PROF.DR.SABILE KEÇMEZI-BASHA: (TOP SEKRET) DEZINFORMATAT E BEOGRADIT KUNDËR GRUPEVE E INDIVIDËVE SHQIPTARË QË VEPRONIN KUNDËR JUGOSLLAVISË (40)

 Pashtriku, 12 gusht 2020: Udbashët raportojnë…
Nga aktivitetet e organeve kompetente, raportohej se gjer më tani në bazë të hulumtimeve që kishin bërë, thoshin se “duket se është punuar mirë në organizatat ilegale e konspirative në grupe të vogla, të cilat kanë tentuar që në mes vete të lidhen dhe të koordinojnë punën e tyre nga një e ma shumë qendra. Por, me një tendencë të përhershme që të zgjerojnë dhe të indoktrinojnë bashkëmendimtar nga radhët e të rinjve. Ata angazhoheshin sidomos me nxënësit dhe studentët, duke u munduar që tek ata të zhvillojnë ndjenjën e pakënaqësisë dhe të mos besimit ndaj sistemit jugosllav; Zhvillonin ndjenjën e pa perspektivës tek shqiptaret e Jugosllavisë, duke e treguar “gjendjen e rëndë” ekonomike e sociale të Kosovës e shqiptarëve në Jugosllavi. Ilegalistat me veprimet e tyre iu ofronin shkëputjen e Kosovës dhe pjesët shqiptare që ishin nën Jugosllavi dhe bashkimin e saj me Shqipërinë, me të cilën edhe i bindnin ata”, raportonin komunistët nga Kosova për KQ të LKJ-së.

Sipas zbulimeve të hetuesve të UDB-es
Organet e Punëve të Brendshme raportonin se sipas hulumtimeve të gjertanishme theksojnë se, në Kosovë kanë vepruar më tepër grupe ilegale, dhe një grup ka vepruar dhe ka qenë aktive në Shtutgard (Gjermaninë Perëndimore), e cila kishte 5 qytetarë të Kosovës, që punonin përkohësisht në këtë vend. Ata ishin të lidhur dhe të ndihmuar në aktivitetin e tyre nga grupi “Marksist-Leninist”, i cili vepronte po ashtu, në Gjermanin Perëndimore. Ndërsa, në Grupin nga Prishtina, merrnin pjesë edhe persona nga Lipjani, Vushtrria dhe Peja, të cilët kishin për qëllim që të ripërtërijnë veprimtarinë e grupeve të mëhershme ilegale, të cilat ishin dënuar më 1964, 1974 dhe 1975. Sipas informatës thuhej se “Organet kompetente ende punojnë në ndriçimin dhe zbulimin e organizatorëve dhe koordinatorëve të vërtet të këtyre grupeve, si në Kosovë po ashtu edhe jashtë vendit. Po ashtu thuhej se “Organet e Punëve të Brendshme, kishin zbuluar persona të cilët kishin kryer 11 aksione të shpërndarjes së parullave kundër shtetit dhe shpërndarjen e pamfleteve. Por ende nuk ishin zbuluar dhe mbetej edhe më tej obligim i organeve që të zbulohen kryesit e 8 veprave antishtetërore jugosllave. Organet e Punëve të Brendshme, edhe më tej ishin të angazhuar që edhe më tepër dhe në mënyrë të argumentuar të zbulojnë lidhjet në mes këtyre organizatave ilegale me faktorin ndërkombëtar.

Struktura e moshës të personave që merrnin pjesë në grupe
Organet udhëheqëse në Kosovë raportonin se struktura e personave të zbuluar në këto grupe, ishte karakteristike se, këta persona ishin të rinj dhe vinin nga të gjitha komunat e Kosovës. Ata, kryesisht ishin nxënës e student, si dhe një numër i konsideruar ishin vajza. Duhet theksuar se sipas informatës, shumica e veprimtarëve ishin kryesisht me prejardhje nga fshatrat. Në të shumtën e rasteve, kryesisht janë të rinj që gjerë më atëherë nuk kishin qenë të kyçur në organizata ilegale dhe nuk kishin veprua nga pozicionet nacionaliste e armiqësore.
Në mesin e tyre që ishin penalisht të ndjekur apo ndodheshin në burgun hetues, 15 nga ata ishin anëtarë të rinj të LKK. Organizatat Themelore të LK ku kishin aderuar pas këtij zbulimi, morën masa urgjente dhe i përjashtuan nga radhët e veta, duke zhvilluar debate kritike për veprimtarin e tyre.
Raportet në mes Kosovës e Shqipërisë sipas informatës
Duke zhvilluar një bashkëpunim të gjerë në mes Kosovës e Shqipërisë në kuadër të marrëdhënieve jugosllave-shqiptare dhe politikës së fqinjësisë së mirë ndaj shteteve fqinje, LKK e organet tjera , si dhe subjektet tjera për bashkëpunim u angazhuan në aspektin ideo-politik, që në mënyrë intensive që ta pasuronin këtë aktivitet dhe kontaktet e bashkëpunimit, por njëkohësisht ngushtohej mundësia e depërtimit të tendencave ideo-propagandistike, subversive, nacionaliste e irredentiste. Në këtë drejtim, u morën masa dhe u dhanë disa rezultate të konsiderueshme në përmirësimin e koordinimit, planifikimit dhe organizimit dhe përgjegjësisë të bartësve të bashkëpunimit me RP të Shqipërisë. Për këtë kishte qëndrime të qarta të kryesisë të KK të LKK, Kryesisë të KSA e Kosovës, Këshillit Ekzekutiv të Kosovës dhe i organizatave të tjera shoqëroro-politike, të cilat ishin bazament për zhvillimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.
Megjithatë, thuhej më tej në informatë “Veprimtaria propaganduese-subversive nga Shqipëria me disa oscilime e intensitet të caktuar, në mënyrë të vazhdueshme, të paramenduara e ofensive dhe atë në mënyra të ndryshme, depërtonin drejt Kosovës. Ndërsa, tek individët gjenin edhe teren të përshtatshëm. Kryesisht propaganda zhvillohej, para se gjithash nëpër mes të Radio Tiranës, TV shqiptare, nëpër mes të literaturës, broshurave e të ngjashme. Tek numri më i madh i personave që u përfshin në këtë aksion u gjetën një literaturë e shumtë e PPSH, e cila ishte me përmbajtje anti jugosllave dhe në shumicën e rasteve ishte sigurua në mënyrë legale nga “Jugosllovenska knjiga”, apo e sjellë nga vendet e treta perëndimore. Lidhur me të, u zhvilluan disa debate lidhur me gjendjen dhe për masat e marra për rregullimin e ligjit se kush ka autorizim në krahinë për distribuimin e literaturës së huaj dhe shtypit, si dhe për përgjegjësin më të madhe, koordinimin dhe organizimin në përgjithësi në këtë drejtim.
Qëndrimi paternalist i Shqipërisë i pengonte Beogradit
Në lidhje me sulmet e fyerjet e shpeshta të cilat vinin nga Shqipëria ndaj Jugosllavisë dhe sistemi t jugosllav, në lidhje me çdo lloj sjelljeje paternaliste dhe tendence irredentiste të cilën e bënin nëpër mes të propagandës, pushtetarët në Kosovë gjithnjë në mënyrë interne, politikisht reagonin dhe ndikonin tek LK dhe në masat më të gjera, por kohë pas kohe kur vlerësonin në përgjithësi, reagonin publikisht si nëpër mes të kuadrit shqiptarë apo nëpër mes të mjeteve të informimit kosovar. Më tej thuhej se “Këtë që e bëjmë e bëjmë në kufij të normales dhe mënyrës që mos ti dëmtojmë dhe ashpërsojmë marrëdhëniet në mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë dhe që të ruajmë nivelin e politikës së shtetit tonë dhe raporteve të mira fqinjësore me Shqipërinë”. Por, megjithatë, pushtetarët kishin vlerësuar se ishte e domosdoshme që të forcojnë dhe të pasurojnë veprimtarin propagandistike në raport me propagandën me shtetin shqiptarë, dhe këtë edhe ndaj qytetarëve shqiptarë, si the depërtimin e thellë në vetë Shqipërinë, para se gjithash duke e përforcuar dëgjueshmërinë e Radio Prishtinës si dhe pranimin dhe përgatitjen më të mirë të programeve të TVP (për të cilën nevojitej përkrahje më e madhe konkrete e shoqërisë jugosllave)
Sipas pushtetarëve situata politike vlerësohej dhe sugjerohej se “për të pasur një qëndrueshmëri dhe sukses të luftës kundër nacionalizmit e irredentizmit, duhet një aktivitet i gjerë e intensiv i veprimtarisë ideo-politike të LKK, dhe i të gjitha organizatave shoqëroro politike, dhe bashkë me to duhet marrë masa më intensive të zhvillimit ekonomik e social në Kosovë. Procesit të shpejtuar të pasurimit, të drejtave dhe pozitës së përgjithshme të shqiptarëve në të gjitha pjesët e vendit, kudo që jetojnë, në këtë mënyrë që të hapen perspektiva të reja për një jetë më të pasur dhe për një bashkëjetesë më të mirë me të gjitha kombet e kombësitë. Se, mu kjo çështje, për pozitën e shqiptarëve është dhe do të jetë motiv bazik që forcat nacionaliste do të ngritin platformën nacionaliste e reaksionare, dhe për të cilën mendohet se do të jetë tërheqëse dhe do ti grumbulloj të rinjtë rreth kësaj”, përfundon citati.

Kryesia e Komiteti Krahinor të LKK, dhe Kryesia e KSA të Kosovës, kishin ardhur në përfundim se çështja e dënimeve të këtyre personave të cilët “armiqësisht” kishin vepruar nga pozicionet e nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptarë duhet t’i qasemi politikisht; duhet munduar që sa më shumë që numrin më të madh të tyre, që ndodhen në burgjet hetuese, t’i bindim dhe t’i largojmë nga pozitat armiqësore, delte propozimi nga udhëheqësit politik të Kosovës. Dhe vazhdonin me këto propozime : “Se, tani nuk duhet të shkojmë në masa të rrepta administrative ndaj atyre që kanë qenë në fazën e parë të veprimtarisë ilegale. Lidhur me politiken e ndëshkimeve të bisedohet për një marrëveshje me organet federative. E tërë kjo mbyllej lidhur me politikën e ndëshkimeve të këtyre personave, që përsëri të shqyrtohej në mbledhjet e përbashkëta të Kryesisë të KK të LKK dhe kryesisë të KSA të Kosovës” thuhej në informatën “Top sekret”.
Gjatë kësaj periudhe kur edhe dergohet informata në organet federative e të Serbisë, udhëheqja e Kosovës vije në përfundim se “Po në të njëjtin periudhë ka ardhur deri tek ngritja e aktivizimit të nacionalizmit serbë në mënyra të ndryshme. 1. Para së gjithash me përhapjen e dizinformatave për gjendjen në Kosovë. Duke thënë se ”gjëja se” gjendja e serbëve e malazezëve në Kosovë është shumë e rëndë. Duke krijuar klimë pasigurie, përçarjes dhe mos besueshmëri ndaj shqiptarëve në përgjithësi e sidomos ndaj udhëheqjes dhe kuadrove shqiptare; duke lançuar tregime të rrejshme dhe duke thënë se “disa nga ata, në burg ndodhen për hir të tradhtisë; disa nga ata kanë ikur për Shqipëri e të ngjashme. U vlerësua se edhe kjo paraqitej në një lloj forme të veprimit armiqësor dhe duhet ashpërsuar luftën kundër kësaj tendence.
Kryesia e KK të LKK-së, Kryesia e KSA të Kosovës, si dhe të gjitha komitetet komunal të Lidhjes Komuniste, vlerësuan se “veprimtaria e këtyre grupeve ilegale nga pozitat e nacionalizmit e irredentizmit shqiptarë, u dënua ashpër nga njerëzit punonjës të kombeve e të kombësive të Kosovës dhe të gjitha këto organizata pa dallim “përkrahnin qëndrimet e tyre për të ndërprerë veprimtarin armiqësore të këtyre grupeve”. Po ashtu u vlerësua se veprimi i këtyre grupeve nuk pati sukses që të luhat bashkimin dhe situatën politike në Kosovë, dhe se, situata politike dhe e sigurisë është e mirë edhe më tej është e mirë” thuhej në informatën “Top sekret” që e kishte përcjell KK i LKK-së tek Kryesia e Jugosllavisë dhe te KQ i LKJ-së dhe KQ i LKS-së. Informata mbante siglen “Top sekret” dhe e kishin dërguar: Kryesia e KSA e Kosovës dhe Kryesia e KK të LKK.
– FUND –
______________________
PROF.DR.SABILE KEÒªMEZI-BASHA: (TOP SEKRET) DEZINFORMATAT E BEOGRADIT KUNDËR GRUPEVE E INDIVIDËVE SHQIPTARË QË VEPRONIN KUNDËR JUGOSLLAVISË (39)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10358
===============
Për të lexuar të plotë këtë studim shkencor, mund të filloni nga pjesa e parë:
PROF.DR.SABILE KEÒªMEZI-BASHA: DËSHMI PËR KEQPËRDORIMET DHE DEFORMIMET E SHËRBIMIT TË SIGURIMIT SHTETËROR NË KOSOVËS (1945-1966) (1)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=923
7

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura