Vlorë, 20 Prill 2020: Han në veprën e vet “Studime Shqiptare” vëren: “… Ilirisht=Pellazgjisht në kuptimin më të gjërë…Shqiptarët meritojnë të quhen “Pellazgë të rinj”…Epirotët, Maqedonasit dhe Ilirët ishin farefis…”
Ja se si shprehet Sami Frashëri: “…Iliria është emri i një treve të vjetër në viset perëndimore të gadishullit Ballkanik…Vetëm pjesa jugore e Shqipërisë, domethëne Toskëria quhej me emrin e veçantë Epir, prandaj edhe shumica nuk e konsideronin Iliri. Kufiri jugor i Ilirisë konsiderohet lumi Vjosa…Misia e Dardania nuk përfshiheshin në Iliri, d.m.th. si kufiri lindor i Ilirisë ishte Mali i Sharrit…Popullsia e vjetër e Ilirisë i përkiste racës pellazge. Ajo është një racë dhe flet një gjuhë me popujt e Epirit dhe të Maqedonisë…”.13
Në vazhdim: “…Mbretëri e Ilyrisë ish veçan dhe Mbretëri e Epirë ish veçan…Ilyrianëtë, si dhe Epirotëtë, të cilëtë s’ndryshonin nga ata në nonjë farë mëndyre, roninë e ishinë si shqiptarët e sotëm pa ndonjë ndryshim, edhe flisninë gjuhënë që flasim na sot…”.14
Në një rast tjetër ai shprehet: “Shqipëria mbet një vent i vogëlë, që pushton gjysmën e jugës s’Ilyrisë, gjysmënë (anën e veriut e të perëndimit) të Maqedonisë edhe gjithë Epirë…”.15
Pra Sami Frashëri flet shumë qartë për kufij jugorë dhe lindorë të Ilirisë. Komentet janë të tepërta. Ai ndan katër popuj të lashtësisë në origjinë të shqiptarëve: Ilirët e Jugut, Epirotët, Dardanët dhe Misianët (Paionët e lashtë). Gjithë Epiri-thotë Ai. Për të cilët mjaft qartë nxjerr edhe origjinën pellazge.
Meqënëse mendimi i Mehdi Frashërit është interesant, po e paraqesim edhe atë: “…Në kohët e vjetra fjala Gegëri ose Toskëri nuk fytyron gjëkundi. Në vënd të këtyre përdorej fjala, për Gegëri-Iliri; dhe për Toskëri-Epirë…”.16
Spiro Konda, ky pellazgolog i shquar, edhe kur vjen fjala për origjinën e shqiptarëve, ai njeh për të tillë ilirët dhe epirotët, madje i përmend veç e veç, duke bërë edhe dallimin midis tyre. Ja çfarë thote ai:
“…nga shkrimtarët e vjetër grekë e pastaj edhe ata të Romës së vjetër, mësojmë se vendi ku banojnë shqiptarët quheshe atëhere Iliria dhe Epiri dhe banorët e tyre ilirë dhe epirotë…Këtu tani lind pyetja: A janë shqiptarët pasardhësit e Ilirëve dhe Epirotëve?…”17
Dhe ne vazhdim, pas një periudhe të gjatë argumentimi në librin e vet, duke cituar edhe shkrimtarët e vjetër grekë, ai thotë:
“…se fjala Epeiros s’është fjalë greke, por pellazgjike d.m.th. shqipe. Më në fund se Epiri dhe më tutje Iliria, që përbëjnë Shqipërinë, kishin burra të shquar në ato kohë, siç e vërteton edhe Straboni (kap.323), i cili thotë: “Epiri i gjithë dhe Ilirija kanë pasur burra të mirë”…”18
Përfundimi është i qartë. Spiro Konda e shikon qartazi dhe prerë origjinën e shqiptarëve nga epirotët dhe ilirët veç e veç.
Por “antipellazgjistët” pretendojnë se të gjithë shqiptarët rrjedhin vetëm prej ilirëve duke futur këtu edhe epirotët. Megjithëse janë njerëz të fushës ata harojnë se në lashtësi (por edhe sot) si kufi midis krahinave dhe shteteve shërbenin kufijtë natyrorë: Maja, kreshta malesh dhe vargmalesh, përrenj ose lumenj, lugina, liqene dhe dete. Është një fakt historik se ilirët ballkanikë dhe ata apeninë kanë luzmuar në brigjet e detit Adriatik. Me fillimin e detit Jon, në brigjet e tij nuk banojnë më ilirë, por kaonët epirotë. Aq e vërtetë është kjo, sa që edhe në brigjet përballë, në Pulia, ilirët apeninë ndodhen deri aty ku mbaron kufiri i detit Adriatik; pasi me të filluar bregdeti Jonian, na dalin kaonët e Italisë, të cilët banonin aty prej shekujsh. Këtyre kaonëve u vajti në ndihmë Aleksandër Mollosi dhe Pirrua i Epirit, pasi i quanin vëllezër të tyre.
Por çfarë na thonë autorët antikë për këtë mendim? Mbesa e Ismail Qemalit, studiusja serioze Nermin Vlora Falaski, e cila duke ju referuar Teopompo Di Chio na thotë:
“…Ilirët banonin që nga Alpet Lindore deri tek malet Akrokeraune, në jug të Vlorës dhe nga Adriatiku deri në Danub…”.19
I të njëjtit mendim është edhe Plini, i cili thotë se: “…Epiri, i marrë në përgjithësi, fillon tek malet Akrokeraune…”.20
Ptolemeu (Geographia,III,13,2) thotë: “…Pjesa perëndimore e Epirit mbaron me malet Akrokeraune të bregdetit Jon, të Kaonisë…”.
Më qartë dhe më saktë nuk ka. Besoj se shkencëtarët tanë e dinë se, nëqoftëse Herodoti është babai i historisë, Ptolemeu është babai i Gjeografisë.
Por edhe Aleksandër Stipçeviq, i cili është marrë gjërësisht me ilirët, tek vepra e tij “Ilirët” na thotë: “…sipas Pseudo-Skilaksit (Scylacis Caryandensis Periplus), Ilirët në veri kufizohen me Liburnët, të cilët ai nuk i numëron si fise ilire, ndërsa nga jugu, Ilirët shtrihen deri tek Kaonët në Shqipërinë e sotme të jugut…sipas Skymnit nga Hios ilirët zënë pjesën e vogël të bregdetit, prej bylinëve dhe hilejve (në lartësitë e ujdhesës Vis) e deri tek Kaonia…Me këtë ngushtim ky autor i është afruar pikëpamjes së shprehur më vonë te Plini (C.Plinii Secundi) dhe P.Mella (Pomponi Melae), sipas të cilëve “Illyrii proprie dicti” (Ilirë të vërtetë) janë një fis i veçantë që zë një pjesë të vogël të bregdetit (Adriatik)…Të gjitha këto fise, sëbashku më ato fise që shkrimtarët e përmendur i quajtën “Illyrii propio dicti”, i takojnë të njëjtit grup etnik tregon edhe fakti se shumë autorë grekë përdorin edhe më parë se Plini dhe P.Mella emrin e përbashkët Ilir për të shënuar më shumë fise në bregun lindor të Adriatikut…Për ne autori mëi rëndësishëm antik që flet për kufijtë e Ilirëve është Apiani (Appiani Alexandrini), i cili Ilirët i vendos në rajonin që edhe sot, marë në përgjithësi, konsiderohet si ilir. Simbas tij “Grekët i quajnë ilirë ata popuj, të cilët jetojnë mbi Maqedoninë dhe Trakinë prej kufirit të Kaonëve dhe Tesprotëve deri tek lumi Istros (Danubi). Kjo është gjatësia e Ilirisë, ndërsa gjërësia nga kodrat maqedone, thrakase dhe peone dhe deri tek deti Adriatik e (lart) deri në fillim të Alpeve…i gjatë gjashtëmijë stade dhe i gjërë një mijë e dyqind stade”…Eksperti i madh i gjuhës ilire, gjermani Hans Krahe, i cili një kohë të gjatë përfaqësonte idetë paniliriste, pohoi se me emrin Ilir duhet të kuptohen ato fise që jetonin në viset veriperëndimore të Ballkanit…Si përfundim lidhur me kufijtë etnikë të ilirëve, mund të themi se në epokën parahistorike (pellazgjike do të thoshja unë) dhe atë historike kanë banuar në një rajon të gjërë që nga perëndimi mbyllet nga deti Adriatik dhe Jon, në veri nga Alpet Lindore dhe Drava, në lindje Danubi-Morava-Vardari, ndërsa në jug Epiri dhe vise të tjera helene. Përveç kësaj mund të flitet me mjaft siguri për praninë e elementëve ilirë në Azinë e Vogël, në Greqi dhe në Itali…”21
Pra të gjithë këta autorë; Pseudo Skilaksi, Skymni i Hios, Plini, Pomponi, Apiani, Hans Krahe, por edhe vetë Stipçeviq, si kufi jugor të Ilirisë vendosin Kaonët dhe Epirin. Çfarë kërkojnë më akademikët tanë që Epirotët; Kaonët, Mollosët dhe Thesprotët i quajnë Ilirë!!!
Nuk mund të lemë pa përmendur këtu edhe Zaharia Majanin, pasi përbën një rast unikal (ashtu si edhe Aleksandër Stipçeviq), megjithëse është një iliroman, i bindur dhe kategorik që origjina e shqiptarëve vjen prej ilirëve; me siguri, edhe si rrjedhojë e presionit të së vërtetës historike, me gojën e vet na bën një deklaratë të rrallë. Është pak e gjatë. Lexojeni dhe gjykojeni vet.
“…Etruskët janë pjesërisht, trashëgimtarët e Tursha-ve. Por Tursha-t nuk janë një popull me origjinë orientale. Ata janë Ilirë të lashtë të vendosur në Azinë e Vogël…Duket e vështirë që kontigjentet e Turshave, të ardhura nga rajoni egjo-anadollian, të kenë mundur krejt të vetme të përbënin një bazë etnike mjaftueshëm të madhe, për të vendosur aty konfederatën e ardhshme të “dymbëdhjetë popujve të Etrurisë”. Shumica e popullsive ilire vendase ishte tashmë aty, përpara shfaqjes së Turshave, të cilët (andej nga erdhën) ndodheshin nën sundimin e qytetërimit lido-hitit.
Duke folur për popullsinë e mësipërme, ne kemi parasysh një embrion të kombit ilir. Ai ishte pjesë e një familje të madhe popujsh, të lidhur më tepër me njeri tjetrin më tepër nga një gjuhë me bazë të përbashkët, se sa prej ndonjë gjëje tjetër. Kësaj familje i bashkangjiteshin veç ilirëve të vërtetë, edhe epirotët, maqedonasit, thrakët, frigjët, etruskët…dardanët, lidianët, ndoshta edhe një pjesë e kretasve, teukrëve, filistinëve, jebusianëve dhe shumë të tjerë.
Kjo është arësyeja se përse do të ishte e parapëlqyeshme që kjo familje popujsh, historikisht aq e përzier, të emërtohej përmes një termi të përgjithshëm: Proto-Danubiane…”.22
E jashtëzakonshme, ky autor që në të gjithë veprën e vet prej rreth 550 faqesh flet vetëm për ilirët, duke i shtrirë ata në gadishullin Apenin, në Egje, në gadishullin e Azisë së Vogël, në bregdetin lindor të Mesdheut etj; këtu detyrohet të pohojë se përveç ilirëve të tij të dashur, paska edhe shumë popuj të tjerë me një gjuhë të përbashkët me ta, duke përmendur edhe Epirotët dhe Dardanët, veç Ilirëve. Pra është futur padashje brenda gardhit të temës tonë. Por ne nuk e lëshojmë më. Ai propozon edhe një emërtim të përgjithshëm për këtë familje të madhe popujsh, të cilët të quhen Proto-Danubianë. Por që të quhen pellazgë, nuk ja “nxe goja”. Në të vërtetë kjo familje e madhe popujsh, nuk është gjë tjetër veçse një familje pellazgjike, ose siç e quan Spiro Konda – Perandori Pellazgjike.
Në kontekstin e këtyre që u përmëndën më lart është e nevojshme të bëjmë një sqarim, i cili është shumë i rëndësishëm për çështjen në fjalë. Këtu nuk duhet të ngatërojmë faktin që shkenca jonë zyrtare njeh në mënyrë të prerë dhe kategorike origjinën e shqiptarëve dhe gjuhës shqipe vetëm nga ilirët dhe ilirishtja; me faktin, që mjaft autorë, kur i trajtojnë ilirët, i shikojnë si një popull me një shpërndarje të madhe në Azi dhe Europë, si një popull parahistorik që ka luzmuar në territore të gjëra, të cilët kanë një emër të përgjithshëm: Ilirë. Këtu emri është formal, pasi ata mund t’i quash ilirë, po aq sa mund t’i quash edhe pellazg.
Në këtë “kurth” ka rënë Zaharia Majani, për të cilin folëm më lart. Por edhe autorë të tjerë, të cilët, dashje pa dashje, ilirët i njëjtësojnë me pellazgët. Të tillë janë edhe Fon Hahni, Xhuzepe Katapano, Aleksandër Stipçeviq etj.
Të shikojmë nja dy raste tek Stipçeviqi:
“…Dodekapolitia (dymbëdhjetë vëllazëritë) te liburnët është mbeturinë e organizimit të vjetër shoqëror që u ruajt si një relikt mediterane së bashku me një varg elementësh të tjerë nga kohë të stërlashta…Përputhshmëria e dokeve të shumta të varrimit të të vdekurve te ilirët dhe te grekët e hershëm (pellazgët),përputhshmëria e simboliksës funerale…flet për bazën shpirtërore që ka qënë e përbashkët për të dy grupet etnike…”23
Nga ky paragraf përmbledhës, ndonëse Stipçeviq flet për ilirët, por ne na dalin pa dashur para syve pellazgët, pasi dihet që përdorimi i numrit dymbëdhjetë në organizimin shoqëror ka qënë një fenomen pellazgjik. Kujtojmë dymbëdhjetë perënditë e Olimpit, dymbëdhjetë qytetet Joniane në Azi të Vogël, dymbëdhjetë trimëritë e Irakliut, dymbëdhjetë qytetet etruske në gadishullin Apenin etj etj. Pra Liburnët me Dodekapoliti-në (dymbëdhjetë vëllazëritë) trashëgojnë një organizim shoqëror pellazg. Prandaj edhe shumë autor Liburnët nuk i fusin tek Ilirët.
Gjithashtu, fakti që autori i mësipërm i quan këto relike mesdhetare…të kohëve të stërlashta…që i kishin edhe grekët e hershëm, në të tria këto përcaktime, duam apo nuk duam përplasemi me pellazgët mesdhetarë, pasi nuk ka të tjerë. Parahelenët, parailirët ose protoilirët, nuk janë gjë tjetër veçse pellazgët.
Më tej Stipçeviq na flet për simbolikën htonike dhe posaçërisht për kultin e gjarpërit, i cili paraqitet, aq sa një simbol Ilir, po aq edhe Helen, më tej Epirot, akoma më tej Dardan, dhe akoma më shumë Fenikas (Kananit), së fundmi edhe Hitit. Pra kulti i gjarpërit është një kult pellazgjik.
Citojmë Stipçeviqin “…Paraqitja e gjarpërit, si material dëshmues e domethënës i kultit dhe i simbolikës së tij, në këtë pjesë të Europës, paraqitet shumë më herët se koha e formimit të fiseve ilire në këtë trevë (doni më për Behlulin zotërinj akademikë)…Ato janë të fazës më të lashtë të kohës së neolitit, e cila është dëshmuar më së miri në lokalitetin e njohur të Lepenski Vir në Gjerdap…ku objekti i gjetur në këtë lokalitet mund të datohet në mbarim të mijëvjeçarit të VI p.e.r (pra, duam apo nuk duam ne, bashkë edhe me akademikët, kjo periudhë, nuk mund të jetë tjetë, veç periudhë pellazgjike)…
…Apollodori thotë se Kadmi, i biri mbretit fenikas Agenor, duke kërkuar motrën e vet, Evropën (këtë motër që kërkojmë sot me ngulm edhe ne shqiptarët, por ajo nuk na do), arriti së pari në Beoti dhe atje themeloi qytetin e Tebës, dhe pastaj, sipas dëshirës së orakullit, u nis tek ilirët. Pasi erdhi te ata bashkë me të shoqen e vet Harmoninë u lindi i biri Illyrios-i, të cilin menjëherë pas lindjes e mbështolli gjarpëri, duke i trasmetuar kështu fuqinë e tij magjike. Kadmi dhe Harmonia në pleqëri u shndëruan në gjarpër…
…Tregimi Hitit mbi luftën e gjarpërit Illujankash…hyn tek mitet më të lashta…por ai ilexuar në pllakat e argjilit të gjetura në Bogkhzkoy (Hatusha e lashtë Hitite) është krijuar në Azinë e Vogël…
…objekti prej argjili të pjekur ku paraqitet gjarpëri i mështjellë kutullaç i gjetur në Tjerrtoren e Prishtinës që i përket neolitit të vonë…Një figurinë shumë të rëndësishme analoge me këtë (të Prishtinës) e gjejmë në Mikenë…figura gjarpërinjsh prej dheu të pjekur të mbështjellë lëmsh…që i takojnë mbarimit të shekullit të XIII p.e.s, shumë më i vonshëm se ai i gjetur në Tjerrtoren e Prishtinës. Nuk mund të ketë kurrfarë dyshimi që domethënia e kultit është identike, d.m.th, se paraqet mbrojtësin e vatrës familjare…dhe se është personifikimi i shpirtit të të ndjerit, kryetarit të fisit…”24
Dhe së fundmi, si “qershia mbi tortë” lexojmë “…Lidhjet e Ilirisë së Jugut (ajo nga e nxjerrin origjinën e gjithë shqiptarëve “antipellazgjistët”) me botën Egjeo-Kretase kanë qënë tejet intesive për çka dëshmojnë objektet e shumta të gjetura kohët e fundit në Shqipëri.Krh.M.Korkuti…Studia Albanica, 7, 1970, nr.2,fq,43-52…”25. Ja pra, edhe “antipellazgjisti” më fanatik dhe dogmatik, Krh.M.Korkuti, i pranoka lidhjet e Ilirisë së Jugut me kretasit e lashtë dhe mikenasit e lashtë. Por, që ata, kretasit dhe mikenasit e lashtë, janë pellazgë, ai nuk di gjë.
Të themi dy fjalë edhe për Dardanët. Hapësirën gjeografike ku shtrihen Dardanët na i jep Aleksandër Stipçeviq “…në bazë të asaj që kanë shkruar autorët antikë në mund të gjykojmë se dardanët kanë banuar gati në tërë Sërbinë e sotme jugore, në perëndim të Moravës si dhe në një pjesë në lindje të Moravës e deri tek rrjedha e sipërme elumit Pek (Pingus) dhe Timok (Timachus), në Maqedoninë veriore dhe në Kosovë…”26 Dardanët i quajnë Ilirë. Dakort. Por, po i qëndruam fort këtij pohimi, duhet me patjetër të pranojmë, që Ilirët kanë banuar edhe në territoret e Azisë së Vogël. Pasi shkrimtarët e lashtë kështu na thonë. Kujtojmë këtu thjesht Ene Dardanidin, heroin e Luftës së Trojës. Por jo vetëm kaq.
Aleksandër Stipçeviç tregon se: “…Dardanët i gjejmë edhe si pjesëmarrës në betejën e famshme në Kadesh në vitin 1286 p.e.s në anën e Hititëve, kundër faraonit egjiptian Ramsesit të II…”27 Por e dimë farë mirë se Hititët ishin pellazgë, prandaj, automatikisht, edhe aleatët e tyre, Dardanët, i bie që edhe ata me siguri janë pellazgë. Se çfarë emri t’u vemë atëhere?!!!
-Një legjendë tjetër Dardanin e nxjerr si bir i Lykaonit dhe vëlla i Jasonit dhe Harmonisë.
-Një legjendë tjetër sipas Herodotit dhe Spiro Kondës thotë se Erikthoni, një hero Dardanas, ishte themelues dhe mbret i Athinës. Erikthoni ishte biri i Dardanit. Sipas këtyre dy legjendave dhe atyre që i quajnë Dardanët ilirë, grekët e lashtë qënkan ilirë!!!
-Sipas një legjende: “Arku, Mbreti i Arkadëve, babai i Dardanit, pas një përmbytje që shkatëroi fushat e tyre, emigroi në Samotrakë dhe më pas Dardani kalon në Azi të Vogël dhe ndërtoi atje në Dardanele qytetin e Dardanisë”28
Spiro Konda lidhur me Dardanët e Samothrakës na thotë se sipas Herodotit “Në Samothrakë banonin më parë pellazgët” (Lib.III, Kap.51). Pausania shkruan: “Nga të ikurit Samias një palë erdhën dhe banuan në ishull të Thrakës, i cili nga ky shkak u quajt Samothrakë, në vend të emrit të vjetër Dardania…Në Samothrakë Hera kishte një tempull…”29
Jemi futur në kaq të thella, sa që nuk e merr vesh “qeni të zonë”, pasi Dardanët na dalin se banonin në një ishull të Thrakisë, i cili, për më tepër, në kohrat shumë të lashta mbante emrin e tyre dhe quhej Dardani dhe banorët e këtij ishulli ishin pellazgët. Pra Dardanët këtu na dalin pellazgë. Qysh t’ja bëjmë, do prishemi me “miqtë” që i duan me se s’bën Ilirë. Po kusuret e Dardanëve nuk mbarojnë këtu, pasi Arkadianët e lashtë, na dalin edhe ata Dardanë. Pra grekërit e lashtë na dalin në të njëjtën kohë, edhe “kosovarë”, por edhe Ilirë!!!
Vazhdojmë më tej, pasi sa më thellë futemi, aq më shumë “syska” na dalin. Këtu ndodh çudia e çudirave, Trakët na paskan qënë Ilirë!!! S’kemi nga t’ia mbajmë. Do i themi “derrit dajë”, se kështu duan akademikët tanë.
Pra, Dardanët, zotëruesit e dy kontinenteve; Europës dhe Azisë. Madje, me ngushticën që mban emrin e tyre, Dardanelet, e cilia ndan këto kontinente nga njeri tjetri, qysh para pesë mijë vjetësh, nuk mundemi, edhe nëqoftëse duam, t’i quajmë ilirë.!! Pasi atëhere, rrjedhimisht dhe në mënyrë të pakundërshtueshme, duhet të bëjmë një pohim të guximshëm: Se turqit e sotëm, të cilët banojnë në territoret e Dardanëve të lashtë, janë edhe ata me origjinë ilire!!!
U bëmë “lesh e li”, grekë, turq dhe bullgarë jemi të detyruar t’i quajmë me origjinë Ilire!!! E shikoni se ku na çon mania (Iliromania) për t’i quajtur shqiptarët e sotëm, që të gjithë pa përjashtim, me origjinë ilire.
Tani këtu më lejoni të bëjë një koment. Është një rastësi historike fatlume, që në prag të formimit të shtetit modern shqiptar, kjo origjinë e shqiptarëve del e qartë në dritë të diellit. Përsëri me numrin katër. Kush është ky numri katër? Katër vilajetet. Amaneti i Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, të cilët e shpallën pavarësinë për të katër vilajetet. Kush janë ato? Vilajeti i Shkodrës, i Janinës, i Kosovës dhe i Manastirit, popullsia e të cilëve ishte pasardhëse e drejtëpërdrejtë e katër popujve të lashtë: Ilirët e Jugut, Epirotët, Dardanët dhe Paionët. Një rastësi hyjnore. Një ndarje që osmanët kanë qënë të detyruar ta bëjnë në bazë të një tradite të lashtë historike. Pra, për më tepër se dymijë vjet, populli ynë ka ruajtur këtë ndarje të origjinës me një fanatizëm dhe përgjegjësi të lartë, por duke qënë gjithmonë bashkë, që të katër. Por ja nuk kalon më tepër se gjysëm shekulli, ku dalin disa historianë, apo gjuhëtarë, qoftë edhe akademikë, qoftë edhe të ditur, që këtë amanet mijëravjeçar mos ta zbatojnë. Madje edhe ta mohojnë. Sa keq. Por mos të harojmë se këtë amanet nuk e tret as dheu. “Katër vilajetet” do të bashkohen një ditë dhe nga ky bashkim do të dalë ajo që quhet Shqipëri, me të katër origjinat e saj. Lumë ai që i bashkohet rrjedhës historike, qoftë me grada dhe nishane, qoftë pa to. Mjerë ai që i del kundër, me dashje, apo pa dashje. Mund të thuhet dale, dale, mos e merr rrëmbyer, historianët dhe gjuhëtarët tanë nuk janë kundër bashkimit kombëtar. Dakort. Me fjalë jo. Por teoria që ata mbrojnë çon ujë në mullirin e atyre që e luftojnë marrëzisht dhe me të gjitha forcat bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm.
Këtu është vendi, që të themi se edhe origjina nga Ilirët, nuk është nga të gjithë ata që në lashtësi quheshin Ilirë. Por vetëm nga Ilirët e Jugut. Të quajtur nga studiusit “Ilirët e vërtetë” (Illyrii proprii dicti). Kjo sepse origjinën nga Ilirët e ka edhe pjesa jugore e Gjermanisë së sotme, Bavaria; pjesa jugore malore e Polonisë së sotme; Bohemia; Austria me qytetërimin ilir të Hallshtatit. Fqinjët tonë të afërm; Malazezët, Kroatët, Sllovenët dhe Boshnjakët, me të drejtë të zotit, mund të pretendojnë për origjinën ilire. Pra, siç e shikoni, nuk jemi vetëm. Pasi në rradhë për origjinën ilire janë shumë popuj. Po dale se ka edhe më. Gjitha pjesa lindore e gadishullit Apenin, ajo pjesë që laget nga deti Adriatik, duke filluar me enetët, venetët, japigët, mesapët, daunët dhe picenianët, e ka të drejtë legjitime të thotë se e ka origjinën nga ilirët. Shikoni sa shumë popuj: Një perandori. A nuk duket pak si mburrje ky pretendim i yni për origjinën ilire, se ne shqiptarët, dhe vetëm ne, vijmë prej ilirëve, kur ka edhe kaq popuj të tjerë, që me të drejtë e pretendojnë atë?
Në përfundim të kësaj bisede unë dëshiroj të them:
– Se ne shqiptarët Gegë dhe Toskë kemi si origjinë të hershme të etërve, gjyshërve dhe stërgjyshëve tanë pellazgët. Është një porosi hyjnore që sot, ne gegë dhe toskë, bashkohemi dhe formojmë kombin shqiptar, ashtu si kokat e shqipes në flamurin tonë, që janë dy koka në një trup.
– Se në kohë të pellazgëve të parët tanë kanë folur me këto dy dialekte. Pra dialektet gege dhe toske, që sot janë dialekte të gjuhës shqipe, por në atëkohë kanë qënë dialekte të gjuhës pellazge.
– Se në antikitet, me shfaqjen e ilirëve, epirotëve, dardanëve dhe paionëve; këto dialekte u shfaqën si dialekte të gjuhëve ilire, epirote, dardane dhe paione. Sot, pasardhësit e këtyre popujve flasin në dy dialekte: gegë dhe toskë.
– Se dialektet, nëndialektet, e folmja krahinore deri tek ajo me bazë fshatrash (përfshirë këtu edhe fjalët e rralla) formojnë PASURINË më të MADHE të gjuhës shqipe. Ato janë margaritarët e gjuhës shqipe.
– Porosia ime për shqiptarët do të ishte: Ruajini dialektet si sytë e ballit. Flisni dhe shkruani letrarisht në dialekt dhe shkruani zyrtarisht në standart.
Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!
Besnik Imeri, Vlorë më 28 janar – 21 shkurt 2019.
_______________________
Referencat:
1 Spiro N.Konda “Shqiptarët dhe problem pellazgjik”,Bot.UEGEN-2011, faqe 448.
2 Nermin Vlora Falaschi, “Prona Gjuhësore dhe Gjenetike”,Bot.TOENA-1997, f, 23
3 Spiro N.Konda “Shqiptarët dhe problem pellazgjik”,Bot.UEGEN-2011, faqe 448.
4Nermin Vlora Falaschi, “Lashtësi e Gjuhës Shqipe”,Bot.BARDI EDITORE ROMA-1991,f,117
5 Spiro N.Konda “Shqiptarët dhe problem pellazgjik”,Bot.UEGEN-2011, faqe 127 dhe 499.
6 Nermin Vlora Falaschi, “Prona Gjuhësore dhe Gjenetike”, Bot.TOENA-1997, f, 22
7 Sami Frashëri,“Shqipëria ç’ka qënë,ç’është dhe ç’do të bëhet”, Bot.”Falcon”,K.I,“Pelasgëtë”, f, 7
8 Ismail Qemali,“Kujtime” botim i vitit 1997, faqe 304-305.
9 Muhamet Bela, Gazeta “Dita”, datë 27 prill 2018.
10 Gjergj Fishta, “Lahuta e Malësisë”,Bot.Romë-1991, Kangë e nandët, v,253-271, f,105
11Zacharie Mayani, “Etruskët fillojnë të flasin”, Bot.Shqip.”Fan Noli”,2018, f, 63,195,445,446.
12 Spiro N.Konda “Shqiptarët dhe problem pellazgjik”,Bot.UEGEN-2011, faqe 447-448.
13 Sami Frashëri, Fjalor i Përgjithshëm i Gjeografisë dhe i Historisë (“Kamus ul-a’lam”, vëll.II, f, 1161-1162. Kostandinopojë – 1889, Bot.Naim Frashëri, f, 61-64.
14 Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”, Kreu II, artikulli “ilyrianëtë e Epirotëtë”. Kostandinopojë – 1889, Bot.”Falcon”-Tiranë, f,15.
15 Sami Frashëri, “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është dhe ç’do të bëhetë”, Kreu III, artikulli “Shqipëria nën romanëtë”. Kostandinopojë – 1889, Bot.”Falcon”-Tiranë, f,15.
16 Mehdi Frashëri, “Histori e Lashtë e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve”,Bot.PHOENIX-2000,f,70
17 Spiro N.Konda “Shqiptarët dhe problem pellazgjik”,Bot.UEGEN-2011, faqe 77.
18Spiro N.Konda “Shqiptarët dhe problem pellazgjik”,Bot.UEGEN-2011, faqe 77.
19 Nermin Vlora Falaschi, “Lashtësia e Gjuhës Shqipe”,Bot.BARDI EDITORE ROMA-1991, f,120
20 Dhimitër Pilika, “Pellazgët, Origjina Jonë e Mohuar”,Bot.Enciklopedike. Tiranë-2005, f,216
21Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 23,24,31
22 Zacharie Mayani, “Etruskët fillojnë të flasin”, Bot.Shqip.Fan-Noli.Tiranë-2018, f, 515
23 Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 308
24 Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 309, 314-315, 319
25 Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 338
26 Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 25
27 Aleksandër Stipçeviç, “Ilirët”, Bot.Shqip.Toena-2002, f, 25
28 Aristidh Kola, “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, Bot.”55”-2002,Përkth.Gr.Aldior Agora, f, 73-74
29 Spiro N.Konda, “shqiptarët dhe problem pellazgjik”, Bot.UEGEN, Tiranë-2011, f, 283-284.
________________________
BESNIK Z.IMERI: ÇABEJ NJË PROFET, NJË MIT, APO NJË GJENI? (Bashkëbisedim me të nderuarin Moikom Zeqo) 1
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=9947
***
BESNIK Z.IMERI: ÇABEJ NJË PROFET, NJË MIT, APO NJË GJENI? (Bashkëbisedim me të nderuarin Moikom Zeqo) 2
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=9948