LIRI LOSHI: BAC, ENDE NUK U KRYE! TANI KEMI PUNË ME ATA QË PO SHKATËRROJNË ARDHMËRINË E FËMIJËVE, TË NIPAVE DHE STËRNIPAVE TANË!

Pashtriku.org, 28. 11. 2016: Bac Adem Jashari, jep urdhër që mos të vijnë te lapidari Yt këta pushtetarë të damkosur me tradhëtinë e idealeve Tua! Mbylle derën dhe zemrën Bac, për ata që nëpërkëmbin emrin Tënd. Mbylle derën Bac për ata që po shkelin mbi gjakun Tënd, mbi gjakun e familjes Jashari, mbi gjakun e pastër që Kosova derdhi në çdo pëllëmbë të vet për këtë Ditë të Madhe. Urime Ditëlindja dhe Dita e Pavarësisë së Shqipërisë o Trim mbi trima!

Bac, këta po vijnë te varri yt me xhipa të shtrenjtë, të veshur me kollare, rrethuar me truproje dhe me zhurmë të padurueshme. Bac, këta nuk po vijnë të nderojnë! Këta po vijnë të falënderojnë që më nuk je gjallë! Sepse, po të ishe gjallë këta do ta kishin frikën dhe do ta ndalnin pak turrin e poshtërsive që po bëjnë.

Bac, vërtet këta nuk po vijnë të të nderojnë. Këta po vijnë të të lëvdohen për pasuritë që kanë përfituar, për ngritjet e tyre politike dhe akademike duke shkelur çdo rend të demokracisë, të nderit e të njerëzisë. Këta po vijnë të tregojnë:
– se si janë bërë milionerë vetë,
– se si janë bërë milionerë vëllezërit e tyre,
– se si kanë arritur ta plaçkisin Atdheun dhe ta fusin “ligjshëm” në llogaritë e tyre bankare, në pasuritë në formë arash, shtëpishë, makinash të shtrenjta, firma “biznesesh”, hotelesh, restoranesh e deri qendrash relaksimi e argëtimi seksual, ku shpërlajnë paratë e tenderave që i japin njeri tjetrit dhe paratë tjera që po i fitojnë duke vjedhur shtetin dhe duke varfëruar popullin.
Bac, janë me dhjetra “komandantë” e “misionarë” të luftës që pa kurrfarë merite kanë zënë pozitat shtetrore, dhe ato po i mbajnë me forcën e dhunës, diktatit dhe lavdit të tyre të rremë për çlirimin e Kosovës.

Janë Bac, pikërisht këta që e kishin paranë e mërgimtarëve në duar edhe atëherë kur Ti u dogje me familje e me kusherinj për liri, në një luftë të pabarabartë me forcat serbe dhe pa mundur ta paguaje veten në mungesë njerëzish dhe armësh. Sepse, Bac këta atëherë t’i kishin ndalë edhe armët, edhe njerëzit! Këta po të sabotonin për ta demonstruar fuqinë e tyre dhe për ta nënshtruar shpirtin e vërtetë luftarak Tëndin, që po të mbeteshe gjallë, të mos kishe rrugë tjetër pos asaj të nënshtrimit ndaj megallomanisë së tyre!
Ah, sa e dëshiron nënshtrimin e tjetrit kjo kastë psikopatësh e injorantësh, o Bac!
Por, Ti Bac, kurrë nuk u nënshtrove!
Ti ishe tmerri jo vetëm për armikun serb dhe bashkëpunëtorët e tyre, por edhe për të gjithë ata që provonin të përbaltnin rrugën Tënde të shenjtë që kishe nisur. Sakrifica Yte dhe e Familjes së madhe Jashari bashkoi popullin dhe e bëri Një mes tytave e tankeve për dritën e munguar të lirisë. Vetëm një bashkim i tillë ku zemra e secilit individ rrah për lirinë e atdheut, bëri që Kosova të jetë e lirë dhe e pavarur.
Por, disa shokë tanë, Bac menduan ndryshe! Ata thanë se ishte një grup shokësh, por shumë i zgjeruar me familjet dhe farefisin e tyre që kishin meritat për luftën dhe për lirinë. Sipas tyre vetëm këta e gëzonin të drejtën për lirinë dhe shtetin, kurse të tjerët duhej të mjaftoheshin me mbeturinat e ushqimit të tyre! Në emër të këtij miti për vetëveten, ata i hypën në qafë popullit e nuk po i hiqen më.
Bac, ashtu si i bëre nder të madh atdheut e kombit me sakrificën tënde për liri në kohë lufte, bëri edhe tani një nder në kohë paqeje duke përdorë autoritetin e Komandantit të përmotshëm.
Bac Adem Jashari, jep urdhër që mos të vijnë te lapidari Yt këta pushtetarë të damkosur me tradhëtinë e idealeve Tua!
– Mbylle derën dhe zemrën Bac, për ata që nëpërkëmbin emrin Tënd.
– Mbylle derën Bac për ata që po shkelin mbi gjakun Tënd, mbi gjakun e familjes Jashari, mbi gjakun e pastër që Kosova derdhi në çdo pëllëmbë të vet për këtë Ditë të Madhe.
– Urime Ditëlindja dhe Dita e Pavarësisë së Shqipërisë o Trim mbi trima!
– Të qoftë gjithmonë i lehtë dheu i atdheut Tënd!
Mos të qofshin rëndë barrët e paudhësive që shokët e luftës po i bëjnë në emër të mëritokracisë!
Bac, ende nuk u krye!
Tani kemi punë me ata që po shkatërrojnë ardhmërinë e fëmijëve, të nipave dhe stërnipave tanë. Kjo luftë, qenka shumë e mundimshme Bac! Shumëfish më e vështirë se lufta me Serbinë.
Ah, sa i mungon Kosovës. Bashkë do ta kryenim me lehtë, Bac!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura