Prishtinë, 3 prill 2020: Pashallarët shqiptarë dhe ushtarët e tyre mercenar me myslimanizmin e tyre arritën të bëheshin pronar të timareve dhe të zënë pozita të larta në P. Osmane.
Klasa feudale i takonte kombësisë osmane. Në trevat shqiptare një pjesë e popullatës, por edhe raja, ishin të përkatësisë etnike shqiptare.
Klasa feudale shqiptare, herë vihej në shërbim të P. Osmane, duke e shtypur çdo kryengritje të popullit të vet, e herë kundërshtonte proceset në administratën osmane.
Te shqiptarët ekzistonte edhe aristokracia klanore e fisnore, ku bajraktarët në fshatra konsideroheshin si agallarë, ndërsa në qytete bejlerët ishin në krye të klaneve e zejtarëve.
Popullata shqiptare që nga pushtimi osman, ishte në gjendje lufte me autoritetet osmane.
Islamizimin që e pranuan shqiptarët, nuk përputhej me islamizimin zyrtar. Në këtë kohë shqiptarët ishin një popullatë me përzierje të mëdha klanore, fisnore e fetare. Kjo ndasi politike e shoqërore e popullatës shqiptare, në viset malore kishte karakter fisnor, që dallonte nga ndasia në qytete e fusha që kishte karakter feudal ku qeverisnin pashallarët.
Pas pushtimit osman, shqiptarët ortodoks të jugut, por edhe një pjesë në veri, ishin nën ndikimin e Patriarkales së Stambollit. Prej viteve tridhjeta të shekullit XIX, shqiptarët e jugut, ishin nën ndikimin e shtetit të ri Grek, dhe kishës ortodokse greke të posa themeluar. Në trevat veriore, shqiptarët ishin në ndikimin e Italisë, Austrisë, e prej viteve tridhjeta të shekullit XIX ,edhe të Serbisë dhe Malit të Zi.
Në kohën kur P. Osmane ishte e angazhuar në luftëra frontale me Rusinë që nga fundi i shekullit XVIII dhe fillimi i shekullit XIX, kishin filluar lëvizjet çlirimtare te popujt e gadishullit, për tu çliruar nga P. Osmane.
Pasha i Janinës, Ali Pashë Tepelena dhe Mustafa Pasha nga Shkodra, që njiheshin si pashallarët më të fuqishëm, dhe qeverisnin si gjysmë autonom, nuk arritën të bashkojnë forcat e tyre mes veti, por kundër P. Osmane, vepruan krye në vete me veprimet e tyre, e dobësuan mjaftë shumë.
P.Osmane në këto rrethana, i filloi reformat ushtarake e administrative, për ta krijuar një monarki absolute, që do të mbështetej në një ushtri moderne, dhe të disiplinuar. Për të arritur objektivat e veta në trojet shqiptare, P. Osmane e filloi luftën për shuarjen e pashallëqeve shqiptare, dhe likuidimin e fisnikëve shqiptar.
Shqiptarët në fund të shekullit XVIII dhe fillim të shekullit XIX, zhvilluan luftëra ndërmjet veti, herë kundër sulltanit e herë për mbrojtjen e P. Osmane, dhe shumë prej tyre ishin të mobilizuar, në luftë kundër Rusisë, në Azinë e Vogël dhe në Afrikën veriore.
Në këtë periudhë në shtetet evropiane, kishin filluar reformat dhe procesi i formimit të shteteve kombëtare, dhe forcimi i monarkive absolute borgjeze, në përputhje me zhvillimin teknologjikë të borgjezisë së këtyre vendeve.
Me reformat që i filloi P. Osmane, e shkatërroi fisnikërinë tradicionale shqiptare, e cila e humbi rolin e vet në shoqërinë feudale, të krijuar me shekuj në trevat shqiptare.
Mustafë Pashë Bushatliu, në këtë kohë synonte të zgjerohej, duke e shtrirë autoritetin e tij përveç Shkodrës, edhe mbi Dukagjin, Elbasan, Dibër, Ohër dhe Targovishtë (Rozaje).
Kështu në kohën e lëvizjeve kundër reformave, Mustafa Pasha e emëroi Hasan Hotin (oficer i ngarkuar me urdhrin e tij), në Peshter dhe Bihor. Ajanët e Rozhajes, shkuan për të kërkuar ndihmë nga Abdul Rezak Pasha i Pejës, kundër qetës së këmbësorëve kryengritës të Hasan Hotit.
Kryengritësit ishin kundër Pashës së Tregut të Ri, që ishte një përkrahës i flaktë i Sulltanit. Kryengritësit udhëhiqeshin nga Jusuf Bala nga Balieni në Peshter, Sali Ugla nga Ugla mbi Peshterë, dhe Deli Ibrahimi. Dy të parët ishin kelmendas të islamizuar, dhe i treti ishte djali i Adem Pashës të Pazarit të Ri. Osman Pasha, pasi mori ndihmë nga Prishtina, Peja, Gjakova dhe Prizreni, e shoi kryengritjen e Peshterit, ju vuri zjarrin dhe i ndoqi nga ato treva. Jusuf Bala iku në Bosnje, Deli Ibrahimi përmes Kralevës shkoi në Vidin, ndërsa Sali Ugla humbi në një drejtim të panjohur.
Osman Pasha në nëntor 1822, regjistroi një ushtri të re në fushën e Senicës. Atje ai priti që të shkojë edhe një i deleguar nga Veziri i Madh, dhe së bashku të shkojnë në fshatin Rasna, që ishte bërë qendër e kryengritësve. Rasna ishte një fshatë malor mbi Peshterë i banuar nga shqiptarët kelmendas, dhe osmanët banorët e këtij fshati i quanin arnaut. Deli Ibrahimi, i cili më parë kishte ikur në Vidin prej Osman Pashës, ishte kthyer dhe fshehur në Rasno. Ai pasi e kishte kapur Dervish Pashën, iku dhe u fsheh në Rasna.
I dërguari i Sulltanit nga Novi Varoshi, i cili në atë kohë ua kishte vu zjarrin disa shtëpive të Arnautëve, gjithashtu mori pjesë në shtypjen e revoltës së shqiptarëve në Rasna. Në ato konflikte, Udhëheqësi i Sjenicës, Sulejman Beg Cavic u vra, dhe u zhduken pa gjurmë, Zenel Aga Cesovic, Ahmed Salakovic dhe Adem Dzankovic.
Në gjysmën e parë të shekullit XIX, kur sulltan Mahmudi II (1808-1839), i filloi reformat në vitin 1826 në ushtri dhe administratë, në tërë Perandorinë Osmane shpërthyen kryengritjet.
Me reformat për centralizim të pushtetit, osmanët e kishin për qëllim, që t’ju merrej pushteti lokal popujve të robëruar nga P. Osmane.
Në fund të nëntorit 1826, dy nëpunës të lartë perandorakë erdhën në Novi Pazar, dhe menjëherë u dërguan një letër në Sjenicë për t’u përgatitur, pasi ata do të arrinin atje së bashku me Osman Pashën e Pazarit të Ri, dhe ndoshta me ta do të vinte edhe Jashar Pasha nga Prishtina. Zyrtarë të Lartë Perandorak erdhën, për të hetuar situatën në këto anë, duke sjellë me vete dy fermane perandorake, për Osman Pashën dhe Jusuf Agën, të cilët u nderuan për bashkëpunim, korrektësinë dhe besnikërinë e tyre ndaj Sulltanit.
Zyrtarët perandorakë, sollën me vete edhe letra për qytetet: Shkodër, Shkup, Prizren, Gjakovë, Prishtinë dhe Pazar të Ri. Me ato letra, Sulltan Mahmud II, u bëri thirrje pashallarëve e qytetarëve të kundërshtonin kryengritësit rebelë, dhe në fund të letrës i mallkoi ata për mos veprim.
Aksioni i parë në përgjigje të letrës së Sulltanit, u ndërmor nga Jashar Pasha në Prishtinë, i cili i ndaloi në Prishtinë dyqind ngarkesa të tregtarëve boshnjakë, që vinin nga Kostandinopoja në drejtim të Bosnjës.
Përjashtim prej të gjithë pashallarëve bëri Duka Vasojevic Lakic i Malit të Zi, i cili me 250 djemtë e tij, e ndihmoi Mustafa Pashë Bushatliun kundër Sulltanit.
Serbët në të gjitha aspektet e dëgjuan princin Milosh Obrenoviqin, i cili i ndoqi nga afër këto zhvillime, dhe i këshilloi ata të mbajnë qetësi, dhe në këto rrethana të tregohen të mençur.
Arsyet pse pjesa më e madhe e popullsisë myslimane dhe shqiptare, ishin kundër sulltanit janë më të thella, se ato që mund të trajtohen në këtë punim.
Të qenit i papërcaktuar në këto ngjarje ishte shumë e vështirë, patjetër duhej të përcaktoheshin në njërën anë.
Ndër arsyet kryesore, që shtresat e ulëta të popullatës shqiptare, me lehtësi i pranonin ftesat për tu ngritur në kryengritje kundër sulltanit, ishin ngarkesat e mëdha tatimore, që ju kishin imponuar popullatës lokale, që nga fillimi i shekullit XIX, kur P. Osmane kishte filluar luftërat frontale me Rusinë. Kjo ngarkesë e madhe tatimore, i goditi rëndë të krishterët dhe myslimanët. Revolta popullore kundër P. Osmane ishte shtuar për shkak të anarkisë, qeverisjes së dobët, mos zbatimit të ligjshmërisë, korrupsionit, burokracisë, dhe tani edhe kur kishin filluar reformat në ushtri, të cilat prekën masat e gjera, dhe për këtë arsye shtresat e gjëra popullore e përbënin shumicën në kryengritje kundër sulltanit.
Në atë kohë, lajmet u përhapën nëpër Novi Pazar, se Sulltan Mahmudi II, i kishte dhënë Princit Milosh Obrenoviqit territorin e rajonit të Pazarit të Ri, përgjatë rrugës deri në Hendek. Hendek është një lartësi e vogël në qendër të Pazarit të Ri. Me lajme dhe propagandë, serbët dhe bashkëpunëtorët e sulltanit, arrinin ta përçanin popullatën.
Nga përhapja e këtyre lajmeve, në fillim të shkurtit 1827, rreth 600 ushtar boshnjakë erdhën në Pazar të Ri. Deri në këtë kohë, kjo ishte ardhja e parë e ushtrisë boshnjake në Pazar të Ri, pas pushtimit osman. Ata kishin ardhur për të kontaktuar me shqiptarët e ardhur nga Shkodra, dhe shqiptarët e myslimanët e Pazarit të Ri, të cilët përgatiteshin të zhvillojnë kryengritje kundër Sulltanit.
Ardhja e ushtrisë boshnjake në Pazar të Ri, dhe përgatitja e Mustafa Pashës së Shkodrës, për marshimin me kryengritës drejt qytetit të mbretit kundër sulltanit, dhe ushtrisë perandorake, shkaktuan pasiguri të madhe te pashallarët tjerë shqiptar. Shumica e pashallarëve të Kosovës, madje edhe Jashar Pasha në Prishtinë, që deri në atë kohë ishte shpresa e Sulltanit, tani edhe ai kishte zgjedhur të luftonte kundër Sulltanit. Përjashtim bënte Abdul Rezak Pasha i Pejës, që ishte pronar i furrave, dhe i cili përkrahës i kishte Ganiun nga Rozaja, disa kelmendas nga Rozaja dhe Peshteri, Hadrovici nga Bihori dhe Dupljaka nga Korita, të cilët mbetën besnikë ndaj Sulltanit.
Veziri i Madh, i kërkoi komandës perandorake që në pranverën e 1828, duhet të mblidheshin 25.000 trupa në territorin e Pashallëkut Boshnjak, dhe të dërgoheshin në fushën e betejës osmano-ruse në lumin Danub. Pas kthimit të tij në Pazar të Ri, Osman Pasha, i thirri princat serbë dhe i urdhëroi ata të mbledhin ushqim për ushtrinë perandorake, e cila sasi e ushqimit duhej të blihej pjesërisht në zonën e tij, në mënyrë që të shkonte në fushën e betejës kundër ushtrisë ruse.
Popullata myslimane dhe shqiptare ishte gjithashtu në gatishmëri, pasi ishte nën presion nga angazhimet e mëdha dhe të shumta. Popullata shqiptare ishte në një pozitë shumë të vështirë, sepse nuk ishte e bashkuar, por u nda në dy grupe të mëdha, për dhe kundër sulltanit.
Kështu që në fillim të vitit 1828, Pasha i Shkodrës i dërgoi 8,000 ushtarë në Rozajë, të udhëhequr nga Hasan Hoti.
Mustafa Pasha i Shkodrës e dërgoi Hasan Hotin në Peshter, për të lidhur Peshterin me veten e tij, dhe për të mbledhur trupat atje. Hasan Hoti e ndërtoi një kullë në Prroin e Thatë- sot Suvo Dol. Ndërtimin e kësaj kulle, nuk e pritën mirë në Peshtër dhe Bihor, të cilën edhe e kundërshtuan. Ai pati konflikte të hapura me Ganiçët nga RoÃ
¾aja, dhe HadroviÃâ¡ët nga Bihori. Hasan Hoti i shpërnguli HadroviÃâ¡ët nga fshati Vrbicë. Varrezat në Prroin e Thatë-Suvo Dol janë formuar nga viktimat e shumta që i vrau Hasan Hotit.
Kur Aslan Pasha i Pejës, i cili u emërua Vezir i Shkodrës, në vend se të shkonte në Shkodër ai hyri në Pejë, sipas një raporti të datës 5 Prill 1829, Abdul Rezak Pasha iku nga Peja me 300-400 përkrahës. Aslan Pasha më pas ia vuri zjarrin disa furrave, që i mbanin mbështetësit e sulltanit dhe Abdyl Rezak Pashës.
Nga të gjithë këto trazira dhe kryengritje në trevat shqiptare, përpjekjet e Sulltanit për të mbledhur një ushtri të madhe nga trojet shqiptare, për fushën e betejës kundër Rusisë dështuan.
Në trojet shqiptare, Mustafa Pasha nga Shkodra ishte kundër reformave, i cili kërkonte të arrijë marrëveshje me feudalët e Bosnjës. Mustafa Pasha kërkonte që të lidhej, edhe me princin serbë Milosh Obrenoviqin, e përmes tij edhe me Rusinë. Miqësia në mes Mustafa Pashë Bushatliut, dhe princit serbë Millosh Obrenoviqit, ishte krijuar gjatë kohës së luftërave ruso-osmane 1828/29.
Mustafa Pasha te princ Milloshi, shpresonte në ndihma në para, në strehimin në rast të rrezikimit të jetës së tij, dhe përmes tij shpresonte në përkrahjen e Rusisë. Në bisedimet që i zhvillonin princ Milloshi llogariste se me ndihmën e Mustafa Pashës ai do ti zgjeronte territoret e pashallëkut të tij. Mustafa Pasha ja kishte premtuar zgjerimin e territoreve të princit serbë, si dhe lidhjet e mira me boshnjakët. Kur filluan kryengritjet shqiptare, princ Milloshi e dërgojë në Shkodër një informatorë të vetin, për tu njoftuar rreth përgatitjeve të kryengritjeve.
Më 18 janar 1831, Mustafa Pasha e dërgojë në Kragujevc Atanas Ikonomoviqin, që njihej me emrin kapiten Armashi, i cili e njoftojë princin Millosh për arsyet që Mustafa Pasha kishte vendosur, që të ngritët kundër Vezirit të Madh, andaj edhe kërkonte ndihmën e tij. Në këtë kohë në Krushec, dhe në qytetin e Nishit qeverisnin spahinjtë shqiptar, e të cilët e përkrahnin Mushtafa Pashë Bushatliun.
Mustafa Pasha përveç këtyre feudalëve fqinj, ai shpresonte shumë edhe në ndihmën, që do ta merrte nga Rusia. Ndihmat te rusët, Mustafa Pasha i kërkonte përmes Milosh Obrenoviqit. Rusët përmes Milloshit, i premtonin ndihma Mustafa Pashës, por kërkonin prej tij që mos ti përgjigjej ftesës së sulltanit, për të hyrë në luftë kundër Rusisë. Kur sulltani i kërkonte Mustafa Pashës, që me ushtrinë e tij të merre pjesë në front kundër ushtrisë ruse, Mustafa Pasha i përgjigjej sulltanit, se ushtria e tij është e pa përgatitur, i mungojnë armë dhe veshmbathje.
Kryengritja shqiptare, dhe lufta për çlirimin e trojeve shqiptare, në udhëheqjen e Mustafa Pashës, i mobilizoi edhe feudalët shqiptarë në Kosovë. Për të arritur marrëveshjen për kryengritje kundër reformave në P. Osmane, në Prishtinë është mbajtur tubimi i pashallarëve shqiptar. Në këtë takim morën pjesë përfaqësuesit e pashallëqeve të Bosnjës dhe Shqipërisë. Feudalët e Kosovës nuk dëshironin ti flisnin Abdyl Rezak Pashës nga Peja, i cili në atë kohë i kishte pranuar reformat e sulltan Mahmudit të II.
Princi serbë Milosh Obrenoviç, i ndoqi këto zhvillime nga afër, dhe me shumë kujdes nga informuesit e tij, por nuk ndërhyri drejtpërdrejt me to. Ai herë pas here u siguronte ndihmë boshnjakëve me ushqime dhe këshilla, e herë i siguronte ushqime ushtrisë së sulltanit, gjë që varej nga situata.
Mustafa Pasha i kërkojë ndihma princ Milloshit, por ai nuk dëshironte ta zbulonte princ Milloshin para sulltanit, i cili kishte autoritet te sulltani, për likuidimin e grupit të Karagjorgje Petroviqit, andaj Mustafa Pasha ndihmat i kërkonte fshehtas.
Princ Milloshi, Mustafa Pashën e mbante në premtime, por për çdo ngjarje dhe marrëveshje me Mustafa Pashën ai konsultohej me mbretin e Rusisë.
Qeveria ruse e këshillonte princ Milloshin, që të mbajë raporte miqësore me P. Osmane, në mënyrë që të fillojnë për tu zbatuar reformat e Hatisherifit, të cilat i shkonin për shtati politikës ruse në Gadishullin Ballkanik. Rusët e këshillonin dhe e shtynin, që princ Milloshi të mbaj këto qëndrime:
Përulje e princ Milloshit ndaj P. Osmane.
Mbajtjen e miqësisë me Mustafa Pashën nga Shkodra.
Duke e zhvilluar këtë politikë, rusët e kuptonin në tërësi zhvillimin, e ngjarjeve në trojet shqiptare.
Knjaz Milloshi sipas këshillave ruse, ia ofronte një pjesë të vogël të ndihmave që i kishte kërkuar Mustafa Pasha, por gjithnjë e premtonte dhe e mbante të varur ndaj tij, me premtimin se më vonë do ti jap edhe pjesën tjetër të ndihmave.
Mustafa Pasha, përmes knjaz Milloshit, kërkonte që gjatë bisedimeve ruso-osmane, rusët të kërkojnë autonomi të plotë edhe për popullin shqiptar.
Kur fillojë lufta Ruso-osmane, Reshid Mehmed Pasha, i bëri thirrje Mustafa Pashës së Shkodrës që të shkojë në front. Mustafa Pasha në këtë betejë ishte emëruar si komandant i Vidinit. Mustafa Pasha ishte vonuar dhe kur ai arriti në front lufta veç kishte marrë fund.
Sulltani, Reshid Mehmed Pashës i kishte dhënë kompetenca të plota për ta qeverisur Rumelinë.
Pas përfundimit të luftës ruso-osmane në vitin 1829, në takimin e paqes ruso-osman të mbajtur, rusët fare nuk i përmenden të drejtat e shqiptarëve, dhe autonominë për popullin shqiptar, që Mustafa Pasha më parë e kishte parashtruar si kërkesë te rusët përmes princ Milloshit.
Nga politikat që i zhvillonte princ Milloshi ndaj Mustafa Pashës, ky me vonesë e kuptoj dhe mbeti shumë i zhgënjyer.
Mustafa Pasha i zemëruar me 20.000 ushtarët e tij u nis drejtë Nishit, për ta marrë në kontroll Sofjen, dhe synonte të marshoj drejt qytetit të mbretit.
Kur Mushtafa Pasha me ushtrinë e tij hyri në qytetin e Nishit, ai u prit mirë nga popullata e qytetit. Ai mbajti një fjalim para popullatës dhe ushtrisë së tij, dhe mori disa vendime:
Ai siguroi që rajën në qytet askush nuk do ta prekë.
Ai ftojë të gjithë qytetarët të mbledhin para për ta përkrahur kryengritjen.
Ju premtojë qytetarëve se do ta konfiskoj vetëm pasurinë e pushtetarëve osman.
Ai i këshillojë qytetarët që të mos preken zyrat dhe postat evropiane.
Ai kërkojë që të mos preken të huajt që udhëtojnë nëpër rrugën e vjetër drejt qytetit të mbretit.
Gjenerali Dimic e njoftojë Mustafa Pashën, se do të jetë i sulmuar nëse me ushtrinë e tij marshon drejtë qytetit të mbretit. Gjenerali rusë Gezman mori urdhër nga Perandoria Ruse që ta ndaloje marshimin e ushtrisë së Mustafa Pashës, në drejtim të qytetit të mbretit.
Me 04 tetor ushtria ruse e sulmojë ushtrinë shqiptare në rrethinën e Arnaut Kaleshit, dhe e shpartalloi duke i shkaktuar humbje të mëdha në njerëz.
Në këto rrethana Mustafa Pasha u kthye në qytetin e Shkodrës. Pas kthimit në Shkodër Mustafa Pasha filloi të mobilizojë radhët e veta pas humbjes që e pësoi kundër ushtrisë ruse.
Pas mbarimit të luftës ruso-osmane,e cila përfundojë në vitin 1829 me paqen e arritur në Edrene, ku sipas marrëveshjes së arritur, në këtë takim Greqia e fitojë pavarësinë.
Porta e lartë e kishte dërguar Reshid Mehmed Pashën për ti shuar kryengritjet në trevat jugore shqiptare. Në vitin 1830, Veziri i Madh e fillojë ofensivën e tij në trojet shqiptare. Toskë e gegë që ishin në varësinë e Reshid Mehmed Pashës, e lajmëruan atë se do ti bashkohen porsa ai të vijë në Ohër. Reshid Mehmed Pasha, i bëri për vete pashallarët e Ohrit, Dibrës, Elbasanit, Kavajës dhe Tiranës. Pasi që i përvetësoj pashallarët e këtyre qyteteve, ai me ushtrinë e tij nuk marshoi në drejtim të veriu, por e lajmëroi Mustafa Pashën e Shkodrës, që ta lëshojë Dukagjinin, sepse sulltani ia kishte besuar pushtetin edhe mbi atë territor.
Rashid Mehmed Pasha, por sa kishte arritur në qytetin e Manastirit, kishte kërkuar që të gjithë ajanët, bejlerët dhe agallarët, e familjeve me të njohura të trevave jugore shqiptare, të paraqiten në takim para tij. Ai kishte planifikuar, që të gjithë të ftuarit ti vrasë, me qëllim që ti nënshtroi më lehtë shqiptarët e jugut.
Të ftuarit që erdhën në fillim i priti me sjellje të mira, duke ju premtuar se gjithçka do të shkojë mirë. Më 26 gusht të vitit 1830, Reshid Mehmed Pasha, e kishte përgatitur paradën e tij ushtarake, dhe për pak minuta në pabesi i vrau 500 ajanët e bejlerët e ftuar, që kishin ardhur në takim. Pas vrasjes së tyre, ai dha urdhër që të vriten dhe bejlerët e Janinës, që nuk kishin ardhur dhe të digjet një lagje e qytetit në Janinë. Pjesa tjetër e feudalëve shqiptar, që ju kishin shpëtuar këtyre masakrave, u detyruan që të braktisin vendlindjet e tyre.
Reshid Mehmed Pasha, pasi i nënshtroi shqiptarët e jugut, filloi të përgatitet për ti sulmuar kryengritësit shqiptar në veri, që ishin në udhëheqjen e Mustafa Pashës së Shkodrës.
Në takimin që e mbajti në Manastir Veziri i Madh Reshit Mehmed Pasha, për shuarjen e kryengritjeve dhe zbatimin e reformave, shkoi Abdul Rezak Pasha dhe Veli Beg Mahmudi. Në këtë takim u tha, se të gjithë ata që janë kundër reformave janë kundër P. Osmane. Në këtë takim u morë vendim, që të veprohet kundër Mustafa Pashës së Shkodrës, feudalëve të Kosovës, ajanëve dhe udhëheqësve tjerë shqiptar që nuk i përkrahin reformat.
Pasi Reshid Mehmed Pasha ja arriti qëllimit, për ta poshtëruar Mustafa Pashën e dërgojë në Dibër si mëkëmbës qeveritar, armikun e Mustafa Pashës.
Në këtë kohë Mustafa Pasha kishte bërë thirrje për kryengritje kundër reformave që kishin filluar në P. Osmane.
Komandant i ushtrisë së rregullt të sulltanit, ishte emëruar Ago Hysejn Pasha, me të cilin Mustafa Pasha kishte bërë letërkëmbim lidhur me pakënaqësitë e tij rreth reformave të shpallura. Ago Hysejn Pasha bënte përpjekje ta qetësonte Mustafa Pashën dhe ta bindë atë që ti pranojë reformat.
Mustafa Pasha e kishte njoftuar Ago Hysejn Pashën për sulmet dhe poshtërimet që i kishte bërë ndaj tij Reshid Mehmed Pasha.
Për kundërshtimin e reformave nga sulltani, Mustafa Pasha me një ferman u deklarua i dënuar me vdekje, ndërsa sanxhakun e Shkodrës. sulltani ja dha kryeministrit Reshid Mehmed Pashës. Këto veprime të sulltanit i shtyjnë pashallarët dhe bejlerët e Bosnjës dhe përgjithësi të veriut që të bashkëpunojnë me Mustafa Pashën e Shkodrës.
Mustafa Pasha me 15000 ushtarët e tij, ishte nisur në drejtim të Ohrit, Elbasanit dhe e largojë Abdyl Rezak Pashën, që Reshit Pasha e kishte emëruar në sanxhakun e Dukagjinit.
Në këto rrethana përkrahësit e Mustafa Pashës, ishin tubuar në Prishtinë dhe u shpërndanë, para se të mbërrinin forcat e rregullta të ushtrisë osmane.
Më vonë kur Mustafa Pasha me 10.000 ushtarë, shkoi në drejtim të Prilepit, por pashallarët nga veriu që ishin bashkuar në Prishtinë, nuk i shkuan pas edhe pse e kishin premtuar. Për mos shkuarjen e pashallarëve tjerë nga veriu, Mustafa Pasha u dëshpërua shumë.
Mustafa Pasha me ushtrinë e tij e kishin planifikuar, se para se të fillonte lufta mes forcave të tij, dhe të Reshid Mehmet Pashës, së pari të vritej Reshid Pasha. Për këtë qëllim në qytetin e Manastirit ishte dërguar një vrasës. Vrasësi duke e kërkuar Reshid Pashën, në një çadër të zbukuruar e kishte parë një njeri duke shkruar, dhe duke menduar se ishte Reshid Pasha e vranë atë.
Të nesërmen Reshid Mehmed Pasha, e mobilizojë ushtrinë e tij për të luftuar kundër ushtrisë së Mustafa Pashës. Pas pesë orë luftime afër Prilepit, forcat e Mustafa Pashës u mundën, duke i lënë 2000 ushtarë të vrarë. Mustafa Pasha me vështirësi përmes Kaçanikut arriti të kthehet në Shkodër.
Shqiptarët e veriut që u mobilizuan nën udhëheqjen e Mustafa Pashës, i hodhën fesat dhe në vend të tyre e bartnin Plisin dhe shalën si simbol kombëtar të shqiptarëve për veshjen e kokës. Siç shihet P. Osmane shqiptarëve përveç që ju mohonte gjuhën, shqiptarët i pengonte edhe në bartjen e veshjes kombëtare. Feudalët dhe disa nga ajanët e Kosovës, nuk ishin në anën e Mustafa Pashës. Feudalët e Prizrenit e përkrahnin Mustafa Pashën, ndërsa ai i Pejës ishte kundër tij.
Më 19 mars të vitit 1831, Mustafa Pashë Bushatliu erdhi në Prizren, dhe po përgatitej për një betejë të madhe kundër ushtrisë së Sulltanit. Nga humbjet që i kishin pasur kundër ushtrisë ruse, dhe përvoja e hidhur gjatë betejave në Peshter të Tregut të Ri nën udhëheqjen e Hasan Hotit, shqiptarët i thanë vezirit shkodran Mustafa Pashë Bushatliut: “Ne nuk do të jemi diku pa ty, dhe nuk mund të shkojmë larg me ju.” Shqiptarët në zonën e Gjakovës dhe Pejës, të gjithë refuzuan të bashkohen me ushtrinë e tij, përveç Sefedin Pashës nga Gjakova.
Më 27 mars 1831 Pashallarët shqiptar hynë në Shkup, atje u hartua edhe plani i veprimeve ushtarake. Me Mustafa Pashën ishin: Pasha i Prizrenit, Shkupit, Vranjës, Leskocit, Prishtinës, Elbasanit, anani i Tetovës, dhe shumë krerë tjerë shqiptar. Sefedin Pasha i Gjakovës me disa mijëra ushtarë, u dërgua për ta ndihmuar Ali beun, i cili e kishte rrethuar Sofjen, ku ndodhej i mbyllur Qor Mustafa Pasha. Rrethimi i Sofjes zgjati 40 ditë dhe më në fund u pushtua.
Hysen Hoti me ushtarët e tij, me 04 prill 1831 u dërgua në Veles, ndërsa vet Mustafa Pasha me 3500 ushtarët e tij shkoi Prilepit, dhe me 09 prill u gjend në Babun Han. Ushtria shqiptare e Mustafa Pashës, ishte dobët e armatosur në krahasim me ushtrinë e sulltanit.
Në këtë betejë, sulltani i kishte dërguar nga ushtria e rregullt 1500 shqiptar ortodoks, që i kishte mbledhur nga shqiptarët e jugut.
Në Manastir në atë kohë kishte arritur Reshid Mehmed Pasha. Te Hani i Babunit Reshid Mehmed Pasha i fillojë sulmet, ai së pari e sulmojë njësitin e Hivzi Pashës së Shkupit. Hivzi Pasha në vend që të mbronte pozicionet e tij, që ishin shumë të rëndësishme, ai filloj të ik dhe e braktisi betejën. Me veprimin e tij Hivzi Pasha i demoralizojë njësitet tjera të ushtrisë shqiptare.
Më 21 prill 1831, kur Mustafa Pasha ishte në Prilep, dhe në një konflikt të ashpër kundër vezirit të madh Reshid Mehmed Pasha, ai pësojë humbje të thellë në betejën që u zhvillua midis Prilepit dhe Velesit. Në këtë betejë Mustafa Pasha nuk kishte ndonjë ndihmë nga aleatët e tij të Bosnës.
Millosh Obrenoviqi, për ta mbajtur sekret bashkëpunimin me Mustafa Bushatliun e Shkodrës, në të njejtën kohë e kishte dërguar një informatorë të tij të besueshëm te Reshid Mehmed Pasha (Veziri i Madh). Mahmud Pasha i Nishit në shkurt të vitit 1831 kishte kërkuar para te Princ Milloshi. Princi Millosh i kishte dhënë ndihma edhe Mahmud Pashës së Nishit, dhe atje e kishte dërguar si informator të tij Dimitrije Tiriqin. Kjo i shkonte për shtati princit Millosh, pasi që ai ishte shumë i interesuar që në Nish të këtë njeriun e vet. Princ Milloshi e zgjodhi që ta dërgoj në Nish Dimitrije Tiriqin, pasi që ai kishte lindur në Nish, ishte i arsimuar në përendim dhe e njihte mirë edhe gjuhën osmane. Tiriqi u dërgua në Nish përmes konsullit të Beogradit me arsyetimin kinse dëshiron që të kthehet e të jetojë në familjen e vet. Në fakt Tiriqi i kishte dërguar para Mahmud Pashës që ja kishte dhënë princi Millosh, me kusht që ai ta pranojë si agjent të tij. Tiriqi në Nish ishte pritur shumë mirë prej Mahmud Pashës.
Për të marrë ndihmat në para në Nish prej Tiriqit, të cilit ja kishte dërguar princi Millosh, Mustafa Pasha atje e dërgojë Anton Jubanin, por ai udhëtoi prej Nishi deri në Leskoc dhe nga pasiguria u kthye prapë në qytetin e Nishit. Flitej se ato para ranë në dorë të zyrtarëve osman në qytetin e Nishit.
VIJON …
______________
DR.QAZIM NAMANI: KRYENGRITJET SHQIPTARE 1826-1832 NËN UDHËHEQJEN E MUSTAFA PASHË BUSHATLIUT (1)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9871
***
DR.QAZIM NAMANI: KRYENGRITJET SHQIPTARE 1826-1832 NËN UDHËHEQJEN E MUSTAFA PASHË BUSHATLIUT (2)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=9872