BEHXHET SHALA BAJGORA: KOALICIONI VV-LDK BESOJ SE DO TË BËHET, POR…POR, A DO TË JETË VËRTET I SHPRESËS?!

Prishtinë, 14 janar 2020: Lehtësisht e parashikueshme , vështirë e realizueshme : Para zgjedhjeve të 6 nëntorit 2019 -të , në një intervistë në “ Epoka e Re” pata deklaruar se më vështirë do të jetë të bëhet koalicioni VV – LDK pas zgjedhjeve se ai para zgjedhjeve . Ishte një eufori parazgjedhore midis këtyre dy subjekteve se do ta luftojnë korrupsionin , se do ta çkapnin shtetin e kapur , se do të luftojnë për shtet e jo për pushtet , se do të bëjnë reforma të thella në arsim , shëndetësi , ekonomi e sidomos se do ta dekriminalizojnë ministrinë për punë të jashtme e udhëhequr nga një kalkulant i berzës politike që këtë ministri dhe diplomacinë e ka shndërruar në çerthull të një prostitucioni primitiv dhe servis për barazpeshime politike. Ishte një ofertë , më shumë e natyrës emocionale se do të bisedohet për çështjen e të pagjeturve , plagë kjo që ende nuk është mbyllur dhe prodhon dhimbje dhe vuajtje , për fat të keq vetëm për familjarët e të pagjeturve për faktin se ka filluar të harrohet nga të tjerët. Pati premtime edhe për kompensim të dëmeve të luftës e që nuk ka gjasa të realizohet për faktin se asnjë shtet , pas përfundimit të luftës së dytë botërore , pavarësisht përgjegjësisë konkrete , nuk ka ka kompensuar palën e dëmtuar por se vet shtet , në rastin konkret Kosova i ka kompensuar deri më tani qytetarët e Kossovës që kanë qenë viktimë e gjenocidit nga ish – Jugosllavia dhe Serbia e Aleksandar ( Vuçiqit ) dhe ( Sllobodan ) Milloshqeviqit . Këto ishin tema të patrajtuara në masë të duhur nga qeveritë e mëparshme dhe , duhet pranuar se , përveç se tingëllojnë bukur për veshin e dëgjuesit , kanë të bëjnë edhe me krenarinë kombëtare . Ishte një disponim konsensual se duhet të ndodhin ndryshime andaj , personazhi kryesor i këtyre ndryshimeve llogaritej Albin Kurti i cili , deri më tani , kryesisht e kishte provuar dhunën e shtetit e jo mundësinë tjetër. Albin Kurti e njeh fort mirë tabelën e shumëzimit si dhe ekuacionet me shumë të panjohura prandaj u përcaktua për “ martesë “ me LDK-në , e cila , në jo shumë pak raste u dëshmua të jetë një kurtizanë e sofistikuar politike duke i ndërruar të gjithë partnerët në shtratin qeverisës dhe duke deklaruar se , pas të gjithave , ka dalur e paprekur duke e ruajtuar “ virgjërinë politike “ , e që , realisht askush nuk e beson këtë. Këto dy subjekte politike e kishin përkrahjen e madhe , si brenda vendit , të diaspores ashtu edhe faktorit ndërkombëtar i cili bënë çka të dojë në Kosovës , që nga përcaktimi i menysë në zingjirin e restoranteve prestigjioze , “ Te Nazi “ ashtu edhe te përcaktimi i rendit të ditës të çdo subjekti politik apo institucioni në Kosovë , qoftë ai në nivel të lagjes e deri të institicionet më të larta të vendit. Për herë të parë faktori ndërkombëtar ishte 100% kundër krahut të luftës dhe 100% për “ Koalicionin e shpresës ..???”. Për herë të parë në Kosovë ishte një opozitë konstruktive që nuk e lakmonte pushtetin dhe që menjëherë i pranoi rezultatet e zgjedhjeve duke u deklaruar si opzitë dhe duke refuzuar në të gjitha mundësitë pjesëmarrjen në pushtetin e ardhshëm , hiç këtu koalicionin që mbijedtoi me infuzion , Nisma – AKR që u ofrua për pushtet e që vendosmërisht u refuzua nga VV në ndërkohë që LDK mbajti qëndrim oportunist. Për herë të parë pozita e ardhshme nuk pati problem me opozitën por pati dhe ka problem me partnerin e shtratit , apo më mirë ta them , grazhdit të pushtetit dhe tërë lufta po bëhet se kush do ta ketë një thes me taxhi (post ) më shumë ! Askush , madje as dyshuesit më të mëdhenj nuk kanë besuar se do të kalojnë tre muaj nga përfundimi i zgjedhjeve , pa kurorëzim të “dashurisë” midis partnerëve që duan të lidhen . Pse e kemi këtë mos- marrëveshje ?
Rregullat e Albinit e forcuan LDK-në : Albin Kurti ishte fitues i zgjedhjeve të 6 tetorit dhe nuk ka rëndësi se a ishte fitues absolut apo relativ për faktin se me Ligjin zgjedhor në fuqi është e pamundur që një subjekt politik ta fitojë shumicën absolute në Kosovë. Gjithashtu , është e qartë se në çdo vend të botës fituesi përcakton dhe i cakton rregullat e lojës e pse këtë të drejtë të mos e ketë Albin Kurti dhe VV ?! Në politikë por edhe në jetën e përditshme ai që mbanë qëndrim përjashtues , nuk siguron qëndrueshmëri e as bashkëpunim , si kusht elementar i qëndrueshmërisë . Albin Kurti . si frontmen i VV vuri vijat e kuqe për të gjitha subjektet politike në Kosovë ( PDK , AAK , NISMA – AKR dhe Lista Serbe ) ndërsa ofroi dashuri dhe ngrohtësi politike vetëm për LDK dhe pakicat joserbe. Në këtë mënyrë jashtëzakonisht shumë e fuqizoi LDK- ës duke krijuar monopol të dashurisë politike në nërkohë që u detyrua të siguroi një përkujdesje kushtetuese për LS pai ia bënë të qartë ambasadorët e shteteve të huaja në Kosovë se , pa Listen Serbe në Kosovë nuk ka jetë politike , nuk të ngrohë Dielli dhe nuk ta ndriçon natën as Hëna ! E tash , midis një LS dhe partive të krahut të luftës , të përcaktoheni për LS dhe të injoroni një të kaluar të lavdishme dhe një të tashme , më pak të lavdishme siç janë krahu i luftës , besoj se edhe për talibanët e Afganistanit do të ishte një situatë jonormale e lëre më për VV që , së paku biologjia dhe anatomia politike i bënë pjesë të krahut të luftës ! Është e vërtetë se një pjesë e krahut të luftës ka hyrë thellë lakrave mirëpo është një e vërtetë edhe më e madhe se LDK asnjëherë nuk ka dalur nga lakrat , në të gjitha sistemet dhe në të gjitha përbërjet qeveritare ! Albin Kurti tërë kohën pas përfundimit të zgjedhjeve ka qenë kryeminisër , pa zyrë dhe pa kapacitet zbatimi të këtij mandati. Ndërkombëtarët e kanë pranuar si kryeministër në ardhje , Serbia nuk e ka kundërshtuar por se është frikësuar nga fenomeni Kurti . Përveç gabimit të vijave të kuqe ndaj krahut të luftës dhe hapjen e parajsës politike për LDK , Albini ka bërë një gabim sepse e ka demonstruar një karshillëk ndaj politikanëve të Shqipërisë e që ka krijuar një mjedis krejtësisht jotolerant dhe jobashkëpunues. Gabimi i radhës i Albinit ka qenë nënçmimi i kapacitetit negociues të Isa Mustafës , një ujku të moçëm të politikës së Brozit , tash i shndërruar në një dhelpër shumë dinake që po përpiqet ( me shumë sukses të gjuaj sa më shumë pula – poste ) për subjetin politik të cilin e ka drejtuar me shumë mjeshtri , sidomos kohëve të fundit kur LDK i parashikonin fatin e Titanikut ! Sipas mendimit tim sot në Kosovë politikani më i fuqishëm dhe më spirituoz është pikërisht Isa Mustafa i cili , me mjeshtri të një filigranisti e shpëtoi LDK nga çarja e madhe e që dukej e pashmangshme kurse tani , nga një humbës i madh , del të jetë një fitues i madh për faktin që edhe vet Albin deklaroi publikisht se , pa LDK ( më saktësisht , pa Isa Mustafën ) nuk bëhet dot kryeminister! Një e thënë e vërtetë e Albinit e që e ka burimin te rregullat përjashtuese të Albinit që nuk sheh “ dashuri “tjetër politike përveç LDK-së. Sot , LDK është në situatë të kërkojë çka të dojë nga VV e që dikush mund ta quaj edhe shantazh . Por çfarë rëndësie ka ky formulim i cili . sidomos në Ballkan është i legalizuar , i lejuar dhe konsideroheni budalla dhe leshko nëse nuk e shfytëzoni rastin : “ kur ju vjen vera kah dera …”. LDK ka karta të fuqishme negociimi dhe xhokerin kryesor e ka shantazhimin me postin e kryeministrit . Deri më tani intervenimi i ndërkombëtarëve nuk ka lënë ndonjë gjurmë në lëkurën prej elefanti të LDK-së. Madje , as haxhi politik te Grenelli në Gjermani duket se nuk ka ndikuar te LDK-ë kurse tani edhe një pensionist , që kur nuk ka çka të bëjë vjen në Kosovë dhe i mbanë ligjerata Albin Kurtit se si duhet të veprojë politikisht , si kusht për t’u liruar nga burgu , si Bred Piti ka marrë përsipër një mision të pa – mundur , për të bindur LDK-në të bëhet më konstruktive në kohën kur Isa Mustafa për Walkerin është Duejn Xhonson politik !
Molla e Adamit apo molla e Glaukut : Pas zgjedhjeve duket se ishin ndarë postet ; VV postin e kryeministrit e që i takon , edhe sipas rezultatit të zgjedhjeve , edhe sipas Ligjit të Hamurabit , 5 ministri deh 1 z/kryeminister kurse LDK postin e krytarit të Kuvendit , 5 ministri , 1 z/kryeminister e që ishte ndarje kryesisht korrekte midis partnerëve që nuk kanë asgjë të përbashkët përveç luftës për pushtet në një vend ku thuaja nuk ka shtet ! Në ndërkohë , apetiti i LDK-së u rritë dukshëm dhe në menynë e propozuar , si delikatesë e propozoi edhe postin e presidentit në kohën kur Hashim Thaçit – Shimës i kalon mandatë kushtetues . Pritja një vit e gjysmë për të marrë postin e rezervuar të presidentit me një projekt të kapjes tipike të shtetit në procesin e çkapjes së premtuar , nuk i dalloon aspak nga subjektet tjera . Realisht , këta që e duan “ lëkuren presidenciale të Shimës “ , nuk llogarisin një kohë aq të gjatë , shpresojnë se Gjykata Speciale do ta përshpejtojë këtë proces të “ çkapjes “ së shtetit duke lehtësuar kapjen e re , si model tashmë të etabluar të qeverisjes në Kosovë ! Në ndërkohë pati zhvillime “ dramatike “ , Glauk Konjufca u zgjodhë në mënyrë shumë demokratike kryetar i Kuvendit . Pas votave të VV për Glaukun , për votim demokratik u shqua LDK , që , thuaja unanimisht votuan për Glauk Konjufcën duke menduar se do ta përdorin si kartë të fuqishme në negociatat e ardhshme me VV. Tash , duke e hëngër fjalën ( votën ) e tyre , po kërkojnë rikthimin e këtij posti meqë , sipas marrëveshjes së mëhershme ky post qenka rezervuar për Vjosa Osmanin ! Absolutisht nuk kanë të drejtë dhe , nëse VV bënë rikthim duke e detyruar Glaukun të jepë dorëheqje , VV përkatësisht Albini do të identifikoheshin me kryetuxharin dhe kryekapësin e shtetit ku , Gjat Macolli apo grofi Minhauzen kosovar do të mbetej si sinonim i shembylltyrës , korrektësisë dhe ndershmërisë . LDK –ë , e ardhur në situatë kur : “ vet pordhë dhe vet trembet .. “ nuk duhet më fare të bisedojë për postin e kryetarit të Kuvendit që tashmë është legjitim dhe i udhëhequr nga një politikan dhe deputet jashtëzakonisht i përgjegjshëm dhe kompetent ! Nëse është e vërtet se VV i ofron 6 ministri LDK-së , një ministri më shumë në këmbim të postit të kryetarit të Kuvendit , konsideroj se është një ofertë shumë bujare e cila nuk do të duhej të refuzohej nga LDK-ë . Nëse LDK qenka hatruar pse VV i ka bërë poblike emrat e ministrave , pjesë e kabinetit qeveritar nga VV i bie sikur nëse LDK , përkatësisht Isa Mustafa e preferon pasulin për drekë kurse VV i preferon lakrat ! Askush nuk e ka ndaluar LDK të propozojë emrat e ministrave ( afërsisht dihen kush do të jenë ) , edhe pa një marrëveshje të nënshkruar ! Për mua shumë më i rëndësishëm është posti i ministrit të punëve të jashtme se posti i kryetarit të Kuvendit. Realisht , kryetari i kuvendit ka përparësi vetën në aspektin material sepse ka siguri të përhershme ekonomike përmes beneficioneve të përjetshme që ia garanton Kushtetuta e Kosovës !
Shtrohet pyetja se sa do të jetë efikase qeverisja VV dhe LDK për faktin se besoj se koalicioni do të përfundojë , me hatër a me zor , me një marrëveshje e cila , gjithashtu besoj se nuk do të vonohet ? Nëse LDK i mbanë ministritë hipotetike e që ka të ngjarë të jenë reale për faktin se Albini i ka ndarë ministritë e tija duke i bërë publike , atëherë do të ketë shumë probleme në jetësimin e programit qeverisës i cili kushtëzohet nga shumë pengesa siç janë ; a do t’i kontrollojë kryeministri Kurti edhe ministrat e LDK-së apo vetëm të VV dhe pakicave joserbe për faktin se LS nukdo ta kontrollojë për aq kohë sa Marko Gjuriqi të jetë gjallë ! Nëse lideri i partive të koalicionit do ta ketë fuqinë e krtyeministrit për ministrat nga radhët e subjketit që e drejton atëherë del se LDK do të jetë forcë shumicë në qeverinë e ardhshme kurse VV , minoritet politik për faktin se deputetët e pakicave joserbe dhe të LS më lehtë përshtaten në gjirin e LDK-së , sidomos në çastet kur hahet pasuli , jo kokërr me kokërr por me lugë të madhe të pushtetit ! Nëse LDK do ta ketë Ministrinë për Punë të Brendshme atëherë , Albulena Haxhiu , si ministre e ardhshme e Drejtësisë , reformat në fushën e drejtësisë do t’i bëjë sipas stilit të ikebanas japoneze dhe për nevoja ekskluzivisht të brendshme ! Uroj të jem parashikues i gabuar dhe jo t’ia qëllojë në çdo 10 vite siç e bënë Milaimi ! Qeveria në ardhje e ka të kurdisur bombën sociale detonatorin e së cilës e ka në duar , kamikazi kryesor në botë , më i vlerësuari dhe më i rrezikshmi , kingu i SBASHK-ut , Mon Jasharaj ! Pritshmëritë e qytetarëve ( për shkak të vonesës së arritjes së marrëveshje pakëz janë zbehur ) ishin të mëdha prandaj edhe zhgënjimi dhe reagimi është në proporcion me këto pritje. Ndërkaq , problemi më i madh dhe , ma merr mendjen për Albinin dhe VV është i pakapërcyeshëm , janë bisedimet me Serbinë , fleksibiliteti i kërkuar për Kosovën ( ulje e kurrizit deri në nënshtrim ) që , për rrethanat tona e ka fuqinë shkatërruese të reaktorin nuklera të Çernobilit !
Albin Kurti , me një kaligrafi shprehjesh po përpiqet të luaj tope me presidentin aktual , Shkëlqesinë e Tij , Hashim Thaçi – Shimen duke i dërguar letra sikur në kohën e Buharinit. Dua ta përkujtojë Albinin se nuk janë të rrezikshëm ata që lexojnë , qoftë letra e lëre më ndonjë roman por janë shumë të rrezikshëm pikërisht ata që nuk lexojnë fare dhe kam informata se Shima nuk e lexon asnjë letër të Albinit. Shima i ka disa këshilltarë , tradhëtarë dhe zuzarë ( sepse për të ndershmit dhe patriotët e vërtetë nuk ka vend aty ) të cilët , letrat e Albinit i kanë shndërruar në gazeta muri sikur daci – baot në Kinë ku , njëri lexon kurse të tjerët dëgjojnë .
Përsëri po e them se marrëveshja do të ndodhë mirëpo , së paku deri më tani , që të dy partnerët nuk janë treguar si çkapës të shtetit por janë më kapës se kapësit e mëparshëm sepse po luftojnë për çdo post , mbase për interes të qytetarit dhe të shtetit !

13 janar 2020 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura