GJEKË GJONAJ: PLAKU I URTË E FJALË PAK I TRIESHIT

Ulqin, 4 Korrik 2019: Me rastin e 125 – vjetorit të lindjes së Tomë Hasit Gjeloshaj (1984 – 1983) – Këto ditë mendja më shkon te fëmijëria dhe rinia ime në vendlindje, kur mblidheshin burrat e Trieshit dhe bisedonin, tregonin histori e ngjarje të ndryshme , pleqnonin, punonin së bashku, shoqëroheshin me njëri-tjetrin sikur të ishin familjarë , por edhe argëtoheshin me shaka, mahi e batuta. Në këto takime burrash shfaqej dhe pasqyrohej urtia popullore e pleqnarëve të cilët me fjalët e tyre të drejta , të buta dhe të argumentuara shpesh herë hapnin dyertë e mbyllura dhe thyenin të fortin.
Kush është Tomë Hasi?
Kur flasim për burrërinë, mençurinë dhe thjeshtësinë e bashkëvendasve të mi ( trieshjanëve) mendja më shkon tek Tomë Hasi Gjeloshaj, plaku i urtë e fjalë pak. Ai më nuk është në këtë jetë , por pas veti la shumë fjalë të mira, të urta, të cilat shpresoj se do të jetojnë përjetësisht në mesin e popullatës shqiptare, dhe do të përsëriten brez pas brezi. Po të ishte gjallë, do të kishte 125 vjet. Dhe, ja, ne e kujtojmë me respekt.
Lindi më 10 prill 1894, në fshatin Rudinë , në Triesh. Ishte djali i tretë i Hasan Nikës dhe Gjuke Hases Lucaj nga Koja. Ishte vëlla i tre vëllezërve, Zefit, Lukës dhe Pjetrit. Kishte një motër, Mrikën. Familja e tij kishte një ekonomi pjesërisht të qëndrueshme. Merrej me blegtori. U rritë në kushte të vështira, sikur bashkëmoshatarët dhe bashkëkohasit e tij, në një vend shkëmbor siç është Trieshi, ku duhej punuar shumë për të siguruar siç thotë populli ynë kafshatën e gojës . U edukaua dhe u formua në në një familje të njohur me histori të lavdishme, të cilën e përcollën tragjedi e trazira të shumta.
Martesa me shkuesi, e jo me dashuri
Tomë Hasi u martua në moshën 36 vjeçare me Lulë Doken Lucaj. Jo me dashuri, por me shkuesi. Nuk e dëgjoi zemrën e tij. As të prindërve. Shokun e tij të jetës ia zgjodhi Nikë Zeka Gjeloshaj, një burrë i dalluar në Malësi. Nikë Zeka ishte shok dhe mik i ngushtë me Dokë Gjeloshin. Nika një ditë vendosi të shkojë në shtëpinë e Dokës për t’ia kërkuar vajzën e tij Lulën, të martohet me kushëririn e vet Tomën. Në fillim të bisedës, sipas traditës e zakoneve të vendit, Nika e lavdëron Tomë Hasin aq shumë sa që Dokë Gjeloshi ndër të tjera kthehet e i thotë butësisht e miqësisht ”Nikë nuk po të dves ( pyes) a ka Suka dru, por a ka Toma tru ( mend) . Për pasuri ç’i ( që) ka mali i Sukës e di” . Nika megjithatë nuk e pati tepër të vështirë të bind mikun e tij për t’u bërë miq me Tomë Hasin. Doka pranoi. Dha fjalën e miqësisië. E, Toma këtë lajm e pranoi me gëzim edhe pse nuk e njihte nusen e tij të ardhshme, Lulën 18 vjeç. Pasi qëndruan të fejuar një kohë ( nuk e di saktë se sa) u martuan. Jetuan në shtëpi-kasollë, si të gjithë trieshjanët e tjerë të asaj kohë të pa kohë, në harmoni të plotë, duke e respektuar njëri-tjetrin. Së bashku lindën gjashtë fëmijë, tre djem ( Zefi, Kola e Gjeloshi) dhe tri vajza ( Mrija , Filja dhe Pashka). Ata deri në vitin 1945 jetuan në fshatin Rudinë , në Mërda. Më pas u transferuan në Sukë. Atje, në afërsi të varrit të Vuksan Gelës, para tyre jetonte vetëm familja e Gjeto Gjekës Arapaj.

Zemrat e thyera
Jeta martesore e Tomës dhe Lulës nuk kaloi pa shqetësime, e lotë. Lumturi dhe kënaqësia u ndërpre , kur u vdes vajza Pashka në moshën një vjeçare. Që atëherë Tomës dhe Lulës u thehet zemra prindërore. Por kjo familje përjetoi tragjedinë më të madhe dhe më të vështirë me rastin e vdekjes së papritur të djalit të tyre Kolës, 23 vjeç. Vdekjen e tij, vetëm tre muaj pasi u kthye nga shërbimi ushtarak , e shkaktoi rrufeja pas një bubullime të trishtuar. Kola nga kjo goditje e fuqishme u shtri për tokë. Në atë moment, siç më kanë thënë trieshjanët e vjetër, kallet një pjesë e kulmit të shtëpisë – kasollës ku jetonin. Plaku 67 vjeçar përballet me vështirësi të pa para ndonjëherë më parë. Menjëherë, pa humbur kohë, si në ksuhtrim, e kthen në anën tjetër trupin e djalit tashmë të shtrirë për tokë , pa shenja jete, pasi mendohej se kjo është ndihma e vetme e parë që mund t’i jepej njeriut në raste të këtilla. Më pastaj, merr kofën me ujë dhe provon të fikë flakën e zjarrit. Ndërkohë djali i tij, Kola, që konsiderohej ndër djemtë më të bukurë dhe më në zë të Trieshit për vepra të mira njerëzore, ndërroi jetë. Në ditën e varrimit pikëllim, lotë, e vaj. Qanin të gjithë.Pleq e të rinj. I madh e i vogël. Gra e fëmijë, Djem e vajza nga e gjithë Malësia. Por. jo edhe nëna dhe babai i tij. Ata , qëndruan fortë. Zemra u ishte bërë gurë graniti. Në mbarim të ceremonisë së varrimit Toma mori guximin e u ngritë në këmbë për të falënderuar popullin e pranishëm. Qetësi, për një çast. Të gjithë heshtën. Kishin dëshirë të dëgjonin plakun e urtë të maleve, burrin e burrave.
Fjala e tij me peshë
Nuk e teproi me dëshprimin për humbjen jashtëzako0nisht të madhe e të pazëvendësueshme. Përkundrazi, i habiti të gjithë me fjalët:” Zoti na e ka falë. Tash 23 vjet kemi ba qef me të. Sot na e ka marrë dhe tash e mbrapa do të jetojmë vetëm me kujtimet e tij”. Këto fjalë të tij me peshë edhe sot fliten ndër malësorë. Shpresoj edhe nesër. Janë pothuaj profetike.
Njerëzit fisnik e të mençur, si Tomë Hasi me shokë, nuk e teprojnë me dëshpërim për diçka të humbur, pasi nuk e dinë me siguri nëse ajo që u ka humbur ishte e hairit apo e sherrit. Ata nuk e teprojnë as me gëzim për mirësitë, duke e falënderuar Zotin në çdo gjendje. Njerëz të tillë gëzohen me masë dhe hidhërohen me masë. Njeriu s’ka pse të ngazëllehet për fatin e tij të mirë, pasi kjo mund të jetë pikënisja e vuajtjeve dhe e kundërta. Njeri i lumtur është ai që arrin ta vërë në praktikë konceptin e të qenurit i kënaqur me caktimin e Zotit. Këta janë njerëzit e vetëm të lumtur.
Pleqnar në pajtime të ndryshe
Përveç sa thamë Tomë Hasi u dallua edhe në një aspekt tjetër, në pajtime të ndryshme, si mes të personave të padrejtë me të drejtë, në çështjet pronësore, në ngatërresa, në rrahje dhe në pajtimin e gjaqeve jo vetëm në Triesh, por edhe në Hot, Grudë e Kojë. Kjo sepse fjala e tij kishte peshë, qëndrimet e tij ishin të drejta, të paanshme dhe të argumentuara. Prandaj, jo rastësisht, ai ishte zgjedhur plak katundit. “Pleqëria nuk bëhet me fjalë, ajo bëhet me zemër sikur në shtëpinë tënde”, ishin pëshpëritjet e këtij njeriu të urtë.
Krenaria e fisit dhe farefisit
Kontributi i tij në këtë rrafsh ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i vlerësuar. Ai për këtë dhe shumë punë e vepra të mira e fisnike që ka bërë meriton një mirënjohje të thellë nga brezat e rinj. Nga ana tjetër familjarët, fisi e far efisi duhet të krenohen me këtë burrë të urtë e të ndershëm.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura