SHERADIN BERISHA: MOLLA PIKË NËN MOLLË!

Pashtriku, 24 nëntor 2019: Durimi s’mundet me qenë me i mirë se Fatmiri! Mijëra familje shqiptare jetojnë në skamje e varfëri, ndërsa “Djali i Fatmir Limajt i harxhon 30 mijë euro në udhëtime zyrtare” – shkruan Besnik Krasniqi
***
Lexoni shkrimin:
Djali i Fatmir Limajt i harxhon 30 mijë euro në udhëtime zyrtare
“Durim Limaj është kampion për nga shpenzimet e bëra në udhëtime jashtë vendit, krahasuar me anëtarët e tjerë të stafit politik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Me harxhime ia ka kaluar edhe secilit prej dy ministrave që gjatë gjysmëmandatit e kanë drejtuar këtë dikaster qeveritar.
Bazuar në një pasqyrë shpenzimesh që Ministria ia ka siguruar “Kohës Ditore” pas një kërkese për qasje në dokumente publike, për më pak se dy vjet, vizitat e Limajt jashtë vendit i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 30 mijë euro – 15.001.32 euro në vitin 2018, ndërsa sivjet edhe 14.057.25 euro të tjera. Pjesë e madhe e kësaj shume është shpenzuar për t’u ushqyer gjatë këtyre vizitave – fiks 8.798.83 euro.
Durim Limaj është këshilltar i lartë politik dhe shef i kabinetit të ministrit në detyrë të MTI-së, Endrit Shala. Ai është djali i zëvendëskryeministrit në detyrë, Fatmir Limaj, i cili e drejton Nismën Socialdemokrate. Ky subjekt politik ishte pjesë e koalicionit që ka ndërtuar Qeverinë në ikje, ndërsa rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit tregojnë se e ka në rrezik ta mbërrijë pragun prej 5 për qind të votave, ndonëse kishte garuar në zgjedhje në koalicion me Aleancën Kosova e Re.
Në këtë gjysmëmandat, njerëz të Nismës kanë drejtuar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ku prej gati dy vjetësh është këshilltar i lartë politik Durim Limaj. Gazeta ka adresuar pyetje tek ai në lidhje me shpenzimet e bëra, por gjatë ditës ka munguar përgjigjja.
Nga Besnik Krasniqi, 29 tetor 2019

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura