Tiranë, 21 shkurt 2020: Jetojmë kohën që populli ynë po kalon një periudhë të vështirë, e cila vjen nga grumbullimi i pamatë i pasurisë kombëtare në duart e disa njerëzve të lidhur me politikën, duke sjellë varfërimin e skajshëm të tjerëve, si rrjedhojë, kjo po sjell shpopullimin e skajshëm të Shqipërisë.
Fenomenin e zbrazjes galopante të Shqipërisë pseudo-demokratike e kanë theksuar shumë institucione ndërkombëtare, përfshi edhe OKB-në: “Popullsia në Shqipëri në vitim 2100 do të jetë jo më shumë se 512 mijë shqiptarë.” (“Dita”, 11 korrik 2019).
Këtë parashikim alarmant të OKB-së e ka shprehur edhe gazetari dhe shkrimtari Tim Judah, autor i shumë publikimeve mbi Shqipërinë e Ballkanin, në pragun e 75 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, me shkrimin “Dividenti demografik i Shqipërisë”, te gazeta “The Economist”, duke bërë krahasimin: “Në vitin 1990, ndërsa komunizmi po binte, në vend pati 82.112 lindje dhe 18.119 vdekje. Në 2018, kishte vetëm 28.934 lindje dhe 21,804 vdekje. Në periudhën 2019-2031, kryeqyteti parashikohet të jetë zona e vetme e vendit popullsia e të cilit do të rritet, në një mënyrë që do të jetë shtëpia e rreth 35 për qind të popullsisë së vendit.”(“Dita”, 14 nëntor 2019)
Fshatrat dhe shumë qytete të vegjël në Shqipëri tashmë janë boshatisur dhe po u vjen radha qyteteve të mëdha.
Pleqtë nëpër fshatra kanë vënë ulërimën: “Nuk ka kush të na varros”. Shqipëria po bëhet atdheu i dhimbjes, një ankth që s’ka fund. Gjatë periudhës janar-shtator 2019 numri i të larguarve u rrit me 21%, në krahasim me një vit më parë. Në total për 9 muajt e parë të vitit 2019 kanë aplikuar për herë të parë edhe 15.469 shqiptarë të tjerë, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i aplikimeve ishte 12.835. Vetëm muaji shtator 2019 ka pasur 1.734 aplikime të reja, duke shënuar një rritje prej 14% në raport me muajin e kaluar. Bazuar vetëm në largimet e periudhës janar-shtator 2019, i bie mesatarish që në çdo 25 minuta largohet një shqiptar nga Shqipëria, ose në çdo një orë largohen dy shqiptarë, ose gati 18.000-20.000 shqiptarë në vit! Edhe Instituti “EPIK” ka publikuar një raport në të cilin thuhet se gjatë 10 viteve, 2008-2018, brenda 10 vjetve, nga Shqipëria dhe Kosova drejt vendeve perëndimore kanë emigruar afër 1 milionë e 800 mijë banorë; prej këtyre, afër 1 milionë e 200 mijë janë nga Shqipëria dhe rreth 600 mijë banorë nga Kosova. (www.radiokosovaelire.com, 23 nëntor 2019).
Me të drejtë shtrohet prej çdo shqiptari pyetja: Pse shqiptarët që po largohen nga Shqipëria dhe Kosova, revoltën e tyre të akumuluar prej vitesh nuk e kapitalizojnë në qendër të kryeqytetit dhe qytetet e tjera, për ta mundur këtë politikë të keqe mbarë kombëtare, por vetëm ikin?!
A e dini Pse?! Sepse ky popull ka filluar të mos i besojë më si të majtës edhe të djathtës shqiptare, që e këmbejnë pushtetin me marrëveshje të fshehta në çdo 8 vjet, ngaqë të dy palët janë vëllezër siamezë, manipulues, vjedhës të parasë publike, dhe shkatërrues e shitës të pasurive tona kombëtare. Kjo zbrazje i ngjan një filli që tërhiqet e tërhiqet ditë e natë, një fill që e mpak Shqipërinë çdo ditë.
Nga ana tjetër, në këto dy dekadat e këtij fillim-shekulli po shohim përpjekje të shumëanshme nga forca të ndryshme politike, si në Evropë edhe në Shqipëri, që ta ringjallin fashizmin. Këtë dukuri e shohim jo në pak vende të Evropës, ku partitë e djathta me pikëpamje të ringjalljes së fashizmit e nazizmit, jo vetëm që kanë rritje të dukshme në elektorat, por ato përpiqen të marrin sa më shpejt pushtetin ose e kanë marrë atë. Sipas raportit të organizatës joqeveritare franceze, “Shoqata Franceze e Viktimave të Terrorit”, evidentohet se terrorizmi i së djathtës ekstreme ka shënuar viteve të fundit rritje prej më se 320 për qind.(“Al-Xhazira” dhe radiokosovaelire.com, 23 nëntor 2019).
Bazuar në shpopullimin galopant që po i bëhet si Shqipërisë ashtu dhe trojeve shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi, (kryesisht moshat e reja), dyshojmë se bëhet që të mos ketë mundësi për reagim mbarë popullor për largimin nga pushtetit forcave politike pushtetmbajtëse, prandaj dhe po i jepet nxitje politikës pro-serbe në gjirin e këtyre shteteve ballkanike për krijimin e “mini-Shengenit Ballkanik”, që nuk është gjë tjetër veçse krijimi i një Serbie të Madhe të fuqishme fashiste; duan të na thonë se po krijohet një lloj rreziku. Të gjitha këto veprime na thërrasin me zë të fortë: po ringjallet fashizmi.
***
Praktikën e mënyrës si kalohet në fashizëm e gjejmë në historinë e fashistizimit të shtetit nga ana e Musolinit, të cilën e zbërthen hollësisht historiani më i madh i fashizmit, Renzo De Felice (1929-1996), i cili na bën me dije: “Nëse në Bashkimin Sovjetik e në Gjermaninë naziste, shteti ishte i nënshtruar nga partia shtet, në Italinë fashiste u zhvillua procesi i kundër; në qendër të regjimit ishte shteti, ndërsa partia ishte në pozicion të dytë; ajo u anashkalua, e cila shënoi hapin më vendimtar në rrugën e fashistizimit të shtetit; gjë të cilën e synonte prej kohësh Musolini, pas një pastrami rrënjësor që i bëri partisë prej ish-nacionalistëve nga postet me përgjegjësi… Etapa tjetër ishte vendimi i Këshillit të Madh mbi listat e deputetëve që do të paraqiteshin në zgjedhje, të cilat do t’i zgjidhte kryetari i partisë, (ngjashëm si ndryshimi i Kustetutës sonë nga Parlamenti në vitin 2008, sipas marrëveshjes midis Sali Berishës e Edi Ramës), paradox ky, i cili i jepte Musolinit të përqëndronte gjithnjë e më të fortë të marrjes së vendimeve e të pushtetit tërësisht në duart e tij.” (Renzo De Felice “Historia e shkurtër e fashizmit”,Dituria 2005, f.63,66).
Konkretisht, a ka pas ndonjë rast që Sali Berisha dhe Edi Rama t’i raportojnë partisë së tyre për shkaqet e mosrealizimit të programeve me të cilët kanë fituar zgjedhjet dhe cilët kanë qenë fajtorët? Por, pëtkundrazi, edhe në fitoren e radhës janë po ata deputetë e po ata ministra. Por ndodh e kundërta, ata i kanë kërkuar partisë llogari, dhe jo partia atyre. Edhe kur kërkohet të japin llogari në Parlament, të gjithë deputetët e mazhorancës mbrojnë kryeministrin dhe nuk nxjerrin shkaqet e vuajtjes popullore. Kjo praktikë, a është tipike si fashistizimi i shtetit prej Musolinit?
Dhe rrezikun e një fashistizmi të ardhshëm, në çfarëdo forme ose emri që mund të shfaqet ai, e parandjeu poeti ynë kombëtar Arben Duka, kur Qeveria Rama e shpalli Tepelenën “Aushvic”, prandaj dhe thërret:
Duket Aushvici,
qe një strategji,
kapitujt me radhë,
po shpalos tani!
Ne duhet të ligës,
sot t’i themi ndal,
dhe ta shkatërrojmë,
planin kriminal!
Duhet të ringremë,
qe një strategji,
kapitujt me radhë,
po shpalos tani!
Çibanin fashist,
s’e duron kjo tokë,
që nesër mos themi
“Si ndodhi- o shokë?!”
(“Dita”, 7 gusht 2019)
Sikundër shihet, poeti ynë Arben Duka me këtë poezi po na thotë: Hapni sytë!, ngjashëm si dikur heroi çek Julius Fuçik: “Njerëz, ju kam dashur! Vigjëloni!” Jo më kot thonë se poetët kanë një parandjenjë që nuk dihet se nga u vjen. Dhe Arben Duka na e thotë qartë: në Shqipëri po instalohet fashizmi, por tani ai ka adaptuar taktika më të civilizuara; këtë radhë, na thotë poeti, ai vjen me kostume firmato e kollare, me dosje dhe shkresa me firma, me vendime gjykatash.
Ditët e fundit të muajit nëntor 2019 ky fashistizim ka dalë haptas. “Paketa kundër KÇK”, s’është gjë tjetër veçse një tjetër hap drejt diktaturës fashiste. Dyert që i hapen policisë pas votimit të këtij amandamenti janë të shumta, dhe mbi të gjitha që të nxirret jashtë loje në secilin raund opozita: “Policia do të marrë informacion nga çdo institucion publik ose privat; do të marrë akses në kompanitë telefonike (përgjim), në kompanitë e internetit për zbulimin e përdoruesit të internetit, në regjistra elektronike të subjekte private dhe shtetërore. Të gjitha këto do të bëhen pa miratimin e prokurorit apo gjykatës. Çdo përgjim në vende publike, gjetja e individit përmes pajisjeve të veçanta, kontroll fizik i personave, kontrolli i vendeve publike, ose subjekteve shtetërore, vëzhgime sekrete të personave në vende të ndryshme do të kryhet vetëm me miratimin e policisë vendore ose me nismën vetjake të oficerit të policisë, me gradën nënkomisar e lart. Me kërkesë të Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë dhe /ose vendim të KLGJ ose KPL bëhet pezullimi i gjyqtarëve dhe/ ose preokurorëve dhe nis hetimi.”(“Dita” 25.11.2019)
Ky rol, që i jepet policisë, është më i gjerë sesa roli i një shërbimi policor normal, madje edhe më i gjerë se “Ligji themelor i Gestapos” , i 10 shkurtit 1936, në nein 1 të të cilit citohej: “Gestapoja ka të drejtë të zbulojë të gjitha qëllimet që e vënë shtetin në rrezik dhe të luftojë kundër tyre, të mbledhë e të shfrytëzojë të dhënat e hetimeve, të vërë në dijeni qeverinë, t’i mbajë autoritetet në korent të konstatimve të rëndësishme për to dhe të gjallërojë punën e tyre”. (Zhak Delary “Në skëterrën e terrorit nazist”, Tiranë 1979,f.122).
E ashtuajtura “paketë anti-KÇK”, që zëvendëson Prokurorinë dhe Gjykatën me “njësi të posaçme të policisë në 12 qarqe”, vjen pikërisht në ditën kur u emëruan prokurorët e parë të SPAK-ut dhe u njoftua se struktura e shumëpritur do jetë gati të nisë punë në dhjetor 2019. Përveçse rrëzon liritë bazë të qytetarëve, ky amendament zhduk institucionet dhe garancitë kushtetuese, me qëllim që çdo kryeministër i radhës të drejtojë çdo energji, çdo resurs, çdo burim, të mendoi vetëm për pushtetin dhe imazhin e tij të rremë politik, të rrënoi gjithëçka në emër të tij, të përdorë çdo dredhi, intrigë, maskë për të mbajtur një pushtet që nuk e meriton. Si rrjedhojë, kjo lloj “pakete” çon në fashistizim të vendit, pasi centralizon pushtetin në një dorë të vetme. “Interesat e shtetit fashist kërkojnë centralizimin e pushtetit në një dorë të vetme. Kur e pyesnin Musolinin se ç’është shteti, ai përgjigjej: “POLICIA” dhe kënaqej me arrestimin e liderëve të opozitës”, shkruan biografi i Benito Musolinit, historiani anglez Denis Mek Smith, (“Musolini”, Apolonia, 1998, f.52).
Shqipëria ka për të mbetur Shqipëria e pavdekshme, Shqipëria e Skënderbeut, Shqipëria e Partizanëve; kemi besimin se do të vijë ajo ditë që historia e epokës së Skënderbeut dhe ajo e epokës së Partizanëve të përsëritet.
“Ndeshjet me stërshtetet – thotë Ismail Kadare – kërkojnë stërmundim, dramat e mëdha kërkojnë udhëheqës të mëdhenj, dhe koha e madhe pjell madhështi.Qysh tani koha do të fillojë të mbrujë udhëheqësin e ardhshëm. Do t’i duhet ndoshta psëdhjetë vjet për ta nxjerrë, ose pesëqind vjet për ta përsëritur, kjo s’ka rëndësi. Ai do të vijë. Do t’i vijë Shqipërisë.”(Ismail Kadare “Ura me tri harqe”, Tiranë, 1978, fq. 122)
Vetëm kjo lloj kategori intelektualësh, “udhëheqës të mëdhenj “, mund të përfaqësoi në vetvete një reagim radikal ndaj servilizmit të intelektualëve të kësaj periudhe 30 vjeçare, 1990-2020, të cilët, duke imituar protektorët e tyre kanë krijuar dhe thelluar hendekun midis klasës politike drejtuese dhe popullit, prandaj dhe janë në antitezë të plotë me inteligjencën europiane; kur të dalë një inteligjencë e tillë, e cila të arrijë që me fisnikërinë e shpirtit dhe madhështinë e personalitetit të saj ta ribëjë këtë komb, duke ia shëruar rrënjësisht bagazhin e kësaj barbarie kulturore të pashembullt, vetëm atëherë ky popull do të arrijë të ndjekë me të njëjtin entusiazëm si fitimin e parasë ashtu edhe ngritjen morale dhe intelektuale të tij; vetëm atëhere ky popull do të arrijë që zhvillimin ekonomik dhe jetën kulturore të kombit t’i shohi si elementë në harmoni reciproke. Vetëm në ato kushte do të mund të dalin udhëheqës të mëdhenj.
Tiranë, 20.2.2020