Shkup, 8 mars 2020: Letërsia klasike greke fillon me dy poemat e mëdha epike, me “Iliadën” dhe “Odisenë”, të cilat bota antike mendonte se i kishte krijuar Homeri, ndonëse për të nuk dinte pothuajse asgjë. Për shumë qytete greke është thënë se janë vendlindja e poetit. Duke u nisur nga veçoritë gjuhësore të poemave, shkenca ka pranuar si më të mundshëm Smirnën, qytet kolonial grek në Azi të Vogël (Izmiri i sotëm).
Për Homerin mendohet të ketë jetuar aty nga shekulli IX para K. Babai i historiografisë greke, Herodoti (shekulli V para K.) thotë se Homeri dhe Hesiodi kanë jetuar katër shekuj para tij. Por, një mendim tjetër e sjell Homerin në shekullin VIII para K. Homeri duhet të ketë jetuar shumë më vonë nga koha kur ka ndodhur lufta e Trojës midis trojanëve dhe grekëve dhe nga kthimi i këtyre të fundit në atdhe. Në këngën VI të “Iliadës” poeti flet për breznitë e ardhshme që do të këndojnë sherrin që plasi për shkak të rrëmbimit të Helenës nga Paridi. Në këngën V, ku tregohen bëmat e heroit grek Diomedit, thuhet se ai “rroku një shkëmb të madh hata, saqë dy burra që jetojnë sot, prej vendi s’mund ta luajnë”. Kjo dhe të tjera fakte tregojnë se Homeri flet për kohë dhe ngjarje të hershme, të kënduara para tij nga aedë dhe rapsodë, emrat historikë të cilëve kanë humbur në mjegullnajat e kohëve, duke u veshur shpesh me petkun e fantazisë dhe të legjendës. E tillë është gojëdhëna për këngëtarin Orfe, bir i muzës Kaliopi, i cili me këngët e tij magjepste kafshët e egra, ujërat i bënte të ndalnin rrjedhën e tyre dhe pyllin t’i shkonte pas. Në gurrën e pasur të këngëve të lashta të krijuara ndër shekuj, i njomi buzët e saj muza e poetit, që me “Iliadën” dhe “Odisenë” i ngriti përmendore jo vetëm heroizmit por edhe bukurisë së artit popullor, që humbi në errësirën e shekujve për t’u ringjallur në këto dy poema.
S’ka dyshim se edhe para Homerit ka gjallëruar një letërsi gojore e pasur, me këngë dhe himne të ndryshme kushtuar hyjnive, heronjve dhe bëmave të tyre. Për këtë flasin dy poemat e mëdha, vlerat e larta artistike të të cilave dëshmojnë qartë se ato janë, jo fillimi, por mbarimi i përkryer i një procesi letrar të gjatë. Përpunimin përfundimtar të “Iliadës” dhe të “Odisesë” në gjendjen që ne i njohim sot, shumë studiues e çojnë në shekujt VIII-VII para K.
* * *
“ÇËSHTJA HOMERIKE” – Për Homerin (shekulli VIII para K.) asgjë s’dihet me saktësi. Për të ka mendime të ndryshme si:
– epoka antike e konsideronte personalitet historik;
– e konsiderojnë autor të epëve “Iliada” dhe “Odisea;
– është i vetmi krijues i dy poemave të sipërthëna;
– është një nga autorët e mundshëm të dy poemave të sipërthëna, midis shumë të tjerëve që kanë vënë dorë mbi to;
– ky njeri nuk ka ekzistuar fare; ky emër ka mbetur simbol i poezisë epike etj.
Të gjitha këto kanë krijuar atë që quhet “çështje homerike” që fillon me shekullin III para K. dhe që vazhdon deri në ditët tona. Të parët që u morën me “çështjen homerike” ishin gramatikanët aleksandrinë.
Çështjen homerike në kuptimin e sotëm të fjalës e shtroi filologu klasik gjerman F. A. Wolf në veprën “Mbi Homerin” (Prolegomena ad Homerum, 1795). Me fjalë të tjera, Vulfi shprehu dilemë radikale për ekzistimin e Homerit. Ai thotë: “Homerum numquam fuisse suscipio – Dyshoj që Homeri të ketë ekzistuar ndonjëherë). Teza e tij është se poezia homerike është poezi gojore, shkrimi i së cilës ka lindur jo më parë se në epokën klasike. Teza e Vulfit shënon fillimin e shkollës analitike në homerologji. Përfaqësuesit e kësaj shkolle thonë se teksti i “Iliadës” dhe i “Odisesë” ka lindur me bashkimin mjeshtëror të këngëve të vogla. Ata thonë po ashtu se teksti i epëve mund të ketë lindur nga një bërthamë e vogël e cila, me kalimin e kohës, është zgjeruar me shtojca të tjera. Studiuesit klasikë gjermanë Fr. A Wolf dhe K. Lachmann epet popullore të mëdha i kanë sqaruar me anë të teorisë së këngëve. Së pari kanë lindur këngë të veçanta, të cilat këngëtarët apo rapsodët i kanë lidhur dhe kësisoj janë krijuar epet.
Përballë tyre qëndrojnë unionistët të cilët pohonin se që të dy epet, “Iliada” dhe “Odisea” artistikisht janë vepra unike të cilat i krijoi poeti gjenial – Homeri, duke përdorur lëndën e vjetër në të cilën rrëfime të caktuara, tanimë kanë qenë të përpunuara si tërësi të rrumbullakuara.
Në shekullin XX, një teori të veçantë për lindjen e epëve të Homerit paraqitën edhe studiuesit amerikanë M. Parry dhe A. Lord, të cilët Homerin dhe poezinë epike gojore të popujve ballkanikë e studiuan në mënyrë krahasimtare.
Në këtë mes duhet theksuar romanin “Dosja H” të Ismail Kadaresë ku flitet për dy studiues fiktivë irlandezo-amerikanë, Maks Roth dhe Vili Norton, të cilët nisen për në malet e humbura të Shqipërisë veriore të paraluftës, me magnetofon në dorë, në kërkim të atdheut të eposit. Të dy folkloristët kanë për synim të hetojnë mundësinë e ekzistencës së një lidhjeje të drejtpërdrejtë midis poezisë homerike dhe këngëve heroike të kënduara nga malësorët shqiptarë me lahutat e tyre.
* * *
Homeri i ngjan një mali të lartë, maja e të cilit vazhdon të jetë e mbuluar me mjegull. Vendi ku janë krijuar poemat homerike është Jonia. Gjuha e tyre është dialekti jonian i përzier me elemente të dialektit eolian dhe më pak të dialekteve të tjera.
Në “Iliadë” dhe në “Odise”, përveç shtresimeve gjuhësore ka edhe shtresime kohore që fillojnë nga periudha para qytetërimit të Mikenës dhe që mbarojnë përafërsisht në shekullin IX para K. Kjo ka ndikuar që shumë studiues të mendojnë se në tekstin e poemave janë futur një numër i madh shtojcash nga rapsodë të veçantë të cilët kanë dashur t’u përshtaten shijeve dhe gjendjes shpirtërore të dëgjuesve të tyre. Ka shumë të ngjarë që rapsoditë ose këngët që kanë pasur në themel të tyre ciklin trojan të gojëdhënave popullore të përpunuara nga shumë breza rapsodësh, të kenë shërbyer si bazë për hartimin e poemave homerike aty nga shekulli IX para K.
“ILIADA” – Subjekti i dy poemave homerike “Iliada” dhe “Odisea” është nxjerrë nga cikli i legjendave heroike mbi luftën e Trojës, ndërmjet grekëve dhe trojanëve. Sipas gojëdhënës, princi trojan Paridi rrëmbeu gruan e mbretit të Spartës, Menelaut, Helenën e bukur.
Sipas legjendës, në një dasmë hyjnish, hyjnesha e grindjes, nga zemërimi se nuk e kishin ftuar në dasmë, hodhi në mes të dasmës një mollë të artë me mbishkrimin “Më të bukurës”. Midis tri hyjneshave – Afërditës, Herës dhe Atenës – shpërtheu zënka për të parë se kujt i takonte molla. Për ta zgjidhur mosmarrëveshjen, ato iu drejtuan princit trojan, Paridit, i cili, i joshur nga premtimi i Afërditës se do t’ia jepte gruan më të bukur në botë, Helenën, ia dha mollën Afërditës. Që këtu ka mbetur shprehja “molla e sherrit”.
Për t’u hakmarrë dhe për të larë turpin që iu bë njërit prej mbretërve të saj, u ngrit në këmbë e tërë Greqia. Menelau dhe i vëllai Agamemnoni, mbret i Mikenës, mblodhën një ushtri të madhe nën komandën e përgjithshme të Agamemnonit. Për dhjetë vjet rresht qëndroi dhe nuk u dha Troja e rrethuar nga armiqtë. Vetëm nëpërmjet dredhisë, të fshehur në kalin e drunjtë, luftëtarët grekë ia dolën më në fund të futeshin në qytet. Troja u dogj e u rrënua nga themeli, kurse Helena iu kthye të shoqit. Këto ngjarje nuk përmenden në “Iliadë”. Ato do të ishin të tepërta për një dëgjues që i njihte mirë legjendat. Rrallëherë për to flitet shkarazi, madje jo për të gjitha.
Në “Iliadë” jepen skena të veçanta vetëm brenda 51 ditëve të fundit të luftës së gjatë dhjetëvjeçare rreth mureve të Trojës. Në qendër të poemës është zemërimi i Akilit, i cili është tërhequr nga lufta dhe qëndron i veçuar në tendën e vet, sepse Agamemnoni ia kishte rrëmbyer skllaven e bukur, Briseidën, të cilën heroi e donte aq shumë. Poema përmban 15696 vargje. Poeti, që në dy vargjet e para na fut në temë:
Këndo hyjneshë mërinë e Akil Pelidit,
që shumë hidhërime e kobe akejve u solli…
Momenti i zemërimit është fillimi që end pëlhurën e gjerë të luftimeve të ashpra ndërmjet akejve dhe trojanëve dhe që përcakton fatin e tyre. Zeusi i thotë Tetidës (nënës së Akilit), se trojanët do të fitojnë sa kohë që Akili, biri i saj, do të qëndrojë i tërhequr nga fusha e luftës. Trojanët, të udhëhequr nga kryetrimi i tyre, Hektori, i sprapsin njëri pas tjetrit sulmet e akejve të cilët gati sa s’i hedhin në det dhe s’u vënë zjarrin anijeve të tyre. Por, sukseset e trojanëve në luftë nuk janë aq të lehta. Në këngët e tjera të “Iliadës” tregohen heroizmat e prijësve akej si Odiseu, Diomedi, Ajaksi, Telamoni, Menelau etj. Megjithëkëtë, kjo nuk e ndryshon rrjedhën e luftimeve.
Akili, i shqetësuar nga epërsia e trojanëve në fushën e luftë, pranon që miku i tij Patrokli t’i ngjeshë armët e tij dhe të dalë t’ua presë hovin trojanëve. Por, nuk vonon shumë, ai vritet nga Hektori. Akili pikëllohet nga humbja e mikut të tij më të dashur dhe si një re e zezë lëshohet dhe bën kërdi në radhët e ushtrisë trojane. Ata që i shpëtojnë dorës së tij gjakatare, mbyllen brenda mureve të kështjellës. Tani përballë Akilit mbetet vetëm Hektori.
Njerëz dhe perëndi janë ngritur peshë për të parë teatrin e dyluftimit që më në fund përfundon me vrasjen e Hektorit. Por Akili, ende s’e ka shuar etjen e hakmarrjes, ndaj trupin e Hektorit të vrarë e lidh pas qerres së tij dhe e tërheq zvarrë egërsisht nëpër pluhur e baltë, duke u shkaktuar një pikëllim të thellë prindërve dhe luftëtarëve trojanë.
Pas këtyre ngjarjeve plot mizori e gjak, një notë thellësisht njerëzore do të përshkojë tani këngën XXIV, që i jep fund “Iliadës”. Mbreti plak i Trojës, Priami, vjen në tendën e Akilit dhe i lutet për t’ia kthyer trupin e të birit. Akili preket nga lutjet e thekshme të mbretit fatkeq, i cili rri i gjunjëzuar në këmbët e tij. E rrok për dore, e ngre dhe të dy së bashku qajnë për fatkeqësinë që u bien mbi krye njerëzve nga zotat e pamëshirshëm.
Luftën e përgjithshme që e bënë grekët për të plaçkitur Trojën nga fundi i shekullit XII para K., fantazia e poetit e ka shndërruar në një luftë për hakmarrje dhe për të vënë në vend nderin e tyre, të cenuar nga Paridi që rrëmbeu Helenën. U krijua kështu një dramë epike, e thurur në vargje, që është dramë e fuqishme njerëzore, plot pasione, dashuri dhe urrejtje, gëzime e hidhërime, humbje e fitore.
Te Homeri çdo gjë kthehet në poezi, edhe kur u këndon luftimeve të përgjakshme, edhe kur i këndon ndarjes së dhimbshme të Hektorit nga e shoqja dhe i biri, kur vajton heronjtë e rënë në luftë ose kur përshkruan agimin me gishta trëndafili, natyrën e bukur ku poeti sheh madhështinë e mistershme të gjithësisë. Nuk është më Zeusi zot i saj, por poeti, vështrimit të të cilit nuk i shpëton asgjë, as hyjnitë në qiell, as njerëzit në tokë.
Si një tragjedian i madh, Homeri zhbiron thellë në psikologjinë e njerëzve, të pushtuar nga dashuria e dhimbja, urrejtja dhe mëria. Në “Iliadë” gjejmë tablo të gjera e të fuqishme realiste ku janë pikturuar pasione e ndeshje titanike, konflikte e ndjenja të kundërta, që i japin veprës frymë të thellë epiko-dramatike.
“Homeri është poeti më i madh dhe i pari që thuri një tragjedi” – thotë filozofi i lashtë grek Platoni.
Nga pikëpamja e thurjes së ngjarjeve, poemat homerike janë ndërtuar me mjeshtëri të rrallë. Kompozicioni në “Iliadë” është i thjeshtë. Filli i tregimit ecën përpara dhe drejt, ku më i shpejtë dhe ku më i ngadalësuar nga episode të dorës së dytë. Episodet e tilla, me zemërimin e Akilit, lidhen me episodin kryesor. Kjo veçori e shtjellimit të ngjarjeve, që në stilistikë quhet vonesë, është karakteristikë e mënyrës epike të të treguarit.
“Iliada” është më e thjeshtë, ka më pak vonesa ose digresione sesa “Odisea”. Kompozicioni i secilës poemë kushtëzohet nga përmbajtja e saj. “Odisea” ka një thurje më interesante dhe më të ndërlikuar. Këtu veprimi fillon nga mesi, kurse për ngjarjet e mëparshme njihemi nga tregimi i vetë Odiseut te mbreti Alkino i Feakëve.
Talenti i madh i poetit duket sidomos në krijimin e karaktereve, të cilët janë sa të shumtë, aq edhe të ndryshëm nga njëri-tjetri.
Karakteret e personazheve që dalin në pah në “Iliadë”, janë të fuqishme dhe si të derdhur në bronz. Mbi të gjithë heronjtë, ngrihet si një piramidë e lartë dhe shquhet nga të tjerët për guxim dhe heroizëm, Akili. Edhe pse vdekja vazhdimisht i qëndron mbi krye, ai nuk tutet, por lëshohet me vërtik si shqiponjë dhe e mbyt në gjak fushëbetejën. Akili është ideal i epokës homerike. Ky hero kaq i rreptë dhe gjakatar në luftë, ka një zemër të ndjeshme e bujare. Ai qan si fëmijë kur vëren në këmbët e tij mbretin Priam që i lutet t’ia kthejë trupin e të birit.
Një nga heronjtë më të njohur të luftës së Trojës është edhe Odiseu. Njihej për dinakërinë dhe dhelpërinë e tij. Grekët e mbajtën Trojën dhjetë nën rrethim, por nuk ia dolën ta nënshtrojnë. Në fund arritën ta pushtojnë vetëm me dredhi. Me propozimin e Odiseut u ndërtua kali i drunjtë, i njohur si “kali i Trojës”. Duhet shtuar se kleriku trojan Laokoonti i paralajmëroi bashkatdhetarët e vet që të ruhen nga kali që ua kanë ndërtuar grekët. U thotë atyre: “Timeo Danaos et dona ferentes” (Nuk u besoj danajve, madje edhe kur sjellin dhurata). Këtë varg e ka përdorur edhe poeti latin Virgjili (Publius Virgilius Mar, 70-19 para K.) në poemën kombëtare romake në 12 libra “Eneida”. Sipas legjendës, Laokoontin e mbytën dy gjarpinj që i dërgoi Apoloni. Bashkë me të, pësuan edhe dy djemtë e tij.
Kthimin e Odiseut në Itakë Homeri i verbët e paraqet në mënyrë artistike në poemën “Odisea”. Lufta e Trojës zgjati dhjetë vjet. Po aq zgjati edhe kthimi i tij në vendlindje. Bredhjet e tij nëpër Mesdhe, të pasura me ngjarje të ndryshme, u quajtën odiseadë.
Midis luftëtarëve trojanë që për nga guximi dhe trimëria i përgjigjet Akilit është Hektori. Ai u prin trojanëve dhe, i frymëzuar nga dashuria e pakufishme për atdheun, hidhet aty ku rreziku është më i madh. Si figurë letrare, Hektori është më i plotë se Akili dhe është personazhi më i dashur i “Iliadës”. Për dallim nga Akili, Hektori është treguar në rrethana të ndryshme në të cilat ai i zbulon virtytet e tij të larta. Ai është jo vetëm trim më i çartur në mesin e të gjithë luftëtarëve trojanë, por edhe i matur, i përmbajtur dhe tepër i njerëzishëm. Është baba i dhembshur dhe bashkëshort besnik e i dashur. Është mik i çiltër për shokët dhe tepër i ndjeshëm ndaj fatkeqësive të të tjerëve.
Në vajtimin e saj mbi trupin e heroit të vrarë nga dora mizore e Akilit, Helena i shpreh ndjenjat më të bukura për të dhe për disa nga tiparet e tij – urtësinë dhe maturinë:
“Kur ndonjëri nga kunatat ose kunetërit
më përbuzte ndër këto saraje,
ti urtë e butë njerëzishëm i qortoje”.
Mbreti i Argosit dhe i Mikenës, Agamemnoni është tip i sundimtarit kryeneç dhe despot, por edhe trim si Menelau, Diomedi, Ajaksi dhe shumë luftëtarë të tjerë akej.
Shkaktari i luftës së Trojës, Paridi është një djalosh i bukur dhe mendjelehtë, mashtrues grash, siç e quan i vëllai, Hektori. Është qitës i shquar me shigjetë, herë i guximshëm e herë frikacak.
Vend të veçantë zënë në poemë figurat e grave, e sidomos Helena. Në vizatimin e saj Homeri është treguar artist i madh dhe njohës i thellë i shpirtit njerëzor. Në poemë, Helena është simbol i bukurisë hyjnore të përsosur. Diku u rrëmbyer nga pasioni i dashurisë, tani e ndjen veten fajtore, ndaj dhe përjeton një dramë të rëndë në ndërgjegjen e saj. Në një bisedë me të vjehrrin, mbretin Priam, ajo ia shpreh me dhembje pendimin për aktin e bërë.
Ajo e ndjen se Paridi për të cilin sakrifikoi çdo gjë, nuk i përgjigjet idealit të saj. Ai tregohet frikacak përballë Menelaut. Helena fillon ta neveritë, por e plotfuqishmja Afërditë, hyjneshë e dashurisë, përsëri e hedh në krahët e Paridit.
Homeri nuk e përshkruan drejtpërsëdrejti bukurinë e Helenës, por na jep vetëm efektin që shkakton ajo në shpirtin e atij që e sheh. Pleqtë trojanë që rinë dhe kundrojnë nga bedenat e kështjellës së Trojës, kur e panë Helenën që vinte së largu, folën nën zë: “Nuk duhen sharë trojanë dhe akej, që vite me radhë, për këtë grua hoqën aq mundime; për bukurinë që ka, përqaset me zonjat perëndesha”.
Për dallim nga Helena, Andromaka, gruaja e Hektorit, është mishërim i besnikërisë bashkëshortore. Ajo të përkujton Penelopën, gruan e Odiseut, e cila mbretin e Itakës e priti plot njëzet vjet të kthehet nga lufta e Trojës. Faqe më të bukura dhe më prekëse të “Iliadës” ku tregohen virtytet e larta morale të saj si grua, nënë dhe bijë janë skenat e ndarjes së saj nga i shoqi, Hektori dhe vajtimi plot dhembje e gjëmë mbi trupin e burrit të vrarë.
Në galerinë e personazheve ka edhe shumë të tjerë që e kanë rolin e tyre. Të gjithë së bashku plotësojnë tablonë e gjerë të dramës së madhe që luhet rreth mureve të Trojës.
Vend të veçantë zënë figurat e hyjnive, të ndarë në dy kampe. Ata lëvizin nga qielli në tokë dhe kryejnë veprime çudibërëse. Por, forcë lëvizëse të ngjarjeve janë luftëtarët të cilët me heroizmin dhe sakrificat e tyre përcaktojnë fatin e luftës. Mbi të gjithë hyjnitë e Olimpit qëndron Zeusi i plotfuqishëm. Ashtu si njerëzit, edhe ata e kanë hierarkinë e tyre. Disa qëndrojnë më lartë, disa të tjerë, më ulët. Zeusin e nderojnë dhe e kanë frikë njerëz dhe hyjni. Poeti, fuqinë e Zeusit e ka dhënë me vargje të bukura:
“Ai i vrenjti të zezat vetulla,
e në kohë të pavdekshme,
leshrat hyjnore si dallgë iu lëkundën,
të madhit mbret,
sa u dridh i tërë Olimpi”.
Botën fantastike të hyjnive, Homeri e gërsheton me botën reale njerëzore. Të mbinatyrshmen e gërsheton me të natyrshmen. Çdo gjë në poemat homerike tingëllon e besueshme. Kjo i bën këto vepra të një bukurie të rrallë dhe të artit realist të fuqishëm.
Të njohura sidomos në “Iliadë” janë similitudat dhe krahasimet, të cilat për nga bukuria dhe forca e tyre janë quajtur “krahasime homerike”. Stili epik i “Iliadës” përmes të cilit heronjtë duhet të bëhen sa më të afërt dhe sa më monumentalë, kërkon përdorimin e epiteteve. Kështu Akili cilësohet hyjnori, këmbëshpejti; Atena sykaltra, Odise mendtaku, Menela zëmadhi, Hektor lavdimadhi, i ndritshmi, Paridi mashtrues grash, Helenë krahëbardha, Herë mendjezeza, Priam gojëmbli, Ares gjakatari, Eas (Agimi) gishtatrëndafili etj.
Për Zeusin i cili e ka në duart e tij pushtetin mbi njerëzit dhe perënditë ka shumë epitete si shungullues, stuhishpërthyes, mizor etj.
* * *
Thuhet se lufta e Trojës ka ndodhur në shekullin XII para K. Nuk dihet se kush kanë qenë trojanët dhe çfarë gjuhe kanë folur. Grekët qytetin e quanin Ilion. Prej këtu e merr emrin edhe “Iliada” e Homerit. Arkeologu i famshëm gjerman Hajnrih Shliman (Heinrich Schliemann, 1822-1890), në vitin 1871, pas njëzet vjet gërmimesh, i zbuloi rrënojat e Trojës në Hisarllëk afër Dardaneleve. Sipas studiuesve, zbulimi i Shlimanit e vërteton veprën historike të Homerit.
Sot, shprehja “kalë Troje” përdoret për dikë i cili me dredhi futet në ndonjë bashkësi për ta dobësuar nga brenda, më pas edhe për ta shkatërruar.
* * *
FILLIMET E LETËRSISË
Letërsia e Mesopotamisë – u krijua nga një varg popujsh që jetuan në lashtësi mes lumenjve Tigër dhe Eufrat. Një prej tyre ishin sumerët. Këta u shkrinë me akadët për të krijuar qytetimin sumero-akadian. Kultura e tyre iu përçua asirianëve, babilonasve etj. Kultura e Mesopotamisë shpiku shkrimin. Këtu lindi edhe letërsia më e vjetër në botë.
Dokumentet e para të shkruara të sumerëve kanë lindur rreth vitit 3500 para K. Teksti i fundit i këtij shkrimi me kunja është i vitit 70 pas K. Deshifrimi i shkrimeve u bë në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Në letërsinë mesopotame lindën edhe epet: “Zbritja e Inanës në botën nëntokësore”, “Rrëfimi për përmbytjen”, “Poema babilonase e krijimit”, “Epopeja e Errës”, ku rrëfehen ngjarje që përjetoi Babilonia në shekullin XI para K. me invadimet e nomadëve. Epi më i njohur i kësaj letërsie është “Epi i Gilgameshit”. Është vepra letrare më e vjetër në botë që njihet deri më sot. Mendohet të jetë rreth 4000 vjet e vjetër. Pra 900 vjet më e vjetër se “Iliada”. Pllakat e saj u gjetën në bibliotekën e Asurbampalit. Autori nuk i dihet. Është shkruar me shkrimin kuneiform (pyka).
Letërsia egjiptiane – Teksti i parë i kësaj letërsie është “Libri it ë vdekurve” i shkruar në papyrus. Është gjetur në varrin e një faraoni. Vepra më e rëndësishme e kësaj letërsie është “Epi i Kadeshit” i njohur edhe me emrin “Beteja e Kadeshit”. Vepër më me vlerë e kësaj letërsie është edhe “Historia e Sinhuesë”.
Letërsia indiane – Eposi indian “Mahabharata” me 120 mijë vargje pasqyron ngjarje të mëdha historike. Nisi të krijohet rreth një mijë vjet para K. për të vazhduar deri në shekullin V pas K. Ep i lashtë indian është edhe “Ramajana” (“Fatkeqësia e Ramit”). Është krijuar midis shekullit IV para K. dhe shekullit II pas K. Përbëhet prej 48.000 vargjeve. Dallohen pjesët e vjetra dhe ato të rejat. Në ep haset edhe ndikimi i budizmit. Epet indiane janë shkruar në sanskrit (indishtja e vjetër).
Krijime letrare lindën edhe në letërsinë hebraike etj.
* * *
Krijimet poetike popullore në Kohën e Mesme. Eposet – Në Mesjetën e hershme, popujt që kaluan nga rendi fisnor në atë feudal krijuan thesare të poezisë popullore. Të tilla janë sagat irlandeze; Eda skandinave; këngët e fiseve gjermane. Në kohën e Mesme u krijuan këngët popullore të fiseve të lashta gjermane.
Krijime popullore lindën edhe në shekujt XI dhe XII: Eposi heroik francez “Këngë bëmash” me poemën e tij “Kënga e Rolandit”. Aty nga shekulli XII u krijua eposi heroik gjerman “Kënga e Nibelungëve”. Në Spanjë u krijua poema epike “Kënga për Sidin”. Në Kohën e Mesme u krijua në Finlandë eposi “Kalevala” (Vendi i Kaleva-s). Në shekullin XII u krijua epopeja kombëtare ruse “Kënga për fushatën e Igorit”. Në shekullin X në Perandorinë Bizantine u krijua romani epope në vargje “Digenis Akritas”.