PROF.ASSOC.DR.SABIT SYLA: ALTERNATIVAT PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES SË KOSOVËS NË DHJETËVJEÇARIN E FUNDIT TË SHEKULLIT XX (2)

Prishtinë, 17 shkurt 2020:
Alternativa e luftës çlirimtare
“Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën time të luftoj për t`i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse e shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im, betohem, betohem, betohem”. Tekstit të mësipërm i nënshtrohej çdo ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj është e qartë se alternativa e UÇK-së konsistonte në çlirimin e tokave të pushtuara, sikurse perceptoheshin tokat shqiptare jashtë Shqipërisë londineze, dhe bashkimin e tyre me shtetin amë
.
Ndonëse celulat e para të organizimit ushtarak të UÇK-së i hasim qysh në pjesën e parë të viteve 1990, me kohën ato ishin strukturuar derisa në nëntor të vitit 1998 kemi një strukturë më të qartë që përbëhej nga një zonë operative e strukturuar në shtatë nënzona operative (më tej NZO): NZO e Drenicës, NZO e Pashtrikut, NZO Dukagjinit, NZO e Shalës, NZO e Llapit, NZO e Nerodimës dhe NZO e Karadakut. Por, për shkak të nevojave operative, të ngritjes dhe të komandimit, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, në mbledhjen e mbajtur më 12.11.1998, vendosi për ngritjen e këtyre nënzonave në zona operative.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës iu kundërvu agresionit serb duke u mbështetur në të drejtën që kanë popujt për t’u mbrojtur nga dhuna e agresioni si dhe për t’i sjellë atij çlirimin kombëtar. Rruga e luftës së armatosur në formë të organizimit u pa si e vetmja alternativë për çlirimin e Kosovës dhe zgjidhjen e çështjes së saj, nga që regjimi serb i Millosheviqit vazhdonte të ishte shkaktari kryesor i përkeqësimit dhe i radikalizmit të situatës në vend. Në situatën e terrorit dhe dhunës, shqiptarët u detyruan të organizohen për vetëmbrojtje e luftë të armatosur, me qëllim që të mbrojnë vatrat e tyre, tokën, ekzistencën e për të çliruar Kosovën duke i sjellë popullit të saj lirinë. UÇK hyri në skenë në kohën e duhur, pasi ishte sosur durimi i shqiptarëve dhe ishte lëkundur besimi në politiken e kohës, për t’i sjellë vendit çlirimin.Siç dihet, ajo doli në skenë, më 28 nëntor 1997, në fshatin Llaushë të komunës së Skenderajt. Fillimisht, Drenica vazhdoi të ishte çerdhe e UÇK-së, në krye me familjen Jashari, për t’u zgjeruar më pas në gjithë vendin.

Alternativa e luftës së armatosur, preku ndjenjat e të gjithë atyre shqiptarëve që kishin vuajtur historikisht nga sundimi serb, si brenda po ashtu jashtë vendit. Po ashtu, kjo alternativë, do të ushtrojë një influencë pozitive edhe në spektrin politik shqiptar. Partitë politike filluan të lëvizin e të reflektojnë ndaj politikave të ndjekura deri tani, me qëllim që ato të përshtaten më mirë në situatën e krijuar. Në anën tjetër, shumë shqiptarë që kishin qenë të angazhuar me politikën jo të dhunshme në Kosovë apo lëvizje e shoqata të ndryshme paqësore, vendosen të bashkoheshin me UÇK-në, sepse shikonin luftën e armatosur si mjetin e vetëm mbrojtës e cila një ditë do ta buzëqeshte lirinë.
Në anën tjetër, pavarësisht konflikteve të armatosura midis UÇK-së dhe forcave policore/ushtarake serbe, sidomos kur këto të fundit po shkaktonin një dhunë të paparë ndaj civilëve të paarmatosur, komuniteti ndërkombëtar ende e konsideronte Kosovën si një çështje të brendshme të Serbisë dhe në nivel të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të sigurimit të një lloj autonomie. Robert Gelbard, emisar special i presidentit Klinton, kishte deklaruar në mars 1998, se “Rugova duhet ta dijë se pavarësia nuk është opsion”, një qëndrim që u mbështet nga zyrtarët evropianë. Po i njëjti diplomat kishte deklaruar se “Padyshim, UÇK është një organizatë terroriste” dhe se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dënojnë fuqishëm aktivitetet terroriste në Kosovë”. Një deklarim i tillë i dha pretekst të qartë Millosheviqit që të fillojë serinë e parë të sulmeve të shkallës së gjerë kundër popullatës civile, duke vrarë një numër civilësh të paarmatosur në atë çfarë u përshkrua si fushatë kundër terrorizmit.
Pavarësisht deklarimeve të Gelbardit dhe të bashkëmendimtarëve të tij, UÇK ishte ushtri tipike çlirimtare, për faktin se: sulmet e UÇK-së, nuk qenë të drejtuar kundër popullsisë së pafajshme shqiptare; UÇK-ja ka goditur forcat serbe të cilat zbatonin dhunën në Kosovë, që ndiqnin, arrestonin, burgosnin, rrihnin, maltretonin e vrisnin popullsinë shqiptare; UÇK-ja ka goditur forcat ushtarake të cilat kontrollonin me forcë territorin e pushtuar, që nuk u përkiste atyre, por popullit autokton shqiptar. Pra, UÇK-ja nuk kishte të bënte me asnjë nga variantet e terrorizmit, ngaqë me këtë së fundi u bind edhe bashkësia ndërkombëtare se me të vërtetë është një palë serioze me mision të qartë, çlirimin e vendit të okupuar nga pushtimi serb e sjelljen e lirisë një populli të shumë përvuajtur gjatë historisë së tij.
Sidoqoftë, ka të ngjarë se prapa një deklarate të tillë qëndron papërgjegjësia apo tejkalimi i kompetencave nga Gelbardi, pasi nuk besohet se SHBA të ketë dhënë dritën jeshile për një veprim të tillë. Po ashtu, ai mund të jetë ngatërruar me ide të ndryshme brenda komunitetit ndërkombëtar që mund të shkonin deri në atë shkallë sa të mendonin për eliminimin e UÇK-së, nënshtrimin e shqiptarëve dhe arritjen e asaj çfarë kërkonte komuniteti ndërkombëtar – mosndryshimin e kufijve.
Por, vendosmëria e UÇK-së dhe shkalla e paarsyeshme e dhunës etnike të autoriteteve shtetërore serbe ndaj shqiptarëve, bëri që komuniteti ndërkombëtar në pjesën e parë të vitit 1998 ta ndryshojë qëndrimin rreth Kosovës. Përfaqësuesi i BE-së kishte deklaruar se BE refuzon të pranojë se Kosova është një çështje e brendshme e Jugosllavisë.
Tanimë ishte e qartë se rezistenca dhe lufta e armatosur e UÇK-së nxiti diplomacinë euro-amerikane në hartimin e projekteve të ndryshme që për synim kishin arritjen e një marrëveshjeje paqësore në Kosovë. Më 5 mars, Organizata për Siguri e Bashkëpunim e Evropës (më tej: OSBE) kërkoi bashkëveprim me BE-në dhe me NATO-n, ndërkaq diplomatët britanikë e amerikanë e vizituan Kosovën e shumë përfaqësues tjerë diplomatikë u deklaruan rreth gjendjes në Kosovë. Kështu, me fillimin e marsit 1998 qe shënoi betejën heroike e sublime të Jasharajve në Prekaz ,çështja e Kosovës vetëm gjatë periudhës 7-14 mars 1998, dominoi në gjitha forumet e larta evropiane si në: Bashkimin Evropian, Grupin e Kontaktit, Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian, etj., në të cilat forume u përcaktuan disa zgjidhje për Kosovën.Në mesin e këtyre takimeve më i rëndësishmi ishte ai i Grupit të Kontaktit i datës 9 mars 1998. Esenca e këtij takimi qëndronte në faktin se Grupi i Kontaktit po merrej për herë të parë ekskluzivisht me Kosovën. Por, në anën tjetër, ky takim qe një hap i vogël për Kosovën pasi që vendet pjesëmarrëse të Grupit të Kontaktit dolën me një projekt sipas së cilës “Kosova duhet të fitonte një autonomi të rëndësishme, që shprehet me vetadministrimin e saj përmbajtësor, duke funksionuar si njësi më vete brenda Serbisë, por jo në kuadër të Jugosllavisë”. Nuk ka asnjë dyshim se një ofertë e tillë paradoksale ishte e papranueshme për shqiptarët.
Me vazhdimin e bisedimeve komuniteti ndërkombëtare kaloi në një nivel tjetër të propozimeve të tij. Për dallim nga qasja e mëhershme autonomiste, tani komuniteti ndërkombëtar filloi të kalkulojë projekte që parashihnin një avantazh të çështjes së Kosovës. Pasi opsioni i autonomisë kishte skaduar, në tavolinën ndërkombëtare tani u hodh karta e një republike të Kosovës në kuadër të Federatës Jugosllave. Përmes kësaj marrëveshjeje Kosova do ta kishte kushtetutën e saj, do t’i administronte çështjet e brendshme dhe do ta kishte të drejtën e vetos për çështje të rëndësishme në nivel federate. Niveli federativ do të kishte kompetenca në fushën e mbrojtjes, politikës financiare dhe të politikës së jashtme. Vëmendja ndaj kësaj ideje konsistonte në faktin se nuk kishte nevojë për ndryshimin e kufijve ndërkombëtar të Jugosllavisë, edhe pse sipas logjikës së Komisionit të Badinterit Republika e Kosovës do të ishte kandidate për njohje si një shtet i ri.
Ndonëse kundër një propozimi të tillë doli Mali i Zi, pasi që një republikë e tretë do ta zbehte ndikimin e saj në federatë, opsioni i republikës nuk ishte i pranueshëm as për serbët e as për shqiptarët. Si do të mund ta pranonin serbët shkëputjen e Kosovës kur aq shumë mite ishin thurur për të, aq shumë mund e propagandë ishte harxhuar për të, e mos të flasim për luftërat që janë bërë në emër të serbizmit që gjenezën e kishin tek miti mbi Kosovën. Po ashtu, a do të ishte e mundur që shqiptarët të jetojnë nën sigurinë e një ushtrie e cila kreu masakra, vrasje, depërtime, aq më tepër kur kauza e luftës çlirimtare i kishte themelet tek e drejta për pavarësi.
Derisa po kalkuloheshin zgjidhje kompromisi, në mesin e serbëve gjithnjë e më tepër po përkrahej opsioni radikal: ndarja e Kosovës. Shumica e serbëve e kishin kuptuar se koha po punonte për shqiptarët në aspekt demografik. Serbët llogaritnin se do të bëheshin minoritet në mesin e shekullit të ardhshëm. Deri tek ky konkluzion kishte ardhur akademiku serb Aleksandër Despiq, atëherë kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë. Po të njëjtën ide e kishte shprehur edhe akademiku Dobrica Qosiq, ish-kryetar i Jugosllavisë, i cili kishte propozuar ndarjen në baza etnike. Duke marr shembull nga modeli i Dejtonit për Bosnjën, Qosiq kishte propozuar krijimin e dy subjekteve autonome dhe secila nga këto dy subjekte të kishte raporte speciale me shtetin amë.
Përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar vazhduan edhe më tej, ndonëse jo në ritme intensive sikurse në pjesën e parë të marsit.Më 21 mars e 29 prill 1998, mbahen takimet e Grupit të Kontaktit në Bon e në Romë. Më 10 maj, në Prishtinë arriti delegacioni amerikan i prirë nga Richard Holbrok. Si rezultat i këtij angazhimi amerikan, më 15 dhe 22 maj 1998, pati takime midis negociatorëve shqiptarë dhe serbë të cilat përfunduan pa asnjë rezultat. Më 8 qershor, u mblodh Këshilli i Ministrave i Unionit Evropian, më 12 qershor, u mbajt takimi në nivelin më të lartë i shteteve anëtare të Paktit NATO, e po të njëjtën ditë sërish u tubua Grupi i Kontaktit. Intensitetet e tilla diplomatike vazhduan, në anën tjetër terrori, dhuna e katastrofa humanitare rritej e shtohej.
Si përmbledhje, mund të thuhet se institucione politike e diplomatike euro-amerikane në të gjitha takimet e forumet e mbajtura si zgjidhje për çështjen e Kosovës parashikuan: “Të mbrohet vija e kuqe”në Kosovë në përputhje me premtimin e administratës amerikane, gjë që është kuptuar edhe si mundësi e krijimit të një “republike konvenciale dypjesëshe” sipas skemës në Bosnjë; autonomi e zgjeruar politike administrative; autonomi rajonale, në nivelin e parashikuar në kushtetutën e vitit 1974; autonomi plus; republikë me kusht; republikë e ndërmjetme – jo aq sa ajo e Malit Zi, por jo më pak se “Srpska Republika”në konfederatën boshnjake; Republikë minus; Republikë në kuadër të ish-Jugosllavisë pas një prove transitive të vetëqeverisje së vetë suksesshme prej 3 vitesh, etj. Pra, shihet qartë se asnjë nga këto zgjidhje për Kosovën nuk ishin të kënaqshme, përderisa binin ndesh me qëllimet parimore të luftës çlirimtare të Kosovës për çlirim kombëtar. Derisa komuniteti ndërkombëtar po i diskutonte opsionet e mësipërme, numri i vullnetarëve në Ushtrinë Çlirimtare po shumëfishohej në gjitha rajonet e Kosovës. UÇK-ja do të faktorizohet në shkallën më të lartë. Kështu që asnjë zgjidhje për çështjen e Kosovës, nuk mund të merrej në konsideratë pa UÇK-në.
Në anën tjetër, paralelisht me përpjekjet diplomatike vazhdonin në terren konfrontimet ushtarake midis UÇK-së dhe forcave policore/ushtarake serbe. Rezistenca aktive e UÇK-së ngriti edhe më tej interesimin e diplomacisë ndërkombëtare, e cila kishte filluar ta kalkulonte edhe opsionin e faktorit UÇK. Por, nga ana e saj, edhe UÇK-ja ishte e interesuar të promovohej para faktorit vendor e ndërkombëtar dhe të merrte përgjegjësinë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Në vazhdën e kësaj UÇK-ja publikoi në shtypin vendor një deklaratë politike, 29 prill 1998, ku shpaloste programin e saj politik , duke kërkuar njëkohësisht edhe mbështetje në luftën e saj kundër pushtetit të instaluar serb në Kosovë.
Në pjesën e fundit të qershorit 1998 emisari special amerikan, Richard Holbrok, zhvilloi një takim me përfaqësuesit e UÇK-së në Junik. Ndonëse deklarimi i Holbrokut se “… ishte një takim jozyrtar midis përfaqësuesve amerikanë dhe atyre të UÇK-së me qëllim të identifikimit të gjendjes reale në terren …”, megjithatë një akti i tillë mund të konsiderohet edhe si njohje e heshtur e UÇK-së nga SHBA.
Sigurisht që, paraqitja dhe pranimi në arenën ndërkombëtare e bënte UÇK-në faktor të rëndësishëm në proceset politike e ushtarake lidhur me Kosovën, duke e vendosur atë në agjendën ndërkombëtare. Pas momentit të cekur më lart, faktori ndërkombëtar gjithnjë e më tepër do të orientohet tek Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, pasi që UÇK-ja ishte forcë reale në terren, e cila nuk mund të anashkalohej nga faktori ndërkombëtar e as nga Jugosllavia në përpjekjet për ndaljen e luftimeve dhe vendosjen e paqes. Një konstatim i tillë ishte bërë nga vetë Holbroku në Crans Montana pas kthimit të tij nga Kosova. Me konstatimet e Holbrokut u pajtuan dhe diplomatët si Uolfgang Petrisch dhe Christopher Hill. Petrich shprehej: “Deri në shpërthimin e kundërthënieve të armatosura midis ushtrisë ilegale shqiptare UÇK dhe njësiteve të Ministrisë së Brendshme serbe, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare (BE dhe SHBA) çështja e Kosovës u trajtua si një çështje e brendshme e Jugosllavisë, përkatësisht Serbisë” ,kurse Hill shprehej: “….mendoja se Kosova ka rëndësi thelbësore në Ballkan, por kjo çështje nuk u bë urgjente, përderisa njerëzit nuk filluan të shkrepin armët kundër njëri-tjetrit”.
Në vazhdën e konstatimeve të mësipërme të Holbrokut u vendosën kontakte midis diplomatëve ndërkombëtarë dhe përfaqësuesve të UÇK-së. Këto kontakte u intensifikuan gjatë nëntorit 1998. Duhet cekur takimet e përfaqësuesve të UÇK-së me Uolfgang Petrichin, e në veçanti edhe takimin e mbajtur në Dragobil, më 6 nëntor 1998, në të cilën UÇK e përfaqësuar nga Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi e Ramë Buja e shtjelloi projektin e diplomatit amerikan Hill. Këto takime ishin një indikacion i qartë se adresa e bisedimeve me shqiptarët tanimë ishte zhvendosur nga Prishtina në selinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe se UÇK tanimë ishte pranuar edhe zyrtarisht si faktor vendimtar për çështjen e Kosovës.
Gjatë verës 1998, sidomos gjatë muajve qershor-korrik 1998, vërehet një intensifikim i luftimeve në terren. UÇK kishte shënuar suksese në terren dhe kishte arritur të kontrollonte rreth 40% të territorit të Kosovës, përfshirë edhe qytetin e Rahovecit. Një sukses i tillë kishte shkaktuar komplikime ndërkombëtare. Së pari qarqe të ndryshme ndërkombëtare të mendonin se një fushatë ushtarake e NATO-s kundër Beogradit do të ishte në fakt mbështetje për UÇK-në. Po ashtu, amerikanët filluan të anojnë gjithnjë e më tepër nga UÇK-ja. Një emisar amerikan deklaronte në fillim të korrikut se “…në këtë moment pala shqiptare nuk mund të flet me një zë të vetëm”. Për më tepër, një sukses i tillë kishte ngritur alarmin në Beograd. Deri në këtë moment, forcat policore serbe kishin qenë përgjegjëse për t’u ballafaquar me UÇK-në, kurse Ushtria jugosllave ishte përgjegjëse për kufijtë. Bashkërendimi i forcave policore me ato ushtarake jugosllave u shoqërua me bartjen e kompetencave operative tek Ushtria jugosllave, akt i shpallur më 25 korrik 1998. Ky akt, obligonte Ushtrinë jugosllave të vendoste rendin dhe rregullin në Kosovë, respektivisht të ballafaqohej me UÇK-në. Gjatë muajit gusht filloi ofensiva e Ushtrisë jugosllave, e cila u manifestua me djegien dhe shkatërrimin e fshatrave dhe vendbanimeve shqiptare si dhe me vrasjen dhe dëbimin e popullsisë civile nga vendbanimet e tyre. Shkalla e dhunës e zbatuar nga forcat policore/ushtarake serbe kishte qenë aq e ashpër sa nxiti reagimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar, i cili kërkoi ndalimin e sulmeve dhe tërheqjen e forcave serbe nga Kosova. Më 23 shtator, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën nr. 1199 që kërkonte nga Beogradi që të garantojë një qasje të pakufizuar të vëzhguesve ndërkombëtarë në Kosovë dhe të bëj progres të shpejtë drejt gjetjes së një zgjidhjeje, të mundësojë kthimin e personave të zhvendosur në pronat e tyre si dhe të shmangë katastrofën humanitare.
Në vazhdën e këtyre përpjekjeve në fillim të tetorit, emisari special amerikan Richard Holbrok, zhvilloi një seri bisedimesh intensive me Sllobodan Millosheviqin të cilat përfunduan me të ashtuquajturën Marrëveshje e Tetorit, e datës 13 tetor 1998, sipas së cilës ushtria dhe policia serbe do të ktheheshin në nivelet e paraluftës. Po kjo marrëveshje parashihte: (1) vendosjen e një misioni verifikues (Misioni Verifikues në Kosovë) prej 2000 vëzhguesve, nën mbikëqyrjen e OSBE-së në krye të së cilit u vendos diplomati amerikan Uilliam Uoker, dhe (2) fluturimet mbikëqyrëse të NATO-s mbi Jugosllavi për ta verifikuar tërheqjen e forcave jugosllave. Kjo marrëveshje u mbështet nga Këshilli i NATO-s përmes miratimit të Urdhër Aktivizimit, sipas të cilit nëse nuk zbatohej marrëveshja, bombardimi kundër Jugosllavisë do të fillonte brenda 96 orësh. Ndonëse UÇK-ja nuk ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje ajo deklaroi vetëpërmbajtjen , kurse ndërprerjen e mundshme të luftimeve e shfrytëzoi për konsolidimin e radhëve dhe strukturimin e organeve komanduese. Ndonëse në Kosovë zbarkuan vëzhguesit ndërkombëtarë, sidoqoftë marrëveshja nuk u zbatua dhe pas një kohe të shkurtër rifilluan luftimet. Ushtria jugosllave filloi me zbatimin e planit ushtarak, të koduar si “Patkoi”, që për bazë e kishte ndryshimin e strukturës etnike në Kosovë , dhe destabilizimin e rajonit duke provokuar konflikte me Shqipërinë në mënyrë që konflikti të zhvendosej në suaza të konfliktit midis dy shteteve sovrane.
Gjatë periudhës janar-mars 1999 vazhdoi dhuna brutale e forcave serbe kundër civilëve. Mbi 200 000 njerëz u dëbuan nga vatrat e tyre, kurse nga Serbia gjithnjë e më tepër vinin përforcime ushtarake. Kulmi i dhunës serbe ishte masakra e Reçakut, 15 janar 1999, ku u masakruan mbi 45 civilë. Më 20 mars Misioni Verifikues u tërhoq nga Kosova. Masakra e Reçakut dhe masakrat tjera kundër popullatës civile shqiptare, e vunë komunitetin ndërkombëtar para një pozite tepër të vështirë, sidomos kur përpjekjet e tyre hasnin vazhdimisht në refuzimin dhe manovrimet diplomatike të Millosheviqit. Prandaj, bazuar në të Drejtën Humanitare Ndërkombëtare faktori ndërkombëtar u detyrua t’i jap fund luftës para se veprimet e Millosheviqit ta çonin popullin shqiptar drejt fundit të tij fizik. Kështu, më 28 janar 1998, Këshilli i Përgjithshëm i NATO-s lëshon deklaratën përmes së cilës krizën e konsideron “të rrezikshme për paqen dhe sigurinë në botë”, duke dënuar aktet serbe dhe duke premtuar mbështetje për Grupin e Kontaktit në përpjekjet për ndaljen e dhunës.
Situata ishte komplikuar edhe më tej kur Qeveria jugosllave vendosi për dëbimin e Uilliam Uokerit nga Jugosllavia dhe shpalljen e dy gjeneralëve të NATO-s, Klaus Nouman, kryesues i Komitetit Ushtarak të NATO-s dhe Uesley Clark, komandant suprem i forcave të NATO-s për Evropë, si persona të padëshiruar për Beogradin. Këto akte lehtësuan ndërtimin e konsensusit në mesin e komunitetit ndërkombëtar se qasja ndaj Beogradit duhet të mbështetet në kërcënimin dhe forcën. Në këto rrethana filloi një seri e re e përpjekjeve diplomatike të kombinuara me kërcënimin për përdorimin e forcës. Grupi i Kontaktit hartoi, më 22 janar 1999, një plan për imponimin e një zgjidhjeje politike, përfshirë edhe përdorimin e forcës nëse ndonjëra nga palët ndërluftuese, serbët apo UÇK, do të refuzonin marrëveshjen.
Ndërkohënë shkurt 1999 filloi Konferenca e Rambujesë që për detyrë kishte gjetjen e një zgjidhjeje paqësore për Kosovën. Bisedimet për bazë kishin projektpropozimet për të ardhmen e Kosovës, të hartuara nga Hill dhe Petrisch. Në përbërje të delegacionit të shqiptarëve të Kosovës ishin përfaqësues të UÇK-së: Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Azem Syla, Xhavit Haliti dhe Ramë Buja; përfaqësues të LBD-së: Rexhep Qosja, Hydajet Hyseni, Bajram Kosumi dhe Mehmet Hajrizi; përfaqësues nga LDK-ja: Ibrahim Rugova, Bujar Bukoshi, Idriz Ajeti, Fehmi Agani dhe Edita Tahiri, kurse Veton Surroi e Blerim Shala si personalitete të pavarura. Pas mbërritjes në Rambuje, delegacionit të Kosovës i bashkëngjitet një ekip këshilltarësh ligjorë, si: Morton Abramowitz, një ish-funksionar i Departamentit Amerikan të Shtetit, Paul Uilliams, jurist i drejtësisë ndërkombëtare me qendër në Uashington, Mark Weller, specialist gjerman i së drejtës ndërkombëtare dhe Shinasi Rama, student doktorate në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork. Delegacionit i priu kryesia e përbërë nga Hashim Thaçi, Ibrahim Rugova dhe Rexhep Qosja. Kryesues i kryesisë ishte caktuar Hashim Thaçi,kurse zëdhënës Veton Surroi.
Interesante ishte përbërja e delegacionit jugosllav, në të cilin përveç zyrtarëve të lartë jugosllavë e serbë kishte edhe nga një përfaqësues të minoriteteve që jetonin në Kosovë, si: boshnjak, turk, egjiptian, mysliman, goran, rom etj. Përbërja e një delegacioni të tillë nuk është e rastësishme apo vullnet i mirëfilltë i serbëve për t’i respektuar minoritetet. Kjo ishte në fakt një taktikë për t’i relativizuar kërkesat e shqiptarëve dhe për t’i treguan komunitetit ndërkombëtar kinse minoritetet dëshironin të jetonin në Jugosllavi.
Teksti i parë i draft marrëveshjes që iu prezantua shqiptarëve dhe serbëve kishte pesë pika: ndërprerja e menjëhershme e dhunës; tërheqja e menjëhershme e forcave policore e ushtarake jugosllave nga Kosova; stacionimi në Kosovë i një force ushtarake të udhëhequr nga NATO; rikthimi i sigurt i refugjatëve dhe personave të zhvendosur; dhe një zgjidhje politike që përbëhet nga një autonomi e zgjeruar për Kosovën. Por, propozimi nuk kishte qenë i pranueshëm për dyja palët. Jugosllavia refuzoi praninë e forcave ndërkombëtare, kurse shqiptarët opsionin e autonomisë së zgjeruar të cilin e kishin pasur edhe me Kushtetutën e vitit 1974. Kërkesa e spektrit politik shqiptar ishte pavarësia, pasi që dhuna brutale serbe prej një dekade nuk kishte lënë hapësirë për shqiptarët që të jetojnë nën ombrellën e shtetit serb.
Në ndërkohë, në mbyllje të përkohshme të punimeve, delegacioni i Kosovës në Rambuje, pas konsultimeve të grupimeve politike dhe ushtarake vendosi, më 23 shkurt 1999, për formimin e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, në krye të së cilit u emërua Hashim Thaçi.
Bisedimet rifilluan më 15 mars 1999, pasi që ishin ndërprerë për shkak të mospajtimeve. Teksti i ri i negociatave ofronte një autonomi të zgjeruar që përmbante një vetëqeverisje për gjitha çështjet e brendshme, si: arsimi, shëndetësia dhe ekonomia. Kosova do të kishte presidentin dhe kuvendin, gjykatën supreme, qeverinë etj. Trupat dhe zyrtarët e huaj do ta garantonin zbatimin e marrëveshjes. Autonomia e zgjeruar do të ofrohej për një periudhë prej tre vitesh. Pas tre vitesh do të mbahej një konferencë ndërkombëtare për të vendosur mbi statusin final të Kosovës. Sidoqoftë, në esencë integriteti dhe sovraniteti i Serbisë do të ruheshin. Kompetencat e RFJ në Kosovë do të ishin: (a) integriteti territorial; (b) ruajtja e tregut të përbashkët brenda RFJ; (c) politika monetare; (d) mbrojtja; (e) politika jashtme; (f) doganat; (g) sistemi tatimor federal; etj. Për më tepër, në Kosovë do të kishte tre nivele të autoriteteve të zbatimit të ligjit, kosovare, republikane dhe federale, kurse kufijtë ndërkombëtarë do të kontrolloheshin nga autoritetet jugosllave (rreth 1500 ushtarë). Në Kosovë do të zbarkonte edhe një forcë e NATO-s si garantuese e marrëveshjes. Në fakt, oferta ndërkombëtare ishte hiç më shumë se sa autonomia që kishte Kosova me Kushtetutën e vitit 1974. Sidoqoftë, në përmbyllje të draft tekstit qëndronte dispozita që parashihte organizimin e një konference ndërkombëtare për të caktuar mekanizmat për zgjidhjen e statusit final të Kosovës bazuar në vullnetin e popullit, përpjekjeve të palëve për respektimin e marrëveshjes dhe Aktit Final të Helsinkit.
Pavarësisht se premtohej një konferencë për statusin e Kosovës, një formulim i tillë, ku theksohej ruajtja e integritetit territorial të RFJ dhe politikat e përbashkëta në sferat më të rëndësishme, ishte vështirë i pranueshëm për delegacionin shqiptar. Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeline Albright, i dha garanci të qarta delegacionit shqiptar në Rambuje se shprehja “vullnet i popullit” nënkupton vullnetin e popullsisë në Kosovë e jo të asaj në Serbi e Mal të Zi, që do të shprehet përmes referendumit.
Delegacioni shqiptar e nënshkroi marrëveshjen, kurse serbët e refuzuan. Edhe pse marrëveshja parashihte ruajtjen e integritetit të Jugosllavisë refuzimi i Jugosllavisë mund të lidhet me dy faktorë: vendosja e forcave të NATO- në Kosovë e jo të atyre të KB-ve, si dhe lëvizja e lirë e trupave të NATO-s në gjithë Serbinë.
Sidoqoftë, ky akt u konsiderua si casus belli për të nxitur intervenimin ushtarak pas përfundimit të bisedimeve. NATO ishte e vendosur për bombardimin e Jugosllavisë, prandaj edhe nuk funksionuan manovrimet jugosllave për t’iu shmangur bombardimeve sikurse propozimi i Kuvendit të Serbisë për një autonomi të gjerë për Kosovën dhe bisedime për shkallën e një pranie të huaj ndërkombëtare në Kosovë.
Më 24 mars 1999, filloi fushata e sulmeve ajrore të NATO-s kundër caqeve policore e ushtarake jugosllave. Fushata zgjati 78 ditë. Në qershor 1999 gjeneralët e Millosheviqit u detyruan ta nënshkruanin kapitullimin e Ushtrisë jugosllave dhe brenda një kohe të shkurtër forcat serbe u detyruan të tërhiqen nga Kosova, kurse në Kosovë u vendosën Administrata e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara (UNMIK), KFOR-i, si dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Në tërë Kosovën periudha para dhe gjatë bombardimeve të NATO-s ishte e shoqëruar me beteja të rrepta ndërmjet forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe dhe forcave të UÇK-së. Por, serbët u hakmorën kundër popullsisë civile. Sipas raporteve të fillimviteve të pasluftës, janë vrarë 11 840 civilë, prej tyre 1 392 fëmijë deri në moshën 18-vjeçare, 296 fëmijë deri në moshën 5-vjeçare, 1 739 femra dhe 1 882 të moshuar mbi moshën 65-vjeçare, dhe ende rreth 1 600 banorë janë të pagjetur dhe janë dhunuar 20 400 femra shqiptare.
Shpesh diskutohet dhe spekulohet se kush në të vërtetë e çliroi Kosovën. Mirëpo, lidhur me këtë, me të drejtë mund të konstatojmë:nga të gjitha analizat del përfundimi se, faktori vendimtar për të gjitha të arriturat në Kosovë ishte Lufta Çlirimtare e Kosovës, ishte UÇK-ja me dinamizmin, pjekurinë, operacionalitetin, zhdërvjelltësinë, largpamësinë, qëndrueshmërinë, unitetin, kompleksitetin dhe ndërveprueshmërinë. Të gjithë faktorët e tjerë kanë qenë faktorë ndihmës dhe mbështetës… Pra, është e qartë se pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe pa luftën e saj, nuk do të kishte as ndërhyrje të NATO-s dhe as mbështetje të opinionit ndërkombëtar dhe organizmave evropiane e botërore.
(Fusnotat janë hequr)
( FUND )
________________________

PROF.ASSOC.DR.SABIT SYLA: ALTERNATIVAT PËR ZGJIDHJEN E ÒªËSHTJES SË KOSOVËS NË DHJETËVJEÒªARIN E FUNDIT TË SHEKULLIT XX (1)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9659
***
PROF.ASSOC.DR.SABIT SYLA: ALTERNATIVAT PËR ZGJIDHJEN E ÒªËSHTJES SË KOSOVËS NË DHJETËVJEÒªARIN E FUNDIT TË SHEKULLIT XX (2)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9660

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura