Pashtriku, 26 maj 2019: /Divjakë (Berishë), 24 maj 1999 – Flet Sulejman Selimi, komandanti i Gardës Kombëtare të Kosovës./
Sulejman Selimi është i datëlindjes 1970, lindur në Açarevë të Drenicës, kryer shkollën e mesme në Klinë, ndërsa studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Mitrovicës për miniera dhe metalurgji. Qysh në shkollën e mesme është aktivizuar me futbollin. Kur ishte maturant e federoi skuadra e të riturve “Drenica”. Gjatë kohës që kryente universitetin u federua në “Beslidhja” e kryeqytetit, njëkohësishtë ishte dhe mesfushori i skuadrës përfaqësuese të Kosovës. Gjatë emigrimit në Gjermani ka luajtur me “Ligën e tretë të Këlnit. Prej andej u rikthye në radhët e UêK-s”. Është një prej luftëtarëve të parë të njësitit të armatosur të drejtuar nga Adem Jashari dhe me krijimin e strukturave të Ushtrisë êlirimtare të Kosovës ka kryer detyrën e Komandantit të nënzonës (më pas zonës) së Parë Operative-Drenica. Me nisjen e udhëheqjes politiko – ushtarake të UêK-së në Konferencën e Rambujesë emërohet Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UêK-së, detyrë të cilën e ka kryer deri në 28 prill 1999, kur në këtë funksion emërohet Agim Ceku, ndërsa z.Sulejman Selimit iu ngarkua detyra e Komandantit të gardës Kombëtare të Kosovës, strukturë e krijuar tash kohët e fundit.
1. Zoti Sulejman, kam mendimin që për intervistën që kemi rënë dakort të fillojmë pa shumë hyrje-dalje, dhe konkretisht: Si jeni lidhur ju me UêK-në?
Pergjigje: Lidhjet e mia me UêK-në janë të kahershme. Ende nuk e shpjegoj dot se ku u bazua Adem Jashari, i cili qysh në vitin 1991, në një udhëtim që bëmë së bashku prej Skënderaj deri në Gllogovc (ku ai ishte në ilegalitet), më foli hapur për idealet e tij. Besimi dhe fjalët e tij m’u rrënjosën thellë në tru, dhe më besoni, edhe kur luaja futboll e ndjeja se bëja luftë të vërtetë kundër serbëve. Ndoshta ato ndjenja më jepnin forcë që unë arrita të bëja karjerë futbollistike. Ah, futbolli!
2. Cilat janë aktivitetet tuaja të para në luftën për çlirimin e Kosovës?
Përgjigje: Aktivitetet e para në emër të UêK-së janë ato, kur unë u lidha me Gjarpërin, Dhjetshin, Lulin dhe shokë të tjerë. Këto aktivitete nisin qysh në fillimin e viteve ’90.
3. Nga luftimet ku ju keni marrë pjesë, cili prej tyre u ka mbetur thellë në kujtesë?
Përgjigje: Ato janë shumë, por unë do të ndalem në disa prej tyre, ku jeta ime ka qenë në pikëpyetje dhe ku unë e kam llogaritur veten të vrarë, por, me sa duket, fati ma ka kursyer jetën, që t’i shërbej deri në fund luftës për lirinë e popullit tim. Pagëzimin e parë me luftën e vërtetë, si formacion i UêK-së, e kam në 26 nëntor 1997, në Lludovic, ku u vra Halit Geci dhe u plagos Komandanti ynë legjendar Adem Jashari. Fitorja e atij luftimi më dha krahë dhe besim se ne do ta fitonim luftën. Kur shihja trimin Sabit Geci të bënte dyluftim me helikopterin me anë të granat-hedhësit, më dukej se kisha në krah Perëndinë dhe policët serbë më dukeshin gurë shahu.
Rasti tjetër ka ndodhur në javën e parë të Korrikut 1998. Atëherë isha Komandant I Zonës së Drenicës. Së bashku me Sami Lushtakun, Iliaz Kodrën, i cili para disa ditësh ka rënë heroikisht dhe më ka dhimb shpirti, si dhe disa të tjerë, udhëtonim për në Prizren me dy kera dhe një kamjon frigorifer, për ta mbushur me armë. Me të mbritur në Landovicë, policia, e cila e kishte bllokuar rrugën automobilistike, na dha shenjë për të ndaluar. E kuptova, ramë në pritë. Vendosa të luftoj. Shokëve u thashë të hapnin zjarr me automatikë kundër policëve, ndërsa vet mora granat’hedhësin kundërtank dhe godita autoblindën e policisë, e cila u përfshi në flakë. Shokët ndërkohë kishin vrarë disa policë. Kthyem makinat me shpejtësi dhe …
Të njëjtën ndjenjë kam ndjerë edhe një muaj më vonë, ku së bashku me shokët e Shtabit të Zonës ramë papritmas në rrethim, në Açarevë. E pashë se dikush duhej të rezikonte që të shpëtonin të tjerët. Këtë barrë ia ngarkova vehtes. Pasi gjeta një shteg nga ku mund të tërhiqeshin shokët, i urdhërova të ecnin në atë drejtim, ndërsa unë i mbuloja me zjarr. Në kohën që doli nga rrethimi edhe shoku i fundit, m’u mbyll rrethimi. Ndodhesha në bunker. Vendosa të prisja e të mos hapja zjarr derisa ushtarët serbë të afroheshin tek hyrja e bunkerit. Kisha vetëm një karikator me fishekë. Ushtarët serbë afroheshin nga të gjitha anët duke qëlluar. Në momentin kur e vlerësova se duhej të dilja, dola dhe u hodha në sulm kundër tyre, duke qëlluar dhe duke vrapuar. Në një moment më mbaruan fishekët dhe nuk e besoja se isha gjallë. Plumbat nëpër këmbë e unë përmbi plumba, vrapoja nëpër pyll më shpejtë se plumbat. . .
4. Na ka rënë rasti të shkojmë pothuajse në të gjitha zonat operative dhe kudo kemi vënë re se ju gëzoni popullaritet. Si e shpjegoni ju këtë?
Përgjigje: Në rast se është kështu, sikundër ju thoni, kjo më gëzon. Por kjo, njëkohësishtë më ngarkon me përgjegjësinë që të punoj sikundër kam punuar, që ta ruaj këtë opinion, i cili njëkohësishtë është edhe besim ndaj meje. Gjithmonë, në rast se është kështu, dhe e besoj se kështu është, më bën të jem krenar për të kaluarën time luftarake dhe të shokëve me të cilët unë kam luftuar.
5. Kohët e fundit, Qeveria e Përkohëshme e Kosovës bëri disa ndryshime në udhëheqjen e UêK-së. Një nga ato ndryshime ishte edhe largimi i juaj nga detyra e Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të saj. Si e pritët këtë vendim të Qeverisë?
Përgjigje: Mendoj se në pyetjen tuaj duhet bërë një korigjim. Qeveria e Përkohëshme e suprimoi detyrën e Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm dhe jo se më largoi mua. Këtë detyrë unë e mbaja si kompensim i mungesës së deriatëhershme të udhëheqjes së luftës dhe të Shtabit të Përgjithshëm, gjë që Ushtria jonë êlirimtare e ka kërkuar vazhdimisht. Për këtë arsye, ne, si Shtab i Përgjithshëm, fillimisht kërkuam një figurë të njohur politike kosovare, jashtë ose brenda Kosovës, për të na përfaqësuar politikisht, i cili ishte Adem Demaci, me qëllim që të mos ngelej boshllëk. Kjo lloj udhëheqjeje ndihej si e nevojshme, por ne kërkonim të ishte vetëm dhe vetëm të ishte me ngjyrë të vetme politike. Për këtë populli shqiptar në Kosovë ka përvojë me pasoja jo të mira dhe ne duhet të nxjerrim mësime nga historia. Këtë e them, pasi dihet që ushtria çlirimtare e një populli bën vetëm udhëheqjen ushtarake të tij, ndërsa udhëheqjen politike të popullit, pjesë e të cilit është edhe ushtria çlirimtare e tij, e bëjnë forcat politike, ose një qeveri kombëtare. Ne luftëtarët e Ushtrisë êlirimtare të Kosovës nuk pranonim të udhëhiqeshim nga një apo nga disa forca të caktuara politike, qofshin ato me program sa më kombtar, për përvojën jo të mirë historike që thashë më lartë.
6. Pse?
Përgjigje: Sepse lufta çlirimtare që po bën tashti populli i Kosovës, e cila është kthesa e tij vendimtare, nuk duhet të udhëhiqet nga një forcë e vetme politike, por nga një udheheqje politike gjithëkombëtare. Kjo gjë u realizua me rastin e Mbledhjes së Rambujesë, ku për herë të parë të gjitha forcat politike dhe shoqërore të Kosovës, përfshirë këtu edhe intelektualët e pavarur, ranë në unison.
Duke shfrytëzuar këtë moment historik, i cili besoj se do të shënohet si rast i pjekurisë më të lartë politike e popullit të Kosovës, u hartua marrëveshja midis tre bashkimeve më të mëdha edhe të vetmet, aktualisht: Ushtria êlirimtare e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovë dhe Lidhja e Bashkuar Demokratike e Kosovës. Në këtë marrëveshje, sikundër dihet, u pranua që të krijohej Qeveria e Përkohëshme, e cila të kryesohej nga përfaqësuesi i UêK-së, si forca më aktive dhe më luftarake e popullit kosovar. Kjo iu besua z.Hashim Thaçi, si Kryetar i Delegacionit Shqiptar në Rambuje, i cili deri atëhere pat kryer detyrën e Drejtorit Politik të Shtabit të Përgjithshëm. Ju e dini se ai është një nga krijuesit e parë dhe më aktivë të UêK-së, nga më dinamikët e me kthjelltësi të lartë politike.
Ky ishte moment më kulmor, i cili i vinte për shtat UêK-së, pasi udhëheqja politike e porsa krijuar kishte ngjyrë kombëtare dhe gjithëpërfshirëse. Për këtë arsye ne pranuam që Qeveria e Përkohshme të jetë në udhëheqje të popullit dhe të ushtrisë së tij çlirimtare. Në këto kushte, z.Demaçi natyrshëm dha dorëheqjen dhe pozicioni i ish Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm delte i tepërt. Këtë detyrë tashti i takon ta kryejë Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, i cili është edhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë êlirimtare të Kosovës, sepse dihet që qeveritë e përkohshme në raste luftrash çlirimtare gëzojnë edhe atributet e Parlamentit. Aq më tepër që Qeveria jonë e Përkohshme është marrëveshje e të gjitha forcave shqiptare në Kosovë, marrëveshje e cila u mirëpritë edhe nga shtetet e ish-Grupit të Kontaktit për Kosovën, i cili organizoi Mbledhjen e Rambujesë.
Këto janë arsyet pse “u largova” unë nga kjo detyrë, dhe asnjë arsye tjetër që mund të mendohet. Krijimin e kësaj qeverie, e cila është qeveri e luftës dhe si detyrë kryesore ka udhëheqjen me sukses të kësaj luftë, e pritën mirë të gjithë luftëtarët e UêK-së si dhe shumica e popullit shqiptar.
7. Një nga strukturat e reja të UêK-së të krijuara nga Qeveria e Përkohshme është Garda Kombëtare, komandant i së cilës jeni emëruar Ju. Cilat do të jenë detyrat e saj?
Përgjigje: Garda Kombëtare është njësia e parë autonome me varësi të drejtpërdrejtë e të dyfishtë, si nga Komandanti i Përgjithshëm, ashtu edhe nga Shtabi I Përgjithshëm. Kjo varësi e dyfishtë është për vet kushtet e të qenit luftë për çlirim. Si e tillë, duke u varur direkt nga Komandanti i Përgjithshëm, ajo do të kryej detyrat që i takojnë një njësie të tillë, sikundër janë mbrojtja e institucioneve qeveritare si dhe të gjithë aktiviteteve të qeverisë e të institucioneve të saj. Në kushtet tona, kjo detyrë është parësore dhe shumë e vështirë, pasi Qeveria e Përkohshme vepron në Kosovën e pushtuar, ku kryetarit dhe ministrave të saj u duhet të lëvizin shpesh sa në zonat e çliruara ashtu dhe në ato të paçliruara.. si rrjedhojë, ato duhet të mbrohen dhe të ruhen në të gjithë aktivitetet e tyre. Besoj se e kuptoni se sa e vështirë është kjo detyrë në këto kushte. Kjo është arsyeja kryesore pse u krijua kjo njësi e posaçme.
Mirëpo që të mbash një njësi të tillë me aktivitet të kufizuar, e cila ka grumbulluar luftëtarë nga më të mirët, do të ishte një luks i madh për ushtrinë tonë, prandaj dhe i është dhënë edhe varësi nga Shtabi i Përgjithshëm. Me këtë duhet të kuptojmë se Garda Kombëtare, jo vetëm që do të mbrojë edhe Shtabin e Përgjithshëm, gjë e cila eleminon krijimin e një rendimi tjetër të vaçantë luftarak, por mundet që ajo të kryej edhe detyra të tjera luftarake. Madje mund të them se, duke qenë e para njësi e madhe me përbërje nga të gjitha komunat Kosovës, ajo e ka shumë të lehtë të kryej detyra në të gjithë territorin e shtetit tonë. Por që të kryesh të tilla detyra, duhet të koordinosh me Shtabin e Përgjitshëm. Duke qenë se kjo strukturë merr detyra direkt edhe nga Shtabi i Përgjitshëm, ia vonon pengesat dhe vonesat burokratike të cilat lufta nuk i duron dot.
Faleminderit për intervistë!
Falminderit dhe ju!
Divjakë (Berishë), 24 maj 1999.
___________________
Botuar në gazetën “Ushtria”, Tiranë, Organ Qëndror i Ministrisë së Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, E mërkurë, 26 maj 1999, viti i 54-t i botimit Nr. 40 (736) dhe ribotuar në Gazetën e pavarur të përditshme “Shekulli”, Tiranë, datë 01 qershor 1999. Intervistën e zhvilloi: Shpëtim Golemi /