PROF.DR.SABILE KEÇMEZI-BASHA: DEMONSTRATAT E MUAJIT PRILL 1981 NË PRISHTINË DHE NË QYTETET TJERA TË KOSOVËS (28)

Prishtinë, 2 Qershor 2020: 1. 5. Demonstratat në Podujevë, 1 prill 1981
Më 31 mars 1981, përgatitjet ishin bërë që Qendra Shkollore e Arsimit të Mesëm të Orientuar në Podujevë të bojkotojë mësimin dhe të dalë në demonstrata. Organet e Sigurimit ishin njoftuar. Aktivistët e partisë kishin dalë me urgjencë në terren por kishin dështuar se më 1 prill 1981, në orët e mëngjesit, mbi 200 nxënës u tubuan në oborrin e qendrës. Edhe pse aktivistët ishin futur në mesin e tyre dhe kërkonin nga profesorët që të ndikojnë tek nxënësit për të mos demonstruar, ndodhi e kundërta. Në ora 11 e 30 minuta, nxënësit duke brohoritur parulla tani më të njohura u drejtuan nga qendra e qytetit. Në çdo ndërhyrje të policisë masa i përgjigjet me gur dhe me thirrjen e parullave.

Kur situata kishte arritur kulmin dhe kur demonstruesve filluan t’i bashkohen edhe qytetarët, nga lart erdhi urdhri që organet e Sigurimit duhet të intervenonin. Policia përdori gazin lotsjellës dhe ndërhyri brutalisht ndaj demonstruesve dhe arriti që në orën 13 t’i shpërndajë në dy grupe. Por pas një kohe demonstruesit arritën që të konsolidohen dhe u bashkuan, por tani ishin më të furishëm dhe më të zëshëm. Në orën 16, policisë së Podujevës i erdhën përforcime edhe më të mëdha dhe me ndërhyrjen e tyre arritën që të shpërndanin demonstruesit në disa grupe.
Me këtë rast u lëndua lehtë një polic dhe disa demonstrues, tre prej tyre kishin marrë plagë të rënda.

1. 6. Demonstratat në Prishtinë, 1 prill 1981
Më 1 prill 1981, në orën 12.30 minuta në Prishtinë shpërthyen demonstratat më masive deri më atëherë. Një grup nxënësish të shkollës së mesme ekonomike dhe të shkollës bujqësore, por edhe studentësh u nisën nga oborri i shkollës në drejtim të qytetit, duke thirrur parullën “Republikë”. Për ta penguar hyrjen e grupit në qytet, forcat e Sigurimit e kishin bllokuar dhe i ndanë demonstruesit në shumë grupe të vogla. Duke u shpërndarë demonstruesit, kërkuan që atyre t’iu bashkohen edhe punëtorët. Nxënësve pa hezituar iu bashkëngjitën edhe një numër i madh i punëtorëve të ndërtimtarisë, të cilët punonin në objektet e lagjes “Dardania”, çka bëri që demonstruesit u shtuan dukshëm në numër. Meqenëse në grupe ishin punëtorët të cilët kalonin të qetë nëpër qytet, policia u tregua e duruar dhe nuk intervenonte. Grupi i punëtorëve vazhdoi në drejtim të Konvikteve të studentëve, kur arritën afër mensës, ata filluan të thërrasin “Studentë”… “Studentë”. Punëtorët vazhduan marshimin e tyre në rrugën “Ramiz Sadiku” në drejtim të fakulteteve dhe të qendrës së qytetit. Në ecje e sipër atyre iu bashkuan me mijëra studentë, qytetarë e nxënës, kështu që deri në orën 15, grupi numëronte mbi 5000 veta. Në udhëkryqin mes Fakultetit Teknik dhe atij Juridik, demonstruesve iu bashkëngjitën punëtorët e ndërmarrjeve ndërtimore, të Fabrikës së Amortizatorëve dhe të Kombinatit të Obiliqit. Disa prej tyre ishin edhe të armatosur me shkopinj gome, shufra hekuri, me helmeta të punëtorëve dhe me sende të tjera për t’u mbrojtur. Po atë ditë disa qindra punëtorë të Mihjes sipërfaqësore të Bellaqevcit, u tubuan para drejtorisë dhe kërkuan që të bisedohet me udhëheqësit më të lartë krahinorë. Kuadrot përgjegjëse të Krahinës kishin biseduar me ta afro 1 orë. Gjatë bisedave me udhëheqësit krahinorë, edhe punëtorët e Bellaqevcit përkrahën demonstratat studentore dhe shprehën pakënaqësinë e tyre për ndërhyrjen e policisë ndaj studentëve. Pra takimi i funksionarëve partiakë me punëtorët kishte dështuar. Pas orës 16 demonstratat në qytet u bënë më të fuqishme, ndërsa presioni ndaj forcave të Sigurimit shtohej. Policia kishte marrë urdhër nga lart që të ndërhynte, gazi lotsjellës me një shpejtësi të paparë u hodh ndaj demonstruesve. Turma nuk shpërndahej. Ata vazhduan marshimin deri te ndërtesa e Këshillit Ekzekutiv, e pastaj u drejtuan para ndërtesës së KK të LKK-së. Rinia studentore e shkollore nuk ndalej dot. Pa ndërprerë dëgjoheshin parullat. Për herë të parë u dëgjua parulla “Rroftë Adem Demaçi” (irredentist i njohur e i përbetuar, i cili gjendej në burg si i dënuar), kurse para KK u shkrua në pllato “Rroftë Adem Demaçi”, “Duam Republikë”, “Kosova Republikë”, “Të lirohen shokët” 1 etj.
Numri i demonstruesve ishte shumë më i madh se sa ai të cilën e prezantojnë organet krahinore. Ata thonë se në këtë demonstratë kishin marrë pjesë 3000 demonstrues, por numri duhet të ketë qenë trefish më i madh. Këtë mund ta dëshmojnë edhe vetë pasi unë me bashkëshortin kemi qenë atë në rrugë dhe kemi parë me sytë tanë, pjesëmarrjen në demonstrata, e cila ishte shumë e madhe.
Në këtë demonstratë përsëri zyrtarisht përgjysmohet numri i të lënduarve duke dhënë këto shifra: u lënduan 17 punëtorë të policisë, nga ata dy ishin të lënduar rëndë dhe 15 demonstrues, nga ata tre ishin lënduar rëndë. Asnjëri nuk ishte i lënduar nga armët e zjarrit 2.
Edhe pse ishte përdorur dhunë e paparë ndaj demonstruesve studentët i vazhduan ato edhe ditën e nesërme më 2 prill 1981. Në orët e hershme të mëngjesit (ora 6.00), një turmë e madhe e punëtorëve të KNI ‘Ramiz Sadiku” ishin tubuar para stacionit të autobusëve, e më vonë këtyre iu bashkuan edhe punëtorët e Organizatës Punonjëse Ndërtimore “Kosova” të Vushtrrisë, që pastaj marshuan në drejtim të qytetit. Policia kishte marrë masa me kohë. Urdhërat nga lart nuk mungonin, punëtorëve iu dolën përpara. Turma nuk u ndal. Pastaj policët përdorën gazin lotsjellës dhe në lagjen “Dardania” arriti që t’i shpërndante. Edhe pse u shpërndanë në grupe të vogla, pas një kohe filluan të bashkohen duke iu bashkangjitur edhe punëtorët e “Voçarit”, të PUT-it, të Fabrikës së Tullave e të tjegullave, nxënësit e qendrës së arsimit të orientuar “Xhevdet Doda”. Aty dolën në demonstrata edhe nxënësit e Qendrës Teknike “19 Nëntori” dhe dihej vendqëndrimi, që ishte qendra e qytetit. Po atë ditë, duke parë se demonstruesit ishin në avantazh, organet shtetërore me në krye, Komitetin e Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore dhe i vetëmbrojtjes Shoqërore të KSA të Kosovës nxorën tanket në rrugët e Prishtinës për të trembur demonstruesit.
Pas përhapjes së lajmit se në rrugët e Prishtinës kishin dalë tanket, drejt qytetit ia mësyn nga çdo anë qytetarët e Kosovës. Rreth orës 11 një grup qytetarësh afër fshatit Devet Jugoviq, sulmuan forcat e Sigurimit. Po ashtu një grup tjetër qytetarësh ishte nisur nga Obiliqi për në Prishtinë duke u përleshur me forcat policore.
Në Obiliq ishin tubuar me qindra punëtorë dhe rreth orës 1430 minuta kishin bllokuar një njësit të mbrojtjes territoriale. Nga ora 1600 po i njëjti grup kishte arritur në Prishtinë. Demonstruesit që ishin në ballë të kolonës, mbanin me vete pankarta dhe një fotografi të Titos, një flamur jugosllav dhe një flamur shqiptar. Pas këtij grupi, rrugën e kishte vazhduar edhe grupi tjetër po aq i madh sa i pari por në hyrje të Dragodanit e kishin penguar forcat policore.
Po ashtu edhe në qytet rreth orës 1500-1600 një grup i madh demonstruesish ishte ndalur para gjykatës së Qarkut në Prishtinë. Ato ishin kryesisht punëtorë të Fabrikës së tullave e tjegullave me të cilët u bashkuan edhe demonstruesit që vinin nga Podujeva. Ky grup ishte shumë aktiv dhe me këmbëngulje kërkonte që të thyhet bllokada dhe të kalonin para ndërtesës së Këshillit Ekzekutiv 3, ku kishin depërtuar shumë demonstrues.
Sipas të dhënave zyrtare, thuhej se me ndihmën e forcave policore në orën 2000 e mbrëmjes demonstruesit u shpërndanë.
Më 2 prill në Podujevë kishin shpërthyer përsëri demonstratat. Në to morën pjesë nxënës e qytetarë të zakonshëm. Në shumë raste qytetarët për të penguar forcat policore, të cilat vinin nga Kurshumlia për në Prishtinë, kishin ngritur barrikada në rrugë. Po ashtu i kishin dalë në pritë edhe forcave të tjera policore që vinin si përforcim nga Prishtina. Policia në këtë qytet përdori dhunë të paparë dhe vonë arriti që t’i shpërndajë ato.
1. 7. Demonstrata në Vushtrri, Lipjan, Gjakovë e Gjilan
Vushtrri – Më 2 prill demonstrata u organizuan edhe në Vushtrri, ku rreth orës 1330 një grup prej disa qindra punëtorëve të ndërmarrjes ndërtimore “Kosova” ishin futur në shkollën e mesme “Muharrem Bekteshi” dhe kërkuan që nxënësit së bashku me ta të dalin në demonstrata. Atyre iu bashkëngjitën tërë nxënësit e shkollës dhe dolën në rrugë duke brohoritur parullat e njohura. Pas daljes në rrugë, demonstruesve iu bashkëngjitën edhe shumë punëtorë të organizatave të tjera punuese. Kur numri i demonstruesve po shtohej, ndërhyri policia dhe duke përdorur dhunën i shpërndau ato.
Lipjan – Në Lipjan një grup prej 400-500 nxënësish të Qendrës së Arsimit të mesëm të orientuar nga ora 1520 depërtojnë në qytet. Me intervenimin e forcave të Sigurimit ky grup u përgjysmua, por 500 nxënës 4 arritën të depërtojnë në qytet, ku thyen disa vitrina të dyqaneve 5. Edhe këtu dalin shumë parulla të cilat kishin qarkulluar në Prishtinë dhe në vende të tjera të Kosovës.
Gjilan – Më 2 prill, një numër i konsideruar në Qendrën e Arsimit të Mesëm të Orientuar, nga ora 1315 kishin demonstruar në qendër të qytetit duke kënduar këngën “Besa-besë” dhe duke brohoritur parullat “Kosova Republikë”, “Trepça prodhon- Beogradi ndërton” etj. Edhe këtu intervenon policia dhe demonstruesit shpërndahen.
Gllogoc – Po atë ditë, më 2 prill edhe nxënësit e Gllogocit, nga ora 1000 e paradites, nga Qendra e shkollave të mesme dhe klasat paralele në Qikatovë ishin nisur në drejtim të qytetit. Atyre iu bashkëngjit dhe një numër i madh i nxënësve dhe i qytetarëve. Atë ditë në Gllogoc ishte ditë tregu, kështu demonstratat ishin masive. Sipas shënimeve që japin forcat policore thuhej se “demonstruesit ishin të armatosur, dhe kishin shti me armë, me ç’rast ishte plagosur rëndë një nxënës” 6 (absurd mbi absurde, gjoja se demonstruesit kanë luftuar me njeri tjetrin). Me përdorimin e dhunës nga ana e policisë, më vonë demonstruesit ishin shpërndarë.
Gjakovë- Një grup prej disa qindra studentëve më 2 prill ishin grumbulluar para internatit të shkollave të mesme për të demonstruar. Nga ora 1830 ata ishin nisur në drejtim të qytetit por forcat e policisë kishin intervenuar dhe ata ishin shpërndarë në grupe më të vogla, por që më vonë në ora 1930 u takuan në qendër të qytetit duke brohoritur parulla të njohura si “Duam Republikë’”, “Poshtë borgjezia” etj. Forcat e Sigurimit shpejt kishin ndërhyrë dhe i kishin shpërndarë demonstruesit.
Jehona dhe sensibilizimi i opinionit të gjerë rreth organizimit të demonstratave ishte e madhe. Në të gjitha qendrat ku u organizuan demonstrata pjesëmarrja ishte masive. Në to merrnin pjesë studentë, nxënës, punëtorë, intelektualë të kategorive të ndryshme dhe qytetarë të rëndomtë që vinin nga të gjitha viset e Kosovës e jashtë saj.

1. 8. Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme
Pas këtyre ngjarjeve që patën jehonë të madhe në vend dhe në botë, Kryesia e RSHJ dhe Kryesia e Komitetit Qendror të LKJ-së, më 2 prill 1981, mbajti një mbledhje urgjente me të gjithë anëtarët e saj lidhur me gjendjen e krijuar në KSA të Kosovës. Në këtë mbledhje u mor vendimi për shpalljen e situatës së krizës në territorin e KSA të Kosovës dhe për aplikimin e planit për të tejkaluar këtë situatë; vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e komunës së Prishtinës; dhe vendimi për aplikimin e masave të gatishmërisë. Në harmoni me këtë vendim, Komiteti i Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore dhe i Vetëmbrojtjes Shoqërore të KSA të Kosovës urdhëroi aktivizimin e planeve për situatën e krizës. U dha urdhri për aktivizimin qind për qind të njerëzve, për organizimin e luftës të organeve të Punëve të Brendshme në KSA të Kosovës. Sekretariati Krahinor i Punëve të Brendshme, gjithashtu lëshoi urdhër për ndalimin e lëvizjes së personave në numër të madh në vende publike. Ky urdhër hyri në fuqi menjëherë. Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të KSA të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 2 prill 1981, mori vendim që, me qëllim të eliminimit të rrethanave të jashtëzakonshme dhe të mbrojtjes së rendit publik, të kufizohet ose të ndalohet lëvizja e njerëzve në vendet e caktuara publike dhe në ato vende në të cilat, me veprimin e individëve apo të grupeve, mund të cenohej rendi publik dhe qetësia ose të rrezikohej rendi publik. Me vendim u urdhërua kufizimi i qëndrimit në vende të caktuar për ata persona, për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se me veprimin e tyre do të mund ta rrezikonin rendin publik. Po atë ditë Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të komunës së Prishtinës urdhëroi që të ndërpritet mësimi në shkollat fillore, të mesme, të larta dhe në fakultete, të mbyllen konviktet e studentëve dhe internatet e rinisë së shkollave të mesme në Prishtinë. 7 Më vonë këto masa u aplikuan edhe në organet krahinore dhe në komunat e tjera të krahinës.
Me kërkesën e udhëheqjes së krahinës iu dërguan përforcime organeve të Punëve të Brendshme të KSA të Kosovës nga efektivët e Federatës dhe të të gjitha republikave socialiste të KSA të Vojvodinës, të cilat veprojnë në bazë të urdhrave të Kryetarit të Kryesisë së KSA të Kosovës.
_________
Referencat:
1 ASHAK, Fondi Predsednishtvo Pokrainskog Komiteta Saveza Komunista Kosova, Radna Grupa, d. Ocena Politiçko- Bezbednosnog stanja u Pokraini, Prishtina, april 1981 godine.
2 Po aty, 23.
3 ASHAK, Fondi Kryesia e KK të LKK-së, d. Magnetofonski snimci, 10 maj 1981.
4 Këto të dhëna janë marrë nga një informatë e KK të LKK-së, por duhet theksuar se të dhënat që japin organet e pushtetit bien në kundërshtim me veten. Në fillim thuhej se në demonstratë kanë marrë pjesë rreth 400-500 demonstrues, por kur vjen deri tek shpërndarja e tyre, tani përsëri gjysma e saj është pak më e madhe dhe thuhej mbi 500 demonstrues. Andaj duke u nisur nga këto të dhëna del se në demonstratë merrnin pjesë mbi 1.000 demonstrues. Shtrohet pyetja sa duhet besuar në këto të dhëna.
5 Po aty, 27.
6 Po aty.
7 ASHAK, Fondi Kryesia e KK të LKK-së, d. Vlerësimi i shkaqeve, rrethanave dhe pasojave të demonstrative armiqësore dhe organizimi e veprimtaria e LK-së dhe e forcave të tjera të organizuara socialiste në Kosovë, 3 maj 1981.

VIJON…
________________________

PROF.DR.SABILE KEÒªMEZI-BASHA: DEMONSTRATAT STUDENTORE TË 25 MARSIT 1981 NË PRIZREN, TË 26 MARSIT NË PRISHTINË…, SIPAS DOKUMENTIT SEKRET TË KK TË LKK-së (27)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10086

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura