Vlorë, 13 mars 2020:
1. ARSIMI NË VLORË DERI NË VITET E PAVARËSISË
Po t’i hedhim një sy historikut të arsimit dhe shkollës sonë në Vlorë, vërejmë se qyteti dhe krahinat, njohur për histori e bëma edhe tej hapësirave rajonale, kishte krijuar emër të përveçëm në udhët e reja që iu çelën shkollës shqipe nga porta e shekullit XX. Vlora ka një traditë të pasur arsimore. Kujtojmë se shkollat e para, ku mësohej shqip janë hapur në Himarë para afro katër shekujsh nga misionarët bazilianë, shumica arbëreshë dhe të tjerë, por që e dinin shqipen po aq saktë sa banorët. Pohojmë se Himarë para disa shekujsh, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut, quhej gjithë krahina e Labërisë së sotme, domethënë duke nisur nga Radhima, në Lekël e Butrint [Shih: “Fletë nga historiku u shkollës sonë (materiale dhe dokumenta), Tiranë, 1963, f. 7]. Shkollat e para kombëtare shqipe në Vlorë nisin me shkollën e Muradies në verën e vitit 1908 [Neil Shehu shkruan se është hapur më 25 korrik 1908, ndërsa Aleksandër Prifti shkruan se është hapur po atë verë, por më 8 gusht], me drejtor Leonidha Naçin. Vjeshtën e atij viti, më tetor 1908 hapet nga Jani Minga shkolla fillore e Kaninës. Edhe pse rrethanat politike, ekonomike dhe arsimore ishin të pafavorshme, dhe kushtet në të cilat filloi dhe vijoi veprimtarinë e vet Qeveria e Përkohshme e Vlorës ishin të vështira e të ndërlikuara, Plaku i Urtë vështrimhapur me rilindasit e dritës, i dha përparësi organizimit dhe zhvillimit të arsimit tonë kombëtar në trevën e Vlorës, si dhe në zonat ku shtrinte pushtetin: Fier, Lushnjë, Berat e Gjirokastër. Qeveria e Vlorës përcaktoi ndër detyrat themelore për prefekturat Vlorë, Berat, Durrës, Elbasan ishin ato që kishin karakter arsimor-kulturor, sepse, sipas atyre burrave të ndritur, arsimi është dritë për të ardhmen e vendit, për pavarësinë e kombit tonë. Gazeta qeveritare “Përlindja e Shqipërisë” shkruante: “Viti shkollor 193-1914 filloi më 16 shtator 1913. Në Vlorë u hapën 10 shkolla, 1 në qytet dhe 9 në fshatra: Kaninë, Vranisht, Kudhës,Dukat, Tragjas, Oshtimë, Drashovicë, Smokthinë [Matogjin], Tërbaç” [Shih: “Përlindja e Shqynies”, 20.11. 1913; “Revista pedagogjike” nr. 1, 1978; K. Koçi “Arsimi në periudhën e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, 1912-1914”, f. 99, “Shqipëria, më 1937”, vëll. 1, f. 157, N. Shehu “Edukata dhe arsimi në Vlorë”, Tiranë, Eurorilindja, 1998, f. 84].
Në kohën e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, numri i shkollave shqipe që çeli Qeveria e Ismail Qemalit me Ministër Arsimi Luigj Gurakuqin në krahinat e lira arriti 48, ndërkohë në qytet 9 shkolla (në vitet 1913-1914).
2. SHKOLLA TREGTARE – SHKOLLË KOMBËTARE
Me shtrirjen e sistemit unik, kishte lindur nevoja e një shkolle të mesme, e cila u bë e mundur e çeljen e shkollës mesme tregtare. Më 23 shtator 1924, prefekura e Vlorës i shkruante Ministrisë së Arsimit se … “mjerisht, gjithë prefekturat kanë lice, Vlora është lënë pas dore. Populli i Vlorës kundrejt sakrificave të bëra në çdo rast për shpëtimin e vendit, kërkon nga qeveria qendrore ndihma morale për zhvillimin e kulturës. Populli dhe intelektualët e vendit më drejtohen dhe më shtërngojnë përditë…urdhëroni çeljen e shkollës”. [AQSH, Fondi Prefektura Vlorë, dok. nr. 2814, shkresa nr. 1661, v. 1925; shih dhe “Konferenca shkencore: Vlora në rrjedhat e kohës”, Tiranë, Toena, 2001, f. 288].
Vlen të kujtojmë se për hapjen e Shkollës Tregtare ka rol pozitiv veprimtari politik dhe arsimit kombëtar Niman Ferizi nga Gjakova, “Mësues i Popullit”, që ishte emëruar prefekt i Vlorës, qysh më 1 korrik 1924, kur erdhi në fuqi qeveria e Fan Nolit. Në Shkollën Tregtare, përveç nxënësve të qytetit, kishte edhe nxënës nga krahina e Lumit të Vlorës, Dukati, Himara, Mesapliku dhe Kurveleshi.
Kërkesa që përcolli prefekti i Vlorës për çeljen e saj u shtrua me nismën e pishtarëve të diturisë, mësuesve atdhetarë Jani Minga e Halim Xhelo dhe u miratua nga Qeveria Demokratike e Fan Nolit më 8.11.1924. Sipas Alesandër Priftit, “… u bë e mundur, që me shkresën nr. 1661, viti 1925 të Ministrisë së Arsimit, më 1 dhjetor 1925 u çel shkolla e mesme tregtare me 68 nxënës nga Vlora, Dibra dhe prefektura të tjera”. [“Konferenca shkencore: Vlora në rrjedhat e kohës”, Tiranë, Toena, 2001, f. 289].
Është mirë që nxënësit tanë të dinë se Tregtarja është shkollë e mesme profesionale nga më të vjetrat në Shqipëri. Me këtë shkollë, arsimi shqip në Vlorë dhe në rang vendi mori një përparim të dukshëm, mbi bazën e programeve shtetërore, ku mësimi jepej në gjuhën amtare.
Kush kishte kryer studimet në Shkollën Tregtare të Ujit të Ftohtë në Vlorë, vlerësohej lartësisht, si të kishte realizuar denjësisht Universitetin.
3. PISHTARËT E TREGTARES
Drejtori i parë i shkollës ka qenë Isuf Puka “Mësues i Popullit”, dhe vite më pas Naum Stralla nga Korça (1903 – 1972), i cili kreu studimet e larta për inxhinieri kimike në Athinë dhe më 1931 u emërua drejtor i Institutit Tregtar Mbretëror (kështu quhej atëherë shkolla tregtare në Vlorë). Në këtë shkollë kanë dhënë mësim Stavro Skëndi nga Korça (1906- 1989) historian, etnolog, gjuhëtar, arsimuar në Stamboll, Zvicër e Gjemani; Skënder Luarasi nga Luarasi i Kolonjës (1900-1982), i biri i rilindasit të dritës shqiptare Petro Nini Luarasi, publicist, përkthyes, luftëtar antifashist, autor librash, veprimtar i arsimit dhe i shkollës shqipe, personalitet i shquar i kulturës shqiptare, arsimuar në Stamboll, SHBA dhe Austri; studimet e larta i përfundoi në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Vjenës. Një tjetër emër gjurmëlënës është Ernest Koliqi nga Shkodra (1903 – 1975), shkrimtar, përkthyes, studiues i letërsisë, publicist, botues, arsimuar në Itali; studimet e larta i kreu për letërsi në Padova. Në dritëhijet e këtij personaliteti të kulturës dhe arsimit shqiptar, [pa patur të drejtën të futem thellësisht në fushës e historisë], vlen të theksohet se gjatë viteve të pushtimit fashist qe Ministër i Arsimit (1 prill 1939-dhjetor 1941) dhe ka meritën e dërgatës së mësuesve nga Vlora për mësimin e gjuhës shqipe në Kosovë.
4. UDHA E TRADITAVE
Traditat atdhetare të qytetit historik të Vlorës, ku ishin ende të freskëta ngjarjet madhore të vitit 1912 (Pavarësia Diplomatike) dhe fitorja e vitit 1920 (Pavarësia e Vërtetë), ndikuan shumë për të ushqyer në një shkallë më të lartë frymën përparimtare të nxënësve. Gjatë periudhës së pushtimit fashist të vendit, nxënësit e Shkollës Tregtare sabotuan masat për fashistizimin e shkollës. Në bankat e Shkollës Tregtare kanë studiuar dhe 229 nxënës e nxënëse që u radhitën në formacionet e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, ndër ta shkrimtarët Petro Marko, Shevqet Musaraj, Andrea Varfi, Aleks Çaçi, Fatos Arapi, etj. 45 prej tyre ranë dëshmorë për lirinë e Atdheut e u përjetësuan si 45 yje e pashuar, ndër ta dhe 6 Heronj të Popullit: Kastriot Muço (1923-1943) regjistruar në Shkollën Tregtare me nr. amze 115, Perlat Rexhepi me nr. amze 140, Bajram Tushi (1924-1942) me nr. amze 157, Hajredin Bylyshi (1920-1942), me nr. amze 189, Shyqyri Alimerko (1923-1943) me nr. amze 224, Maliq Muço (1921-1944) me nr. amze 525. Në këtë shkollë kanë studiuar dhe 2 Heronj të Popullit, që vdiqën mbas Çlirimit, ish- partizanët Hysni Kapo (1915-1979) dhe Vehbi Hoxha (1916-1993). Kujtimi i heronjve dhe dëshmorëve Astrit Kokoshi, Akile Bezhani, Azem Troqe, Bedri Agalliu, Dadan Dajlani, Donika Dule, Enver Velja, Gaqo Qeleshi, Gogo Mati, Hajro Çakërri, Hasan Kushta, Hektor Shyti, Ismet Çakërri, Jani Mone, Jashar Luçi, Josif Bitri, Kostandin Kazanxhiu, Kujtim Hoxha, Lef Sallata, Llambro Sheti, Merjeme Gjomemaj, Mitaq Sallata, Mithat Dauti, Nexhat Agolli, Nustret Xhelo, Numan Bilani, Petrit Bisha, Pirro Palla, Polo Bezhani, Prënjo Petoshati, Qëndro Bellaj, Reiz Rukaj, Sami Imami, Senusi Nota, Skënder Libohova, Sulo Didi, Teli Ndini, Vllas Arapi, Xhuvel Xhemalaj është përjetësuar në kujtesën atdhetare të Vlorës dhe Shqipërisë. Emrat e tyre janë gdhendur në faqet e këtij instucioni të rëndësishëm profesional dhe dritërojnë me dinjitet, sikur duan t’ju thonë brezave: “Edhe ne e nisëm rrugën nga Shkolla Tregtare, por Atdheu na kërkoi të bëheshim yje lirie, ndërsa ju, djem e vajza sot koha u do të bëheni yje të ekonomisë dhe turizmit shqiptar dhe të shkëlqeni këtu edhe tutje, ku është tregu i punës për ju…”
Nuk mund të harrojmë, por duhet ta pohojmë me dhembje, se më 22 Maj 1943 shkolla u mbyll. Ishin organet e pushtimit që e kthyen atë në kazermë ushtarake. U rihap pas Çlirimit të vendit, në mars 1945. Në vitin arsimor 1946-1947 u çel konvikti dhe dega e mbrëmjes pa shkëputje nga puna. Për një kohë të shkurtër, shkolla u vendos në Tiranë, por më pas u kthye në Vlorë.
Kjo shkollë, deri në ditët tona, ka qenë vatër diturie dhe ka krijuar traditën e saj në qytet për arsimin profesional, si një shtyllë e arsimit kombëtar. Në Vlorë kemi dhe simotrën e Tregtares, Shkollën e Mesme Industriale “Pavarësia”, që po shkruan një faqe të re me emër të bukur dinjitoz në qytet e në rang vendi, sidomos vlen të përmendim ndërkombëtarizimin që i bën aktualisht edukimit dhe arsimit të mesëm profesional të qytetit.
Shkolla Tregtare e priti 95 vjetorin e çeljes së saj me ballin e bukur shkruar me dritë lavdie: “Dallëndyshe e arsimit kombëtar në Vlorë, vatër e dritës shqiptare” dhe udhëton me vizion të qartë të kapë shekullin e shekuj të tjerë mes sfidash me arritje të dukshme të arsimin profesional, aq të nevojshëm për ekonominë dhe turizmin e Vlorës, rajonit e më gjerë. Ndërkohë, një nga pikat kulmore të historisë më të re të Vlorës është hapja e Universiteti “Ismail Qemali” më 10 Tetor 1994, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 105, datë 28.02. 1994 fillimisht me tre fakultete, ku Fakulteti i Tregtisë (sot i EKONOMISË) ishte dhe duhet të jetë PORTË E HAPUR, E NGROHTË, E DASHUR për ju, të dashur nxënës të Tregtares.
MSc. Albert HABAZAJ, përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universtiteti “Ismail Qemali”, Vlorë