BEHXHET SHALA BAJGORA: KOALICIONI BASHKËQEVERISËS MIDIS LVV DHE LDK DUKET TË JETË I PASHMANGSHËM DHE PA ALTERNATIVË!

Prishtinë, 23 janar 2020: Po vonohet por do të bëhet: Pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019 , të gjithë menduam se marrëveshja për koalicion bashkëqeverisës midis LVV -së dhe LDK-së është çështje ditësh aq më parë që ishte një dashuri parazgjedhore të dy subjekteve politike për një koalicion. Rezultatet ishin të qarta dhe nuk u kundërshtuan nga asnjë subjekt politik që nuk i fituan zgjedhjet dhe të cilat po të njëjtën natë deklaruan se i pranojnë këto rezultate dhe se kalojnë në opozitë duke e përjashtuar përfshirjen në çdo qeveri e që nuk kishte ndodhë më parë, Pra , opozita u bë shembull i korrektësisë duke i lënë pozitës përgjegjësinë për formimin e shpejtë të institucioneve. Edhe faktori ndërkombëtar pranoi rezultatin e zgjedhjeve dhe inkurajoi partitë që fituan zgjedhjet të formojnë institucionet. Në asnjë rast faktori ndërkombëtar nuk përmendi se partitë nga krahu i luftës duhet të jenë pjesë e qeverisë, madje u intensifikuan ftesat nga të ashtuquajtura Dhoma Speciale në adresë pikërisht të liderëve politikë, ushtarëve dhe eprorëve të UÇK-së të krahut të luftës, si kontribut konkret për defaktorizimin e tyre dhe kriminalizimin, ende pa filluar dhe përfunduar një proces gjyqësorë! Ndërkombëtarët ishin kundër krahut të luftës dhe këmbëngulnin se: “populli ka votuar për ndryshime dhe se duhet të jetësohet ky vullnet…”. Zyrat e LVV-së dhe të LDK-së u bënë vend ku ndërkombëtarët bënin pelegrinazhin politik dhe ku, sikur në Fontana Trevi në Romë, pasi të keni hedhur ndonjë monedhë shfaqnin dëshirat e të cilat ishin; e para, vazhdimi i bisedimeve me Serbinë, fleksibilitet në këto bisedime dhe arritja e një marrëveshjeje për normalizim të marëdhënieve , heqja e taksës 100 % për mallrat serbe dhe të tjera si luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe zhvillimi ekonomik llogariteshin si fakultative, nëse i bëni, mirë do të bëni, nëse nuk i bëni nuk bëhet kijameti me kusht që të vazhdohen bisedimet fleksibile me Serbinë ! Albin Kurti i fitoi zgjedhjet duke e renditur LVV-në në vend të parë kurse LDK-ë doli e dyta. Nga një politikan që realisht nga ndërkombëtarët ishte shpallur persona non grata, Albin Kurti u shndërrua në peshk të artë po për të njëjtit ndërkombëtarë . LVV fitoi zgjedhjet dhe nuk u kundërshtua nga opozita por , në fakt , përmes kushtëzimeve për poste dhe ndarje të barabartë të pushtetit u kundërshtua dhe po kundërshtohet nga LDK-ë e cila po thotë se ka mandat nga populli për ndarje të barabartë të pushtetit. Në rrethana normale asnjëherë nuk barazohen vendi i parë me vendin e dytë kurse te ne në jo pak raste vendi i tretë ka fituar më shumë se fituesi i zgjedhjeve . Apo edhe partitë embrionale sikur Lista Rugova dhe Kooperativa e Marecit merrnin sa të donin poste duke i zgjedhur ato ku kishte para dhe, në këtë mënyrë e fëlliqën skenën politike në Kosovë. LDK-ë, ndonëse nga viti 2006 asnjëherë nuk ka fituar zgjedhjet , hiç këtu qeverinë Haradinaj ( gjysmë mandati ) kurrë nuk ka mbetur jashtë pushtetit prandaj nuk mund të lirohet nga përgjegjësia.
Po pse bëri gabime në hapa LVV –ë dhe pse LDK-ë ka pozicione më të forta negociuese se vet LVV –ë : Albin Kurti ka kapacitet politik , patriotik dhe profesional të bëhet një lider i fuqishëm nëse është më racional në dhënie të premtimeve dhe nëse i analizon më me kujdes rrethanat objektive , vendore dhe ndërkombëtare. Albin Kurti nuk e ka kapacitetin artistik të Rembrantit për të vizatuar vija të kuqe. E as të Ticianit . Vijat e kuqe të Albinit ndaj PDK-së, AAK-së , Nisma-së dhe Listës Serbe e fuqizuan shumë LDK-në , duke e lënë si lojtar të vetëm që do të vendosë , edhe për Albinin kryeminister ashtu edhe për formimin e qeverisë së përbashkët. Me “ rekomandimin “ e ndërkombëtarëve , semafori politik për Listen Serbe ndryshoi dhe tani për ta ndizet vetëm drita jeshile , nuk ka dritë të kuqe. Albini u përpoq ta frikësoi LDK-në me zgjedhje të reja në kohën kur këto zgjedhje nuk i përkrah askush , përveç Valdete Dakës dhe KQZ-së ( për shkaqe humanitare sigurisht ) dhe disa kandidatëve për deputetë që , për një grusht votash nuk janë bërë deputetë ! Sikur edhe me disa sondazhe që e nxirrnin LVV –në fituese absolute , me 130 deputetë ! Albini e injoroi , jo Hashim Thaçin por institucionin e presidentit duke e shpërfillur skajshmërisht. Gabim tjetër ishte se e mbivlerësoi shumë subjektin që e drejton kurse e nënçmoi partnerin për bashkëqeverisje. Albini e shtriu kosën shumë gjerë sikur që hapi shumë fronte gjithandej ku jetojnë shqiptarët , me politikanë , gazetarë dhe shoqëri civile . Gabimi më i madh i Albinit ishte se e nënçmoi kapacitetin politik , vendosmërinë dhe shkathtësinë negociuese të Isa Mustafës për të cilin ishte i bindur se do të gëlltiste me një lugë uji. Ka gabuar rëndë sepse Isa doli të jetë “ kafshatë që s’kapërdihet …” . Albin Kurti mendoi se , përmes Vjosa Osmanit do të sigurojë vota të mjaftueshme në kohën kur pushtetin e vendimarrjes në këtë parti e kanë Agim Veliu , Lutfi Haziri me çetën e elefantëve që i shërbyen LDK-së , që nga dita e themelimit , pra me një stazh pune 30 vjeçare. Vjosa Osmani me skifterët adoleshentë të LDK-së , nuk janë veprues në LDK-ë por e kanë rolin e zhurmuesit. Albini , në njërën anë deklarohej për partneritet me LDK-në kurse , me veprime dhe paraqitje publike krijonte antagonizëm të thellë dhe një mjedis jobashkëpunues. Në mbledhjen konstituive të Kuvendit në kohën kur kishte bisedime për bashkëqeverisje me LDK-ë, Albini fillimisht është dashur , në fjalën e tij të kërkonte që LDK-ë ta propozonte kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe nëse ata do të refuzonin , e sigurisht do ta refuzonin atëherë do e propozonte Glauk Konjufcën për kryetar dhe do ta kishim një situatë tjetër ku Albini do të fitonte epërsi. Edhe të ndani postin e kryetarit të Kuvendit për partnerin ( LDK – ë) , edhe ta zgjidhni kandidatin tuaj , çfarë partneriteti është ky ? Edhe emrat e ministrave të LVV –së që u bënë publik , pa marrëveshje me partnerin sikur edhe nominimi për kryeministër , gjithashtu pa pëlqimin e partnerit të mundshëm për bashkëqeverisje , e lënduan procesin dhe arritjen e marrëveshjes . Pastaj , komunikimi përmes videoincizimeve me publikun e margjinalizonte vullnetin për takime me partnerin e shtratit qeveritar ! Propozimi për rritje të ministrive dhe alleshverishet me poste e zbehën besimin për një Koalicion të Shpresës . Ku keni parë ju që , sot po e zgjedhim kryetarin e Kuvendit , nesër e shkarkojmë apo dorëhiqet për t’u zgjidhur Vjosa Osmani në mënyrë që pas një viti , të shkarkohet Vjosa e të ngarkohet Glauku , si kryekuvendar. Kjo do të ishte e papranueshme edhe për Këshillin e Pleqve dhe të Mençurve të fisit Zulu në Afrikë apo adashëve të tyre në Muçiverc e lëre më për një koalicion që , për mision të shenjtë e ka deklaruar çkapjen e shtetit duke e promovuar një kapje shumë të gërditshme , nëse do të bëhej kështu. Pastaj , përmes rrënimit të autoritetit të Glauk Konjufcës , edhe LVV –ë do të pësonte humbje të votave ! Albin Kurti problemin dhe pengesën më të madhe do ta ketë me bisedimet me Serbinë , nëse bëhet pjesë e tyre për faktin se ( Ha ) Shimi ia ka lënë këmbët e arushës në duar ! Është rregull i shkruar dhe i pashkruar se kush kruhet me arushën , nuk ndahet mirë !
Isa Mustafa , politikani më i fuqishëm sot në Kosovë : Po kam probleme edhe në familje por edhe me miq kur e them se sot në Kosovë , Isa Mustafa është politikani më i fuqishëm. Po më thonë nëse Isa ma ka ndarë librezën e LDK-së dhe se po e amnistoi Isen nga e kaluara gjë që nuk është e vërtetë. Unë po e vlerësojë shkathësinë negociuese të Ises dhe instiktin jashtëzakonisht të zhvilluar për mbijetesë në kushte edhe më të skajshme . Disi sikur Ber Grills në National Geografic ! Isa Mustafa e shpëtoi LDK-në nga një ndarje e madhe pikërisht në prag të zgjedhjeve të fundit . Ai po menaxhon jashtëzakonisht mirë negociatat me Albin Kurtin në rrethana kur , më shumë ka probleme me LDK-në se me LVV –në. Të balanconi këtë situatë ku kërkohet efikasitet dhe saktësi sikur të një xhongleri që ecën në trapez në një cirk , nuk është aspak lehtë , është shumë vështirë ! Isa Mustafa nuk magjepset me Vjosën , Dritonin apo skifterët e rinjë të LDK-së që ende nuk e kanë përfunduar stazhin e praktikantit por fort mbahet për Agimin , Luten dhe ujqit e vjetër të LDK-së. Ju mund ta akuzoni Agim Veliun për çka të doni por në asnjë mënyrë për mungesë të patriotizmit dhe tabanit kombëtar. Babai i Agim Veliut nuk ka qenë shoqërues as i Titos , Rankoviqit , Veli Devës , Sinan Hasanit e Rrahman Morinës por ka qenë përkrahës dhe sekretar i Shaban Polluzhës . Mjafton ! Kur Luto – Gllava ( Kokë Luta ) , pas zgjedhjeve thoshte se post i kryeministrit kalon nëpër zyrat e LDK-së , nuk ia peshonin fjalët por ia kujtonin vathin në kërthizë sikur të bëhej fjalë për Morena Tarakun e jo për një politikan të rryer gjatë përvojes më shumë se 30 vjeçare. Deri më tani , thuaja në të gjitha duelet , Isa Mustafa i ka mundur të gjithë përjashtuar Shpendin që fluturoi lart me krihët e PDK- së , si kryetar i Prishtinës. E ka mundur Fatmir Sejdiun , Hashim Thaçin dhe nuk do të mundet as nga Albini. Madje , albini duket se do t’i dali më i lehti për faktin se vet Albini deklaroi publikisht se : “ kryeminister mund të bëhet vetëm me LDK-në dhe Isa Mustafën …” që ndikoi në uljen e aksioneve politike të Albinit dhe rritjen e kapitalit politik të Ises . I veshur me vija të kuqe , si nonsens politik , është e vërtetë se Albin Kurtit , portën drejt postit të kryeministrit mund t’i hapë vetëm Sezami ( Isa Mustafa ) dhe askush tjetër. Kjo është kur vet i fusni spicat në rrotën e qerres ku jeni ju . Pastaj , Isa Mustafa , si dhelpër jo polare por malore ( nga malet e Prapashtices ) , nuk është e rastit se kushtëzimin për koalicion me LVV-ë e ndërlidhi me viziten e Grenellit dhe parashikimin futuristik të Nostradamusit nga Buroja e që , krejt rastësisht ndërlidhen me këtë kohë !
Kombinimet e mundshme :
1. Jam 99 % i sigurt se koalicioni LVV –ë dhe LDK-ë do të bëhet dhe se nuk shoh asnjë mundësi tjetër ! Rrethanat janë të tilla . Edhe është më mirë të jetë kështu. Le të provohen dhe le të dëshmohen përballë një opozite , deri tani shumë të urtë dhe konstruktive por shumë të fuqishme . Se do të bëhet ky koalicion , kam dy dëshmitarë ; Grenellin nga Berlini që nesër ua sjellë marrëveshjen për koalicion dhe draft marrëveshjen për normalizim të marëdhënieve me Serbinë sikur edhe Hashim Thaçin – Shimën që këtë e pohoi nga Davosi i Muçibabes . Për një kredi politike, e cila pashmangshëm do të dërgojë në proces të përmbarimit , falimentimit dhe likuidimit , garantues më të sigurt dhe më të besueshëm se Grenellin dhe Shimen nuk mund t’i gjeni.
2. Hipotetikisht Qeveria e Pakicës mund të bëhet vetëm sa për ta votuar Buxhetin e Kosovës dhe mund të mbijetojë , jo nga dita në ditë por nga sekonda në sekondë .
3. Koalicioni LDK – AAK – NISMA – dhe pakicat është i pabesueshën sepse , jo që nuk do të kishin dëshirë ta bënin këtë por se në rrethanat aktuale asnjë politikë ndërkombëtare , racionale por edhe idioteske nuk do të lejonin që LVV –ë dhe PDK-ë të mbesin në opozitë . Në prag të marrëveshjes “ historike “ me Serbinë. Marrëveshja për fluturim në linjën Beograd – Prishtinë shumë i ka ndihmuar Kosovës për faktin se tash ka mundësi t’i fusë në përdorim 50 aeroplanë Boion 747 si dhe 5 airbusa , fjala e fundit e teknologjisë .
Lakmia të detyron të bësh gabime : Një pjesë e opozitës po i gëzohet dështimit eventual të marrëveshjes midis LVV –së dhe LDK-së e që nuk do të ndodhë . Shima , nga margjinat e Davos-it tha , pa ekuivoke se : “ së shumë shpejt Albin Kurti Do ta formojë qeverinë dhe se ai ( Shima ) do të bashkëpunojë ngushtë për të mirën e Kosovës , derei në fyerjet dhe kërcënimet e radhës.
Prandaj , e mira e së mirës do të ishte që opozita ta merr seriozisht rolin opozitar dhe të mos shpresojë si : “ Muça pas daive …”. PDK –ë e ka rastin që përmes qëndrimit në opozitë të lirohet nga parapaguesit e posteve dhe beneficioneve , pa dhënë asnjë kontribut. Të tillët i kanë shumë të zhvilluara shqisat e nuhajtjes në përgjithësi dhe saktësisht e dallojnë , falë sensorëve të instaluar që nga përfundimi i luftës , se kur mund të fitojnë apo se kur është zbrazur grazhdi !
Me faljen e Xhumasë skadon afati kohorë i Isa Mustafës dhe po të njëjtën kohë Grenell do t6ë pijë shlivovicë , me leskovaçki roshtil me Vuçiqin në Beograd kurse Shima do ta studijojë ( mendjethellë dhe mendjendritur është Shima ) draftin e marrëveshjen apo Traktain Thaçi – Vuçiq i përfunduar shumë kohë më parë . Ose jam shumë i mençur ose jam shumë i huçur , mundësi tjetër nuk ka !
Për fund edhe një thënie skajshmërisht filozofike : Nuk është kurrfarë rreziku për Kosovën gripi kinez sa varfëria kosovare dhe sidomos politika kosovare ! Pikë !

22 janar 2020 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura