Prishtinë, 20 shkurt 2020: Në shënim të 75 vjetorit të mbajtjes së Konferencës së Jaltës, ( 4 – 11 shkurt 1945 ), Vladimir Putini hodhi idenë e mbajtjes së Samitit të pesë anëtarëve të përhershëm të KS të OKB-së, SHBA, Britani e Madhe, Francë, Kinë dhe Rusi. Një shpjegim, fare i thjeshtë, jo aq bindës i Putinit është se, gjoja një Samit i tillë do të jepte përgjigje në një varg problemesh, sfidash, vështirësish me të cilat përballet bota bashkëkohore. Si zakonisht, Franca e Macronit, përkrahësja tradicionale e Rusisë, me njëherë e ka përkrahur propozimin, Kina, po ashtu, kurse Britani e Madhe ka kërkuar sqarime plotësuese. Deri më tani, vetëm SHBA nuk është prononcuar. Sidoqoftë, pikërisht në kontekst të gjeopolitikave më të reja, madje, në prizmin e agresivitetit të shtuar neoimperialist të Rusisë mund t’i veçojmë disa aspekte, të cilat burojnë nga të pa njohurat e kësaj iniciative ruse.
E para, propozimi rus, vjen, 75 vjet pas vendimeve të Konferencës së Jaltës, e cila, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore kishte vendosur themelet e një sistemi të ri ndërkombëtar, i cili determinoi rrjedhat e Luftës së Ftohtë, Perëndim – Lindje. Rusia, pra, ish BRSS-ja e Stalinit, doli përfituesja më e madhe nga vendimet e Konferencës së Jaltës, përkatësisht, nga ndarja e atëhershme e sferave të interesit.
E dyta, vendimet e Konferencës së Jaltës, siç dëshmoi historia, me përplasje të shumta dhe me luftëra, ishte e padrejtë ndaj shumë popujve dhe shteteve, ndër ta edhe për popullin shqiptar. Mjafton të konstatohet se, pikërisht Konferenca e Jaltës, ndër të tjera, ishte vendimtare përse Shqipëria dhe çështja shqiptare ngeli në orbitën e Lindjes, dhe jo me Perëndimin, me qytetërimin evro-perëndimor, aty ku, që nga Gjergj Kastrioti, e kishim pasur vendin! Hapja e arkivave, shqyrtimi i tyre kritik dhe me objektivitet, po dëshmon se, me sa mospërfillje dhe dinakëri, diplomacia e kohës, pra edhe Konferenca e Jaltës e injoroi çështjen shqiptare, duke na shkaktuar pasoja rrënuese, shkatërrimtare!
E treta, iniciativa më e re e Vladimir Putinit, vjen në kohën, kur Rusia, po i forcon bindshëm dhe pamëshirshëm, pozicionet neoimperialiste, kur, po shpërfaq ambiciet e pansllavizmit modern, pra, të ideologjisë së Rusisë Perandorake, në simbiozë me Kishën Ortodokse Ruse! Në të njëjtin kontekst, Putini, përmes doktrinës së putinizmit po bën veprime për ta forcuar rolin e tij në Rusi, por edhe në arenën ndërkombëtare.
E katërta, me të gjitha këto veprime, Federata Ruse, e udhëhequr nga absolutisti me prirje diktatoriale, Putin, po e sfidon, po i kundërvihet Rendit të Ri Botëror, i cili edhe ashtu është i përfshirë nga një krizë, jo vetëm ideologjike, por edhe të përçarjeve në raportet SHBA – BE. Këtë pa vendosmëri të BE-së, këtë oportunizëm të Evropës së përçarë dhe mungesën e guximit të saj që t’i del përballë Rusisë, Moska zyrtare po e shfrytëzon edhe me presionin financiar, ekonomik dhe jo vetëm të gazit rus.
E pesta, Putini, nuk po zgjedh mjete që, para botës bashkëkohore të imponohet si, një burrështetas, i cili, gjoja, është i pazëvendësueshëm, jo vetëm për vendin dhe popullin e tij, por edhe për zhvillimet e sotme botërore, si udhëheqës i fuqishëm karizmatik, i cili, madje, për interes të Rusisë, gjen forma dhe mundësi edhe për ide, sikur është mbajtja e Konferencës së Re të Jaltës.
E gjashta, propozimi vjen nga presidenti i shtetit, Rusisë, i cili, më 2014, përmes pushtimit ushtarak, me mijëra civilë të varë, e aneksoi Krimenë, territor historik, etnik i shtetit të pavarur, të Ukrainës. Pushtimi rus, ndodhi para syve të botës mbarë, para heshtjes bizare të BE-së dhe të botës demokratike perëndimore! Realisht, aneksimi, pushtimi rus i Krimesë, është akt i mbyllur, i përfunduar, i kryer!
Është e qartë, prapa idesë, propozimit më të ri të Putinit, qëndron, synimi që, përmes një Samiti të pesë anëtarëve të përhershme të KS të OKB-së të rishqyrtohet funksionaliteti i Rendit të Ri Botëror, të cilit i prijnë SHBA-të, pra, Perëndimi! Rusia, pra, edhe me organizimin, mbajtjen e një Jalte të Re, synon ta prish ekuilibrin e sotëm të gjeopolitikës së ideuar pas rënies së Murit të Berlinit, pas, rënies së komunizmit dhe veçmas, pas shpërbërjes së ish BRSS-së. Edhe sot, elita intelektuale, forca pro komuniste, nacionaliste, në bashkëpunim të fuqishëm me Kishën Ortodokse Ruse, janë të frustruara me faktin historik të shpërbërjes së ish BRSS-së dhe me pavarësimin e shteteve, tani më, ish republika sovjetike. Prandaj, Moska zyrtare, me doktrinën e putinizmit, pra, të pansllavizmit modern, të doktrinës për Lidhjen Sllave, Federatën Mbarësllave, po ju bëjnë thirrje ish republikave sovjetike për ri bashkim. Një ofertë e tillë, vazhdon ti bëhet Bjellorusisë, duke e kushtëzuar me gazin rus, ndërkohë që, aleanca ushtarake Rusi – Serbi, është duke u përforcuar.
Ne ndërsa, në plan të parë, nëse mbahet një Samit i tillë, ku, nën ndikimin rus dhe kinez do të ri shqyrtohej ekuilibri i tashëm i sistemit ndërkombëtar, na intereson çështja shqiptare, me fokus të veçantë, çështja e Kosovës. Në veçanti, shqetësimi bëhet edhe më real, kur kemi parasysh se, në pesëshen e anëtarëve të përhershëm të KS të OKB-së, të një Samiti të paralajmëruar nga Putini, janë, dy vende që e kundërshtojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB, dy aleate të Serbisë. Pikërisht, në lidhje me interesat e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, duhet parë me shqetësim, jo vetëm propozimin më të ri të Putinit, por, edhe vizitën në Beograd, më 17 shkurt 2020, të ministrit rus të mbrojtjes, Sergej Shajfu si dhe deklaratën e ambasadorit rus në Beograd, Aleksandar Bocan – Harçenko, sipas të cilit:”Kurrfarë marrëveshje Prishtinë – Beograd nuk mund të vjen në konsiderim, nëse, Moska nuk pyetet”!
Gjithsesi, Perëndimin, në radhë të parë, BE-në e pa vendosur, të pa koordinuar, e pret edhe një shtrëngatë e re diplomatike, me emblemën ruse! Faktori shqiptar, ndërsa, duhet të jetë shumë vigjilent, i zgjuar, i bashkuar për t’i renditur veprimet me aleatët evro-perëndimor, në radhë të parë, SHBA-të!