shkak të agjentes sonte nuk ka mundur të jetë me ne. Kosumi vlerësoi lart, punën profesionale të Nuhi Bytyçit gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Medvexhë, Preshevë, Bujanovc dhe në Iliridë, qëndrimin e drejtë tij për të drejta kombëtare të shqiptarëve në trojet etnike. Ai shprehu gatishmërinë për ta ndihmuar përkthimin e veprës në gjuhë tjera.
Rreth librit foli gazetari nga Graci, Mentor Gashi. Ai e vlerësoj lartë veprën e Nuhi Bytyqit si një dokument kohe dhe autorin si njeri guximtar e veprimtar i devotshëm në informimin me profesionalizëm. Rreth promovimit të veprës dhe veprave tjera të ngjashme me rëndësi kombëtare foli z.Fatmir Osmani drejtues i Rrjetit të Bizneseve nga Staiermarku. “Vepra e z.Nuhi Bytyqi dhe disa vepra tjera dokumentare me rëndësi kombëtare do mbështeten bazuar në konceptin programor të veprimtarisë sonë. Përkthimi i këtyre veprave në gjuhë tjera, veçanërisht në gjermanisht dhe anglisht ka rëndësi jetike dhe ne do i mbështesim materialisht dhe në forma tjera organizative”, tha ai mes tjerash.
Të pranishmit u interesuan rreth veprës duke e uruar autorin, organizatorin dhe aktivistët. Pati pyetje të shumta. Anton Marku, në fjalën e tij e uroi autorin. Ai u interesua rreth përkrahjes së botimit të verës nga institucionet tona, kur dihet vlera e madhe historike e saj. “Përkrahja nga institucionet e vendit janë me rëndësi në vlerësimin e veprës, ofrimin e saj publikut vendas e ndërkombëtar”.
Luftëtari nga radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Sahiti, e përgëzoi autorin duke e falënderuar për punën e tij madhore në raportimet nga fronti i luftës duke e quajtur me epitetin e lartë, Hero i Gjallë. Nga biseda me publikun folën: Vlora Jonuzi, Hazir Mehmeti, Osman Ademi, Violeta Allmuça etj.
Autori i librit Nuhi Bytyqi në fjalën e tij tha: “Një pjesë e konsiderueshme në libër i është kushtuar edhe kontributit tuaj të jashtëzakonshëm të bashkatdhetarëve tanë në vendet perëndimore gjatë viteve të tetëdhjeta e nëntëdhjeta, kur Kosova dhe viset e tjera shqiptare ishin nën okupimin serbo-sllav në mbajtjen gjallë të atdhedashurisë, të forcimit të rezistencës gjithë popullore kundër Serbisë, financimin e arsimit, informimit, shëndetësisë, kulturës dhe institucioneve tjera paralele në Kosovë, e veçmas financimin e luftës për liri. Pa kontributin financiar dhe pa pjesëmarrjen aktive të mërgimtarëve tanë dhe pa mbështetjen e gjithanshme të shtetit amë Shqipërisë, lufta për liri e pavarësi të Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare nuk do të bëhej. Kështu, sot falë sakrificës së popullit tonë, luftës së UÇK-së dhe ndihmës së botës demokratike dhe NATO-s, Kosova është e lirë.”
Redaktori i librit, Muhamet Mavraj do shkruan: “ Për të guximshmit, në paqe apo në luftë, gjithmonë gjendën mënyra për t’i shërbyer një interesi të lartë, të përgjithshëm, ndera konformistët gjithmonë dinë të gjejnë arsye për mungesat e tyre. Gazetari Nuhi Bytyqi, hyn në kategorinë e parë, atë të gazetarëve të guximshëm, jo konformistë, që i kanë shërbyer me guxim dhe nder interesit të Kosovës. Kjo dëshmohet më së miri në “Librin e luftës”.
Autori iu përgjigj pyetjeve të shumta nga të pranishmit. Në fund ai falënderoi të pranishmit dhe organizatorët. Për të pranishmit nga organizatori u dha një koktej rasti. Promovimi i radhë do jetë në Kopër të Sllovenisë me 5 maj.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura