Vlorë, 18 Prill 2020: Parlamenti grek, megjithëse hesapet e Luftës së Dytë Botërore janë mbyllur para 70 vjetësh, i kërkon “reston” Gjermanisë, dhe jo pak, por rreth 300 miliard Euro. Kuptohet, që ky oreks i Greqisë është shtuar pas ndonjë limonade që Tsipras ka pirë në Moskë. Gjermania, merret me mend, që nuk ka nevojë për avokat, dhe do t’ia japë përgjigjen Greqisë ashtu siç ajo e meriton.
Por shqetësimi im lidhet me të “mavrisurit” politikanë dhe deputetët tanë, që edhe një rezolutë për Çamërinë, mezi arritën ta bëjnë para disa vitesh, dhe jo më t’i kërkojnë llogari dhe hesap Greqisë për dëmet e shkaktuara nga veprimet pushtuese dhe genocidit ndaj trojeve shqiptare, më këtë anë dhe në atë anë të kufirit në shekullin e kaluar.
Këto fillojnë me barbaritë greke në Shqipërinë e Jugut në fillim të vitit 1914. Ja disa prej tyre të renditura nga Kosta Papa Leusa në librin e vet ““Barbaritë greke në Shqipëri”:
“…foshnjat e mjera po bridhnin rrugëve të fshatit Peshtan duke uluritur dhe kërkuar prindërit e tyre. Egërsirat i mblodhën foshnjat (femijët) dhe i shpunë në një shtëpi ku kishte pus. Atje i merrnin foshnjat një nga një, u prisnin kokat dhe i hidhnin në pus. 27 foshnja therri në këtë fshat Koçifaqi. Pasi therrën femijët Koçifaqi dogji shtëpitë e fshatit. Pastaj Koçifaqi mblodhi gratë dhe vajzat e fshatit, i shpunë në një shesh larg fshatit, atje u dha urdhër banditëve të vet qe t’i shnderonin. Pas këtij përdhunimi masiv të gjitha gratë dhe vajzat i therrën me bajoneta…”1
Më 20, 21 dhe 22 prill 1914 (plot 105 vjet më parë) bandat greke dogjën Luarasin, hynë ne Panarit dhe therrën 275 vetë. Në 23 prill dogjën Frashërin, Kreshovën, Miçanin, Backën, Pagrinë, Lipostivanin, Sevranin, Fratarin, Senicën. Në Mican therrën 13 gra. Ishte ditë e diel, data 23 prill. Ndoshta ishte edhe dita e pashkës. Ato gra u bënë kurban për pashkë nga kryqëtarët helenë.
Me 22 dhe 23 prill 1914 bandat greke dogjën fshatrat Luzat, Bënçë, Velqot, Turan, Dukaj, Memaliaj dhe Salari. Ne fshatin Hormovë, bash në kishën e fshatit, therrën me thika dhe bajoneta 160 burra të fshatit. Therrori u bë ne kishë nga kryqëtarët e helenizmit.2 Shkoni dhe ndizni nga një qiri në gërmadhat e kësaj kishe për shpirtin e burrave të këtij fshati që u shuajtën për një ditë. Në Hormovë, në kujtim të këtyre viktimave, ka mbetur një murranë qysh nga shekulli i kaluar. Por vetëm kaq.
Gazeta “Ndryshe” datë 31 janar 2009 tregon: “Në vitet 1913-1914 shovinistët grekë, pasi okupuan Shqipërinë e Jugut, rrafshuan 280 fshatra, duke lënë popullsinë gjysëmmilionëshe shqiptare pa mbrojtje dhe pa strehë. Dhuna e ushtruar për dy vite me rradhë detyruan shpërngulje masive duke krijuar një bilanc tepër tragjik, mbi 20 mijë të vrarë dhe 280 mijë të vdekur nga uria dhe masakrat e tjera…Nuk mund të harohen kaq lehtë këto çmenduri ballkanike dhe europiane në kufijtë e “Holokaustit shqiptar”…Më 27 tetor 1914 kryeministri grek Elefterios Venizellos shpalli nga Athina pushtimin e “Vorio-Epirit”.
Këtë vit, dhe këtë muaj afërsisht, mbushen plot 105 vjet nga këto masakra dhe barbari të grekëve ndaj shqiptarëve, të cilët për hir të së drejtës, të vërtetës historike dhe asaj të zotit, nuk ishin në luftë me grekët, nuk i kishin sulmuar ata, siç bënë gjermanët në Luftën e Dytë Botërore që pushtuan botën. Përse atëhere grekët bën këto masakra? Thjesht për të zhdukur nëpërmjet genocidit gjithë popullsinë myslymane në Shqipërinë e Jugut, që ata e pretendonin si Vorio-Epir, ashtu siç bënë në Çamëri, plot pas tridhjetë vjetësh. Por këtu ata nuk kursyen edhe një pjesë të popullsisë së fshatrave të krishtera që nuk pranonin Megal-Idhenë.
Tani mund të shtrohet një pyetje e thjeshtë: Në këto 105 vjet, cila qeveri shqiptare dhe cili parlament shqiptar ka kërkuar dëmshpërblimet e këtyre barbarive dhe shkatërrimeve pa qënë në luftë me Greqinë? Jua them unë. Asnjë për be. Vetëm një ambassador fuqiplotë në Greqi në vitet 1925-1926 e ka ngritur zërin. Por për këtë, ministri i jashtëm i asaj kohe dhe kryeministri Ahmet Zogolli, e shkarkuan menjëherë. Çfarë thotë ky ambasador:
“…Nuk e di, nga tjatër anë, a munt që edhe të bëhetë një hap nga ana e Shqipërisë në Konferenca të Ambasadorëvet në Shoqëri të Kombevet (Lidhja e Kombeve), a gjetkë, për të kërkuarë një pjesë në reparacionet për shkretimet e bëra prej grekëve…duhej bërë Memorandum në Konferencën e Ambasadorëve ose në Gjykatën e Hagës për të kërkuar zhdëmtim prej Greqisë për 300 katundet e shkretuara prej saj më 1914…Pasuria e tyre, ku vetëm ajo e Follorinës dhe Kosturit llogaritet në një milion napolon flori, u grabit dhe u rrëmbye prej Greqisë…”3
Ndërsa Miranda Vicker, megjithëse e huaj, britanike, i janë dhimbsur shqiptarët dhe e ka ngritur zërin. Ja se çfarë shkruan ajo për genocidin ndaj Çamërisë në vitin 1944:
“…Sipas statistikave të përpiluara nga shoqata Çamëria në Tiranë, gjatë sulmeve mbi fshatrat e tyre në vitet 1944-1945 u vranë 2771 shqiptarë. Nga këta 1276 ishin nga Filati dhe rrethinat e tij , 192 nga Igumenica, nga Paramithia 673 dhe Parga 620. U shkrumbuan dhe u grabitën 68 fshatra dhe 5800 shtëpi u plaçkitën dhe u dogjën. U grabitën 110.000 kokë dele dhe 2400 gjedhë, 21 mijë kv grurë, dhe 80 mijë kv vaj, më shumë se 11 milion kg drithra nga shtëpitë e tyre…gjithësejt 102 xhami u dogjën…”.4
Ky gjak i derdhur nga të pafajshëm, sidomos gra dhe femijë, sipas zakonit shqiptar na vë në gjak me grekët. Ky gjak e njollos të gjithë kombin grek. Ata duhet të shprehin pendesë si komb ndaj kombit tonë. Këtë pendesë, në rradhë të parë, duhet ta bejnë nëpërmjet pushtetarëve të tyre. Fati i keq u ra atyre që janë në pushtet në vitin 2019. Plot 105 dhe 75 vjet nga këto gjakderdhje. Ne jemi në pritje. Nëqoftëse nuk ka pendesë dhe kërkesë falje publike, atëhere nuk ka edhe miqësi.
Më datë 21 prill 2019 janë pashkët ortodokse, plot 105 vjet nga therrtorja greke në Jugun e Shqipërisë. Po të drejtohem ty Anastas Janullatos: Në meshën që do të bësh me rastin e këtyre pashkëve kushtoju një përshpirtje viktimave të shkaktuara nga bashkëatdhetarët e tu, sidomos ato të prillit 1914. Kujtoji 27 foshnjat që therri në fshatin Peshtan Koçifaqi yt. Ato foshnja janë si shelegët që kombi yt i therri për pashkë atë vit të zi 1914. Ndjen ndopak mëshirë ti o kryepeshkopi i Shqipërisë me gjak grek dhe me shtetësi shqiptare.
E kërkove nëpërmjet qeverisë greke me ngulm këtë shtetësi për t’u hequr si shqiptar, ti o antishqiptari më i madh. Të paktën formalisht; të paktën hiqu sikur të dhëmben ato foshnja; të paktën bëj lojën, sikundër e ke bërë këto 27 vjet. Kjo edhe për të justifikuar para nesh, shqiptarëve; ata që, me “dashuri” dhe “qetësi”, ta dhanë këtë shtetësi.
Gani Vila nga Miçigani na kujton masakrën e Panaritit (21 prill 1914-21 prill 2019) dhe haresën një shekullore të qeverive shqiptare. Ai na tregon se lidhur me këto masakra, Edit Durham shkruan :
“Grekët edhe sikur të bëjnë një shekull pendesë, s’kane si t’i lajnë krimet e urryera të atyre javëve…”.
Por kjo është ndërgjegja njerëzore. Ky është humanizmi europian zotërinj pushtetarë dhe deputetë të Greqisë dhe ju gjithë të tjerët, që u mbani ison. Pra, që të kërkosh falje edhe për atë që nuk e ke bërë vet, por që e ka bërë kombi yt. Ky është një katarthis për vetë kombin grek. Është një angazhim që veprime të tilla nuk do të përsëriten më.
Çfarë duhet t’i kërkohët Greqisë nëpërmjet një rezolute të Kuvendit të Shqipërisë?
-Në rradhë të pare, grekët të mbledhin parlamentin dhe ta abrogojnë Ligjin e Luftës me Shqipërinë.
-Në rradhë të dytë të kërkojnë falje dhe ndjesë për barbaritë e paraardhësve të tyre tek popullsia shqiptare e Konicës, Follorinës, Çamërisë dhe asaj të Jugut të Shqipërisë.
-Në rradhë të tretë të njohin genocidin e bandave andarte dhe ato zerviste kundrejt popullsisë së pafajshme shqiptare, si asaj në Jugun e Shqipërisë dhe asaj që ndodhej nën aneksimin grek, në vitet 1913-1914; 1924-1927, 1930-1934, 1944-1945, popullsi që nuk kanë qënë pjesëmarrëse në luftë kundër shtetit grek, madje një pjesë e madhe e tyre në kohë paqeje.
-Në rradhë të katërt, të rivendosin statukuonë ligjore, politike, pronësore, administrative, përfshirë edhe atë te religjionit dhe t’i kthejnë popullsisë çame dhe pasardhësve të tyre në Shqipëri statusin që kanë patur në Greqi para tetorit të vitit 1940.
-Në rradhë të pestë, përveç kthimit të pasurisë së tundëshme dhe të patundëshme, që i grabitën popullsisë shqiptare në Çamëri; duhet t’u kthejnë të gjitha përfitimet dhe interesat e rrjedhura dhe të përfituara nga kjo grabitje për 75 vjet shfrytëzim të saj.
A do të kenë kurajo dhe guxim qeveritarët dhe deputetët e Kuvëndit të Shqipërisë Trung ta bëjnë këtë gjë? Nuk besoj. Politikanët tanë, sidomos këto tridhjetë vjetët e fundit, dinë vetëm të zvariten. Ata asnjëherë nuk janë ngritur në këmbë, dhe në shumë raste të tjera kanë arritur vetëm deri në gjunjë. Madje të gjunjëzuar qëndrojnë shumicën e kohës. Ndërsa për të fluturuar si bijtë e shqipes, as që bëhet fjalë. Ua kanë prerë krahët, sërbët, grekët dhe gjithë armiqtë e Shqipërisë, kudo që janë. Nuk mund të presësh që ta dojë Shqipërinë dhe shqiptarët, ai politikan që në gjoks mban kryqin e kryedhespotit të Greqisë.
/Besnik Imeri 19 prill 2019
_____________
Fusnotat:
1 Kosta Papa Tomori (Leusa),“Barbaritë Greke në Shqipëri”, Bot.NAIMI-2012, f,69
2 Kosta Papa Tomori (Leusa),“Barbaritë Greke në Shqipëri”, Bot.NAIMI-2012,f,71,77,80,81
3 Luan Malltezi-Sherif Delvina, “Çështja Çame”, Bot.VIA EGNATIA-2013, f, 276-277
4 Miranda Vicker, Ç’po bëhet me Çështjen Çame?, Bot.shqip.BOTA SHQIPTARE-2008, Përkth.Xhevdet Shehu, f, 12-13
__________________
Edi Rama, Kalorës i Urdhërit të Orthodoksisë i Kishës Greke!
Më 13 Dhjetor 2015, kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga disa ministra bëri një vizitë në Jeruzalem, gjatë së cilës u ndal në Patriarkanën e Kishës Ortodokse Greke. Kryeministri Rama u betua si Kalorës i Kryqit të Madh të Urdhërit të Kalorësve të Varrit të Shenjtë. Ky titull u jepet personaliteteve të Greqisë me kombësi greke të besimit ortodoks. Në raste të veçanta u jepet edhe personaliteteve me kombësi jo greke, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar për ortodoksinë greke.