Prishtinë, 13 shkurt 2020: Prishtinë, Fadil Grajçevci, “Nëpër gjurmë të letërsisë”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2017.
Fadil Grajçevci është studiues i dëshmuar i letërsisë shqipe. Ai është marrë me sukses si me studimin e letërsisë sonë të traditës, ashtu edhe me atë të letërsisë së sotme. Sukseset e para në historinë e letësisë shqipe i ka shënuar me studimin monografik të veprës së humanistit të njohur shqiptar, Marin Barletit. Është dalluar edhe si vlerësues i drejtë dhe studues i mirëfilltë i vlerave të poezisë shqipe me studimin monografik kushtuar veprës poetike të Esat Mekulit.
Ai kësaj radhe paraqitet para lexuesit shqiptar me një përmbledhje të veçantë studimesh, kritikash dhe recensionesh me titull kuptimplot “Nëpër gjurmë të letërsisë”. Kjo përmbledhje përbehet nga 30 njësi të veçanta, që autori i ka sistemuar në katër pjesë.
Dy pjesët e para, të cilat si vëllim përbëjnë gati dy të tretat e librit, kanë të bëjnë me studime hisoriko – letrare, që nisin me fillet e zhvillimit të letërsisë shqipe e shtrihen me shkëputje të ndryshme kohore deri ne kohën tonë, deri te vepra e njohura të prozës së sotme moderne e postmoderne. Brenda pjesës së parë të veprës janë trajtuar me kujdes të veçantë vlerat e veprave të Marin Barletit dhe të Frang Bardhit, si ne aspektin e theksuar të ideve frymëzuese, sidomos të veprës së Barletit për të gjithë pasuesit të tij dhe për lexuesit deri në kohën tonë. ashtu edhe të frymës kritike polemizuese të veprës së Frang Bardhit. Me rëndësi të veçantë për studimet historiko- letrare është qasja krahasimtare ndaj veprës së Barletit në relacion me poemën e njohur të Naim Frashërit kushtuar Skëndërbeut, si edhe me studimin historik të Fan Nolit për heroin tonë kombëtar.
Në këto dy njësi studimore autori hedh dritë të plotë si për ndikimin e veprës së Barletit te këta dy autorë të njohur, ashtu edhe për angazhimet e veçanta të Naimit dhe të Nolit që në aspekte të dallueshme origjinale ndërmjet tyre i qasen lëndës së njëjtë, veprës e Barletit, qoftë si burim frymëzimi, qoftë si dëshmi argumentuese për veprat e tyre.
Ndërmjet studimeve të pjesës së dytë të librit vlen të dallohet ai për veprën dramaturgjike të A. Z Çajupit, e cila shquhet të për idetë, vlerësimet kritike ndaj dukurive shoqërore ashtu edhe për strukturën estetike e gjuhësore që ë përfaqësojnë këto drama si nismë e dramaturgjisë shqiptare qe kishte një zhvillim të paktë deri në atë kohë. Mund të thuhet se dramat e Çajupit brenda kësaj vepre janë trajtuar për herë të parë në mënyrë të shumanshme.
Në këtë pjesë të përmbledhjes me rëndësi të veçantë është edhe studimi për revistën letrare “Jeta e Re”, si për historikun e revistës, për botimin e letërsisë së traditës në të dhe, në mënyrë të veçantë, për prozën e A. Demaçit të botuar këtu. Edhe brenda kësaj pjesë të veprës së F. Grajçevcit kemi një qasje krahasimtare ndërmjet poezisë së E. Mekulit dhe prozës së A Demaçit me anë të të cilës autori sjell plot njohuri të reja për veprat e këtyre dy autorëve.
Me një përkushtim të veçantë, krahas ndihmesës së E. Mekulit, për letërsinë e botuar në “Jetën e re”, Fadil Grajçevci i ka trajtuar deri në hollësi pikëpamjet estetike-letrare të Mekulit, jo vetëm në periudhën e fazës së parë sociale të krijimeve të tij poetike, por edhe me vonë në fazën e fundit të krijimtarisë së këtij poeti.
Në këtë pjesë të veprës së Fadil Grajçevcit shquhet edhe studimi i tij për Rexhep Qosjen – historian i letërsisë, si edhe përpjekja për ta trajtuar me sukses laboratorin krijues të këtij autori me anë të analizës së pjesëse dokumentare të veprës së tij , në radhë të parë me anë të ditarit.
Duke u marrë me përvojat krijuese moderne dhe postmoderne në romanin shqiptar, ai do t’i kushtojë kujdes edhe analizës së romanit të Qosjes “Një dashuri dhe shtatë faje”, si edhe romanit të Shefkije Islamajt “Mos me thuaj se me ke parë në ëndërr”. Romanin e Shefkijes ai do të trajtojë përsëri edhe në pjesën e tretë të kësaj vepre me anë të recensionit “Ligjërimi magjik”, që shquhet për qasje studiuese ndaj vlerave estetiko-letrare dhe gjuhësore të kësaj vepre. Po këtu e gjejmë edhe një shkrim të shkurtër analitik për veprën gjuhësore të Shefkijes kushtuar kulturës së gjuhësore dhe përdorimit estetik të gjuhës. Brenda pjesës së tretë të vepërs së F. Grajçevcit janë trajtuar me sukses edhe edhe veprat e Hysen Matoshit “Poezia e Lasgush Poradecit në kontekstin e poezisë evropiane” dhe “Shpalime historike”, pastaj vepra e Donikë Dabishevcit proza e poetizuar, ajo e Mehmet Gëzhillit kushtuar Fan Nolit etj.
Midis recensioneve shquhet sidomos ai për veprën e Feride Paplekajt për Dhimitër Shuteriqin, si edhe për studimin e Zija Xholit “Pesë mendimtarë të vjetër të kulturës sonë kombëtare”, të cilat autori me të drejtë i ka vlerësuar si vepra që sjellin njohuri të reja për letërsinë dhe për kulturën tonë kombëtare.
Në mesin e recensioneve bie në sy edhe analiza kritike e tekstit të Sabri Hamitit “Letërsia e vjetër shqipe për shkolla të mesme”, për të cilin janë dhënë vërejtje të shumta për lëshimet dhe gabimet, si sa i përket anës përmbajtjesore, ashtu edhe asaj gjuhësore.
Në pjesën e katërt të përmbledhjes “Nëpër gjurmë të letërsisë” të Fadil Grajçevcit janë përfshirë gjashtë njësi që përfaqësojnë shkrime sintetizuese si fjalë të rastit që u paraprijnë tubimeve shkencore qofshin ato tematike, përkujtimore apo jubilare. Në këto shkrime autori na ka dhënë vlerësime të përmbledhura, sinteza të thukta për veprat e De Radës, të Dhimitër Shuteriqit, të Musine Kokolarit, të Bajram Krasniqit, të Sefedin Fetiut, si edhe në një fjalë hyrëse që i kushtohet romanit të sotëm shqiptar.
Edhe pse në dukje të parë këto njësi duken të thjeshta dhe krejt të rastit, që të gjitha shquhen për saktësinë e vlerësimit shkencor, për përzgjedhje të thelbit të vlerave të veprave të këtyre autorëve e në disa raste edhe për ndjeshmëri emocionale ndaj autorëve, si: Bajram Krasniqi dhe Sefedin Fetiu, që u ndanë nga jeta në moshë relativisht të re dhe mund t’i jepnin ndihmesa edhe më të medha studimit të letërsisës shqipe.
Duke përfunduar këtë recension të shkurtër për veprën e Fadil Grajçevcit “Nëpër gjurmë të letërsisë”, do të pohoj me bindje të plotë se vepra shquhet për vlera të veçanta shkencore, të cilat i karakterizojnë të gjitha llojet e këtyre shkrimeve për letërsinë tonë, se ajo është shkruar me nje gjuhë të pastër e të pasur shqipe, me terminologji te saktë shkencore, me dashuri të veçantë për letërsinë dhe për kulturën tonë kombëtare. Vepra shquhet për vlerësimin e drejtë objektiv të veprimtarisë letrare të të gjitha autorëve që trajtohen në të. Me vlerë të veçantë janë studimet krahasimtare të veprave të autorëve të periudhave të caktuara letrare, qoftë për përbërësit e përbashkët tematikë, qoftë edhe për rrethanat e ngjashme kohore në të cilat janë krijuar këto vepra. Prandaj me të gjitha vlerat që i përmban, vepra do të jetë ndihmesë e veçantë për të gjithë studuesit e letërsisë shqipe të traditës dhe të periudhës së sotme.