LUTFI ALIA: TETË MEDALJONE ME PORTRETIN E GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT TË SHEKULLIT XV (II)

Siena – Itali, 12 qershor 2020: Kontributi i Gjergj Kastriotit në luftën kundër hordhive osmane, është vlerësuar nga të pesë Papët, me të cilët bashkëpunoi dhe e mbështetën në luftë kundër tyre. Papa Calixtus III në vitin 1457 e quan Gjergj Kastriotin Difensor della Fede dhe e shpalli Kapiteni Gjeneral i Kuria dhe Kapiteni Gjeneral i Selisë së Shenjtë dhe i dha titullin Athleta Christi. Papa Eugenio IV i dha titullin: “Difensore impavido della civiltà occidentale. Papa Pio II, në vitin 1461 theksoi disa herë: “Të marrim shembull nga vepra e Zotit të Albanisë (dalla gesta del Signore dell’Albania), ushtarit trim të Krishtit (Christi Miles Intrepidus). Papa Pali II e shpalli “Gentium Armorum Capitaneus”. (1, 5, 7, 8)
Në vitet 1521 – 1613, ky medaljon ndodhej në sektorin e medaljonistikës të muzeut të Paolo Xhiovio-s. [9] Pas shpërbërjes të muzeut, medaljoni përfundoi në Venecia, çka e nxiti Voltolino-n ta konsideroi prodhim venecian. Pse dhe si ka përfunduar medaljoni në Venecia, askush nuk jep informacion.

4. Medaljoni i Gjergj Kastriotit, me Nr. 66 në koleksionin e Piero Voltolina.
Medaljoni i dytë i Gjergj Kastriotit, me numër 66 në veprën e Piero Voltolina, është e prodhuar në Romë. Në skedën historike Nr. 66 autori Piero Voltolina shkruan:
D/GIORGIO CASTRIOTA
SCANDERBERGVS
(1403 – 1468)
CONDOTTIERO.
EROE NAZIONALE ALBANESE.
Medalja është rrumbullake, me
diametër 46, 3 cm, me portretin në qendër në profil nga e majta.
Për medaljonin Nr. 66, Voltolina bën këtë pershkrim: “Busti në profil nga e djathta, me mjekër të gjatë, me
berretën të ulur përpara mbi ballë,
veshur me mantel i prodhuar me stofë të shtrenjtë”. Portreti i Gjergj Kastriotit është punuar pa delikatesë, evidencohet profili i fytyrës hundashkabë, lehtësisht spikasin buzët, veshi dhe sytë, ndërsa mustaqet dhe mjekra janë punuar ne bllok kompakt, pa rifinitura ondulante, ndryshe nga tre medaljonet e mëparshëm. Në periferi, portreti qarkohet nga korniza në riliev, me emrin dhe mbiemërin:
GEORGIVS CASTRIOTA SCANDEBEGVS.
Në skedën historike per medalionin Nr. 66 autori Piero Voltolina shkruan:
Autori: Anonim
Vendi i prodhimit: Roma.
Armand, III, p 165. E
Diametri: 46, 3 mm
Prodhuar me derdhje.
Metali: AE – C. R. N Milano: përzierje argjendi, kallaj dhe bakri.
Bibliografia e medaljonit: Koleksion i Piero Voltolina.
Bibliografia e subjektit: Enciklopedia Trekani, f. 1001
Fan Sotir Noli, Scanderbeg, Lecce 1993.
Në faqen e pasme të medaljonit është mbishkrimi i shkruar në tetë rradhë dhe i kufizuar me kurorë rrethore me gjethe dafine: FI DEI DEFEN-NSOR INDOMITVS ET T-HRACVM DO-MI (NA) TOR INDO-MABILI-S. Metali i prodhimit të medaljonit është marrë në Milano dhe përbëhet nga përzierje argjendi, kallaj dhe bakri, me mbizotërim argjendi. Teknika e prodhimit është me shkrirje dhe derdhjen e metalit, në formën sipas modelit të parapergatitur.
Në skedë Voltolina shkruan: GIORGIO CASTRIOTA SCANDERBERGVS, ndërsa në fakt në medaljon është gdhendur saktësisht Scanderbegus. Kjo mospërputhje e emrit të gdhendur në medaljon me shkrimin në skedën, është krijuar nga Voltolina, i cili e “deformoi” emrin Skenderbeu, duke e shkruar me prapashtesë Berg – Bergus, njëlloj si shkruhen emrat e fisnikëve flamingë dhe gjermanë. Ky aspekt, iu ka shpëtuar shumë studiuesve të medaljonit, të cilët i kanë përqëndruar komentet në skedën e Voltolina, pa e verifikuar mbishkrimin e gdhendur në medaljon, ku është i saktë: Scandebegus. Studiuesi pasionant, mitikuloz dhe me kompetence te admirueshme Fotaq Andrea, është i pari që e konstatoi këtë mospërputhje, madje sqaron se autorët perëndimorë shpesh, emrin e Skenderbeut e shkruanin me dashje Skanderberg, për ta fisnikëruar më shumë si hero perëndimor. [11, 12]
Ndërmjet kornizës rrethuese dhe buzës periferike të sfondit të medaljes, mjeshtëri ka realizuar një qark me granula të imëta dekorative. Ky medaljon ndryshon nga i mëparëshmi i prodhuar në Venecia, sepse ka përmasa dy herë më të vogla, metali është më pak i çmueshëm, pasi është përzierje me disa metale dhe teknika e punimit është me pak cilësore. Ky medaljon në ndryshim nga katër të parët, në faqen e pasme ka ekstin në tetë rradhë në gjuhë latine:
FI DEI DEFENNSOR INDOMITVS ET THRACVM DOMINATOR INDOMABILIS:
(MBROJTËSI I PANËNSHTRUESHËM I FESË, TRIUMFUESI I PAMPOSHTUR I THRAKËVE)

Teksti është i rrethuar me kurorë gjethesh dafine, pra autori ka përdorur “Corona triumphalis – kurorën e triumfit”, për të shprehur fitoret me nder dhe lavdi të Gjergj Kastriotit, kundër invazorëve turqë. Ky teksti shpreh vlerësime për kontributin e Gjergjit si mbrojtës i krishtërimit dhe për rolin e tij si strateg dhe komandant i shquar në luftimet kundër hordhive barbare turke. Teksti në faqen e pasme të medaljes shpreh dy aspekte thelbësore të kontributit të Skenderbeut si mbrojtesi i rrënjeve kristiane të Europës – Europei, aut qui domine cristiano consentur dhe fitoret e Gjergj Kastriotit dhe popullit shqiptar në luften kunder sulmeve barbare turke.
Nuk duhet të çuditemi pse autori i medaljes ka shkruar “triumfuesi i pamposhtur i thrakëve”. Në kronikat e kohës dhe në shumë vepra të mesjetës, Gjergj Kastrioti njihej Dominus Albaniae – Zot i Albanisë, princi i Albania, princi i Epirit, princi i Maqedonisë, andaj në medalje shkruhet “Triumfuesi i pamposhtur i thrakëve”, i banorëve të Maqedo-nisë të Aleksandrit të Madh, si shkruan Volterrano: “Skenderbeu ishte një burrë, pa pikë dyshimi pasardhës i denjë i Pirros dhe mbante me të drejtë emërin Aleksander”. (8)
Ndonëse, medalja nuk ka vitin e prodhimit, të dhënat teknike, rrethanat historike, sugjerojnë se është prodhuar në vitin 1463, i prodhuar me kërkesën Dozhës të Venedikut – Dei Gratia Dux Venetiarum, për të nderuar Gjergj Kastriotin, sepse atë vit i ishte akorduar titullin “Qytetar Nderi” djalit te tij Gjoni II Kastrioti. të shoqëruar me diplomën e firmousr nga Dozha Kristoforo Moro. Megjithë vakumin e informacionit, portreti i Gjergj Kastriotit në medaljonin me Nr 66, duhet të jetë skicuar sipas portretit te realizuar nga Xh. Bellini, të cilin 90 vjet më vonë e riprodhoi Kristoforo Altissimo.

5. Medaljoni i Gjergj Kastriotit, me Nr. 67 në koleksionin e Piero Voltolina.

GIORGIO CASTRIOTA SCANDERBEGVS
(1403 – 1468)
CONDOTTIERO.
EROE NAZIONALE ALBANESE.
Skeda e medaljes Nr 67
D/GEORGIVS CASTRIOTA SCANDERBEGVS
GJERGJ KASTRIOTA SKENDERBEGUS.
Për medaljonin Nr. 67, Voltolina bën këtë pershkrim: Busti me mjekër të gjatë, me berretën të ulur përpara, i veshur me mantel të prodhuar me stofë të shtrenjtë.
Autori: Anonim
Vendi i prodhimit: Roma.
Diemtri: 37, 4 mm
Prodhuar me derdhje.
Metali: AE – MC Venecia
Faqia e pasme: lishio
Bibliografia e medaljes. Koleksion i Piero Voltolina.
Bibliografia e subjektit: Enciklopedia Trekani, f. 1001
Fan Sotir Noli, Scanderbeg, Lecce 1993.
Medaljoni është prodhuar në një punishte argjendarie në Romë. Metali i prodhimit është marrë në Venecia dhe përbëhet nga përzierje metalesh, me mbizotërim të argjendit. Teknika e prodhimit është me shkrirje dhe derdhje, në formën sipas modelit të parapërgatitur. Medaljoni është rrumbullak, me diametër 37, 4 mm, me bustin në qendër në profil nga e djathta, me mjekër të gjatë, me berretën të ulur përpara (mbi sy) dhe i veshur me mantel. Konturet periferike të medaljonit, janë zbukuruar me granula të imëta, ne formën e një kurore elegante kufizuese. Portreti është punuar me plastikë të spikatur, me shprehje të tipareve të fizionomisë të Gjergjit. Busti shtrihet deri në buzën e poshtëme te medaljonit, i qarkuar me shkrimin kontinua në latinisht: GEORGVSCASTRIOTASCANDERBEGVS i vendosur brenda buzes rrethore, ndryshe nga medaljonet e tjere, me tekstin në kornizën rrethuese.
Medalja Nr 67, sugjeron se artisti i punimit të skicës të portretit te Gjergj Kastriotit, është i njëjti, që ka prodhuar dhe medaljen Nr 66. Megjithë ngjashmeritë, medaljoni Nr 67 ka disa veçori dalluese: metali i përdorur është më cilësor, pasi ka përmbajtje të lartë argjendi, ka diametër rreth 1 cm më të vogël se ai me numër 66, por teknikisht është më cilësore në evidencimin e tipareve fizionomike të portretit të Skenderbeut. Kurora me granula dekorative është në periferi të kornizës, ndryshe nga medaljonin e më parëshme, që e ka në brendësi të mbishkrimit. Busti i Gjergjit është pak më i madh dhe shtrihet deri ne buzën e poshtëme te medaljonit, në ndryshim nga i mëparëshmi, që e ka me vendosje qendrore, të kufizuar me kornizën rrethore. Faqia e pasme e medaljonit është e lirë, pa tekst. Nga prezantimi i këtyre karakteristikave teknike dhe artistike, mendoj se forma e medaljes është punuar nga i njëjti artist dhe është derdhur në të njëjtën punishte argjendarie të Romës, ndofta është riprodhim, për të korigjuar difektet e medaljes Nr 66, për ta prodhuar me cilësi më të lartë. Portreti i Gjergjit në medaljen Nr 67, ka ngjashmëri të dukëshme me miniaturën e dorëshkrimit të Fioccho. (11, 12, 13)
Kodiku “De Magistratibus Sacerdotiisque Romanorum”, i Andrea Domeniko Fioko (Lucius Fenestellae), u kopjua nga një prift domenikan, i cili në faqen 32, shtoi portretin me ngjyra të Gjergj Kastriotit dhe datën 5 nëntor 1465, kur e përfundoi dorëshkrimin.

Miniatura me portretin e Gjergj Kastriotit Skenderbeu, në faqen e fundit të kodikut
“De Magistratibus Sacerdotiisque Romanorum” i 5 nëntorit 1465
.

Medaljoni Nr 67 duhet të jetë prodhuar në vitet 1465 – 1466, me porosi të Vatikanit. Sipas “Le cronache Romane, 32”, në fillim të dhjetorit 1466, Gjergj Kastrioti, me veshje ushtari, i shoqëruar nga një grup kalorësish, u nis nga Durrësi me anije dhe pas një qëndrimi të shkurtër në Raguzë, lundroi dhe zbarkoi në Ankona.[31, 32] Në Romë mbërriti në javën e dytë të dhjetorit, si vërtetohet nga një letër e 15 dhjetor 1466 e kardinalit Gonzaga (ruhet në Archivio Gonzaga, in App. Nr. 83) dhe në letrën e I. P. Arrivabenus, që ka qenë i pranishëm, kur Gjergji mbërriti në Romë. Në letrën e 14 dhjetorit 1466, Arrivabenus shkruan [1]: “El S. Scanderbeg gionse qui venerdi 12 dicembre et incontra li forono mandate le famiglie de cardinali. È homo molto de tempo, è venuto e da povere homo. Sento vorrà subsidio”. [Zoti Skenderbeg arrijti të premten më 12 dhjetor dhe për ta pritur kishte dalë familja e kardinalëve. Është burrë i moshuar, ka ardhur si një i varfër. Dëgjova se do të kërkoi mbeshtetje financiare.] (14)
Papa Pali II, e ftoi të rrinte në kuvendin domenikan të Bazilikës së San Marko, por Gjergji preferoi të banonte në shtëpinë e një miku albanez, që banonte në “Trejo”, pranë “Collis Quirinalis”. Miku i tij albanez merrej me importe venash dhe velierash. Sheshi dhe rruga ku banoi Gjergji, sot kanë emrat “Vicolo Scanderbeg” dhe “Piazza Scanderbeg”, ndërsa mbi arkitraun e portës kryesore të ndërtesës ku bujti, ruhet ende afresku me portretin e Gjergjit dhe mbishkrimi “GEOR. CASTRIOTA SCANDERBEG, PRINCEPS EPIRI. AD FIDEM ICONIS REST. ANN. DOM. MDCCCXLIII”. Mbishkrimi thekson se portreti u restaurua në vitin 1843, duke respektuar besnikërisht portretin e vjetër: “Ad Fidem iconis Restauratum”. [14] Më 24 dhjetor, Gjergji u prit në Vatikan nga Papa Pali II dhe së bashku festuan krishtlindjen. Papa Pali II, u mrekullua me pamjen madhështore, me karizmën dhe dinjitetin e Gjergj Kastriotit. Gjatë pritjes në Vatikan, Papa Pali II e nderoi me titullin honorifik “Gentium Armorum Capitaneus”, i dhuroi “Pilus et ensis” (perkrenare dhe shpatën), si dhe medaljonin. Shpata ishte prodhuar dhe zbukuruar nga argjendari personal i Papës. [11, 14] Kjo shpatë, e llojit “Ensis” (gladius, telum), u dhurohej princave dhe kapedanëve, të shquar në luftërat për mbrojtjen e krishtërimit. [14]

1. Përkrenaria e Gjergj Kastriotit, në Muzeun Schatzkammer në Vienë. 2. Shpata “Ensis” e Gjergj Kastriotit, dhuruar nga Papa Pali II. (Ndodhet në Muzeumin e Palazzo Reale të Kapodimonte, Napoli)

Një tjetër dhuratë e Papa Pali II për Gjergj Kastriotin ishte përkrenaria “Pilus” me kokën e dhisë mitike Amalthea në pjesën e sipërme. Koka e dhisë ka kuptim të qartë simbolik. Sipas mitologjisë helene, dhia Amalthea e mori Zeusin foshnje në malin e Idas (Kretë), e ushqeu me qumështin e vet, e rriti, e mbrojti, duke ia fshehur të atit Krono, i cili e kërkonte ta gëlltiste, si kishte vepruar me fëmijët e tjerë. Në shiritin e artë rrethor të përkrenares, ndërmjet 6 rozetave, sejcila me gurë të çmuar në qendër, janë gdhendur inicialet: IN. PE. RE. TO. RE. BT. Këto iniciale janë interpretuar me kuptimin: Jhezus Nazarenus • Princeps Emathie • Rex Albaniae • Terrore Osmanorum • Rex Epirotarum • Benedictat Te. [Jezu Krishti të Bekon Ty, Princi i Matit, Mbreti Albanisë, Tmerri i Osmanllijëve, Mbreti i Epiriotëve]. [7, 35] Shume autorë te huaj dhe shqiptarë, e shkruajnë Regis, por kjo nuk është e saktë, sepse në latinisht Regis do të thotë mbretëri, rezidencë mbretërore, ndërsa shkrimi në perkrenare i dedikohet Gjergj Kastriotit, i cilësuar Mbret i Albanisë – Rex Albaniae dhe Mbret i Epiroteve – Rex Epirotarum. Këtë perkrenare, Gjergji e përdori rralle here në ceremoni zyrtare, në pritje dhe festime, sepse nuk ishte helmetë lufte, andaj nuk e ka përdorur në dy betejat e fundit të jetës së tij.
Po ashtu, janë të njohura faktet, se gjatë takimeve me Papën Pali II dhe me kardinalët, Gjergji iu kërkoi ndihma financiare, mbështetje me forca dhe armë, për të përballuar turqit, që mësynin parreshtur mbi trojet arbërore, sulme që ishin kërcënim real për vetë Italinë dhe vendet e tjera europiane. [4, 19] Kastrioti qëndroi në Romë dy muaj, kohë që e shfrytëzoi për takime me kardinalët dhe fisnikët italianë, si dhe per vizita në zona të tjera. Nga dokumentat në Arkivin e Vatikanit dhe në Bibliotekën Arkixhinazi të Bolonjës, rezulton se në fund të dhjetorit 1466, Papa Pali II e dërgoi Gjergj Kastriotin të vizitonte Peruxhien e Vjetër dhe Assizin. Nga Roma, Gjergji, i shoqëruar nga kalorësit arbërorë, udhëtoi nëpër luginën e lumit Tevere dhe kur mbërriti në Kastello di Kastelleone, ndaloi në fortesën antike të Deruta. Në takimin me banorët, që ishin mbledhur për të përshendetur miqtë albanezë, Gjergj Kastrioti nga kulla Longobarda, u bëri thirrje të bashkoheshin në kryqezatën kundër Perandorisë Osmane.[19, 31] Në nderim të kesaj vizite historike, ne sheshin qendror të fortesës Deruta është monumenti i Skenderbeut me helmetë lufte, i hipur në kal. Gjatë kësaj vizite, Kastrioti u takua me Piero de Medici, Grandukën e Toskanes, i cili, kur dëgjoi rrëfimet për masakrat që kishte kryer ushtria turke, i përlotur i dha një ndihmë financiare bujare. [14, 18] Rreth takimit të Gjergj Kastriotit me Papën Pali II dhe me kardinalet, Ludwig Pastori, duke iu referuar relacionit të kardinal Gonzaga shkruan: “Gjatë koncistorit sekret të 7 janarit 1467, Papa Pali II vendosi t’i japi Gjergj Kastriotit një ndihmë financiare prej 5000 dukate, si dhe i akordoi tituj honorifikë, i dhuroi një medaljon dhe një relike të shenjtë .“ [31] Këto të dhena përputhen me “Libri dei conti di Papa Paolo II”, pra me librin e llogarive të Papës, që ndodhet në Achivio di Stato di Roma. Sipas kardinalit Gonzaga: Il cardinale Orsini, ostile al Papa Paolo II, si permisse di osservare, che il capo della chiesa, non aveva a temere da alcuna parte”. [14] Kardinali Orsini, kundërshtari i Papa Pali II, pati guximin të theksonte, se kryetari i kishës, nuk kishte arsye të trembej nga askush.” Kardinali Orsini i bëri apel Papës t’i jipte ndihmat Gjergjit, pasi Vatikani nuk rrezikohej nga askush, pra nuk qëndronte justifikimi i Papes, ndërkohë që me Hungarinë dhe Bosjen ishte treguar dorëlëshuar, duke iu dhene ndihma te medha financiare, ashtu si kishte shpenzuar dhjetramijera dukate ari per te zbukuruar pallatin dukal te Venecias. [7, 27, 31]
Ludwig Pastori thotë se medaljoni iu dhurua Gjergj Kastriotit nga vetë Papa Pali II, por nuk shprehet, në se ia dorëzoi gjatë festimit të Krishtlindjes, çka është më bindëse, apo në janar të vitit 1467, gjatë konçistorit nëpërmjet kardinalit Gonzaga. Gjithashtu mbetet një enigëm për t’u verifikuar, çfarë ishte kjo relike e shenjtë që Papa Pali II ia dhuroi Gjergj Kastriotit dhe cilit shenjëtori i përkiste ?!

6. Medaljoni i Gjergj Kastriotit ne British Museum – Londër.
Një medaljon i veçantë me portretin e Gjergj Kastriotit në kameo me varëse të artë, i prodhuar në vitet 1451 – 1455, prej rreth tre shekuj ndodhet e ekspozuar ne pavionin e medaljonistikes në British Museum në Londër. Kameo (varëse medaljon), për herë të parë u bë publik nga Dritan Muka (2007), në vitin 2013 Ilir Seçi i kushtoi një shkrim në portalin “Illyria Albanian American Newspaper”, ndërsa studiuesi Fotaq Andrea e përshkroi dhe e vendosi në kopertinën e librit:“Skënderbeu, Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës. Album – Antologji. Botuar në Tiranë, në vitin 2017. [12]
Kameo me portretin e Gjergj Kastriotit, ka formë vezake, eshte i lartë 1, 62 inches (4. 11 cm) dhe i gjërë 1 inche (2, 54 cm). Në faqen e pasme të mbështetëses së artë është numëri i serisë: “SLB 176”, i shënuar dy herë, njeri direkt mbi kapakun e artë (shkruar me bojë kine ne shekullin XVIII) dhe tjetri në etiketë letre, me numër serie 373, si objekt i ekspozuar dhe i shënuar me bojë të kuqe. (12, 16, 17)
Portreti i Gjergj Kastriotit është i gdhendur me mjeshtëri në gurë të bardhë të llojit onyx. Busti është ngjitur mbi pllakë të lëmuar guri të zi llave vullkanike, i montuar në brendësi të kornizës të bazamentit të artë. Në buzën e sipërme është vegja unazore për zinxhirin, e salduar me dy këmbëza me formën e zambakut me tre petale (Fleur de Lise).


Kameo me portretin e Gjergj Kastriotit në British Museum – Londër.

Artisti e ka gdhendur me finesë portretin e Gjergjit, të prezantuar me profil në të majtë, me tipare të qarta fizionomike, hundën shkabë, mjekrën e gjatë ondulante, veshur me mantel aristrokratik, me këmishë me jakë të lartë, të zbukuruar me nëntë rradhë palash dhe qëndisje me motive lineare dhe floreale, njëlloj si këmishat e malësorëve shqiptarë. Mbi krye, autori ka gdhendur kurorën, me tre zambakë (Fleur de Lise), simbol mbretëror europian i kahershëm, i pranishëm në ditët e sotme në te gjitha familjet mbretërore. Kjo varëse me portretin e Gjergj Katriotit është prodhuar në Venecia. Historianët dhe studiuesit e jetës artistike veneciane në shekujt XV-XVI, si Bertrand Jestaz, G.Vasari, P.G. Moro Lin dhe Emeric David, kanë vënë në dukje se Venecia e shekullit XV lulëzonte në të gjitha fushat e prodhimit, në të gjitha artet e veçanërisht në artin e gliptikës, në gravurimin e objekteve dhe sidomos në punimet e gurëve të çmuar (kameo).
Kameo me portretin e Skenderbeut, ishte pronësi të Sir Hans Sloan i cili e kishte blerë në Itali në gjysmën e parë të shekullit XVIII, por nuk e tregon as qytetin dhe as emrin e personit që ia shiti, ndersa në shënimet e tij, thekson se kameo ishte prodhuar në mesin e shekullit XV. [16, 17] Sir Hans Sloane, mjek, akademik dhe koleksionist i famshëm, në vitin 1753, ia dhuroi muzeut Britanik të gjithë koleksionin familjar, me artefakte, libra, armë, veshje, dokumenta, mbi 32 000 monedha, medaljone dhe kameo, mes tyre dhe kameon me portretin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. [17] * * *
Në medaljonet e prodhuara në vitete 1449 – 1466, si tre të herëshmit (i Zagrebit, i Berlinit, i Venecias), ashtu dhe në kameon e Londrës, në miniaturën e kodikut të Fiocco-s, portreti i Gjergj Kastriotit prezantohet me profil nga e majta dhe kjo nuk është rastësi: është pozicioni tradicional i dozhëve të Venedikut, i portreteve të mbretërve, princërve dhe i fisnikëve etj. Në ato vite ekzistonin disa portrete të Gjergj Kastriotit, si dëshmon Frederick Kenner, i cili thekson: “Portreti i parë ka humbur, ndërsa i dyti është kopje, riprodhim i portretit origjinal të mëparshëm dhe kjo kopje është pikërisht portreti, që ndodhet në Firence”. [15] Në fakt dhe portretet e tjerë të realizuar në shekullin XVI, si portreti i Skënderbeut në vaj në galerinë Ufizzi të Firences (riprodhuar nga Kritoforo Altissimo në vitet 1552-1556), portreti Skenderbeut në përkatësi të familjes Currani në Shkoder, portreti i Skënderbeut në veprën “Historia e Skënderbeut” e Barletit në (1510), portreti i realizuar nga Tobias Stimmer Schaffhausen etj, etj., të gjithë e prezantojnë me profil nga e majta.
Në keto gjashtë medaljone, autorët e prezantojnë Gjergj Kastriotin në tre mosha të ndryshme: në moshë të hijshme 50 vjeçare (në kameo); në moshë mbi 50 vjeçare (figurë legjendare në medaljonet 1, 2, 3); në moshë mbi 60 vjeç (miniatura në kodikun e Fiocco dhe medaljonet nr 4 dhe nr 5). Kuptohet se nga viti 1449 deri më 1467, Skënderbeu do të ndyshonte fizionominë dhe s’kish si të shfaqej statik. Është kjo arsyeja që kemi larmi portretesh të Skënderbeut, në mosha të ndryshme, në stile të ndryshme, sipas epokave dhe individualiteteve artistike, që kanë trajtuar portretin e Skënderbeut.

7, 8. Dy medaljonet e përshkruara nga George Francis Hill.

Skeda e dy medaljoneve në Londër, prezantuar nga G. F. Hill, në veprën
“A Corpus of Italian Medals of the Renaissence before Cellini”. Firence 1984

Nuk kam mundur t’i gjej fotografitë e këtyre dy medaljoneve me portretin e Gjergj Kastriotit, të cilat i përshkruan George F. Hill, në veprën “A Corpus of Italian Medals of the Renaissence before Cellini. Firenze 1984, Vol 2, f. 840. [19, 20] sepse në këte katalog nuk jane prezantuar fotot e ketyre dy medaljoneve, por vetëm përshkrimet.
Autori G. F Hill ka prazantuar dy skeda, respektivisht për sejcilin medaljon, por nuk jep të dhëna për vitin e prodhimit, as për autorin, por thekson se janë në Londër:
Medaljoni Nr. 1311 prezanton Gjergj Kastriotin me bust, i hipur në kalë dhe me shpatë (scimitar – jatagan).
Medaljoni Nr. 1312, ka diametër 37, 5 mm dhe ngjan me të parin, por i modifikuar, sepse ka vetëm bustin e Gjergj Kastriotit, pikerisht eshte imazhi i përdorur si ilustrim në veprën e Marin Barlecit “Historia de Vitae et Gestis Scanderbeg”, në ribotimet e viteve 1520, 1575, 1576, 1577. Hill thekson se, portreti i Gjergj Kastriotit në këtë medaljon, ngjanë me portretin në Muzeun Xhiovio, (Paolo Giovio. Elogia Virorum. III, 1596, pp. 95). [6] por nuk specifikon në se ështe sipas portretit të realizuar nga Xhentile Bellini, apo sipas atij të Tobias Stimmer Schafhausen, që u perdor më pas në botimet gjermane.
Nga këto të dhëna dhe pse nuk janë të kompletuara, Hill konfirmon ekzistencën në Londer të dy medaljoneve të tjerë, njeri me portretin e Gjergj Kastrioti në bust, me shpatë dhe hipur në kalë dhe tjetri i ngjashëm me të parin, por me përmasa më të vogla, me diametër 37, 5 mm, vetëm me portretin në bust të Gjergj Kastriotit, të realizuar sipas pikturës, që ndodhej në muzeumin e Paolo Xhiovio, si e thekson autori George Francis Hill.
_____________________
Literatura:
01. Marin Barleti: Historia de Vita et Gestis Scanderbegi. Epirotum Principis. Bernardino Vitali. Roma. 1510
02. Voltolina Piero: La Storia di Venezia attraverso le Medaglie. Volum I. Milano 1988. F. 85
03. Dorit Raines. “Storia di Venezia Cooptazione, aggregazione e presenza al Maggior
Consiglio: le case del patriziato veneziano, 1297 – 1797. In Storia di Venezia, I, 2003
04. Marin Sanudo il Giovane. Vitae dei Dogi 1423 – 1473. Venezia 1999, Tom. 1. 183
05. Giuseppe Bettinelli: Dizionario storico – portatile di tutte le venette patrizie famiglie. Venezia, 1780, f. 48
06. Petkoviç P. Arbanashki Pirg. faqe 196-197
07. Enciclopedia Italiana – Treccani: Roma 1929.
08. Olivier de la Marche.Notice historique sur la Maison de Saint-Mauris. Paris 1474
09. Giovannni Musachi: La storia e l‘eredità da generazione a generazione della
famiglia dei Muzaka. Napoli, 1510.
10. Tommaso Indelli. Gli Aragonesi nel Mezzogiorno d’Italia. Università degli Studi
di Salerno. 20. 07. 2016
11. Giorgio Vasari, Adolfo Venturi, Gentile da Fabriano e il Pisanello, Firenze 1896.
12. Paolo Giovio. Elogia Virorum. III, 1596, pp. 95
13. Andrea Fotaq. Skënderbeu, Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës.
Album – Antologji. Zenit Editions, Tiranë 2017.
14. Andrea Fotaq Kodiku i katërt në bibliotekën kastriotase me portretin origjinal të
Skënderbeut Shqiptaria.com. 24 qershor 2018
15. Ilia S. Karanxha. Skenderbeu autentik dhe modeli i Romes (De Romanorum
Magistratibus) Zemrashqiptare.net: Nentor 2014.
16. Alia Lutfi. Gjergj Kastrioti ne artet figurative te shekullit XV.
Zemrashqiptare.net. pjesa II. Maj 2015.
17. Frederick Kenner: Vjetari i koleksionit te arkidukes Ferdinand i Tirolit. Viena:
vellimi XIX. viti 1898,
18. Dalton M. O., Catalogue of the engraved gems of the post-classical periods in the
Department of British and mediaeval antiquities and ethnography in the British
Museum. Publication London, Printed by order of the Trustees, 1915”.
19. Hind Arthur Mayger., British Museum, Catalogue of Early Italian Engravings,
Section A.1; and Stowen MS. 697. fol. 180, 1940
20. Petta P: Despoti d’Epiro e principi di Macedonia. Esuli albanesi in Italia del
Rinascimento. Lecce, Ediz. Argo, 2000
21. George F. Hill. A Corpus of Italian Medals of the Renaissence before Cellini.
Firenze 1984, Vol 2, f. 840
22. Rizzoli L.: L’opera di G. H. Hill sulle medaglie italiane del Rinascimento e l’origine
Padovana della medaglia”. Istituto Italiano di Numismatica. Vol VII. 1932, faqe 128
_____________

LUTFI ALIA: TETË MEDALJONE ME PORTRETIN E GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT TË SHEKULLIT XV (I)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=10151

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura