IBRAHIM KELMENDI KUNDËRTHËNËSI I LËVIZJES (3)

IBRAHIM KELMENDI KUNDËRTHËNËSI I LËVIZJES (3)

Nga Sheradin Berisha

***

KUR “DELIRANTI” HYDAJET HYSENI DHE “ZEQA” I OMLK-së, IA DEMASKOJNË GËNJESHTRAT IBRAHIM KELMENDIT!

Ibrahim Miran Kelmendi, pse po heshtë?

Prita, se, do të përgjigjesh në shtjellimin tim argumentues të kësaj teme, por si duket, ke zgjedhur heshtjen si përgjigje!

Sidoqoftë ecim tutje me trajtimin e kësaj teme. Në vazhdim të shpalojmë edhe disa të dhëna, duke zënë fillë rrjedhimisht tek “deliranti” marksist – leninist, Hydajet Hyseni, të cilin e cilëson njëkohësisht edhe si “misionar komunist”.

Ibrahim, “deliranti” dhe “sedërpërkdhelësi” juaj, Hydajet Hyseni mbi dy orë të paska mbajtur ligjeratë teatrale, me qëllim të diciplinimit tuaj, për t’u bërë marksist – leninist i devotshëm, si kusht për pranim në organizatën e tij OMLK!

Dhe gjatë dy orëve fjalim për diciplinim, thoni se, “nuk prezantoi identitetin e tij, si delirant që ishte!” Por, pastaj nënvizon se “më vonë do ta indentifikoj si Hydajet Hyseni”.

Ibrahim, kur e identifikove vizitorin e befasishëm se, ishte Hydajet Hyseni?

Në një përgjigje të mësipërme më shkruan si vijon: “Sheradin, në fakt, më 5 prill, Kadri Zeka me ka treguar që ka qenë Hydajet Hyseni.”

Pa u futur në vërtetësinë e vizitës suaj me “propozim” të Jusuf Gërvallës te Kadri Zeka, sepse ky dimension i sajuar prej teje do trajtim të veçantë, me këtë rast po merrem vetëm me ato çfarë ke shkruar lidhur me këtë vizitë!

Për vizitën tuaj të 5 prillit 1981 te Kadri Zeka gjoja “me autorizim të Jusuf Gërvallës”, ke rrëfyer në librin “Atentatet”, f.235 – 239, (edhe pse këtë vizitë e sajon sikur ka ndodhur, më 26 mars 1981, e jo më 5 prill (!!!) dhe kjo është një temë në vete), pastaj e trajton në shumë tema të hapura në rrjetin FB, dhe në shkrime e kumtesa të shumta „shkencore“ për historikun e Lëvizjes nga zanafilla e saj e tutje.

Me këtë raste po i referohem kumtesës suaj me titull “Lëvizja – Lindje e përgjakur, dhjetor 2022,” të përgatitur për simpoziumin shkencor “Lëvizja e viteve 1990-1991 dhe shpërbërja e Federatës Jugosllave”, të organizuar më 21 dhjetor 2022 në Prishtinë nga Shoqëria “Lëvizja”, Instituti Albanologjik, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës.

Në këtë kumtesë një vend të veçantë zë vizita jote te Kadri Zeka më 5 prill 1981, që nis nga data 3 prill. Dhe në këtë vizitë (siç shkruan në kumtesë) Kadri Zeka jo që nuk e “dekonspiroi identitetin e Hydajet Hysenit”, (gjoja kur të tregoi për vizitën që Hydajeti ta kishte bërë në vitin 1979 në konvikt të studentëve në Bochum), por Kadri Zeka, siç e thekson po në këtë kumtesë “nuk e dekonspiroi as identitetin” e vetë. Pra, ai t’u prezentua ty vetëm me nofkën “Zeqa”, pa të treguar emrin dhe mbiemrin e tij!

Prandaj thënia juaj e mësipërme se “më 5 prill, Kadri Zeka me ka treguar që ka qenë Hydajet Hyseni”, është një sajesë (për të mos thënë gënjeshtër), ashtu siç është sajuar gjithë ky tregim i rrëfyer me data e ditë të ndryshme dhe jo vetëm! Thënë shkurt e qartë, Hydajet Hyseni dhe “Zeqa” i OMLK-së t’i kanë demaskuar gënjeshtrat!

Konkretisht në Kumtesë për këtë vizitë shkruan, si vijon:

“Më 3 prill 1981, Jusufi Gërvalla më angazhon që të shkoj në Zvicër për t’i takuar shokët e “Lirisë”, siç i quante ai veprimtarët e OMLK-së. I quante ashtu, sepse ata, në tetor 1980, kishin botuar numrin e parë të organit (gazetës) “Liria”. Në Zvicër atëherë duhet të ketë qenë vetëm Kadri Zeka, njëri nga udhëheqësit i OMLK-së, edhe 5 “kandidatë” (Hasan Mala, Mujë Shurdhani, Ismet Reshiti, Sami Kurteshi, Zija Shemsiu, siç i quante OMLK-ja ata që bënin kërkesë për anëtarësim, por që duhej të provoheshin si kandidatë para se t’u njihej statusi i anëtarit). Jusufi ma pat dhanë adresën ku duhej t’i takoja “Zeqën e “Lirisë” (Kadri Zeka prezantohej me nofkën “Zeqa”). Kur arrita në atë adresë (Badhausen Str. në Biel të Zvicrës), gjeta një librari të komunistëve enveristë zviceranë. Aty shiteshin edhe libra, revista e gazeta shqipe nga Tirana. Pronari i librarisë, zvicerani Beat Schaffer, në fillim u shfaq i rezervuar, sepse nuk njiheshim. Meqë atë pas dite të 3 prillit librarinë nuk po e frekuentonte askush, kishim kohë të bisedonim. Ndërkohë ai e fitoi besimin. Më informoi se nuk e dinte ku jetonin shokët e OMLK-së, por se aty e kishin vetëm adresën kontaktuese dhe në fundjavë vinin për të parë nëse ndokush u ka dërgua letra.

Nga e premtja e 3 prillit deri të dielën (5 prill) prita aty. Beati ma ofroi mundësinë të flija në krevat portativ, në dhomën si depo, ngjitur me hapësirën e librarisë. Të dielën, në mesditë, erdh Kadri Zeka. Biseduam rreth dy orë, ai duke më njohur mua me emër e mbiemër, ndërsa unë nuk e dija identitetin e tij. Bile, nuk e dekonspiroi as identitetin e Hydajet Hysenit, kur më tregoi për vizitën që Hydajeti ma kishte bërë në vitin 1979 në konvikt të studentëve në Bochum. Me atë rast e pata kritikuar Kadriun: “vetëm ndaj bashkatdhetarëve po teatralizoni konspiracion strikt, por policia zvicerane e, me të, edhe ajo jugosllave, kanë informacion se ku po jetoni e me çka po merreni.” Megjithatë nuk e dekonspiroi identitetin.

Me Kadriun u morëm vesh shpejt, “shkurt e shqip”, për të filluar me demonstrata që nga e shtuna e radhës, më 11 prill 1981, në Bernë të Zvicrës, meqë kryengritja në Kosovë ishte shtypur dhe Beogradi e kishte imponuar gjendjen e luftës.

Të dielën në mbrëmja u ktheva në Untergruppenbach, në shtëpinë ku banonte Familja Gërvalla dhe e informova për bisedën me “Zeqën”.”

(Burimi: Ibrahim Kelmendi: Kumtesë – “Lëvizja – Lindje e përgjakur, dhjetor 2022,” për simpoziumin shkencor “Lëvizja e viteve 1990-1991 dhe shpërbërja e Federatës Jugosllave”, Prishtinë, më 21 dhjetor 2022.)

Lidhja e kumtesës “Ibrahim Kelmendi: Lëvizja – Lindje e përgjakur, dhjetor 2022:

https://www.facebook.com/share/p/RgDYE2Fazp2jjaKu

  • Ilustrimi: Ftesa e Simpoziumit shkencor “Lëvizja e viteve 1990-1991 dhe shpërbërja e Federatës Jugosllave”, Prishtinë, më 21 dhjetor 2022

***

Miran Kelmendi

Sheradin, shkruaj përgjigjet si i dëshiron, ma dërgo tekstin në privat dhe e postoj. PSE duhet t’i përgjigjem një të pabesi, i cili për arsyet që nuk e di, synon denigrimin tim gjithsesi. Mos paq sukses në këtë lloj angazhimi mistrec!

*** 

PËRBALLJA E IBRAHIM KELMENDIT ME TË DHËNAT E SAJUARA NË LIBRIN ATENTATET!

Ibrahim Miran Kelmendi

Po sjellë të dhëna shkrimore (lidhur me këtë temë që po diskutojmë) të cilat i ke shpalosur në libra e artikuj të shumtë, madje edhe si kumtesa shkencore, si kjo e fundit që e elaborova më sipër. Ne si lexues, madje edhe si studiues, kemi të drejt t’i diskutojmë gjithanshëm me autorin e tyre, (në rastin konret me TY), të dhënat e artikuluar aty, duke i ballafaquar me dëshmi të ndryshme arkivore.  Dhe kjo nuk paraqet pabesi as denigrim tuajin nga ana ime, apo nga dikush tjetër në këtë mes.

Në postimin e fundit solla një citat për vizitën tuaj (me propozim të Jusuf Gërvallës) te Kadri Zeka (në Biel – Bienne më 3 – 5 prill 1981) të shkëputur nga Kumtesa – “Lëvizja – Lindje e përgjakur, dhjetor 2022, e cila është lexuar në simpoziumin shkencor “Lëvizja e viteve 1990-1991 dhe shpërbërja e Federatës Jugosllave”, Prishtinë, më 21 dhjetor 2022, dhe si e tillë sigurisht është botuar në librin e përgatitur nga organizatorët e simpoziumit.

Në vazhdim për të njejtën vizitë dhe qëllim sjellë fragmente të takimit me Zeqën (Kadri Zekën) e OMLK-së, të shpalosur në faqet 231 – 239 të librit tuaj ATENTATET.

Derisa në kumtesën e lartpërmendur thua se vizitën te Kadri Zeka në Biel – Bienne e ke zhvilluar më 3 – 5 prill 1981, në librin Atentatet këtë vizitë e ke treguar se ka ndodhur me 26 – 28 mars 1981! Ndërkaq derisa në Kumtesën e cituar Kadri Zeka nuk e dekonspiroi as Hydajet Hysenin por, as vetveten, duke u prezentuar vetëm me pseudonimin „ZEQA“, në Librin Atentatet (f.239) ai të tregon edhe emrin – mbiemrin dhe prej cilit vend vjen nga Kosova. Ai me këtë rast të thotë:  – Unë t’u prezantova në prani të Benediktit me emrin Zeqë, por unë në të vërtetë e kam emrin e mbiemrin Kadri Zeka. Jam nga Gjilani, i strehuar politik këtu në Zvicër. Je ndër pak veta që po ta tregoj emrin e vërtetë, por të lutem mos më dekonspiro!“ NO COMENT!

Në vijim sjellë pjesën kryesore të këtij bashkëbisedimi të sajur për “vizitën” në Biel – Bienne te Kadri Zeka, më 26 – 28 mars 1981:

„3.

E merkurë, më 11 Mars 1981. Ora: 20.30. Në Prishtinë, në mensë të studentëve ndodh shpërthimi i hapur i revoltës sociale të studentëve. Kjo do ta gjejë të befasuar gjithë mërgatën, madje edhe ata që ishin të angazhuar politikisht. Askush nuk kishte pasur parashikim konkret, e lëre më informim se mund të ndodhte kaq shpejt e kaq papritmas shpërthimi i revoltës se hapur të studentëve. Askush nuk dinte se çfarë duhej bërë në ato çaste, pos informimit të opinionit publik të shteteve ku ata gjendeshin, duke jetuar në një gjendje ankthi se ç’mund të sillte dita tjetër.

Kosova u mbyll hermetekisht dhe informatat që dilnin jashtë ishin të pakta dhe të pasakta. Kjo ishte edhe një dëshmi kokëfortë se as ata që propagandonin se kishin organizatat e tyre të forta në Kosovë nuk merrnin informata konkrete.

Jusufi (Gërvalla – shën.im) e Mirani (Ibrahim Kelmendi – shën.im)) u takuar menjëherë pas kësaj ngjarjeje historike për të biseduar se çfarë duhej e mund të bënin.

– Nuk do të bëjmë asgjë pa marrë kontakt me shokët e Lirisë, – shfaqi pozicionim Jusufi. Kështu e kishte më të përzemërt t’i quante ai njerëzit e OMLK-së, meqë qysh në tetor të vitit paraprak ata kishin nxjerrë numrin e parë të këtij Organi. Atij i kishte pëlqyer shumë përmbajtja, por jo forma, faqosja, letra e shtypja.

– Mirë, po ku t’i kontaktojmë? – pyeti Mirani.

– Më është dhënë një adresë kontaktuese në një librari në Zvicër.

– Atëherë po shkoj që sot në Zvicër, meqë ty akoma nuk të kanë dhënë dokument udhëtimi jashtë shtetit, – tha tjetri.

Edhe unë them ashtu, por po presim mos po më paraqitet në telefon te Bardhi ndonjëri nga shokët e Lirisë, meqë numrin ia dhashë atij që ma solli adresën. (…)

Deri në demonstratën tjetër të përgjakshme të 25 Marsit, aktivitetet e veprimtarëve patriotë u përqëndruan, pos informimit të opinionit publik gjerman, në pengimin e dërgimit të telegrameve që dërgoheshin në Prishtinë e Beograd, në emër të “punëtorëve të përkohshëm”, për dënimin e demonstratave të studentëve. Këtë veprimtari të dënimit të demonstratave e drejtonin pjesëtarët e trupit diplomatik jugosllav dhe emisarët e tyre në mesin e emigracionit.

4.

Prishtinë, e martë, 25 mars 1981. Demonstrata e studentëve në lagjen e konvikteve të tyre. Për herë të parë paraqitet kërkesa politike: Kosova-Republikë! Masakrat që u bënë aty ngriten gjakërat e gjithë atyre që mendonin shqiptarisht.

Mirani, tepër i revoltuar, sërish udhëtoi te Jusufi për të biseduar se çfarë duhej të bënin konkretisht, pas gjithë asaj përgjakjeje në Prishtinë. Ai kishte presion edhe nga aktivistët në Dyseldorf. Flitej se udhëheqja politike titiste e Kosovës kishte thirrur në ndihmë Beogradin për të dërguar forca speciale policore në Kosovë. Serbia kishte dërguar tashmë njësitë më barbare të policisë së saj.

– Miran, shokët e Lirisë nuk na kontaktuan ende, prandaj ti do të shkosh në Zvicër, – tha Jusufi. – Diskuto me ta se çfarë duhet të bëjmë, meqë ata janë më të ngritur e më të organizuar se ne. (…)

Mirani e miratoi udhëzimin e Jusufit.

5.

Ditën e ejte të 26 marsit, Mirani udhëtoi në qytetin Bil/Bien (Biel-Bienne) të Zvicrës. Duhej të gjente adresën kontaktuese të OMLK-së, të cilën ia dha Jusufi. Shkoi tek ajo adresë dhe gjeti vetëm një librari, në të cilën shiteshin libra edhe në gjuhën shqipe. Në kutinë postare, pos emrit të pronarit zviceran të librarisë, ishte edhe shënimi: Liria. Ai u fut në librari, u soll vërdallë për të parë se çfarë librash të rinj kishin ardhur. Shitësin e njihte që më herët, sepse atje e kishin dërguar bashkatdhetarët kur i kishin treguar se aty shiten edhe libra nga Republika e Shqipërisë. Pronarit po i kujtohej Mirani, por nuk e dinte me tamam se cili ishte. Aty shkonin bashkatdhetarë të shumtë për të blerë libra. (…)

– Urdhëroni, si mund t’ju ndihmoj!?

– Jam një aktivist i lëvizjes çlirimtare në Gjermani. U takoj radhëve që nxjerrin gazetën Bashkimi, të cilën ju e paskeni këtu për lexim dhe për shitje, sado që ne e shpërndajmë falas. Kam biseduar edhe me shokët që e nxjerrin Lajmëtarin e lirisë, që gjithashtu e paskeni këtu. Erdha të takoj shokët e Lirisë. (…)

– Keni mundësi të më kontaktoni me shokët e Lirisë? – pyeti Mirani pas një heshtjeje të shkurtër.

– Duhet të presim kur të vijnë për të marrë postën. Tjetër mundësi

kontaktuese nuk kam. Ata përdorin konspiracion rigoroz.

– Po kur vijnë, zakonisht?

– Të shtunave ose të dielave.

– Po sot është e ejte, – sqaroi Mirani.

– Do të presësh këtu po dëshe t’i kontaktosh. (…)

Të shtunën pasdite, më në fund, erdhi një burrë për të marrë postën.

Benedikti e njoftoi se po e priste që nga e enjtja. Kadriut iu kujtua menjëherë emri i Miranit. Ai ishte shumë simpatik dhe linte përshtypje se ishte i moshuar. Sapo u informua nga Bendikti (Beat Schaffer) gëzimi iu shfaq në fytyrë dhe menjëherë u drejtua ta përshëndeste Miranin. U prezantua me emrin “Zeqa” dhe u përqafuan sikur të ishin shokë prej kohësh, por që nuk ishin parë qëkur. Vetëm në minutat e parë Benedikti zuri vend në tavolinë, sa për të zbrazur kafet nga termosi. U ngrit me shpjegimin se dëshironte t’i linte të bisedonin shqip.

– Kam ardhur të enjtën. – filloi Mirani. – Biseduam me Jusufin (Gërvallën) se çfarë duhet të bëjmë në këtë situatë kaq dramatike e alarmante. Ai më tha se duhet të bisedojmë me shokët e Lirisë, që të koordinohen aktivitetet në të gjitha shtetet ku gjendet emigracioni ynë. Erdha t’ju kontaktoj dhe të bisedojmë se cili është mendimi juaj?

– Unë t’u prezantova në prani të Benediktit me emrin Zeqë, por unë në të vërtetë e kam emrin e mbiemrin Kadri Zeka. Jam nga Gjilani, i strehuar politik këtu në Zvicër. Je ndër pak veta që po ta tregoj emrin e vërtetë, por të lutem mos më dekonspiro!“

***

  • Ilustrimi:  Kopertina e librit Atentatet dhe tri fragmente të datave 11, 25 e 26 mars 1981, të cilat më gjerësisht u shpaluan në shënimin e mësipërm.

***

TAKIMI I BARDHOSH GËRVALLËS ME KADRI ZEKËN NË CYRIH TË ZVICRËS, NË FAZËN PËRGATITORE TË DEMONSTRATËS SË 11 PRILLIT 1981 NË BERN

Ibrahim Miran Kelmendi

Për ta përmbyllur këtë histori të sajuar prej teje, duke përgojuar pa të drejt emrin e Jusuf Gërvallës dhe jo vetëm, me këtë rast sjellë dy dëshmi nga VEPRA e Kadri Zekës, të cilat faktojnë se, Jusuf Gërvalla dhe Bardhosh Gërvalla pa ndihmën tuaj kontaktojnë me Kadri Zekën për organizimin e demonstratave në shtetet perëndimore.

Në korrik të vitit 1986, (vetëm katër vjet pas vrasjes së vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka, kur kujtesa dhe faktet ishin të freskëta), Biblioteka “LIRIA” në adresën Buchhandlung, Badhasustr.35 – 2503 Biel – Bienne, ka botuar librin VEPRA të Kadri Zekës. Në këtë vepër përmblidhet jeta dhe veprimtaria revolucionare e Kadri Zekës, mendimet politike e teorike të tij, shumë artikuj të botuar në gazetat “Liria” dhe “Zëri i Kosovës”, trakte e fjalime që ka mbajtur në tubime e demonstrata të cilat u organizuan në Zvicër, Gjermani dhe në Belgjikë, në periudhën kohore: 11 prill – 4 korrik 1981, si dhe kujtime të shumta të bashkëveprimtarëve të tij.

Dihet mirëfilli se demonstrata e parë në perëndim, (në përkrahje të fuqishme të kërkesës “Kosova Republikë!”, që u artikulua në demonstratat e 25 – 26 marsit dhe 1 – 3 prillit 1981 në Kosovë), u mbajt më 11 prill 1981 në Bern të Zvicrës, dhe bartësit kryesor të kësaj demonstrate ishin Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla.

Dhe në këtë kuadër në vazhdën e përgatitjeve për demonstratën e 11 prillit 1981 në Bern, Bardhosh Gërvalla takohet në Cyrih me Kadri Zekën. Dhe për çudi takimet e tyre ndodhën pikërisht ato ditë kur ti thua se me kërkesën e Jusuf Gërvallës kishe shkuar në Zvicër për ta takuar Kadri Zekë, lidhur me fillimin e organizimit të demonstratave në shtet perëndimore!

Një shok i Kadri Zekës në kujtimet e tij shkruan:

“Erdhi më në fund e shtunja. Takimin e kishim caktuar në mbrëmje, në orën 19. Pa e humbur asnjë minut erdhi shkoku Zeqë (Kadri Zeka – shën.im) i cili dukej i lagur nga shiu që kishte filluar të binte. Nisëm të bisedojmë. Interesohej për gjthshka që po ndodhte në Kosovë. Për shokët, për demonstratat, për burgosjet. I tregova aq sa dita… Pasi më foli për disa gjëra tjera shumë të rëndësishme më tregoj për përpjekjet për bashkim të të gjitha organizatave në një lëvizje të përbashkët në gjirin e së cilës do të përfshiheshin të gjithë revolucionarët, njerëzit patriotë, punëtorë, nxënës e studentë. Më ofroi mundësinë që të punoj me shokë në Kosovë dhe u morëm vesh që unë të kthehem atje. U ndamë aty nga ora 20 e 30 minuta. U ndamë me grushtat lart, duke më thënë se do të kthehemi së shpejti. Të nesërmen më thirri në telefon. Më tha të dal në të njëjtin vend ku ishim takuar dy herë më parë. Pa vonuar shumë dola. 

Pashë se ishte me një shok tjetër. Hyra në veturën ”Citroën” ngjyrë portokalli. Dolëm në periferi të Cyrihut. Më njoftoi se do të organizohet një demonstratë në Bernë (më 11 prill 1981 – shën.im) dhe për këtë duhet të angazhohemi në shpërndarjen e thirrjeve. Njëkohësisht ma dha teksin e parullave që duheshin të shkruheshin në pllaka të mëdha në gjuhën shqipe dhe gjermane. Madje foli për krijimin e një ure të fortë uniteti e bashkimi mes shokëve. Më foli për përgatitjen teorike të shokëve tanë, për kritikën dhe autokritikën. Atë ditë se zgjatëm më shumë. Shoku që ishte me të, tani më kujtohet se ishte Bardhosh Gërvalla, i cili vetëm dëgjonte.”

  • Kadri Zeka, Vepra, Biblioteka ”Liria”, Biel – Bienne, Zvicër, Korrik 1986, faqe142-143

Për rolin kyq të Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës në demonstratën e 11 prillit 1981 në Bern, shkruan më gjerësisht Nuhi Sylejmani, në faqet 35 – 38 të librit, “Vrasja e trefishtë (kujtime e fakte”,  Prishtinë 2010. Gjithashtu për demonstratën e Bernit dhe të gjitha demonstratat tjera që u mbajtën në Zvicër, Gjermani dhe në Belgjikë ka shkruar edhe Jusuf Gërvalla në lertërkëmbimet e tij me Sabri Novosellën (prill – korrik 1981).

MË 4 PRILL 1981 KADRI ZEKA I SHKRUAN LETËR JUSUF GERVALLËS

Ibrahim Miran Kelmendi

Në tri librat tuaj që i përmenda në këtë diskutim, si dhe në shumë shkrime e kumtesa “shkencore”, ke ripërsëritur sajesën e madhe, sikur Jusuf Gërvalla Ty të paska dërguar më datë 3 prill 1981 të shkosh në Zvicër për ta takuar Kadri Zekën, për t’u takorduar lidhur me organizimin e demonstratave në perëndim. Meqë Kadri Zekën nuk e takove më 3 prill në librarinë e zviceranit Beat Schaffer, ku e kishte adresën Kadri Zeka në emër të gazetës LIRIA, ti qëndrove aty deri më 5 prill kur Kadriu erdhi dhe “kreve” punë me te!

Sipas kujtimeve të një shoku të Kadri Zekës, botuar në librin VEPRA të tij, në korrik 1986 (vetëm 5 vjet nga prilli i vitit 1981) Kadri Zeka më 4 prill 1981 (pikërisht në kohën kur ti ishe “ngujuar” në librarianë e Beat Schafferit, duke pritur “ardhjen” e Kadri Zekës, ai në banesën e tij po i bënte përgatitjet për demonstratën e Bernit, e cila do të mbahet më 11 prill. Dhe në këtë moment Kadri Zeka i shkruan edhe një letër Jusuf Gërvallës!

Në librin VEPRA, shoku i Kadriut kujton:

”Më 4 prill 1981, në banesën e tij, Ai (Kadri Zeka – shën.im) më njohtoi se Dega e OMLK-së në botën e jashtme kishte vendosur që t’u dilnim në ndihmë vëllezërve që demonstronin dhe gjakoseshin nëpër rrugët e Kosovës me policinë jugosllave, dhe kjo ndihmë do të bëhej duke demonstruar dhe protestuar para ambasadave dhe konsullatave jugosllave në Perëndim. Ndërsa demonstratën e parë do ta bënim para ambasadës jugosllave në Bernë (më 11 prill 1981 – shën.im). Me të shpejtë e shkroi një thirrje për demonstratë dhe e shumëzoi në disa qindra ekzemplarë me geshtetnerin që dispononte. Aty pashë që i shkroi edhe një letër shokut Jusuf Gërvallës. Në pyetjen time se a do të kemi banderolla (parulla të shkruar), Ai menjëherë nxori nga ormani katër çarçafët e tij të pastër dhe i premë përgjysmë, në të cilat copa shkruam tekstet që kishte përgatitur. Pos kësaj ai kishte angazhuar edhe disa shokë në rrethe të ndryshme për të njëjtën punë. Më 11 prill 1981 në Bernë, kishin ardhur me qindra mërgimtarë për të demonstruar dhe protestuar para ambasadës jugosllave.”

  • Burimi: Kadri Zeka, Vepra, Biblioteka ”Liria”, Biel – Bienne – Zvicër, Korrik 1986, faqe 148

***

Ibrahim Miran Kelmendi

 Filozofi gjerman Fridrih Niçe (844 – 1900) ka thënë “kush nuk ka besim në vetvete, gjithmonë gënjen”, dhe për mendimin tim gënjeshtra e mashtron vetëm atë që e thotë, duke e përsëritur deri në pafundësi, dhe ai je Ti! Shpreh keqardhje për Ty! Tung!

© Pashtriku.org

______________

Kthehu në fillim:

IBRAHIM KELMENDI KUNDËRTHËNËSI I LËVIZJES (1)

Nga Sheradin Berisha

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura