ALBIN KURTI – VV: ZONJA PRESIDENTE, JU JENI AJO QË PO MANIPULONI MBARË OPINIONIN PUBLIK

Prishtinë, 06. 11. 2012 – (Letër e hapur Presidentes së Republikës së Kosovës, znj. Ahtifete Jahjaga) – Zonja Presidente Atifete Jahjaga, ndihemi të detyruar t’jua shkruajmë këtë letër të hapur për të vënë në dukje disa keqfunksionime shqetësuese e të papranueshme të institucionit të Presidentit të Republikës së Kosovës gjatë periudhës që ju po e drejtoni këtë institucion.
Në një deklaratë tuajën për agjensinë “KosovaPress” ju keni thënë shprehimisht se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka bërë manipulim të masave, me rastin e aksioneve e protestave tërësisht legjitime që ne zhvilluam në 22 dhe 23 tetor. Ato protesta drejtoheshin kundër qeverisë së Kosovës, e cila po zhvillon negociata dhe bisedime pa parime dhe pa asnjë kusht apo garanci me Serbinë, këtë vend i cili nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale mbi krejt Republikën që ju e drejtoni, madje ka këmbëngulur që botërisht statusi republikan i Kosovës të vendoset në diskutim, përmes fusnotës tashmë të famshme.

FLET PRESIDENTJA E ZARFIT – ATIFETE JAHJAGA…


Klikoni: http://kosovapress.com/?cid=1,47,31034

……………………………………..

Shqetësues, në rastin e deklaratës suaj, nuk është qëndrimi personal i zonjës Jahjaga, por qëndrimi i Presidentes së Republikës së Kosovës. Sipas Nenit 83 të Kushtetutës së Kosovës, i cili trajton statusin e Presidentit citojmë: “Presidenti është Kreu i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”. Mjafton ta lexoni këtë Nen të Kushtetutës për të kuptuar se nuk ju përket juve të mbani anë politike, apo të ngrini akuza të pabaza mbi një forcë politike që është aktualisht e treta në vend, e që është votuar prej dhjetëra mijëra qytetarëve të Republikës. 
Natyrisht, zonja Presidente, ne jemi të ndërgjegjshëm se është vështirë të përfaqësohet uniteti sepse jeni e vendosur në krye të atij institucioni me marrëveshje ndërmjet tri partive politike dhe një ambasadori të huaj, në mënyrë jodemokratike dhe joinstitucionale. Këtë mënyrë të emërimit ne të gjithë e kritikojmë edhe kur ndodh për poste shumë më të ulëta në hierarkinë e administratës publike, sepse është e kundërta e transparencës, e jo më kur ndodh në kreun e shtetit.
Si një presidente e dalë nga zarfi, ne kemi pritur që në aktivitetin tuaj të mëvonshëm, për të balancuar mëkatin fillestar, ju do të respektonit pak më shumë frymën institucionale, kushtetutën, rregulloret dhe ligjet. Ne menduam se ju do të bënit çmos që zarfi të harrohej. Mirëpo nuk ka ndodhur kështu, pasi anshmëria juaj e dukshme dhe konseguente e shndërron problematikën që ju përfaqësoni, në sekuencë.
Ju jeni në krye të atij posti si pasojë e një marrëveshje në prapaskenat e pushtetit, një marrëveshje që përfaqëson interesat e pjesshme të atyre që shtrënguan duart – e pikërisht për këtë ne e kemi kundërshtuar asokohe emërimin tuaj. Por, kur është prishur më vonë kjo marrëveshje (duke i bërë edhe më të vegjël interesat pjesorë që rrinë pas zgjedhjes suaj), e kur është kërkuar përfundimi i parakohshëm i mandatit tuaj nga një pjesë e opozitës, ne kemi qenë ata që mbajtëm qëndrimin se nuk ka asnjë bazë kushtetuese që mandati juaj të kufizohet. Këtë po ua rikujtojmë që të mos mendoni se ne kemi qëndrim personal kundër jush. Përkundrazi, qëndrimi ynë është parimor, dhe ne gjithnjë thirremi në frymën institucionale e ligjore, e jo në marrëveshjet e fshehta e informale që për ne janë të pavlefshme si atëherë kur respektohen, edhe atëherë kur nuk respektohen.
Në po të njëjtën deklaratë ju i dilni në mbrojtje policisë së Kosovës, e cila shtypi me çizmen e dhunës e me urdhrat arrogantë të ministrit Rexhepi protestën krejtësisht legjitime të qytetarëve të vendit tuaj kundër takimit të Thaçit me Daçiqin, personin që deri para disa muajsh i ka poshtëruar botërisht bash ata policë shqiptarë duke i rrëmbyer në fshatin Dumnicë të Besianës.
Le t’ju kujtojmë edhe një detyrë kushtetuese të institucionit të Presidencës. Sipas Nenit 84, pika 2, citojmë se Presidenti “garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të themeluara në këtë Kushtetutë”. E ju, duke justifikuar policinë, dhunën e egër të së cilës e denoncuan edhe Amnesty International, Avokati i Popullit, KMDLNj etj. nuk e përmbushni aspak këtë Nen. E drejta e protestës është e mbrojtur nga kushtetuta. Kjo është një e drejtë demokratike. Të mbrosh e të justifikosh shkeljen dhe përdhunimin e kësaj të drejte kushtetuese që është protesta, siç bëni ju, nënkupton ta vësh çizmen e policisë mbi vetë kushtetutën. E kjo ka një emër tjetër, por jo frymë institucionale.
Ju e mbështesni policinë dhe nuk keni bërë ende asnjë koment për dhunën, mirëpo si ish-police që jeni, ju e dini mirë se policia gjithashtu është një institucion i detyruar të zbatojë ligjet dhe kushtetutën, si dhe të drejtat universale të njeriut. Duke marrë anën e policisë, ju i braktisni qytetarët në një moment të vështirë, pikërisht në momentin kur ata kanë nevojë për institucione të paanshme që ta hetojnë keqpërdorimin e policisë për të ushtruar dhunë mbi ta.
Më pas, kur jeni pyetur direkt për çështjen e pezullimit të punës së Kuvendit të Kosovës nga Kryetari i Kuvendit i shqetësuar nga prania e policisë, ju në vend që t’i dilni në krah Kuvendit, si institucioni më i lartë legjislativ i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, ju justifikoni sërish policinë dhe flisni për besueshmëri ndaj tyre, duke mos u thirrur asnjëherë në ligjet që e garantojnë integritetin e Kuvendit prej çdo force të armatosur. Për më tepër, ju i përkujtoni deputetëve se imuniteti i tyre qenka i pavlefshëm në disa raste, e për pasojë ata janë të prekshëm prej policisë. Kjo është tepër shqetësuese, duke pasur parasysh që jeni ju personi që emëroni gjyqtarët dhe prokurorët, e për pasojë qëndrimi juaj mund të përkthehet si një tendencë për të vendosur diktatin e ekzekutivit dhe gjyqësorit mbi legjislativin.
E më pas, ju që e shpallni veten simbol të gruas së emancipuar, nuk mbajtët asnjë qëndrim për arrestimin e padenjë të grave në protestë, ndër to janë keqtrajtuar edhe disa deputete të Kuvendit të Kosovës, që janë zgjedhur me votat e popullit. Asnjë fjalë nuk e thatë në solidarizim me ato qytetare të Republikës që në 22 tetor u përballën me dhunën e ish-kolegëve tuaj policë. Ju nuk e përmendët asnjëherë as rastin e shtetases gjermane, që shoqëronte familjarët e saj në protestë e që nuk e përballoi dot tronditjen e asaj dhune të papranueshme në shekullin e në kontinentin ku jetojmë.
Këto qëndrime, Zonja Presidente, janë vërtet shqetësuese. Ju po silleni si një përfaqësuese e ekzekutivit policor, e jo si një përfaqësuese e unitetit kombëtar në Republikën e Kosovës. Për më tepër, paanshmëria juaj ka marrë hije të mosbesimit edhe për shkak të zellit tuaj për t’iu përgjigjur ftesës së PDK-së e për të marrë pjesë si mysafire nderi në festën e 12 vjetorit të kësaj partie, ashtu siç nuk keni bërë me asnjë forcë tjetër politike. Qëndrime të tilla nuk shuhen e nuk bëhen të harrueshme nga ftesat për takime të përbashkëta zyrtare me qëllim unitetin, përkundrazi, janë qëndrimet si këto që i bëjnë ftesat tuaja për unitet të jenë të pavlefshme.
Zonja Presidente, vendi është duke kaluar një situatë shumë të rëndë dhe gjithnjë e më të rënduar. Demokracia është vënë në pikëpyetje përmes një sërë çështjesh që po imponohen si “alternativë e vetme”. Dihet botërisht se demokracia është sistemi ku, brenda kornizave ligjore, përballen dhe konkurrojnë alternativat. E sistemet ku imponohen “alternativat e vetme” nuk janë demokraci. Ju Zonja Presidente, në deklaratat tuaja thoni se dialogu me Serbinë është e vetmja alternativë. Ju thoni se shtrëngimi i duarve me një shtet ende agresiv siç është Serbia që nuk heq dorë prej Kosovës në kushtetutën e saj, dialogu me një shtet ende të papërgjegjshëm për mbi 12.000 civilë të vrarë, për afër 20.000 gra të dhunuara, për mbi 1.700 të pagjetur e qindra mijëra shtëpi e prona të djegura, është mundësia e vetme. E më pastaj thoni se i keni provuar mundësitë e tjera, por nuk kanë funksionuar. Cilat janë mundësitë e tjera që keni provuar ju, Zonja Presidente? A i keni shteruar të gjitha mundësitë e tjera, para se të përfundoni te kjo “alternativë e vetme” që imponohet me çizme policie? Përse nuk i keni marrë në konsideratë gjithë alternativat që ofron spektri politik parlamentar në Kosovë, para se të përfundonit te kjo “alternativë e vetme”?
Zonja Presidente Jahjaga, Serbia nuk mund dhe nuk duhet të jetë “alternativa e vetme” në Kosovë, në asnjë pjesë të territorit, as në veri, me strukturat e saj ilegale që ju keni rendur t’i takoni. Çfarë keni biseduar ju me përfaqësuesit e strukturave ilegale të Serbisë në Veri, Zonja Presidente? A nuk ju kanë treguar se e gjithë struktura, përfaqësuesit e së cilës ju keni takuar është kriminale? A nuk e dini se për një përfaqësues të institucioneve “e vetmja alternativë” ndaj strukturave kriminale është shuarja e tyre, e jo legjitimimi përmes takimeve të fshehta?
Përmes këtyre qëndrimeve, Zonja Presidente, jeni ju ajo që po manipuloni mbarë opinionin publik, duke u bërë këmbëngulëse në praktika të ngjashme formalisht dhe moralisht me atë që solli në vendosjen tuaj në krye të institucionit.
Ne, si Lëvizje VETËVENDOSJE! urojmë që shumë shpejt të reflektoni mbi qëndrimet tuaja, e të lëvizni prej pozitës pjesore e të anshme që po mbani, në pozitën që ua njeh ligji dhe kushtetuta, si garante e unitetit dhe e funksionimit të drejtë e ligjor të institucioneve. Urojmë që për sa kohë të qëndroni në karrigen e Presidentit të Republikës, ta shihni policinë objektivisht si një institucion që duhet të mbrojë demokracinë dhe qytetarët, e jo t’i dërrmojë ata. E mbi të gjitha, urojmë që ta shihni veten si faktor në projektin për përparimin e sovranitetit republikan në Kosovë, e jo në ndonjë projekt tjetër.
Me gjithë respektin që i detyrohemi institucionit
Sinqerisht,
Albin Kurti
Lëvizja VETËVENDOSJE!

………………………………………………………….

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG


PASHTRIKU: POLITIKANËT TANË – KUFOMA TË GJALLA!

Hapni këtë lidhje:

https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=594

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura