Prishtinë, 16 shkurt 2020: Dekada e fundit e shekullit XX paraqet një pikë kthese në historinë e popullit shqiptar në Kosovë. Rënia e Murit të Berlinit që u shoqërua me rënien e sistemit komunist dhe shpërbërjen e Jugosllavisë, vuri popullin shqiptar të Kosovës para një udhëkryqi historik. Revokimi i autonomisë së Kosovës, më 1989, dhe uzurpimi i institucioneve dhe kompetencave legjislative e ekzekutive të shoqëruara me dhunën policore, vuri shqiptarët e Kosovës para një dileme – si të vazhdohej më tutje? Fillimisht, shqiptarët u organizuan rreth një lëvizjeje paqësore, duke e parë atë si një alternativë të vetme, kurse ndryshimi i rrethanave vuri në skenë një lëvizje të re, e cila përmes rezistencës së armatosur u bë bazament në përpjekjet sublime të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. Prandaj, në vazhdën e këtyre përpjekjeve dallojmë dy alternativa: paqësore dhe lufta e armatosur.
Alternativa paqësore
Me rënien e regjimeve komuniste të Evropës Juglindore dhe në momentet e shpërbërjes së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, të cilat u përcollën me braktisjen në masë të Lidhjes Komuniste Jugosllave e organizatave të tjera politike legale, skena politike në Kosovë reflektoi ndaj pluralizmit politik duke pësuar ndryshim të shpejtë e dramatik me daljen në skenë të organizimeve të ardhshme politike që do të kenë për qëllim mbrojtjen e të drejtave të ligjshme demokratike të popullit shqiptar të Kosovës dhe zgjidhjen e statusit të saj politik. Një nga alternativat që fitoi terren në Kosovë, për mbrojtjen e të drejtave e drejtimin e vendit, qe alternativa paqësore e drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (më tej: LDK). Në krye të kësaj alternative, e cila përbënte njëherazi edhe bashkimin numerikisht më të madh unik ndër shqiptarët nën ish-Jugosllavinë e pas Luftës se Dytë Botërore, u vu inteligjenca me të cilën u solidarizua edhe masa e popullit, me gjithë kushtet e rënda të represionit shtetëror serb. Alternativa paqësore e fillimviteve ‘90, solli në pushtet ekip të ri qeverisës, të cilës i atribuohet Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, për “Kosovën Republikë brenda kuadrit të Jugosllavisë” , Kushtetuta e Kaçanikut e shpallur, më 7 shtator 1990, si referendumi për Kosovën si Shtet të Pavarur e Sovran , i shtatorit 1991, që shënonte një avancim në kërkesat e shqiptarëve të Kosovës nga mundësia e bashkëjetesës me kombet e mbetura në Jugosllavi në opsionin e pavarësisë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, me alternativë kruciale të rrugës paqësore, do të organizojë rezistencën gjithëpopullore për të përballuar situata tejet të vështira që ishin krijuar nga masat e dhunës e terrorit serb, si dhe me një orientim të tillë t’i jepte zgjidhje statusit politik të vendit. Lideri i LDK-së, Ibrahim Rugova, në një intervistë dhënë në gusht të vitit 1990, shpjegoi edhe strategjinë e tij: “Duhet të jetë e qartë se rruga e politikës paqësore është më e gjatë, por një zgjidhje e matur dhe e menduar mirë e këtij lloji është më e qëndrueshme… Për ne është e rëndësishme të mbrojmë popullin nga ata që duan ta provokojnë, sepse të gjithë e dimë se në situata të tjera të mëparshme vuajtëm shumë dhe patëm mjaft të vrarë për shkak të provokacioneve…, konfrontimi nëkushtet e tanishme nuk do të ishte në favorin tonë. Do tamësojmë këtë mësim, sepse kemi humbur shumë viktima gjatë historisë sonë e kemi fituar pak. Çdo sukses do të ngjante me fitoren e Pirros”. Me këtë strategji, LDK-ja do të punojë në planin demokratik kombëtar e në afirmimin dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës.
Në planin e brendshëm, periudha e qeverisjes paqësore pas revokimit të autonomisë u karakterizua me ndërtimin e institucioneve paralele si në nivel komunal po ashtu edhe në atë qendror. U vazhdua puna në arsim, shkencë, kulturë, sport, shëndetësi etj., me gjithë sfidën nga pushtuesi serb. Me gjithë të arriturat në këto fusha, diskriminimi, dhuna e represioni shtetëror serb vazhdoi duke keqësuar tej mase gjendjen e popullit shqiptar të Kosovës. Shqiptarët iu nënshtruan një shtypjeje të egër në të gjitha segmentet, e Kosova do të kthehet në një koloni klasike të Serbisë. Si rezultat i një politike të tillë të ndjekur nga pushteti serb, gjendja e shqiptarëve të Kosovës u keqësua tej mase (1990-1997). Ekonomia e Kosovës u plaçkit dhe çdo gjë me vlerë u transferua për Serbi. Si rezultat i dhunës e represionit ekonomiko-politik, shqiptarët morën rrugën e Evropës, deri në vitin 1997 numri i të mërguarve në botë arriti rreth 700 mijë. Në këtë mënyrë, përmes dhunës e terrorit në Kosovë, zbatohej politika e spastrimit etnik e në anën tjetër vinin kolonë serbë, duke përfituar atribute e favore materiale, e shqiptarët e këtushëm ishin kthyer në qytetarë të dorës së dytë përderisa u mohoheshin të gjitha të drejtat dhe liritë themelore individuale e kolektive.Në këtë gjendje, LDK-ja ishte në stadin më të lartë të rezistencës së saj me thirrjen “durim, durim”, fitorja është e jona. Në këtë situatë të gjendjes ekzistuese populli mbahej në një qetësi e nën dhunën e presionit e terrorit serb.
Në planin ndërkombëtar, LDK-ja në një masë arriti ta sensibilizoi çështjen e Kosovës duke vendosur lidhje me parti politike dheme mekanizma e asociacione të ndryshme evropiane e amerikane, njëherazi duke punuar në krijimin e miqve të Kosovës, si në Evropë, Shtete të Bashkuara të Amerikës (më tej: SHBA) e në vende tjera.
Padyshim, në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës një kontribut të veçantë dha Tirana. Në sesionin e 44-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Reis Malile, përveç se kishte vënë në dukje ngjarjet e pranverës së vitit 1989 në Kosovë, duke përmendur represionin ndaj shqiptarëve, të drejtat e tyre kombëtare që ishin në kundërshtim të çdo norme të lirisë, të demokracisë e të emancipimit kulturor e shoqëror, duke dënuar vrasjet dhe burgosjet e shqiptarëve, kishte kërkuar edhe normalizimin e gjendjes në Kosovë. Në vazhdën e këtyre përpjekjeve ministri në fjalë, në shkurt 1990, i dërgoi Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (më tej: OKB), Javier Perez De Cullar, një telegram duke e njoftuar atë se pas fjalimit në sesionin e 44-të gjendja në Kosovë fatkeqësisht ishte acaruar edhe më tej dhe se një gjendje e tillë përbënte rrezik për paqen e sigurinë jo vetëm për Kosovën e Jugosllavinë, por edhe për gjithë rajonin. Më tej, ai kërkonte që OKB ta ngrinte zërin e të kërkonte dhënien fund të dhunës, terrorit policor e të vrasjeve. Ndërkohë, Bashkim Pitarka, ambasador dhe përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë pranë OKB-së, i përcolli Sekretarit të Përgjithshëm mesazhin e ministrit të Jashtëm shqiptar, duke kërkuar që letrën dhe aneksin e saj, në përputhje me praktikën në fuqi, ta shpërndante si dokument të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit Ekonomik e Shoqëror dhe të Komisionit për të Drejtat e Njeriut. Për gjendjen e vështirë të krijuar në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës, më 3 korrik 1991, i kishte dërguar një Thirrje shtetit shqiptar, në të cilin ndër të tjera thuhej: “Kosova është mbushur me forca ushtarake dhe policore si dhe me civilë të mobilizuar nga Serbia, të cilët sollën me autobusë dhe makina ushtarake dhe parakalojnë nëpër Kosovë, duke kërcënuar hapur shqiptarët për masakrim. Njëkohësisht, kryhet mobilizimi me forcë i shqiptarëve të cilët dërgohen jashtë Kosovës. Duke shfrytëzuar gjendjen e luftës në Slloveni dhe Kroaci, regjimi serb dhe ushtria, dëshirojnë të shkatërrojnë shqiptarët, duke llogaritur që i gjithë aksioni do të mbetet në hije të ngjarjeve në Slloveni. Meqenëse populli shqiptar në Kosovë është plotësisht i pambrojtur dhe pa asnjë lloj institucioni të sistemit, me të drejtë kemi frikë nga masakrat e paralajmëruara dhe ju apelojmë Juve që sa më urgjentisht të arbitroni. Kërkojmë mbrojtjen Tuaj sa nuk do të jetë tepër vonë”.
Si rezultat i sensibilizimit, ku një rol të veçantë në këtë drejtim padyshim ka dhënë diaspora shqiptare, shumë delegacione nga Kosova u pranuan në institucione të ndryshme ndërkombëtare në Evropë e SHBA, si dhe u organizuan një varg tryezash të rrumbullakëta, duke u sqaruar delegacioneve të huaja gjendjen e shqiptarëve të Kosovës, si dhe parashtruan ide të ndryshme për zgjidhjen e çështjes së saj. Po ashtu, në Kosovë erdhën delegacione qeveritare e humane të dërguara prej partive e qeverive të Bashkimit Evropian (më tej: BE) e SHBA-së, të cilat u interesuan për shkeljen dhe liritë themelore të njeriut e për mundësit e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Pra, në fillim të viteve ‘90 me Kosovën filluan të merren, si: BE, SHBA-ja etj.
Krahas punës rreth sensibilizimit të faktorit ndërkombëtar për çështjen e shqiptarëve në Kosovë, një nga prioritetet e klasës politike shqiptare të kohës ishte edhe angazhimi për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës. Shpallja e Republikës së Kosovës nuk kishte zënë vendin e duhur të trajtimit objektiv për një zgjidhje sa më reale e të drejtë të saj. Në radhë të parë, asnjë subjekt shtetëror në Jugosllavi nuk e njohu Republikën e Kosovës. Vetëm Kuvendi i Republikës së Shqipërisë përmes një Deklarate, më 21 tetor 1991, njohu Republikën e Kosovës, si shtet sovran e të pavarur, mbi bazën e lirisë dhe barazisë të plotë me të gjithë popujt tjerë.
Shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte bërë në rrethana të ndërlikuara ndërkombëtare e aspak të përshtatshme për shqiptarët e Kosovës. Shpërbërja e Jugosllavisë, si një shtet i larmishëm në aspektin etnik, religjioz e kulturor dhe me një pozitë strategjike gjeopolitike paraqiti një sfidë tepër specifike për komunitetin ndërkombëtar, sidomos për BE-në dhe SHBA-të, pasi ky proces u zhvillua mu në kohën e përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe krijimit të një sistemi të ri ndërkombëtar. Në këtë periudhë, SHBA e BE ishin në vazhdën e përcaktimit të prioriteteve të tyre në politikën e jashtme, kurse kjo e fundit kishte probleme të brendshme sikurse ishte mosuniteti i shteteve rreth orientimit të politikës së jashtme. Bashkimi i Gjermanisë nuk shihej favorshëm nga Franca e Britania e Madhe, pasi një unifikim i tillë rrezikonte pozitat e tyre dominuese në Evropë. Përplasja e interesave të tyre u reflektua edhe në rastin e Jugosllavisë, ku Gjermania mbështeti shkëputjen e Sllovenisë e Kroacisë, kurse Franca e Britania nuk favorizuan krijimin e shteteve të reja.
Në anën tjetër, SHBA-ja kishte pasur raporte të shkëlqyeshme me Jugosllavinë komuniste, duke mbështetur ekonominë dhe unitetin e përgjithshëm të këtij shteti. Por, me rënien e Murit të Berlinit filloi edhe ndryshimi gradual i qëndrimit të SHBA-ve ndaj Jugosllavisë, pasi që Jugosllavia nuk e kishte më tej rëndësinë strategjike që kishte luajtur gjatë Luftës së Ftohtë si balancë midis Lindjes e Perëndimit. Tani SHBA filloi t’i shprehë pakënaqësitë e akumuluara nga e kaluara, të cilat i kishte heshtur atëherë, lidhur me shkeljen e të drejtave të njeriut në Jugosllavi. Një faktor tjetër në formësimin e politikës së jashtme amerikane në raport me Jugosllavinë ishte edhe një raport i agjencisë amerikane të zbulimit – CIA, i nëntorit 1990, që parashikonte trazira, dhunë etnike e civile. Në bazë të këtyre rrethanave, në shkurt të vitit 1990, SHBA-ja publikoi politikën e saj të jashtme amerikane ndaj Jugosllavisë që mbështetej në: “demokraci, dialog, të drejta të njeriut, ekonomi tregu dhe unitetin”.
Në rrethana të tilla ndërkombëtare zgjidhja e statusit politik të Kosovës jo vetëm që nuk mori vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare, por ajo mbeti në nivel të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Një qëndrim i tillë dëshmohet nga rezoluta e Parlamentit Evropian, e miratuar më 15 shkurt 1990, për gjendjen në Kosovë dhe respektimin e të drejtave të njeriut , si dhe nga Rezoluta e Përbashkëtïâ¬Âª e Senatit dhe Kongresit Amerikan që përmbante disa pika prej të cilave më të rëndësishmet ishin: (1) Shprehja e brengës së rëndë mbi shkeljen e të drejtave të njeriut nga Qeveria e Jugosllavisë dhe nga Qeveria e Republikës së Serbisë; (2) Inkurajimi i Qeverisë së Jugosllavisë dhe të Republikës së Serbisë për të ndalur përdorimin e forcës në Krahinën e Kosovës dhe për të mbrojtur të drejtat themelore të njeriut; (3) Inkurajimi i Qeverisë së Jugosllavisë dhe të Republikës së Serbisë që të rivendosë statusin e plotë autonom të Krahinës Socialiste të Kosovës; (4) Inkurajimi i Qeverisë së Republikës së Serbisë që të fillojë një dialog të mirëfilltë me lëvizjen e formuar Demokratike dhe me forcat tjera demokratike në Krahinën e Kosovës në interes të zgjidhjes politike dhe ekonomike…etj.
Orientimi i komunitetit ndërkombëtar për ta anashkaluar zgjidhjen e statusit politik të Kosovës dhe trajtimin e kësaj çështjeje në suaza të së drejtave të njeriut u shoqërua nga disa akte të karakterit politik dhe juridik që do ta vështirësonin edhe më tej zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kosovës. Në vazhdën e përpjekjeve për zgjidhjen e problemeve në Jugosllavi, BE formoi më 1991, një komision arbitrazhi, i njohur si Komisioni i Badinterit, sipas emrit të udhëheqësit të këtij komisioni, juristit Robert Badinter, kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Francës. Komisioni kishte për detyrë të lehtësonte dallimet që mund të paraqiteshin në bisedimet paqësore midis subjekteve jugosllave që së shpejti do të fillonin në Hagë, por po ashtu lëshoi edhe një numër opinionesh juridike lidhur me statusin e Jugosllavisë e të njësive të saja konstituive. Ndonëse nuk kishin karakter obligues, këto opinione kishin rëndësi specifike për Kosovën, sidomos ato që kishin të bënin me kufijtë në momentin e pavarësimit. Opinioni nr. 2 dhe nr. 3, përkujton se, pavarësisht rrethanave “e drejta e vetëvendosjes nuk duhet të përfshijë ndryshimin e kufijve ekzistues”.
Por, Kosova nuk njihej si republikë, dhe nuk trajtohej sikurse Sllovenia e Kroacia, kurse autonomia e saj me elemente të republikës sikurse kushtetuta, qeveria, banka, e drejta në presidencën jugosllave etj., ishin revokuar nga Serbia në mars të vitit 1989. Prandaj, duke tentuar të parandalojë ndonjë krizë që do të mund ta rrezikonte situatën e sigurisë në rajon, komuniteti ndërkombëtar hartoi propozime të ndryshme të cilat u shtjelluan në Konferencën e Hagës gjatë vitit 1991, sikurse “statusi special” apo një lloj autonomie e zgjeruar për banorët e minoritetit që formonin shumicën në hapësirën ku ata jetonin. Këto minoritete duhej të gëzonin të drejtat si: sistem arsimor i veçantë, organe të veçanta legjislative, strukturë administrative e gjyqësore etj.
Ishte e qartë se komuniteti ndërkombëtar dëshironte t’i avanconte disa të drejta për shqiptarët në këmbim të qetësimit të situatës, por kjo në anën tjetër nënkuptonte njohjen e juridiksionit të Serbisë mbi Kosovën. Kjo dëshmohet nga deklarimet e Lordit Oven, përfaqësues i kësaj Konference, në fjalimin për shtyp të mbajtur në Prishtinë ku iu drejtua shqiptarëve e serbëve: “Serbët duhet të pajtohen me autonominë e Kosovës, kurse shqiptarët – vazhdonte ai – duhet ta pranojnë Serbinë”. Edhe zëvendësi i ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Dagllas Hog, me rastin e hapjes së Ambasadës britanike në Shkup, në dhjetor 1993, ndër të tjera deklaroi: “Brengosja për Kosovën është në rend të ditës dhe për të bisedohet shpesh”.Qëndrimi është ky: “Ajo është pjesë e shtetit tashëm të Serbisë. Nuk synojmë ta shkatërrojmë integritetin e Serbisë, problemi do të zgjidhet brenda saj, Serbia do të jetë e detyruar që Kosovës t’i japë të drejtat politike më të gjera deri në autonomi”. Edhe kryetari i Italisë, Luigji Skalfaro, në fjalimin e mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë, deklaroi se Kosovës duhej t’i jepet autonomi sa më e gjerë. Ndërkaq, ministrat e punëve të jashtme, të Gjermanisë e Francës, Zhype e Kinkel, parashikuan po ashtu një autonomi të zgjeruar. Qëndrim të ngjashëm ndaj çështjes së Kosovës vazhdoi të mbante edhe administrata e Bill Klintonit, e cila për Kosovën parashikonte autonominë e gjerë nën sovranitetin e Serbisë. Pra, komuniteti ndërkombëtar, u tregua i njëanshëm dhe si rrjedhojë insistonte në ruajtjen e Federatës Jugosllave.
Për të arritur një gjë të tillë, komuniteti ndërkombëtar veproi në dy mënyra. Së pari paralajmëroi Serbinë të hiqte dorë nga dhuna. Më 24 dhjetor 1992, presidenti Bush i dërgoi një letër Sllobodan Millosheviqit, që u bë e njohur si “Paralajmërimi i Kërshëndellave”, që theksonte se: “Në rast konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimet serbe, SHBA do të përgatitet ta përdor forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë e në Serbi”. Së dyti, komuniteti ndërkombëtar tentoi t’i bindte liderët e shqiptarëve të Kosovës të riintegroheshin në sistemin politik të Serbisë, meshpresën se do të ndikonin në ndryshimin e pushtetit e me këtë edhe të fitimit të të drejtave të tyre. Në vazhdën e këtij synimi, lideri opozitar serb Milan Paniq, ishte takuar në Londër me Ibrahim Rugovën dhe i kishte ofruar këtij të fundit rivendosjen e të drejtave të njeriut dhe të një autonomie për Kosovën nëse shqiptarët do të dilnin në zgjedhje. Por, shqiptarët e Kosovës nuk kishin marr pjesë në zgjedhjet serbe pasi që konsideronin se Republika e Kosovës nuk është pjesë përbërëse e Jugosllavisë. Në kujtimet e tij, ambasadori amerikan në Beograd vinte në pah këmbënguljen e udhëheqjes së shqiptarëve të Kosovës për të mos njohur autoritetin e Serbisë. Qëndrimi i tillë i udhëheqjes kosovare i bëri të ditur komunitetit ndërkombëtar se shqiptarët ishin të vendosur në rrugën drejt lirisë e pavarësisë dhe se nuk do të kishte kthim prapa në aspiratat kombëtare. Ky qëndrim vendosi bazën e kërkesës për pavarësi që do të parashtrohet në rrethana krejt tjera disa vite më pas.
Gjatë viteve 1992-1995 çështja e Kosovës nuk kishte prioritetin e diskutimit në arenën ndërkombëtare ngase komuniteti ndërkombëtar ishte orientuar në ndaljen e konflikteve të armatosura në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë. Por, derisa komuniteti ndërkombëtar kishte drejtuar vëmendjen nga shtetet e cekura më lart, autoritetet policore serbe në Kosovë kishin rritur shkallën e represionit ndaj shqiptarëve. Sipas aktivistëve për të drejtat e njeriut, të burgosurit po rriheshin e po torturoheshin. Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Kosovë paralajmëronte për mundësinë e shpërthimit të një konflikti të gjerë nëse vazhdon vendosja e refugjatëve serbë nga Kroacia në Kosovë.
Venitja e rezistencës paqësore
Politika e rezistencës paqësore ishte ndjekur me bindje nga shumica e shqiptarëve në Kosovë deri në fund të vitit 1995. Fundi i vitit 1995, respektivisht Konferenca e Dejtonit dhe ngjarjet në Shqipëri më 1997, janë dy faktorë që shënuan një pikë kthese në zhvillimet politike në Kosovë dhe rreth saj. Ndryshe nga Bushi, administrata e demokratit Bill Klinton kishte paralajmëruar një qasje proaktive në angazhimin për ndaljen e luftimeve të tmerrshme në Bosnjë-Hercegovinë. Angazhimi amerikan në këtë çështje kishte dy synime: përmes arritjes së një marrëveshjeje paqësore të pengonte përhapjen e luftës në rajon dhe përfshirjen e Turqisë, Greqisë, Shqipërisë e Maqedonisë, pra të pengonte përsëritjen e historisë së luftërave ballkanike të viteve 1912-1913, dhe të demonstronte superioritetin amerikan ndaj Evropës, e cila nuk kishte qenë në gjendje ta zgjidhte një konflikt të tillë.
Përqendrimi i komunitetit ndërkombëtar për t’i dhënë fund luftës në Bosnjë-Hercegovinë bëri që Kosova të mos përfshihet në bisedimet e Dejtonit, pasi që një përfshirje e tillë apo diskutimi i problemeve më të gjera do t’i reduktonte dukshëm gjasat për arritjen e paqes. Një argument tjetër ishte ndikimi i Millosheviqit tek serbët e Bosnjës, që shihej si figurë kyçe në arritjen e marrëveshjes, prandaj ndërkombëtarët nuk dëshironin që ta provokonin gatishmërinë e tij për arritjen e paqes.
Përkushtimi i komunitetit ndërkombëtar tek figura dhe roli i Millosheviqit për një marrëveshje paqësore mund të dëshmohet përmes shpërblimeve që komuniteti ndërkombëtar ia akordoi Republikës Federale të Jugosllavisë (më tej: RFJ), respektivisht Serbisë e Malit të Zi. Së pari, u anuluan pjesa më e madhe e sanksioneve kundër këtij shteti, kurse më pas Bashkimi Evropian njohu zyrtarisht RFJ-në, të themeluar më 1992, si pasardhëse e Jugosllavisë së vjetër me gjashtë republika.
Refuzimi i faktorit ndërkombëtar për ta trajtuar çështjen e Kosovës në Dejton shkaktoi një zhgënjim dhe pakënaqësi të përgjithshme në Kosovë. Perëndimi nuk e kishte shpërblyer punën e Ibrahim Rugovës dhe durimin e popullit, pavarësisht vlerësimeve pozitive për rezistencë paqësore. BE vazhdonte të mendonte se raportet e përmirësuara midis BE-së dhe RFJ-së mund të çonin deri tek një qasje “konstruktive” e RFJ-së në akordimin e një lloj autonomie për Kosovën. Kjo jep të kuptohet se komuniteti ndërkombëtar përsëri u shpreh për mbetjen e Kosovës në suaza të Serbisë. Një tjetër argument që e vërteton këtë konstatim është se komuniteti ndërkombëtar tani filloi të angazhohej për zgjidhjen e çështjes së arsimit në Kosovë, me shpresën se një gjë e tillë do ta qetësonte situatën e do t’i hapte rrugë dialogut të mëtejshëm midis Serbisë dhe shqiptarëve në Kosovë. Me ndërmjetësimin e komunitetit katolik Shën Exhidio u arrit marrëveshja midis Ibrahim Rugovës e Sllobodan Millosheviqit për kthimin e nxënësve dhe studentëve në objektet e tyre duke filluar nga shtatori 1996. Sigurisht, një marrëveshje e tillë nuk u zbatua, sepse ajo kishte qenë vetëm një lojë e Millosheviqit për ta hequr nga vetja presionin e komunitetit ndërkombëtar e njëkohësisht edhe për ta goditur rezistencën aktive shqiptare që kishte filluar t’i jepte shenjat e para në Kosovë. Në anën tjetër, një marrëveshje e tillë ishte e nevojshme edhe për Ibrahim Rugovën, pozitat politike të së cilit kishin filluar të veniten në Kosovë. Marrëveshja perceptohej nga LDK-ja si një hap para drejt zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Por, kështu nuk mendonin edhe të tjerët. Përveç se e kritikonte këtë marrëveshje, Rexhep Qosja deklaronte:“nuk mund të shkohet në pavarësi me zgjedhjen hap pas hapi të problemeve”.
Qëndrimi i tillë i komunitetit ndërkombëtar ndaj Kosovës, bëri që qarqe të ndryshme politike në Kosovë të mendonin për gjetjen e formave të tjera të rezistencës kombëtare. Deri tek një pikë e tillë çonin analizat që iu bënë vendimeve të Dejtonit. Pavarësisht kostos së izolimit ndërkombëtar, dënimeve për spastrimit etnik dhe gjenocid, serbët e Bosnjës kishin përfituar më shumë se sa kishin kërkuar.
Me fjalë tjera, marrëveshja e Dejtonit bëri të ditur se marrëveshjet territoriale në baza etnike në Ballkan, gëzonin legjitimitet në sytë e Perëndimit dhe se vetëm përdorimi i forcës në tentativat për arritjen e vetëvendosjes mund ta sigurojë vëmendjen e Perëndimit. Në këtë kontekst, shumica e shqiptarëve në Kosovë tani u bindën se ishin shteruar mjetet politike dhe diplomatike për zgjidhjen e problemit, pasi komuniteti ndërkombëtar nuk e konsideronte Kosovën si problem serioz. Në anën tjetër, gjatë viteve 1997-1998 shtypja serbe vazhdonte ende më ritmin e vjetër, duke privuar shqiptarët nga të drejtat e tyre më elementare, në të gjitha segmentet e jetës ekonomike, shoqërore, arsimore, kulturore e politike.
Rruga e LDK-së, duke u parë si një alternativë me një strategji e kohëzgjatje e cila do të zgjidhte çështjen e Kosovës, shumë politikanë vendas e të huaj, filluan ta quanin atë edhe me emrin gandizëm. Ndoshta nuk është e tepërt që këtu të përmendim faktin se, alternativa paqësore në Kosovë nuk qe model i formës gandiane për faktin se: duke qenë “themelore në platformën e Gandit, organizimi i masave të gjera të popullit në fushatat e “mosbindjes civile” ose të “rezistencës pasive”, si mjete të tyre Gandi shpallte kundërshtimet e demonstrimet paqësore të masave të gjera popullore kundër sundimit britanik të shprehura në: bojkotimin e institucioneve zyrtare e të shkollave britanike; mosblerjen e mallrave të huaja; refuzimin e pagesave të taksave etj.” Në Kosovë edhe pse u sfiduan institucionet serbe, prapë se prapë ato jo vetëm që punonin e vepronin, por shqiptarët megjithëse jo me dashje pranë atyre institucioneve pajiseshin me dokumentacione të ndryshme, si ato të gjendjes civile, gjyqësore etj. Sa i përket mallrave, ato ishin të ardhura nga Serbia e shqiptarët i blinin ato. Po kështu, taksat jo vetëm që paguheshin, por madje dyfish. Në anën tjetër sunduesit në këto dy vende, Kosovë-Indi ishin të ndryshëm. Britania si sunduese kishte një stad më të lartë kulturor-demokratik, e në Indi manifestimet popullore ishin zinxhirë-zinxhirë, e në Kosovë u ruajt strategjia “as luftë as paqe” , përderisa ndërmjet viteve 1992-1996, mungonin në masë të madhe edhe manifestimet.
Alternativa paqësore e parë në prizmin e strategjisë së saj, “ta fitojmë lirinë pa derdhur gjak” e mirë do të ishte, por historia ka vërtetuar të kundërtën se “liria nuk dhurohet, por fitohet”. Megjithatë, mbështetur në një dokument të Ministrisë se Punëve të Jashtme të Shqipërisë, në fillim të viteve 90-të, ishte një grup i djemve të rinjë nga Kosova dhe viset tjera shqiptare që përbehej nga 43 veta, që kishin shkuar për stërvitje ushtarake në një bazë të Ushtrisë shqiptare, në Labinot të Elbasanit. Nga ta vetëm 11 veta kishin patur rekomandimin e përfaqësisë së Qeverise së Kosovës në Tiranë, e 3 prej këtyre rekomandime nga degët e LDK-së, në Kosovë, kurse pjesa tjetër konsiderojme qe të gjithe ishin anëtarë të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës e cila me vonë njihet si Lëvizja Popullore e Kosovës.
Por, më 1993-1997, stërvitja ushtarake e grupeve në territorin e Shqipërisë u kufizua ndjeshëm dhe lufta çlirimtare ra ndesh me filozofinë dhe politikën e kohës, këndej dhe andej kufirit. Më vonë gjërat ndryshuan, dalja publike e UÇK-së, dhe rritja e aksioneve të saj luftarake prishen status quo-në. Kësisoj, kjo alternativëishte e destinuar të dështonte në rrugën e çlirimit tonë, pavarësisht disa rezultateve që pati në aspektin kombëtar e ndërkombëtar. Duke patur parasysh të arriturat e saj, mendoj që, ajo për momentin dhe kohën e atyre ndryshimeve që ndodhen në Evropën Lindore e Ballkan, qe një alternativë tejet e qëlluar, por me kalimin e kohës ajo, ishte e harxhuar dhe larg aspiratave të popullit tonë për çlirim, duke pasur parasysh regjimin e ashpër serb.
Gradualisht, përpjekjet kombëtare shqiptare filluan t’i nënshtrohen një transformimi të pjesshëm, pasi një pjesë mbeti me ideologjinë e Rugovës e një pjesë tjetër filloi t’i bashkohej rrymave të reja. Filloi një lëvizje aktive që u manifestua me demonstrata në rrugë e cila shënoi edhe rënien e lëvizjes paqësore që kishte funksionuar deri atëherë. Një faktor tjetër që përshpejtoi organizimin e rezistencës aktive ishin ngjarjet e pranverës së vitit 1997 në Shqipëri. Skemat piramidale financiare që i kishte lejuar Qeveria shqiptare kishin arritur fundin e tyre të natyrshëm. Shqipëria ra në anarki. Qeveria e Sali Berishës humbi kontrollin, kurse armatimet e braktisura nga forcat e sigurisë u vodhën. Qindra mijëra armë ishin në dispozicion të qytetarëve, sidomos pushkët automatike. Kjo ngjarje lehtësoi organizimin e rezistencës së armatosur. Një faktor tjetër që intensifikoi transformimin e rezistencës pasive në atë aktive ishte edhe Lëvizja Studentore, respektivisht demonstratat studentore të tetorit 1997. Dhuna e shfrenuar serbe kundrejt demonstruesve paqësorë bindi komunitetin ndërkombëtar për vështirësitë në demokratizimin e Serbisë, kurse ishte edhe një moment kthese, sepse ktheu vëmendjen e Perëndimit përsëri nga Kosova. Rritja e interesimit të diplomacisë së vendeve të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, vërtetoi edhe njëherë se përfshirja ndërkombëtare ndodh vetëm pas eskalimit të situatës. Në aspektin e brendshëm, protesta po ashtu bindi popullatën shqiptare në Kosovë se me Serbinë është e pamundur marrëveshja në kushte paqësore, sidomos kur pas paqes në Bosnjë, Serbia i kishte duart e lira të merrej me Kosovën e në këtë mënyrë ta shtonte dhunën e represionin. Andaj, në kushtet e intensifikimit të dhunës dhe shtypjes së policisë serbe ndaj civilëve të pafajshëm, politikës së brendshme të vendit dhe indiferencës së faktorit ndërkombëtar, në Kosovë i erdhi fundi durimit dhe status quo-së.
(Fusnotat janë hequr)
VIJON …
__________________________
PROF.ASSOC.DR.SABIT SYLA: ALTERNATIVAT PËR ZGJIDHJEN E êËSHTJES SË KOSOVËS NË DHJETËVJEêARIN E FUNDIT TË SHEKULLIT XX (1)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9659
***
PROF.ASSOC.DR.SABIT SYLA: ALTERNATIVAT PËR ZGJIDHJEN E êËSHTJES SË KOSOVËS NË DHJETËVJEêARIN E FUNDIT TË SHEKULLIT XX (2)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9660