PROF.ASOC.DR.SABIT SYLA: BOMBARDIMET E NATO-së, 21 VJET MË PARË!

Prishtinë, 24 Mars 2020: Në vitet 90-te, të shek. XX-të, lufta çlirimtare e cila pati si pikë reference çlirimin kombëtar, u bë gjenerues i problemeve që ndikuan thellësisht në diplomacinë preventive të SHBA e Fuqive Evropiane. Pra, ndryshimi rrënjësor i kontekstit të brendshëm të zhvillimeve ka sjellë ndryshim fondamental të jashtëm, si dhe qasje të re të diplomacisë së shteteve kryesore Perëndimore. Fillimisht, Kosova kishte një vëmendje sipërfaqësore, nuk ishte fare pjesë e një procesi ndërkombëtar. Kjo u dëshmua në dy konferenca ndërkombëtare, e para ishte Konferenca e Londrës, mbajtur në gusht 1992, dhe e dyta ishte Dayton-i.
Ndërsa, lufta e armatosur, u shfaq si një aktor i ri në skenë dhe Kosova u shndërrua në një problem mbarëkombëtar dhe u vu, si asnjëherë tjetër në historinë kombëtare të shqiptarëve, në fokusin e vëmendjes botërore. Për vendet anëtare të NATO-s dhe të Grupit të Kontaktit, çështja e Kosovës në fillimin e krizës ishte një problem që duhej zgjidhur me mjete diplomatike, pa përdorur forcën, me qëllim që Kosovës t’i rikthehej autonomia e anuluar nga Millosheviçi. Politika amerikane fillimisht ishte ndërtuar mbi supozimin se agjenda e UÇK-se, për pavarësi kombëtare ishte e papranueshme, ndërsa shtypja serbe disproporcionale. Por, politika amerikane do të ndryshonte pas marsit të vitit 1998, menjëherë pas luftës së familjes Jashari dhe vrasjes në Drenicë të 58 njerëzve të pafajshëm. Madelene Albright pas kësaj ngjarje emëroi Richard Holbrooke si të dërguarin e saj të posaçëm të qeverisë amerikane në Kosovë. Holbrooke shkoi në Beograd dhe i kërkoi Milosheviçit me ngulm që të ndërpriste aktet e dhunës ndaj popullsisë civile në Kosovë, por ndeshi në refuzimin e tij. Të pafrytshme ishin edhe përpjekjet e ambasadorit amerikan William Walker pranë Milosheviçit për të ndalur dhunën.

Forcat e NATO-s për herë të parë u përfshinë në një aksion të madh ushtarak kundër një vendi tjetër, pa siguruar më parë miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por kjo ishte e pamundur për shkak të sinjaleve të qarta kundërshtuese të dy prej anëtarëve të përhershëm të tij – Rusisë dhe Kinës, të cilat do të vendosnin veton, nëse ky version do të votohej në Këshillin e Sigurimit [KS]. Rusia dhe Kina e kundërshtuan fort metodën e ndërhyrjes së armatosur të NATO-s pa miratimin e KS, duke e quajtur veprimin e saj si shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare.
Përpara ndërhyrjes ajrore të NATO-se, ekzistonin diferenca e lëkundje edhe brenda shteteve përbërëse të saj. Jo të gjitha vendet anëtare mendonin se rruga më e mirë ishte ndërhyrja ushtarake e forcave të saj mbi Jugosllavinë e mbetur. Vende të tilla evropiane, si Franca, Gjermania e Italia prireshin drejt rrugës diplomatike të zgjidhjes së krizës, ndërsa SHBA dhe Britania e Madhe nuk e shihnin si oportune vazhdimin e mëtejshëm të dialogut me Milosheviçin. Por, refuzimi i Milosheviçit për të firmosur deklaratën e Konferencës së Rambujesë dhe shtimi i operacioneve policore në Kosovë i afroi qëndrimet e këtyre vendeve. Opsioni i ndërhyrjes ushtarake pas kësaj kohe, u konsiderua si e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën dhe për të shpëtuar popullin shqiptar të Kosovës nga spastrimi etnik. Në Gjermani, partitë në koalicion [Partia Socialdemokrate dhe Partia e Gjelbër] ndonëse me profil pacifist u pajtuan me versionin e ndërhyrjes së armatosur, me qëllim që të ndalonin dhunën dhe mizoritë e forcave serbe në Kosovë.
Në Francë, forcat politike prireshin më shumë për një zgjidhje diplomatike se sa ushtarake. Qëndrim ekuivalent me të Francës mbante edhe Italia, ndërsa partitë e saj politike ishin të ndara në qëndrimet e tyre. Sidoqoftë, edhe qeveria u bashkua me aksionin e NATO-se. Ndërmjet të gjitha shteteve mbrojtja më e fortë e versionit të ndërhyrjes ushtarake në Kosovë erdhi nga Britania e Madhe. Kryeministri Toni Blair e gjykoi ndërhyrjen si një kauzë të drejtë, duke kërkuar përgjigje unike ndaj agresionit serb në Kosovë. Me këtë qëndrim u bashkuan edhe Shqipëria, Kroacia, Sllovenia e Turqia.
Pa dyshim qëndrimi i SHBA-ve ishte më i rëndësishmi, për shkak të peshës së tyre brenda organizatës së Atlantikut të Veriut, brenda Grupit të Kontaktit, dhe në përgjithësi për shkak të forcës dhe autoritetit të tyre në arenën ndërkombëtare. Por, rrethet kritike në të dy anët e Atlantikut mendonin se, roli i Evropës në Ballkan duhej të ishte dominues në krahasim me atë të SHBA, dhe, se vendet evropiane duhej të udhëhiqnin përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës në Kosovë. Megjithë kritikat e shfaqura, ato nuk mundën të ndikonin mbi politikën e jashtme të qeverisë amerikane. Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeline Allbright, u përpoq të largonte ngurrimin e vendeve perëndimore, duke sjellë në vëmendje katastrofën e ndodhur vite më parë në Bosnjë. Ajo foli për sigurimin kolektiv, si mjetin më efikas për të ndaluar përhapjen e krizave. Administrata e Klintonit nxiti në mënyrë konstante ‘sigurinë kolektive’, për të justifikuar ndërhyrjen në Kosovë. Presidenti Klinton në disa raste u është referuar parimeve Willsoniane, si e drejta e vetëvendosjes. Gjenerali Wesley Clark-komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, në kujtimet e tij fajëson Perëndimin, sepse nuk qe në gjendje të parandalonte katastrofat e mëparshme, duke nënkuptuar sidomos ngjarjet në Bosnjë, në Ruanda etj.
***
Përpara fillimit të operacioneve ajrore të NATO-s, trupat policore e paramilitare serbe kishin nisur fushatën e spastrimeve etnike në Kosovë. Ishin vrarë shume luftëtarë të UÇK-s dhe ishte ushtruar dhunë e ashpër mbi popullsinë civile. Masakra e Reçakut më 15 janar 1999 dhe masakrat tjera bënë ‘xhiron e botës’. Ato dëshmuan për sjelljen barbare të forcave ushtarake serbe, dhe ushqyen idenë e pashmangshmërisë dhe të reagimit ushtarak të Perëndimit e SHBA. Legjitimiteti i ndërhyrjes së NATO-s ishte logjik dhe aksioni u mbështet dhe u justifikua mbi dy argumente bazike të lidhura me njëri-tjetrin, tek doktrina e ndërhyrjes humanitare dhe tek zbatimi i tre rezolutave të miratuara nga Këshilli i Sigurimit për Serbinë, të cilat i kushtoheshin represionit serb në Kosovë. Në muajt mars, shtator dhe tetor 1998 Këshilli i Sigurimit kishte miratuar 3 rezoluta të posaçme për Kosovën.

Disa qeveri në Perëndim, e veçanërisht ajo gjermane, kishin të dhëna nga shërbimet e tyre të fshehta për planet sekrete serbe të spastrimeve etnike në Kosovë, të njohur me emrin e koduar “plani patkoi”. Ky plan dëshmon se spastrimi etnik në Kosovë nuk ishte një veprim i çastit, i diktuar nga ndërhyrja e NATO-s, por një aksion i paramenduar dhe i planifikuar nga shteti serb. Me Konferencën e Rambujesë, Perëndimi konsumoi mjetet politike e diplomatike për arritjen e qëllimit, të cilat nuk u pranuan nga Millosheviçi, duke i hapur rrugën të vetmit mjet që mbetej-përdorimit të forcës, që do ta detyronin Millosheviçin të pranonte zgjidhjet e rekomanduara në tryezën e bisedimeve. Mosnjohja dhe mosfirmosja e deklaratës së Konferencës së Rambujesë nga delegacioni serb, solli reagimin e fortë të Perëndimit, dhe si rrjedhojë sulmet ajrore të forcave të NATO-s mbi territorin e Kosovës e të Serbisë.
Ndërhyrja ushtarake e NATO-s ishte akt i motivuar, pavarësisht nga rezervat e shprehura nga disa shtete. Dëshmia më e mirë e ndërhyrjes së saj është shteti i sotëm i lirë e i pavarur i Kosovës, si dhe stabiliteti i krijuar në rajonin tonë.
– Autori është drejtor i Institutit të Historisë në Prishtinë
***
President Bill Clinton Military Action in Kosovo
https://www.youtube.com/watch?v=rsSB_2RShBQ

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura