PELIVAN BAJRAMAJ IKU TEK YJET E KËNGËS …

PELIVAN BAJRAMAJ IKU TEK YJET E KËNGËS (17.09.1944-23.06.2022)

Nga Albert HABAZAJ

Nuk e mendoja dhe nuk doja kurrë ta mbaja këtë fjalë lamtumire për Pelivan Barjamin, sepse kisha shumë besim tek forca e syve të tij, tek zemra, shpirti, trimëria e tij e qetë ndaj çdo sfide, që e përballoi papërfillshëm, përveç kësaj tumorales, që na e mori të pushojë me yjet në qiellin e bukur të këngës dhe poezisë shqipe…

Shqiponja, Monika, Miklo e Alban! Na iku Pelua juaj dhe yni. Si duket, nuk duroi dot më, e kishte marrë malli shumë për yjet e këngës dhe u nis për atje, përjetësisht. Juve, familjarëve, u iku kryefamiljari, njeriu më i dashur, ndërsa ne na iku shoku, bashkëluftëtari i së mirës ndaj të keqes, miku e vëllai ynë, Pelivan Barjamaj. Ndoshta qe mërzitur Arben Duka kaq muaj pa kolegun guximtar të vargut përditësor të pakorruptueshëm… Iku fizikisht një fjalëmençur, që do të ngelet i paharruar, sepse nga shpirti mbolli e përhapi lule lirike në gjerdanin e folklorit shqiptar dhe të poezisë së kultivuar popullore. Edhe pse unë do ta them, e di që nuk do të më besoni që Pelivan Barjamaj ka lindur më 17 shtator 1944, sepse, jo se dukej, por ai ishte shumë i ri në shpirt, në mendim, në pamje… Kam shumë kujtime me të, të hershme dhe të reja, familjare dhe shoqërore, gëzimi dhe hidhërimi. I kam qenë në dasëm të vajzës familjarisht; ndërsa, kur ai ishte larg, tepër larg, matanë Oqeanit e këtu, në Vlorë, na iku Veno Alemi (Abazaj), vëllai i tij, me lot në sy kemi folur e kemi qarë në celular kur më kërkoi, në mungesë të tij, të  mbaja fjalën e përcjelljes për xha Venon. Dhe unë e mbajta, se mendova që Pelua u lehtësua sadopak në dhembjen e tij të pathënshme dot për vëllanë…

Le të rikthehemi pak në vitin 1995. Sa ishte botuar libri i Pelos, “Populli dhe politika”, që u përpi menjëherë, sepse vjerëshërimi i tij ishte shërues si mjaltë i hidhur (siç ia quan miku i tij i veçantë, Namik Jahaj). Ndërsa unë botova shkrimin: “Pelivan Bajrami, poeti lirik me kostum kombëar”, ku përmbledhtas, po shkëpus nja dy paragrafë: … “Qesh prej zorit, qan prej gazit”.

Qerratai” Pelivan Barjami – e cilësonte Plaku i Bardhë i Letrave Shqipe, qysh më 23 Tetor 1995 Pelon, poetin tonë të dashur dhe shton – më bëri të qesh aq shumë sa fshiva sytë me mëngë””. (Të më falni, por Plaku i Bardhë i Letrave dihej dhe dihet që është Dritërori Dritëro Agolli, kështu që unë nuk e pashë të nevojshme t’i shënoja dhe emrin tek shkrimi në fjalë, se … kush nuk e kupton)… Po vijoj dhe pak nga shkrimi im për Pelon: “Interesante është se edhe sot ky libër është si një kod shpirtëror e moral në vargje ndër shqiptarë. Edhe pse nuk ka ndonjë ndikim të shfaqshëm nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, as nga Kanuni i Skënderbeut, as nga Kanuni i Labërisë dhe as nga ligje apo përmbledhje ligjesh e normash të pashkruara, të trashëguara në mënyrë gojore, që pasqyrojnë gjendjen ekonomike – shoqërore të periudhave të kaluara, si tërësi e normave të së drejtës zakonore, ky libër i veçantë i krijuar nga Pelivan Bajrami ka mushtin, ka lëngun e pastër, ka dhe frymëmarrjen e kësaj kushtetute të pashkruar shqiptare në rrjedhat e kohës; trajtuar artistikisht me magjinë labe të vargut, që Pelua e qëndis si ai me këtë libër – testament etnoartistik”.

Në vargjet e tij ka Vlorë, ka Labëri, ka Elbasan, ka Lushnjë, ka Dibër, ka Has, ka Skrapar, ka Tiranë, ka Janinë, ka Tuz, ka Preshevë, ka Prishtinë, ka Ulqin, ka Korçë, ka Artë e ka Nartë, ka Përmet e ka Skrapar, ka Krujë e ka Shkodër, ka Kolonjë e Tepelenë, ka Gjirokastër e Mallakastër, ka Kelmend e Prevezë, ka Librazhd e ka Dukagjin, ka Sazan e ka Himarë. Një lexues, që nuk ia ka njohur jetëshkrimin këtij autori, mund ta mendojë nga çdonjëra krahinë a qytet që citova dhe nuk gabon, sepse Pelivan Barjami si krijues gjithëpërfshirës i trevave shqiptare. Me origjinë të hershme Pelivani është nga Tërbaçi i Vlorës, nga fisi i nderuar i Bajrame, mëhalla Bita. Drashovica është vendlindja e tij. Por jo më pak i rrahu zemra e krijimit për hapësira shqiptare me rol në historinë kombëtare, si trevat shqiptare të Malit të Zi, ato të Maqedonisë së Veriut, si Kosova e Çamëria, që i donte sa Vlorën, sa vendlindjen, e s’i këmbente sa qe, siç shprehej dhe vetë, edhe sikur t’i falnin botën…

Kush e ka njohur Pelivanin, e ka vlerësuar si njeri i mirë, shumë i dashur, i qeshur si ai, shumë i qetë, shumë bashkëpunues, dashamirës, mendimtar e ndjenjëtar. Ai qe dhe ngelet një nga penat e arta të polifonisë, jo vetëm për Tërbaçin, Drashovicën, Treblovën, Sevasterin, Vajzën, Trevllazrin etj., ndërkohë që tutje hapësirave labërore dhe shqiptare vështirë se do të ketë një vlerë të tillë kurajoze si e Pelivan Barjamit, i krahueshëm me penën e Arben Dukës. Kujtoj që kam qenë në krahë të tij, kur në fillimvitet 1990 Pelivani organizoi Grupin lab të Shoqatës Kulturore Atdhetare Mbarëkombëtare “Ismail Qemali”, apo kur në fillimvitet 2000 ngriti një grup simpatik, i cili u bë shpejt i mirënjohur me këngëtarë të rinj, si grup polifonik lab, të cilit i dha emrin simbolik “Djemtë nga Lumi i Vlorës”, Gjithashtu ai ka dhënë ndihmesë speciale për Ansamblin “Çipini”, “Jehona labe” etj. Vargjet e shkruara prej tij këndohen dhe do të këndohen nga populli. Po ai vetë këndonte aq mirë e sa bukur ia merrte, unikal me zë të ulët koke, i qante si bilbil sidomos këngët e nënës me aq mall, dhëmbje e trishtim, që tek pakkush i kam ndier. Patjetër ai kishte në sy, në penë, në zë, në frymë, në shpirt, në gjak nënën e tij, Zelihanë halleshumë. Po ku ka vlerë më të madhe se ajo që ngelet në gojën dhe mendjen e brezave që vijnë!…

Ai do të regjistrohet në kujtesën sociale si njeriu që ishte shumë i lidhur me vendlindjen, me Labërinë, me historinë, kulturën dhe artin, për të cilin kontribuoi edhe vetë lartësisht sa jetoi. Pelivan Barjamaj na dha një ndihmesë të vlefshme edhe në fillimet e riformatimit të Grupit të Grave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”. Ajo është e regjistruar dhe ne nuk mund ta mohojmë, por e kujtojmë me nderim. Ai do të kujtohet edhe për sa e sa vargje, vjersha, këngë satirike e humoristike, ku, mirë humori, që na mban gjallë, por ironia pikon e hidhur, therëse, fshikulluese, sa e mprehtë dhe e ashpër, po aq e nevojshme për shërim…

Pelivan Barjamaj do të mbahet mend si një nga ata fillimtarët e lartë, që la gjurmë të thella në kulturën e Vlorës dhe Labërisë, sidomos me tekstet aq të bukura, me vargjet e tij të arta, këngët e ëmbla me melodi të ngrohta, që thuri si Mjeshtër i Folklorit lab ende zyrtarisht i pashpallur, sepse ai ishte i bërjes së veprave, jo i kërkimit të dekoratave. Sa qe gjallë, nuk i pashë në arkivin e tij asnjë dekoratë shtetërore lirikut të trëndelintë të Labërisë e më tutje, veçse atij dekoratën ia ka dhënë Labëria duke ju përulur si para një Shën Poeti… Më duket se qorton Pelua edhe tani me atë qeshjen e tij sa të heshtur, aq fisnike, jo si mjeshtër i madh i kulturës së Labërisë, por si njeri që reflektonte mirësi… Ne jemi me të, me këngët e tij, me zërin e melodive të tij dhe së shpejti do ta takojmë në vëllimin e ri që po përgatit prof. Bardhosh Gaçe dhe poeti Namik Jahaj.

Tërbaçiotët, drashoviciotët, labët, vlonjatët, mallakastriotët, shqiptarët dhe të tjerë që e kanë njohur Pelon tonë këtu e deri në Amerikë, ndjejnë keqardhje për ikjen e tij ende shpejt për në parajsë, sepse ishte edhe një ndër të rrallët kontribues në fushën e kulturës popullore në Labëri dhe të gjithë shprehim ngushëllime të përzemërta familjes: Shqiponjës – heroinës së heshtur dhe stoike, vajzës kapedane Monika dhe djemve si yje Miklovan dhe Alban.

Ndoshta më mirë se të flasim sot e të deklarojmë, ku i kemi dhe ku s’i kemi fotot në facebook, apo takimet, bisedat, miqësinë dhe shoqërinë me të nëpër vite, mendoj se secili më vete e të tërë së bashku të përulemi para tij dhe t’i themi: O Pelivan Barjmi! O poet lirik me kostum kombëtar, të dritëroftë kujtimi në krahët e këngës së bukur që thure vetë me vargje mjaltë e lotë!

Varrezat publike Babicë, Vlorë, e premte, 24.06.2022

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura