DRITAN GOXHAJ: DY FJALË PËR ‘ANTI-AMERIKANIZMIN’ E ALBIN KURTIT!

Tiranë, 1 prill 2020: U bë tashmë disa kohë që shumica e kryesive të partive politike në Kosovë, veçanërishtë LDK-ja me Isa Mustafën në krye dhe PDK-ja e kryesuar nga Kadri Veseli, duke mos mbetur prapa edhe AAK, AKR e NISMA, por edhe shumica e analistëve ”të pavarur”, të gjithë nën dirigjimin e Presidentit të Kosovës, z.Thaçi, (i cili arriti sa t’i bënte thirrje popullit dhe policisë që të mos zbatonin asnjë vendim të qeverisë Kurti), e kanë cilësuar Albin Kurtin si politikanin më anti-amerikan në Kosovë. I vetmi argument i tyre për këtë epitet është se pse Albini nuk e zbatoi kërkesën ultimative të një ambasadori amerikan, duke këmbëngulur që heqja e taksës kundrejt Serbisë të zevendësohet me reciprocitetin. Këta akuzues po e përdorin termin ”anti-amerikanizëm” ndaj Albinit, sikur ky të ishte një epitet i rëndomtë, me të cilin mund të etiketosh cilindo që nuk pranon një propozim qoftë edhe të një zyrtari amerikan.
Por para se të shohim se a është Albini anti-amerikan, ashtu si e etiketojnë, le të shohim se çfarë kuptohet me termin e ”anti-amerikanizmit”.
Wikipedia e përcakton ati-amerikanizmin si një ndjenjë që shfaq një mospëlqim ose opozitë kundrejt qeverisë amerikane ose politikave të saj të jashtme. Studiuesi francez Marie-France Toinet thotë, se termi “anti-amerikanizëm” justifikohet vetëm atëherë kur kemi të bëjmë me një kundërshtim sistematik – një lloj reagimi alergjik- në tërësi ndaj gjithçkaje që bën e flet Amerika.
Në rastin tonë nuk është as njëra e as tjetra. Kemi vetëm një kundërshtim të një kërkese, thënë ndryshe, një propozim të disa zyrtarëve amerikanë. Të gjithë këta zyrtarë amerikanë të rendit të dytë e të tretë, që kërkojnë heqjen pa kushte të taksës ndaj Serbisë, duke i bërë Qeverisë Kurti kërcënime të ndryshme, gjë që ultimatume të tilla janë në kundërshtim me vetë idealet e Amerikës. Prandaj, këta zyrtarë duhet të kuptojnë, ose le të themi më mirë që këtyre Albini duhet t’ua sqaroi pozicionin në të cilin ndodhet Kosova kundrejt Serbisë.

Albin Kurti, është e nevojshme t’i sqarojë më hollësisht këta zyrtarë të lartë amerikanë, shumica e të cilëve janë njerëz shumë të afërt të qeverisë, njëkohësisht dhe lobit izraelit ose atë sllav në Amerikë, sikundër është edhe ambasadori pro hebre z.Grenell dhe zoti Palmer pro serb, se pozicioni i Kosovës është i ngjashëm me atë të Izraelit kundrejt vendeve arabe. Izraeli nuk ka asnjë marrëdhënie me vendet arabe. Izraeli e ka bazuar këtë vendim me shtetet arabe në bazë të marrëdhënieve të reciprocitetit, që është e njëjta ide që kërkon të vendosi edhe Kryeministri Albin Kurti.
Gjithashtu, sot, vendet arabe nuk ia njohin Izraelit të drejtën për të ekzistuar si shtet. Të njëjtën gjë bën edhe Serbia me Kosovën; ajo nuk ia njeh të drejtën Kosovës për të ekzistuar si shtet. E megjithatë, deri më sot nuk është parë e nuk është dëgjuar asnjë zyrtar amerikan që të guxojë t’i kërkojë Izraelit të pranojë mallrat arabe ose të bëjë ndonjë lloj shkëmbimi tregtar duke hequr dorë nga reciprociteti, pasi Izraeli është treguar taksativ: pa i njohur të drejtën e ekzistencës si shtet nuk do të ketë asnjë marrëdhënie pa kushte, sikundër i kërkohet Kosovës. Përse të njëjtët zyrtarë amerikanë përdorin standarde të dyfishta ndërkombëtare, kur të dyja rastet janë të njëjta në aspekt të marrëdhënieve dhe të drejtës ndërkombëtare, por jo edhe të historisë?!
Por edhe ata shqiptarë që kanë marrë flamurin e akuzës ndaj Albinit si anti-amerikan, të cilën e përmendën deputetët e tyre gjatë gjithë seancës parlamentare për mocionin e mosbesimit të kërkuar nga partneri i saj, LDK-ja, duhet ta kuptojnë gjendjen e Kosovës e cila tani po lufton për mbijetesë dhe mos të mundohen për interesa partiake e klanore në kurriz të rrezikimit të ekonomisë së Kosovës dhe të shëndetit të popullit.
Masa e gjerë popullore në Kosovë duhet ta kuptojë, se ata që sot e akuzojnë Albinin si anti-amerikan, nuk e bëjnë se ata janë pro-amerikanë. Absolutisht jo. Si mund t’i quajmë pro-amerikanë deputetët serbë të këtij parlamenti, kur dihet që janë më anti-amerikanët në Evropë e Ballkan?! Por ja që edhe ata e votuan mocionin me atë motiv. Gjthashtu, për këtë, do t’u sjell një rast, të ndodhur gjatë luftës së UÒªK-së për çlirimin e Kosovës, ku kam qenë vet prezent.
Në mesin e muajit maj 1999, në një nga takimet që pata me oficerat përfaqësues të shtabit të Agjencisë Amerikane të Inteligjencës, të vendosur në Shqipëri, (takim që u zhvillua në zyrën e Kryetarit të Shërbimit Informativ të Shqipërisë për qarkun e Kukësit), takim për mënyrën se si të ndihmohej dhe monitorohej sa më mirë lufta që zhvillohej në Kosovë, ku isha i ngarkuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÒªK-së si koordinator mes këtij të fundit dhe përfaqësuesve amerikanë të lartpërmendur, m’u kërkua nga këta të fundit që t’i transmetoja ShP të UÒªK-së kërkesën e tyre, për të qenë të pranishëm pranë SHP të UÒªK-së brenda në Kosovë, i cili në atë kohë ndodhej në fshatin Divjakë, në malet e Berishës. Dy ditë pasi ia komunikova shtabit të UÒªK-së këtë kërkesë m’u komunikua nga ana e Kadri Veselit, tekstualisht: që të mos i sillja amerikanët në Shtab të Përgjithshëm, pavarësisht që këtë përgjigje e pata marrë disa orë më herët edhe nga zv.Shefi i atij shtabi. Ky urdhër m’u dha për të vetmen arsye se aktualisht atje ndodheshin tre oficerë të shërbive sekrete franceze të sjellë nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli menjëherë pas kthimit nga Rambujea – Parisi, dhe që qëndruan aty deri në fund të luftës, por që unë dhe amerikanët e mësuam këtë të vërtetë vetëm pasi mbaroi lufta.
Pra, siç shihet, “pro”-amerikanët e sotëm nuk kanë qenë edhe aq pro-amerikanë atëherë kur Amerika u angazhua e gjitha për ne. Këta “pro”-amerikanët e sotëm, me deklaratat e tyre më kujtojnë atë thënien e Krist Malokut, në esenë e tij “Oksidental apo Oriental?”: Idealet e orientalit shqiptar janë kolltuku e llokma; për t’i siguruar vetes këto të mira ai përdor çdo mjet: bëhet kur e do nevoja edhe patriot, edhe tradhëtar, edhe monarkist, edhe bolshevik, përparimtar e reaksionar.., madje edhe shok i fortë me të tjerë.
Të gjithë ata që u sulën kundër Albinit në parlament i përmendnin vetëm faktin se ky nuk kishte dëgjuar këshillën e ambasadorit amerikan në Gjermani, Riçard Grenell (Richard Grenell) për heqjen e taksës ndaj Serbisë pa asnjë kusht dhe pa vendosur reciprocitet. Ashtu si e tha edhe vetë Albini në kuvend: Grenell fillimisht ishte dakord me deklaratën e BE-së që Kosova të heqë taksën dhe Serbia të ndalojë fushatën e ç’njohjes së Kosovës, por më pas hoqi dorë nga e dyta.
Por në gjithë këtë fushatë kundër Kosovës, për heqjen e taksës 100% pa asnjë kusht, qeveria e Serbisë nuk ka ndenjur duarkryq ashtu si ajo e Kosovës. Qeveria serbe, më datë 28 Mars të vitit 2019, ka nënshkruar një marrëveshje me një firmë lobimi në Amerikë, Cleary Gottlieb Steen & Hamilton LLP, për të përfaqësuar Beogradin në mosmarrëveshjen me Prishtinën mbi tarifat doganore. Duke qenë se politika e jashtme amerikane është nën ndikimin e firmave lobuese dhe, duke pasur parasysh edhe se lobi serb në Amerikë është shumë më i fuqishëm se lobi shqiptar aty, i cili është bërë pikë e pesë, nuk duhet të çuditemi me rrëzimin e qeverisë së udhëhequr nga Albini.
Prandaj, të gjithë ata që e votuan mocionin e LDK-së për rrëzimin e qeverisë të drejtuar nga Albin Kurti, përveç që distancuan veten nga shqiptarët në Kosovë, e themi pa hezitim se kanë bërë edhe tradhëti, tradhtinë e tyre e kamufluan deri në moment të fundit me akuzën për anti-amerikanizëm ndaj Albinit. Por në gjithë këtë katrahurë, në këtë kohë kolere politike dhe shëndetësore, ”anti-amerikanizmi” i Albinit nuk është asgjë para ANTI-SHQIPTARISË së këtyre matrapazëve politikë.
PS: Imagjino se ç’mund të bëhej në Kosovë sikur këta matrapazë politikë ta donin Kosovën aq sa hiqen se duan Amerikën!

– Autori është ushtarak dhe analist i pavarur

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura