Prishtinë, 15 Prill 2020: “Njerëzit e mirë nuk kanë nevojë për ligje për t,i treguar atyre se si duhet të veprojnë me përgjegjësi, ndërsa njerëzit e këqinjë do ta gjejnë një mënyrë për të thyer ligjin” – (Platoni)!
Rrini në shtëpi!
E kush nuk e ka dëgjuar këtyre ditëve këtë refren lutës e dashamirës për njerëzit ?
Nuk e kam të qartë a e kemi akceptuar këtë thirrje nga vetëdijësimi për situatën, nga frika, apo nga respekti për njëri – tjetrin!
Por nuk mund të them se ishte e lehtë, sidomos në ditët e para të mësoheshim me këtë shkencë të re që na u çfaq papritmas! Të rrinim brenda dhe të mirreshim vetëm me vetvehten!
Sepse, ne shqiptarët, qysh nga fëmijëria e kishim sikletin si ti njohim të tjerët! Si të respektonim fjalët e prindërve dhe të mirrnim frymë sipas mënyrës së tyre duke na e ndërtuar kështu dalngadal konceptin për jetën, për sjelljen tonë në familje, shoqëri, shkollë, punë… Dhe me shpejtësi maratonike duheshim të njihnim ata që ishin pjesë e përditshmërisë sonë …
Po ku jemi mësuar ne të ngratët të rrijmë dhe të njohim vetveten! Tërë fëmijërinë tonë kemi fjetur në një dhomë gjumi nga shtatë – tetë fëmijë, duke mos llogaritur këtu ardhjen e hallave dhe tezeve me nga një togë çamarrokësh të tyre që nuk lënin dy gur bashkë askund, se lëre më rehatinë që secili ka dëshirë ta ketë në shtëpinë e vet! Nuk e kemi rastisur kurrë këtë fenomen komoditeti…
Në shkollë na zihej fryma në klasë nga numri i madhë i nxënësve që mezi siguronim bangat dhe karrigen për të zën vend në një qoshe të klasës! Në fakultet gjithashtu!
Për popujt tjerë s’di çfarë të them, por për ne shqiptarët viteve të fundit, vinte vera e mbushur përplotë mërgimtar dhe bashkë me ta edhe shumë e shumë evente si dasmat për shembull! Po kush e kishte atë lux të ndalej e të rrinte me vetveten, pos me një mori akraballëku që duhej të pritnim e përcillnim! Sidomos për gyrbetqarët të cilët mundoheshim t’u krijojmë kushte sa më komode që ata kur të kthehen nga vendlindja, të kenë një bagazh të pasur kujtimesh të bukura për tërë vitin… Pastaj fillon shtatori dhe vlon nga begatitë e stinës së vjeshtës e bashkë me te edhe telefonatat pa mbarim e interneti duke përfituar receta sa më të begatshme për turshitë dimërore!
Fillon puna dhe projektet e përbashkëta që kërkojnë punë dhe përkushtim deri në realizimin e tyre! Pasojnë kafet nëpër restoranet e stërnbushura! Rutinën e përditshmërisë e thejnë ditëlindjet e më të dashurve tanë dhe organizimi që atyre tu bëhet befasi sa më e këndshme që të ndjehen sa më të përkdhelur … Ftesat e ndryshme familjare, festat e shumta vjetore, etj,etj. Dhe kështu rrokullisen ditët e javët pa pasur kohë të mirresh me veten tënde! Gjithë ato mendime që ziejnë e shpërthejnë nëpër mendjen tonë, i merr menjëherë vrulli i një diçkaje tjetër …
Por, këtyre javëve, u përballëm me një fenomen tjetër! Të rrish me vetvehten! Vërtetë shkencë më vete kjo!
Dhe bash tash, kur mezi i ndërtuam shtëpitë me dhoma bollëk, e vend sa të duash për mysafirë, mezi arritëm një standard që bile kafen ta pijmë rehat nëpër restoranet luksoze në të cilat të qerasin studentët me Master të kryer! Mu tani erdhi dita dhe që nga mëngjesi e deri në mbrëmje do të dëgjosh trumbetimin e mediave “Rrini në shtëpi-mos dilni, mos kontaktoni, rrini në distancë”!
Jam shumë skeptike si do ta përballojmë shqiptarët pa vajtje-ardhjet tek njëri tjetri, pa ditëlindje e dasma…
Krejt kjo situatë e ndejës brenda në shtëpi, po të guxoj të flas hapur, mua po më duket si një lloj arresti shtëpiak! Nuk ka dert… këtë gjë nuk e kemi ditur! Disa nga ne u ka rën hise kjo punë, le para luftës, por edhe pas luftës! Pa një, pa dy veç kur dëgjonim për arrestin shtëpiak të filanit. Na ka ra hise të ikim dhe ti lëshojmë shtëpitë befasisht, por jo të rrijmë në to deshtëm e s’deshtëm! Andaj, hiç nuk ua besonim kërkujt arrestin shtëpiak, sepse pa u hamendur asnjë çast pse filani po rri i mbyllur brënda mureve, ne të tjerëve s’na zinin parqet e kafiteritë duke kuvenduar e qeshur pa fije keqardhjeje!
Por, tani që e provuam, besoj që do të bëhemi më të ndjeshëm në këtë pikë…
Si do të pajtohemi me thëien e filozofëve të vjetër “Po deshe të ndryshosh botën-ndrysho veten tënde njëherë”, nuk e di…
Por, mbetet të shihet në ditët në vijim…
Krejtë shpresa ka mbetë tek interneti… që të kontaktojmë e të ndërrojmë llafe me të afërmit tanë! Uroj të mos u bie në mendje kjo gjë shkenctarëve e të na e ndërpresin, se na mori lumi…
“Pyetja e vërtetë nuk është nëse jeta ekziston pas vdekjes, por pyetja e vërtetë është , nëse jeni gjallë para vdekjes”! (Osho)!