REXHEP KASUMAJ: FESTA E DRITES … (Mbi një sociopati kolektive)

Berlin, 24 dhjetor 2019: Në çdo muzg kur terri bie, ndizet një dritë në Berlin. Në sheshin madhështor Brandenburger Tor, po dhe në lagje të tjera të metropolit gjerman. Dhe e bëjnë tetë net me radhë në funddhjetor, prijës te komunitetit hebre që i gërryen sërish shqetësimi i fantazmave të ringjallura në Europë. Por asistojnë dhe autoritete politike që përulen me dhimbje e pëndesë.
Është kjo “Chanukka”, Festa e Dritës në kujtim të Holokaustit të mnershëm mbi një popull, faji i vetëm i të cilit ishte qenja, ekzistenca e tij mbi Dhé.
2.
Tani, disi vetishëm, bëj një paralele imagjinare: sa fisnike në dishrimin e saj!
Belgrad. Fundi i vitit. Qyteti zbukurohet. Shkëlqen shpresa e një jete të re që vjen. Por më lartë se të gjitha: Bredhi tradicional, Kalemegdani a Kupola e artë e Shën Savës, ngrihet në qendër një obelisk i mermertë. E mbi të, një dritë që ndizet tetë net rresht nga përfaqësues të popujve që përjetuan Holokaustin e ariozofit të vogël serb në mbyllje mijëvjeçari.
Është kohë e re. Me idhuj të rinj. Të tillë që nuk hymnizojnë vdekjen. E që nuk projektojnë fatkeqësinë e tjetrit në rrethim natyror, si kusht të lumnisë së vet.
Ndaj, aty, të gjunjëzuar me brejë ndërgjegje e kujtesë faji, janë përherë dhe zyrtarë të politikës e dinjitarë të fesë…
3.
Vjeshtë e vonë. Si për të dëshmuar praninë e saj, rigonte një shi i vjetër, i prâjshëm e i lodhur…Kujtoj shpesh një rrëfim tronditës e të çuditshëm, të axhës së dashur (i vrarë më 1998 bashkë të vëllain, babain tim nga ushtritë serbe) nga kohë e Serbisë së parë, mes dy luftërash botnore.
Kulla jonë, duke qenë në breg, vështronte poshtë mbi luginë. Një mjes të bukur, tregonte ai, shoh njerëz të huaj që diç bënin në një nga arat e mbjella me grurë. O Zot, thashë, ç’janë këta? Dola me të shpejt. Kur afrohem dalloj qartë Velën, Vel shkjaun. Kështu i thoshin, jo me ton përçmues, por ishte disi më e lehtë. Kishim dhe “mullirin e shkjaut” që quhej kështu sepse mullisi ishte një serb. Fundja, kjo ishte e natyrshme. Ky ishte emri i tyre parak.
Çka bën këtu Velo, i them rreptë, vijon xhaxhai. Paj, po korri grurë, u përgjegj sikur t’ishte në pronën e vet, ndërkohë që familjarët e tij lëviznin drapërit qetësisht. E humba fare, tha ai. Nuk i mendoja pasojat. I avitem dhe, meqë ishte i bindur se s’kisha ç’ti bëja, rrinte vertikal e krenar. Pa hezituar fare, e kapa për veshi dhe e nxora jashtë. Për çudi, nuk e rezistoi, por tha që kjo punë nuk do mbaronte me kaq…
4.
Sado që perëndojnë epoka e të reja linden, përmbysen rende botërorë e të tjerë rikomponohen me ngadhnjimtarë e të mundur, një shtet-popull mbetet i pandryshuar: edhe kur del i fituar edhe kur rezulton i humbur!
Serbi është emri i saj, që sipas shenjave të vjetra totemike, njëjtësohet me drapër. Po ç’të keqe ka?, do të pyes dikush. Një simbolikë e bukës, fushnajës, pjellorisë!
Po, veçse ka një rrotullim të madh kulturor, të “kulturës strategjike” që dëshmon gjaku historik: ata duan të korrin të lashtat e të tjerëve. Djepin e jetës së tyre!
Prandaj mungon “Chanukka”, Festa e Dritës në Belgrad.
Dhe do të mungojë, me gjasë, përgjithmonë!

Total
0
Shares
1 comments
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura