Pashtriku, 14 qershor 2020: Një pasaktësi në historinë e hyrjes së trupave gjermane të NATO-s nga Kukësi për në Prizren!
Një ngjarje historike e luftës faktohet, duke u bazuar fillimisht në dy kritere bazë,
– në kohë dhe
– në hapësirë.
1. Koha shpërfaq, datën, muajin, vitin, paraditen, mesditën, pasditen, mesnatën e një date, mëngjesin e një dite, etj.
2. Hapësira shpërfaq, vendin ku zhvillohet ngjarja, duke e saktësuar emrin e qytetit, fshatit, toponimin apo mikrotoponimin e një vendi, mali, kodre, rrëzë mali, etj.
E PAVËRTETA
Në 21 vjetorin e çlirimit të Prizrenit (ashtu si në çdo përvjetor tjetër), televizionet lokale nëe Prizren, përmes filmimeve arkivore dhe deklarimeve të komandantëve të luftës, “dëshmojnë” se, Trupat Usharake Gjermane të NATO-s nga Shqipëria, (qyteti i Kukësit) nëpër pikën kufitare të Morinit për në Prizren paskan hyrë, më 12 qershor 1999!
– A është i vërtetë ky konstatim?
– Jo nuk është i vërtetë!
– Cila është e vërteta?
– E vërteta: Trupat Usharake Gjermane të NATO-s nga Shqipëria, nëpër pikën kufitare të Morinit në Prizren kanë hyrë,më 13 qershor 1999!
Në vijim po i sjellë disa dëshmi:
DËSHMIA E PARË:
Në vitin 2012, Jonuz Kola, në shtypshkronjën “Sipirint” në Prizren, boton ditarin e luftës, “Ditët kuksiane të dramës kosovare, 27 mars – 13 qershor 1999”.
Në faqen 48 të librit, z.Kola në ditarin e datave 12 e 13 qershor 1999 shkruan:
12 qershor (…)
“- Mbërriti në Kukës pararoja e trupave gjermane të forcës së NATO-s, që do të niset në mëngjesin e 13 Qershorit për në Kosovë.
– Në Bar “Amerika” të qytetit të Kukësit, gjenerali Schvartz Komn, Komandant i forcave gjermane të inkuadruar në trupat e NATO-s, së bashku me ushtarakë të tjerë, në prani të gazetarëve të kanaleve televizive të huaja e shqiptare, dha një konferencë shtypi për mënyrën e hyrjes së 5000 mijë trupave gjermane në Kosovë.”
13 Qershor
“Populli i Qytetit të Kukësit përshendeti trupat gjermane udhës për në Kosovë, të cilat kaluan pikën kufitare të Morinit rreth orës 11:00 dhe u përqëndruan në qytetin e Prizrenit”.
***
Burimi: Jonuz Kola, “Ditët kuksiane të dramës kosovare, 27 mars – 13 qershor 1999”, Prizren 2012, faqe 48.
____________
– Jonuz Kola, në kohën e luftës (1998 – 1999) ishte koordinator i Zyrës lokale për Refugjatë, në Ministrinë e Pushtetit Lokal, Kukës. Ndërkaq, gjatë vitit 1999 ka punuar edhe si përkthyes i gazetave prestigjioze “Los Angeles Times” dhe “America Today” në Kukës dhe Kosovë. Pas luftës 1999 – 2002 ka punuar si menaxher i programeve dhe projekteve të ndryshme për edukimin për rrezikun nga minat pranë Shoqatës “Care International”, zyra lokale Kukës dhe në detyrën e koordinatorit rajonal të UNDP-së në qarkun Kukës për projektin e grumbullimit të armëve të vogla dhe të lehta.
DËSHMIA E DYTË:
Në vitin 2003, Besim Cengu në NGLB Kosova, Prizren, boton ditarin e luftës, “Përmasat e mbijetesës, lufta e Kosovës dhe Kukësi, Kukës 2003”.
Në faqen 260 të librit, Cengu në ditarin e datës 13 qershor 1999 (E diel) shkruan:
“I gjithë Kukësi dhe mbi 100 mijë kosovarë, sot në mëngjes, kishin mbushur rrugët e qytetit për të përcjellë trupat ushtarake gjermane që do të hynin në Kosovë. Rreth orës 12, ushtarët serbë dorëzuan pikën e doganës së Vërmicës bashkë me armatimin përpara autoriteteve ushtarake gjermane. Në orën 13 marshuam për në Prizrenin e lavdishëm të shqiptarëve. (…)
Bashkë me trupat gjermane, u futën në qytetin e Prizrenit edhe më shumë se një mijë gazetarë nga gjithë bota.”
***
Burimi: Besim Cengu “Përmasat e mbijetesës, lufta e Kosovës dhe Kukësi”, Kukës 2003, faqe 260.
__________
Besim Cengu, në periudhën e luftës në Kosovë (1998 – 1999) ka punuar si gazetar në Radio Kukësi. Pas luftës ka punuar si Shef i Departamentit për Arsim e Kulturë në Prefekturën e Kukësit, ndërsa para luftës për një kohë të gjatë kishte punuar si Drejtor i Qendrës së Kulturës në Kukës.
DËSHMI TJERA
Për faktin, se trupa gjermane të KFOR’it hynë në Prizren, më 13 qershor 1999 (jo më 12 qershor), kanë shkruar edhe 3 gazetarë e studiues të tjerë kuksian:
– Sulejman Dida, në librin “Dëbimi i shqiptarëve prej Kosovës në vitin 1999, dëshmi, përjetime, refleksione”, Botimi i dytë, Tiranë 2019, faqe 219 – 225.
– Bashkim Shala, në librin “Kronik luftë e Qytetit pa luftë, (Kukës 1999), Prizren 2019, faqe 271.
– Petrit Palushi, në librin “Kukësi në 79 ditë – Pranverë 1999, Botimi i dytë, Tiranë 2019, faqe 159-165.
***
Video: Hyrja e trupave të NATO-s nga kufiri Morinë – Vërmicë për në Prizren, 13 qershor 1999 …
https://youtu.be/iDZwT14ItXo
=============
Një pasaktësi që përsëritet çdo vit!
HYRJA E TRUPAVE TË UÇK-së DHE NATO-s NË PRIZREN MË 12.06.1999
Më datë 12.06.1999 trupat e UÇK-së dhe NATO-s kishin marshuar në Prizren edhe pse ende ndodheshin trupat armike të Serbisë. Në këto xhirime të realizuara nga media prestigjioze botërore dhe ato amatore të qytetarëve prizrenas, janë filmuar shumë momente në Prizrenin që po çlirohej nga makineria famëkeqe serbe, festa e prizrenasve në qytetin e tyre të lirë dhe deklarata të kohës nga eprorë ushtarak të KFOR-it gjerman, komandanti Ekrem Rexha- i njohur me emrin Drini dhe luftëtarë të lirisë.
https://www.facebook.com/1643311899225341/posts/2769823783240808/
***
Edhe këtu, në qërshor 2018:
https://www.facebook.com/prizreni.tv/videos/309648229833892/
________
Shtojcë:
Më 12 qershor 1999 trupat e NATO-s nga Kufiri me Maqedoninë – në Bllacë, hynë Kosove, ndërsa të nesërmen më 13 qershor nga Shqiperia (kufiri Morinë – Vërmicë) hynë trupat gjermane të NATO-s. Këtë fakt e thekson edhe gazetari Asllan Bajrami në këtë videoinçizim, në kohë reale,duke u futur trupat e NATOs nga Maqedonia.
Shiko videon:
https://youtu.be/CtvQR1KHBks