ILJASA SALIHU: SHTJELLIMI I NJË PËSHTJELLIMI

Pashtriku.org, 14. 11. 2012 – (Ese kushtuar të gjithë atyre që hodhën të paktën një fjalë në letrën e bardhë për të mirën e kësaj shoqërie) – Rrezet e diellit fare pa trokitur kishin shpuar xhamat e vendosura me kujdes dhe që kishin pak ajër në mes. Ai që duhej zgjuar me lajmërimin e vagëllimës, dukej se ishte zhytur thellë në ëmbëlsinë e muzgut të thellë, kohë kjo kur edhe atë e kishte kapluar gjumi. Ai urrente mosshfrytëzimin e rrezeve të diellit të cilët prodhonin dritë dhe nxehtësi, si dhe në anën tjetër druante shumë në shpenzimin e dritës artificiale në kohën kur ekzistonte mundësia që flegrat e të bëmave të asaj dite t’i kruspulloj ashtu si mbyllen kapakët e syve për gjumë. Mbase rrezet e diellit që sinjalizonin syçelësinë, nuk kishin nevojë të trokisnin dhe të prisnin leje prej zotërisë së atyre xhamave për hyrje në dhomë, ngase rrezet për nga natyra ishin shpuese, hyjnë aq thellë sa është edhe fuqie ngrohëse e diellit. Rrezet që depërtonin përmes dritareve, Lundruesit as që kishin mundur të paktën t’ia vënë në lëvizje ndonjë gjymtyrë të trupit.

Dielli gjithmonë ngrohë njësojë, porse pranimi dhe tërheqja e asaj ngrohtësie varet prej pozitës rrotulluese të tokës. Dielli njësojë për çdo cep të tokës dhe ujit lëshon ngrohtësi, por është toka ajo që ndikon se cili cep duhet ngrohur tani dhe cili për më vonë, mbase edhe duke lënë ndonjë cep gjithmonë larg rrezeve të diellit, ngrohja e të cilit do të ndodhë vetëm atëherë kur njeriu përmes epshit të pangopur në konkurrencën e prodhimit do ta vrimonte jo natyrshëm mbështjellësin e tokës, duke i dhuruar kështu rreze po ashtu jo të natyrshme akullnajave, rezultati i së cilave do të jetë ngadhënjimi i mëtutjeshëm i ujit kundrejt tokës, me këtë edhe duke i fshirë disa shtete prej hartës tokësore. Vetëm pasi rrezet përmes përmbajtjes së nxehtësisë së nevojshme kishin mësyrë muret e shtëpive, sikur uji që futet ngadalë dhe pahetueshëm në rrënjën e ndonjë peme, ashtu edhe ato kishin pushtuar muret e shtëpive, të cilët në pamundësi të mbajtjes për veti atë ngrohtësi, me vrik dhe me vrull kishin lëshuar atë ngrohtësi, thuajse vullkani kishte liruar energjinë e tij të frikshme, për ta lajmëruar Lundruesin se në këtë kohë edhe farërat e hedhura të grurit kanë filluar t’i çajnë kallinjtë e tyre, për t’ia krijuar kështu mundësinë e shumimit.
Ai u zgjua i zhubravitur edhe pse kishte fjetur mirë. Mendja menjëherë i vajti te barka e tij, përmes së cilës ushqente peshqit dhe sodiste vëmendshëm ndodhitë matanë brigjeve të lumenjve. Ai mbase qëndrimin e tij në barkë dhe sfondin e saj me ujë e pëlqente shpeshherë edhe për arsye të mbingarkesës së padrejtësive dhe të pakuptimtave maratonike që rridhnin nëpër brigjet e ndryshme, sidomos në një tokë që kufizohej në të tri anët me ujë. Ai gjente prehje përmes qëndrimit, ushqimit të peshqve, meditimit, soditjes dhe hedhjes në letër të asaj që e kishte përjetuar nën këmbët e pluhurosura të brigjeve shpeshherë të gjakosura, pikërisht në ujërat që rravgonin gjendje të ndryshme, veprimi i të cilave ia rikujtonte rrjedhat e kësaj jete me shumë fytyra, që shpeshherë prezantohej prej të pafytyrëve si jetë me një fytyrë.
Realitete të tilla që përkojnë me natyrshmërinë e kësaj bote dhe ecurit e dukurive të përgjithshme gjeografike, ma kujtuan edhe realitetin e përditshmërisë sonë. Në truallin që ende sipër tij shohim rërë, rrezet e diellit nuk rrezatojnë njëlloj për të gjithë. Jo pse kjo është ndonjë natyrshmëri e caktuar prej Krijuesit të botëve, porse pangopësia e njeriut për pushtet dhe të mira materiale të huaja e bëri të vetën. Dikush shfrytëzojë dobësinë e tjetrit, dikush mallkojë epërsinë e tjetrit dhe dikush tjetër vendosi që mllefin ta shprehë përmes asaj që asgjëson mbajtësit e atij vullneti dëmprurës. Për këtë arsye ndodhën edhe luftëra gjakatare të mëdha, shfrytëzues të së cilës ishin maskarenjtë. Ato mbaruan dhe u përvijuan me kujtime të trishtuara dhe çdo pllangë gjaku të shpezëve në kohë paqeje, tek ata prodhonte ligështim dhe ndizte nostalgjinë që rrëfente rrufetë e zjarrta të atyre që mendonin se Krijuesi i kishte privilegjuar si racë më të bukur dhe më të fortë kundrejt racave tjera. Gjuha e kësaj nostalgjie ia kujtonte të mbijetuarve rreket e gjakut që pas një kohe kishin krijuar lumenj të tërë të mbushura me gjak, duke ndikuar kështu në vdekjen e njerëzve dhe në gjallërimin e lumenjve, me këtë edhe duke ia kujtuar njeriut se lëngu është ai që krijon shtratin dhe jo shtrati lëngun, shtrat i cili edhe për së thati do të rrëfente trishtimin dhe zallahinë e dikurshme.
Lundruesi kishte vendosur ta arsyetonte lindjen dhe ta meritonte vdekjen. Ujërat e turbullta që shpeshherë vërshonin brigjet, ai sikur me thikë në zemër i vështronte. Edhe më keq bëhej kur çdo tentim i tij për ta ndryshuar atë llum njerëzor përmes dorës së tij, shkonte në shportën nënçmuese, ku me gulçe të shpeshta urrente atë anarki dhe krijuesit e asaj anarkie që për fatin e tyre të keq, moti kohë e kishin harruar Krijuesin e tyre, para të Cilit një ditë do të përgjigjen për të bëmat e tyre në cilësinë e krijuesve të asaj rrëmuje, nën hijen e së cilës me gaz qeshnin. Atij pavarësisht mburojave të pista që i bëheshin vetëm e vetëm që të detyrohet të qëndrojë sa më larg pastrimit të atij bataku, ai s’ishte ndalur në asnjë rast së dhëni kontribut drejt thyerjes së asaj zymtësie. Kishte vendosur t’i shtrij këmbët aq sa e kishte jorganin, por assesi të lejon që t’i shkurtohen edhe këmbët vetëm pse jorgani i tij ishte shumë i shkurtër, kuptohet i shkurtër në dioptrinë e mistrecëve, ngaqë në dioptrinë e atyre që ishin të prirë të shihnin mirësi, gjallëri dhe devotshmëri, shihej një jorgan aq i gjatë sa që edhe shumë këmbë tjera, që kishin ngarendur vetëm pas të drejtës, mund të gjenin vend. Ai lotët që i fitonte përmes vrojtimin të gjendjes së mjerë nëpër brigje, nuk i derdhte atje, mbase i dhimbset edhe pak ai gjelbërim që përmes lotit mund të zverdhej, ndaj sa herë që zemra i mbushej me dhimbje dhe sytë me lot, Lundruesi ia mësynte përmes barkës së tij ujërave, duke druajtur që përmes dënesje së madhe të mos ia prishte rehatinë peshqve. Humbte në vegim në mes të atyre valëve, shushurima e të cilave edhe më tepër e mbyllte në dukurinë që ngadalë ia gërryente shpirtin, ashtu siç gërryen uji dheun nën brigje të larta. Ujin shpeshherë e perceptonte si lot, thuajse lundronte përmbi lotëve të tij. Në fakt, loti tek ai ishte sikur karburanti i makinave që vënin në lëvizje motorët! Mbyllja dhe përhumbja e tij karakterizoheshin me hapjen e dritareve përmes së cilave shihte ndodhitë që rridhnin matanë brigjeve. S’i kishte mbetur gjë tjetër, pos t’i përvesh llërat dhe t’i rreket ngarendjes së hedhjes në letër të asaj që e shihte dhe e përjetonte vetë ai dhe dashamirët e tij. Në mos më shumë, ai mëtonte që zërin qarës së të shkretëve ta përçonte përtej kalasë mbyllëse dhe mbytëse të asaj që me të vërtetë ndodhte, të paktën ndërgjegjen kryerësve të atij krimi asnjëherë të mos ia lë të qetë, edhe pse për një posedim të ndërgjegjes së tyre vështirë ishte dikush të dëshmonte.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura