Tetovë, 16 nëntor 2019: Partitë politike të shqiptarëve që aktualisht janë në pushtet dhe liderët e tyre që kanë qenë bartës të funksioneve të larta në pushtetet e mëparshëm nuk mund të aktrojnë opozitë politike kundër pushtetit të sotëm jodemokratik në Maqedoni.
Shqiptarët në Maqedoni përfundimisht kanë nevojë për riorganizimin dhe rimëkëmbjen e lëvizjes politike të tyre, meqë në tri dekadat e fundit është treguar e plogësht, e ngathtë, e paorganizuar dhe e paaftë për përmbushjen e aspiratave kombëtare, liridashëse dhe demokratike, realizimin e qëllimeve dhe detyrave të parashtruara para saj në rrethanat në të cilat po kalon sot populli shqiptar në Maqedoni dhe kombi shqiptar në përgjithësi.
Përpjekjet, angazhimi dhe pretendimet e forcave politike ekzistuese dhe elitave intelektuale, se shqiptarët në Maqedoni mund t’i përballojnë goditjet e sotme ndaj lëvizjes politike dhe çështjes kombëtare vetëm përmes organizimit të forcave politike të opozitës nuk kanë qasje të drejtë, nuk janë të mjaftueshme dhe shpresëdhënëse, dhe si i tilla nuk mund të jenë të suksesshme.
Rrethanat në të cilat ka vepruar lëvizja politike dhe kombëtare e shqiptarëve në Maqedoni, si në periudhën përpara, gjatë regjimit komunist dhe në periudhën pas pavarësimit të Maqedonisë, kanë qenë tepër specifike, jo të favorshme dhe shumë më ndryshe nga rrethanat në të cilat ka vepruar lëvizja politike dhe kombëtare në Kosovë, e cila detyrë të parë dhe kryesore e ka pasur çlirimin e vendit dhe pavarësinë e shtetit të Kosovës; me lëvizjen politike demokratike në Shqipëri, me synim ndryshimin e sistemit politik, formën e regjimit, që si të tilla, këto lëvizje kanë qenë shumë të ndryshme me problemet me të cilat është përballur lëvizja politike e shqiptarëve në Maqedoni, e orientuar për ndryshime në sfera të ndryshme, nga sigurimi i të drejtave kombëtare elementare, si përdorimi i gjuhës shqipe, flamurit kombëtar, barazisë qytetare, shkollimit në gjuhën amtare, përfaqësimit adekuat në organet e pushtetit, problemet e pushtetit vendor dhe çështje të tjera të kësaj natyre. Prandaj, çdo paralele dhe pretendim për kopjimin e modeleve të lëvizjeve politike në Shqipëri dhe në Kosovë nuk mund të jenë efikase dhe të përshtatshme për zbatimin e tyre nga lëvizja politike e shqiptarëve në Maqedoni.
Lëvizja politike e shqiptarëve në Maqedoni duhet të konceptohet dhe veprojë sipas nevojave specifike të shqiptarëve në këtë shtet dhe karakteristikave në hapësirën ku ajo vepron, në koordinim dhe bashkëveprim të përhershëm me lëvizjet politike progresive në Shqipëri, Kosovë dhe në viset tjera shqiptare, me përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme edhe të mërgatës shqiptare në botën e jashtme.
Secila përpjekje politike dhe kombëtare, iniciativë progresive dhe e dobishme për shqiptarët në Maqedoni, në mënyrë të vazhdueshme është përballur me probleme shumë më të mëdha se secila lëvizje politike, iniciativë kombëtare për ndryshime pozitive dhe progresive në Tiranë dhe Prishtinë, duke pasur parasysh faktorët e brendshëm dhe të jashtëm, si: tendencën e forcave politike të vjetra edhe të vetë shqiptarëve për ruajtjen e privilegjeve që ofron pushteti, qëndrimin në pushtet deri në pa kufij, qeverisjen me kuadro të dështuar dhe komprometuar, me këtë duke e degjeneruar skajshëm lëvizjen politike të tyre, e cila në vend se jetë përfaqësuese e denjë, bartëse dhe zëdhënëse e të drejtave të ligjshme të popullit shqiptar që e përfaqëson ajo, kjo lëvizje është shndërruar në instrument në duart e pushtetit, për degjenerimin dhe shuarjen në vazhdimësi të çdo aspirate kombëtare, përpjekje demokratike dhe liridashëse të popullit shqiptar në Maqedoni.
A janë shqiptarët në Maqedoni të interesuar, të organizuar dhe të aftë për ndryshimin e gjendjes së rëndë në të cilën ndodhen sot, kjo do të varet në radhë të parë nga organizimi dhe bashkëpunimi i forcave politike të opozitës, si një hap i domosdoshëm për riorganizimin dhe ringritjen e lëvizjes politike dhe kombëtare në të ardhmen, por jo edhe si hap i vetëm.
Duhet t’u bëhet e qartë të gjithëve se, bashkimi dhe organizimi sado i mirë dhe me sukses i partive politike të opozitës shqiptare sot, nuk nënkupton edhe ringritje dhe riorganizim të lëvizjes politike të shqiptarëve në përgjithësi, meqë me ardhjen e mundshme në pushtet të këtyre partive që sot e përbëjnë opozitën, nesër po ato do të jenë pushteti vetë, apo pjesë e tij, me këtë edhe pengesa kryesore për avancimin dhe realizimin e të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet, siç kanë vepruar dhe veprojnë partitë shqiptare simotra të tyre, të cilat aktualisht janë në pushtet, madje disa prej tyre edhe duke qenë në pushtetin aktual aktrojnë çuditërisht opozitën, me qëllim të mbetjes edhe më tej në pushtet, me tendenca të forcimit të mëtejshëm dhe shërbimit më të madh ndaj pushtetit, i cili së paku deri më sot me asgjë nuk është dëshmuar se është edhe në interes të popullit shqiptar në Maqedoni.
Kjo është tepër e çuditshme, e pakuptueshme dhe skandaloze, çfarë konceptesh të gabuara ndërtojnë klanet politike, grupet e interesit dhe pushteti për arritjen e qëllimeve të veta, sidomos përmes megafonave të tyre, medieve dhe disa analistëve të porositur, duke e ngulfatur kështu çdo përpjekje dhe iniciativë të shëndoshë për interesat e popullit shqiptar në Maqedoni.
Postime të Lidhura
SHERADIN BERISHA: KOSOVA NË TAVOLINËN E NEGOCIATAVE PËRFUNDIMTARE ME SERBINË!
Pashtriku, 21 qershor 2020: Kosova po i rikthehet tavolinës së negociatave me Serbinë! Hashimi&Co, më 27 qershor 2020…
LEIN: ‘LIRIA E LËVIZJES NË KOSOVË – SFIDAT DHE KUFIZIMET E BRENDSHME DHE RAJONALE’
Pashtriku.org, 04. 02. 2015 – Këto ditë (më 27 janar 2015), në sallën e konferencave në hotelin “Sirius”…
FDA KA AUTORIZUAR MARRJEN E DOZËS SË KATËRT TË VAKSINËS!
Përkundër efekteve të rënda anësore, madje edhe me vdekje, në SHBA kërkohet përforcuesi i dytë i vaksinës! FDA…
AUREL DASARETI: KONFRONTIM OSE DIALOG?
USA, 4 maj 2017: Terroristët e VMRO-DPMNE të katrahurës FYROM, me urdhër të Kryekriminelit Nikola Gruevski, dhunuan Kuvendin…