CILA ËSHTË HISTORIA E SPITALIT TË TIRANËS

Pashtriku.org, 30 shtator 2017: Pas caktimit Kryeqytet nga Kongresi i Lushnjes më 1920-tën, qyteti i Tiranës u përball me një nga detyrat e para të caktuara prej Kongresit, krijimin e një Spitali Publik. Me ardhjen e Kryqit të Kuq Amerikan në vitin 1919 në Shqipëri dhe Tiranë, erdhi dhe hapja e një spitali me 20 shtretër në një shtëpi tiranase. Në atë qendër janë kryer operacione kirurgjikale nga amerikania Buck që ishte dhe drejtoreshë e spitalit, por aty punonte kryesisht si kirurg doktori Osman Jonuzi.
Duke qenë se kushtet u përgatitën për formimin e një spitali publik në 1920 u themelua spitali i parë publik në kryeqytetin e ri, drejtor i të cilit u caktua Dr. Osman Jonuzi. Spital prej 50 shtretërish pranë Sahatit të Tiranës organizohej në disa reparte: kirurgjia, Dr. Osman Jonuzi, Patologjia, Dr. Syrja Pojani dhe Dr. Ruzhdi Bobrati (kirurg dhe patolog). Në këtë spital kryheshin rreth 300-400 vizita të ndryshme ambulatore dhe 100-200 operacione të ndryshme nga Dr. Jonuzi dhe Dr. Bobrati.
Më tej qendra u pasurua me shërbimin e mjekëve të specializuar rishtazi jashtë vendit si Dr. Sabri Tefiku dhe Janko Theodhosi (patholog), Dr. Ismail Tartari si Radiolog (themelues i radiologjisë shqipëtare) gjithashtu edhe mjekët e specialiteteve të ndryshme si Kristo Kristidhi, okulist, Besim Zyma, otorino-laringolog, Jorgo Jorgoni, pediatër, Vasil Laboviti kirurg ndihmës, etj.

Spitali Zogu I në Tiranë.

Me këmbënguljen dhe kontributin e Dr. Jonuzit, të kryetarit të bashkisë Avokat Ali Begeja dhe të prefektit Abedin Nepravishta në 1928 nisi projekti i ndërtimit të Spitalit Zogu 1, që sot njihet si Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Për realizimin e projektit ndihmuan gjithashtu Giulio Perte dhe pasi Qeveria e kohës (Zogut) bëri pagesën e të gjithë pronarëve në vlerën 10.000$, firma Ragazzi nisi të ndërtojë. Punimet përfunduan në vitin 1932 dhe spitali i ri vlerësohej ndër spitalet më të mirë në Ballkan, me një sërë repartesh dhe kapacitet prej 200 shtretër. Përurimi i këtij spitali u bë më 1 shtator 1932 ku fjalën e rastit e mbajti Dr. Ismail Tartari, i cili u caktua njëkohësisht dhe Drejtor i Institutit të Radiologjisë Shqiptare. Drejtor i këtij spitali vazhdoi të ishte Dr. Osman Jonuzi i cili njëkohësisht u caktua dhe drejtor i përgjithshëm i shëndetësisë shqiptare.
Në vitet 1932-1945 në Spitalin e Tiranës kishte reparte të shumta të disiplinave mjekësore, duke shtuar këtu edhe pavijonin antituberkular dhe repartin e lindjeve të ngritur prej Dr. Sabri Tefiku-t në 1937-tën me përgjegjës Kirurgun-Obstetër Spiro Treska. Më pas ekipi i mjekëve u rrit me ardhjen e mjekëve Dr. Frederik Shiroka, Dr. Mukini, Stefan Pano-dermatolog, Xhanfize Basha, Remzi Fico etj. Gjithashtu në spital kanë punuar përkohësisht edhe mjekë të huaj të ardhur nga Europa si Dr.Questler, Dr.Demner, Dr.Schlesinger, Dr.Lehman, Dr.Kalmar etj.
Deri në 1945 ky spital kishte një organizim të përafërt me atë të këtyre ditëve, si një njësi që funksionon me reparte të veçanta. Pas vitit 1945 spitali u organizua dhe u nda në 5 spitale, përkatësisht me nr. 1, 2, 3, 4 dhe 5 të cilat vazhdojnë të funksionojnë edhe sot, por të grupuara në një kampus me administrim të përgjithshëm të përbashkët.
Siç njihet dhe funksionon sot, QSUT u krijua në vitin 1993 dhe me VKM Nr. 352, datë 09/09/1997, pika 5 është emëruar “Nënë Tereza”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura