ARIF EJUPI: NË PËRPELLAC TË PODUJEVËS GJENDEN TRI VARRE KARAKTERISTIKE TË LASHTËSISË,QË DUHET TË JENË OBJEKT STUDIMI TË ESKPERTËVE TË ARKEOLOGJISË

Gjenevë, 13 qershor 2020: Në pronën e vëllezërve Bejtë, Sherif dhe Kadri Aliu të fshatit Përpellac të komunës së Podujevës, gjenden tri varre karakteristike që u përkasin shekujve.
Veç kësaj ato dallojnë nga varret e rëndomta sepse kanë një gjatësi tri metra dhe gjerësi mbi një metër.
Për dallim nga varret e besimtarëve të ritit myslimanë që janë të orientuara kah perëndimi i diellit, këto tri varre të panjohura janë të kthyera kah veriperëndimi
Kurse gurët e vënë që ruajnë gjurmët e tyre nuk mbajnë kurrfarë mbishkrimi. Derisa këto tri varre janë të pagërmuara ,nuk dihet se çfarë ka në brendësi të tyre .
Po ashtu përveç katër gurëve të vendosur që janë të gjatë mbi një metër dhe të përforcuar mirë,këto varre përreth janë të rregulluara edhe me gurë të tjerë më të vegjël.
Këta gurë nga gurët e këtij lokaliteti i dallon forma, përbërja dhe ngjyra. Në terrenin kodrinoro- malor të këtij fshati gjenden gurë gëlqeror dhe pllaka të holla që thërrmohen lehtë.
Këtë konstatim tonin e vërteton edhe Kadri Maliq Aliu,i cili së bashku me vëllezërit e tij Bejtën dhe Sherifin janë të fundit që e kanë lëshuar fshatin Përpellac .
Kadriu,që gjithçka ka lidhur me fshatin e tij të lindjes thotë se Përpellaci,sot është i braktisur,dhe më në te s’ jeton njeri.
Ai tamam si një ushtar i vërtetë është kujdesur për mbrojtjen e këtyre varrezave, edhe pse kjo një punë me rrezik serioz për jetën.
Fshati Përpellac shtrihet në pikën kufitare Kosovë- Serbi,dhe përherë ekziston frika e dëmtimit të këtyre varreve nga njerëz keqbërës.
Kadriu,kujton edhe rastin kur vite më parë persona të panjohur dhe të paautorizuar nga askush deshën që t’i hapin këto tri varre me kazmë.
Mirëpo,ai kishte ndaluar këtë gjest vandal të tyre,duke u thënë atyre që me këtë punë duhet të merren vetëm profesionistët e vërtetë të fushës së arkeologjisë .
Kadri Aliu,qysh si fëmijë kishte dashur të mësojë të vërtetën e këtyre tri varreve ende enigmë.
Ai, shpeshherë kishte kërkuar edhe shpjegimet e më të moshuarave të fshatit si: Dibran Ramadan Mani, dhe vëllezërve Zeqir Hazir Zeneli dhe Sylejman Hazir Zeneli ,të cilët jetuan deri kah fundi i shekullit të kaluar.
Ata kur vdiqën kishin kaluar gati të nëntëdhjetat . Edhe atyre baballarët dhe gjyshërit e tyre u kishin thënë që këto tri varre të veçanta ishin aty prej shekujsh.

Sipas një studimi të profesor Ymer Adem Llugaliu të titulluar “Ma i lashti dhe ma i riu” këto tri varre mund të jenë edhe të epokës së hershme pellazgo – ilire.
Llugaliu,në këtë studim i përshkruan pellazgo – Ilirët si njerëz trupgjatë dhe të zhvilluar. Madje ky studiues përmend edhe faktin që pellazgo- Ilirët si njerëz që deshën jetën tri herë kishin përshkuar itinerarin Himalaje- Mont -Blanc.
Meqë,ishin pagan me rastin e vdekjes lenin porosinë që arkëvarri i tyre të mbulohej me hardhi rrushi pellazge- ilire.
Ndërkaq, Kadri Aliu duke rrëfyer historikun e këtij fshati me plotë ngjare të bujshme apelon tek institucionet e Republikës së Kosovës,që të çojnë në vendngjarje grupe të ekspertëve të arkeologjisë, në mënyrë që e vërteta e këtyre tri varreve të panjohura të dihet përfundimisht.
Boshatisjen e fshatit deri në banorin e fundit dhe lënien e këtyre bukurive vetëm në shoqëri me zogjtë Aliu e arsyeton me mosigurinë, dhe rrezikun e vazhdueshëm nga ndonjë sulm i bandave serbe.
Ai,rikujton vitin 1942 kur çetnikët serbë vranë në prak të shtëpisë duke i organizuar pritën gjyshin e tij Bejtë Ali Islamin,55vjeç ,dhe disa bashkëfshatarë të tij.
Kurse në luftën e fundit policë e paramilitar serbë më 6 prill 1999 vranë djalin e të vëllait Ferat Bejtë Aliun,19 vjeç.

Po ashtu nga ky fshat në këtë luftë u vranë edhe Hamdi Hajdin Beqiri,Fatime Osmani Beqiri,Ilaz Shaqir Beqiri,Bekim Halim Mani, Miftar Arif Zejnullahu dhe Skënder Rrahman Zejnullahu.
Bashkëbiseduesi ynë Kadri Aliu thotë për t’iu shmangur këtij terrori unë dhe vëllai im Bejta jemi shpërngulur në hyrje të fshatit Dumnicë e Poshtme,vetëm tri – katër kilometra larg fshatit tonë të lindjes Përpellacit,me shpresën që në monumentin kur të garantohet siguria dhe të rregullohet infrastruktura të kthemi aty ku jetuan shekuj me radhë të parët tanë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura