GJOKË DABAJ: GENOCIDI SËRBOMADH, NË VITET 1945 – 1947

Durrës, 17 qershor 2020: PJESË NGA LIBRI “GENOCIDI SËRBOMADH DHE QËNDRESA SHQIPTARE” I AUTORIT SHABAN BRAHA, Nr. 17
“Revolucionarët e Kosovës, siç ishin: Ali Këlmendi, Asim Vokshi, Xhemal Kada, Ramiz Varvarica, EminDuraku, Zenel Hajdini i Lebanës, Abdullah Presha (Presheva, Gj.D.), Ramiz Sadiku, Sadik Stavileci, Hajdar Dushi, Sadik Pozhegu, Rashid Osmani, Hysni Zajmi, Hysen Dobruna, e shkrinë jetën e tyre për lirinë kombëtare.” (f. 467-468)

“Edhe në krematoriumet nazistë u shkrinë edhe me kockat e tyre: Xhevdet Doda, Bislim Halimi i Llapit, Abdurrahman Berisha-Pasha i Prishtinës, Halit Rushit Ibishi i Cernillës së Ferizajt, Rifat Xhemal Shala i Llapit… Sezai Surroi e Muhamet Bala në Prizren, Ganimete Terbeshi e Fahri Hoxha në Gjakovë, tundeshin në trekëmbëshin nazist për vetëvendosjen e vërtetë kombëtare.” (f. 468)
“Baki Sali Saliu i Zllatarit të Ferizajit i dhuronte jetën Kosovës atje ku Kosova e kish dërguar: në Kikindë të Vojvodinës, ashtu si Rexhep Xhemal Haziri i Smirës së Gjilanit në rajonin e Bistricës Ilire (Ilirska Bistrica, Gj. D.), Feriz Bajram Krasniqi i Rahovecit në Trigllavin legjendar dhe Kadri Riza Bibaj i Jezercës së Ferizajit në Ljubljanë, të cilët u flijuan trimërisht për çlirimin e truallit slloven.” (f.468)
“Është dëshmitare Bosnja, e robëruar dhe e dhunuar rëndë nga robëritë sërbomëdha dhe nazifashiste, që ndjeu krismën e armëvet shqiptare qysh nga Labëria e deri në Kosovë, me bijtë e saj të pakursyer. Ndër ta: Adil Morina, Ismail Kryeziu, Qerim Vesel Shala, Rexhep Sadik Mulaj, Rexhep Murat Rexhepi, Sabit Rustem Bekolli. Në truallin e Bosnjës, për lirinë e saj, u flijuan 600 djem të Kosovës.” (f. 468)
“Kosova dhe viset e tjerë, në flakën e revolucionit popullor nacionalçlirimtar, shkriu jetën e 6200 trimavet, nga radhët e 55000 luftëtarëvet të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës në Luftën e Dytë Botërore.” (f. 468)
“Gjaku qe derdhur nga shqiptarët anembanë, (edhe për çlirimin e popujvet të) Jugosllavisë, por ky gjak po tradhtohej e shkelmohej. Qysh në muajin shkurt të vitit 1945, vihej në dilemë, të ekzistojë apo jo flamuri shqiptar në Kosovë (e pjesë të tjera të Shqipërisë mbetur nën Jugosllavi).” (f. 468)
“Katër synime të përpjekjevet dhe të luftës së shqiptarëvet në Luftën e Dytë Botërore, po viheshin në rrëzik: 1.Pushteti i Këshillavet Nacionalçlirimtarë i sanksionuar në Konferencën e Bujanit. 2.Parimi i vetëvendosjes, me ç’rast shqiptarët që Lufta e Dytë Botërore i kish zënë nën Jugosllavinë monarkike, do të duhej të bashkoheshin me pjesën tjetër të Shqipërisë. 3.Ideja e republikës për shqiptarët brenda shtetit jugosllav. 4.Vetë Shqipëria Demokratike po rrëzikohej për të rënë nën hegjemoninë sërbo-jugosllavomadhe.” (Krs f. 471)

Anëtarët e Shtabit të UNÒªJ-së: Ivo Lola Ribar, Aleksandar Rankoviç, Milovan Xhilas, Josip Broz Tito, Sreten zhujoviç, Andrija Hebrang, Mosha Pijade dhe Edvard Kardelj.

“Më 18 shkurt 1945 Titoja, me Fadil Hoxhën dhe me Milladin Popoviqin, kish ardhur në përfundim që autonomia e Kosovës të afirmohej në pikëpamje juridike në federatën e re jugosllave.” (Krs. f. 471)
“Në takimin me një delegacion shqiptarësh, përbërë prej 24 vetësh (viti 1945), Titoja, që në fjalën e parë, lëshon akuzën se shqiptarët kishin luftuar së bashku me nazifashistët kundër lëvizjes popullore çlirimtare. Pastaj shton: Shteti ynë është i pandashëm… Në shtetin e ri shqiptarët do ta ndiejnë veten qytetarë me të drejta të barabarta dhe nuk do të nënçmohen prej kurrkujt. Për popullin shqiptar do të jetë njësoj a gjindet brenda kufijvet të Shqipërisë apo të Jugosllavisë.” (f. 471)
“Njëri nga pjesëtarët e delegacionit, Qemal Luzha, thotë: Dolëm nga ky takim me Titon, ku e kishim disi shpresën e fundit. Aty e pamë fort mirë sa ishte sahati. Për ne shqiptarët ishte 12 e natës së zezë, për sërbomëdhenjtë e për mjekërroshët e Beogradit, ishte 12 e ditës.” (f. 471)
“Gati gjysma e pjesëtarëvet të atij delegacioni, 9 vetë, si Halim Spahia me shokë, u zhdukën.” (f. 472)
”Ndërkaq, trevat shqiptare mbetur sërish nën Jugosllavi, iu nënshtruan copëtimit administrativ, të atillë që shqiptarët të mos mund ta marrin veten asnjëherë. Nën varësinë e Sërbisë, si krahinë autonome, u lanë Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit, por duke shkëputur disa rrethe: Preshevën, Bujanovcin, Medvegjën, Tutinin, që i kaluan direkt Sërbisë e u lanë pa autonomi, si dhe Kumanova, Shkupi e Tetova, që, së bashku me rrethet e tjerë, Gostivar, Kërçovë, Resnjë, Ohër, Strugë, Dibër, iu lanë Republikës së Maqedonisë. Malit të Zi iu lanë: Rozhaja, Berana, Plava, Gisia, Hoti, Gruda, Trieshi, Tivari, Ulqini.” (f. 475)
“Në periudhën prill-maj 1945, në emër të rekuizimit për ushrinë, krahinës së cunguar të Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit i janë marrë: 37632 kuintalë grurë, 7529 kuintalë miser, 439 kuintalë miell për niseshte, 11569 kuintalë mish, 4000 kuintalë fasule, 1950 kuintalë tlyen (gjalpë), 149 kuintalë kafe, 238 kuintalë duhan.” (f. 482)
“Më vonë, Boris Kidriçi, një nga udhëheqësit jugosllavë nga Sllovenia, do të vinte në dukje se ishin plaçkitur 65000 ton drithë.” (Krs. f. 482)
“Në vitin 1947, nga 4000 shqiptarë të mobilizuar në të ashtuquajturat brigada pune të Maqedonisë (të trevës shqiptare të Vardarit, Sh.B.), më shumë se 2000 vetë prej tyre, titistët i helmuan në rrethin e Goricies afër Triestes.” (f. 485)
“Një informacion më i plotë e sqaronte më me hollësi këtë akt shfarosës: Këto brigada ishin formuar prej shqiptarësh të marrun me forcë nga krahinat e Shkupit, Gostivarit, Tetovës, Kumanovës dhe i kishin dërguar së pari në Tuz e prej andej pastaj i kishin çuar në rrethet e Goricias (Trieste). Në të gjithë këta vende, tregon Bedri Zenuni, këto brigada të përbame prej ma shumë se 4000 djelmoshash shqiptarë, bajshin punë të randa, pastrojshin fusha përqëndrimi, ndërtojshin llogore (kampe), ndërtojshin ura, punojshin si hamej tue ngarkue e shkarkue vaporë… trajtoheshin ma keq se kafshët. Kërbaçi i agjentëvet të UDB-s qëllonte gjithnjë mbi kurrizin e këtyne djelmoshave të zgjedhun, që ishin futë në një kazermë të veçantë, ku edhe u gjetën të vdekun. Pjesa që ishte ende gjallë, nuk qe në gjendje të fliste dhe nga sytë e tyne rridhnin pa pushim lot. Mbas pak orësh vdiqën edhe ata pa mujtë me thanë asnjë fjalë. Vdiqën ma shumë se gjysma prej 4000 vetëve.” (f. 485)
“Në vitet 1947 e këndej, në pjesët e Shqipërisë, të mbetura nën Jugosllavi, fillojnë gjyqet famëkeqë kundër organizatavet ilegale, në shumicën e rastevet të provokuara e të krijuara prej vetë organevet të UDB-s. Nga grupi që akuzohej për organizimin e Komitetevet Nacional-demokratikë, dënohen me vdekje 5 vetë e 11 të tjerë me heqje lirie prej 2 deri në 17 vjet… Më 25 janar 1947 bëhet në Prishtinë gjykimi i një grupi prej 38 vetësh. Dënohen 3 vetë me pushkatim: Jusuf Bajram Rexhepi, Rrahman Ukë Neziri dhe Ramadan Hoxha… Më 7 shkurt 1947, si rezultat i lojës provokative të UDB-s, në Shkup nxirren para gjyqit 17 vetë, drejtues të Komitetit Nacional-demokrat Shqiptar, krijuar nga të ikurit e vitit 1945, në Bari, në Selanik, në Kajro. Sipas direktivavet të kësaj organizate, në krye të së cilës ishte Muharrem Bajraktari, ishin vrarë Milladin Popoviqi, Rexhep Zajazi etj. Më 14 shkurt gjykata e Shkupit dënoi me vdekje 4 anëtarë të asaj organizate: Kemal Iskanderin, Azem Morinën, Hysni Rudin dhe Mehmet Bushin. Ndërsa të tjerët u dënuan me 2 deri 20 vjet burgim… Deri edhe hapur flitej që Milladin Popoviqin dhe Rexhep Zajazin nuk i vrau Organizata Nacional-demokrate Shqiptare, por OZN-a jugosllave… Më 1 maj 1947 në Prishtinë gjykohen 15 vetë, nga të cilët 5 pushkatohen e 5 lironhen… Pjesë e po të këtilla kurdisjeve të UDB-s të quajtura lojë, ishte edhe vrasja e 9 shqiptarëve me në krye mësuesin e njohur Ymer Berisha nga Drenica dhe plagosja e 12 të tjerëvet, që i përkisnin organizatës Besa Kombëtare.” (Krs. f. 486-487)
* * *
Detyra jonë dhe detyra e brezavet që vijnë, nuk është të rrimë duke shtërnguar dhëmbët. Detyra jonë është, t’i njohim këto ngjarje me imtësi dhe me seriozitetin që është cilësi e burravet të mençur dhe gravet të mençura, dhe t’i trajtojmë këto gjëra shkencërisht, mbështetur në sociologji historike. E para, të shihet, jo me dy fjalë, por me analiza të hollësishme, ku ka qenë gabimi i të parëvet tanë dhe brezat që vijnë të marrin masa për të mos bërë të atillë gabime. E dyta, të shihet, me analiza të hollësishme: Ç’i shtyu fqinjët tanë të organizojnë genocide të tillë të pandërprerë mbi etninë tonë?! Cili ishte dhe është halli i tyre (lufta për ekzistencë), por cila ishte dhe është edhe nxitja, ku e merrnin kurajon? Sigurisht, jo te trimëria e tyre, por te dobësitë tona! Të gjithë veprimet e shovinistëvet nuk tregojnë se janë trima, por tregojnë se janë intrigantë dhe frikacakë.
Ndërkohë, është domosdoshmëri historike që në kombin shqiptar të themelohet një institucion i përkujtimevet, kudo ku banojnë shqiptarë, në qytete e në fshatra, brenda atdheut dhe në diasporë, kudo ku mund të mblidhen 15 apo 20 pjesëtar të këtij kombi.
Të mblidhen, pra, jo të gjithë në një vend, por atje ku janë, në qytetet, katundet apo vendpunët e tyre, për të përkujtuar, ta zëmë, Masakrën e Bihorit, Masakrën e Margëlliçit, Masakrën e Gostivarit, Masakrën e Tetovës, Masakrën e Gjakovës, Masakrat e Drenicës, Prekazin, Reçakun, Tivarin, Manastirin e kohës së Turqisë, por edhe të kohës së Sërbisë…
Për të përkujtuar fëmijët e therur! Për të përkujtuar gratë e dhunuara dhe të vrara a të djegura në shtëpitë e tyre! Djemtë e lidhur, torturuar, pastaj vrarë! Për të përkujtuar shtëpitë e djegura! Për të llogaritur pasuritë e grabitura! Sa bagëti na janë grabitur?! Sa drithë na është grabitur?! Sa flori na është grabitur!!
Nuk na lejohet të rrimë kështu e të presim të tjera kasaphana mbi njerëzit tanë!
Dhe, mbi të gjitha, duhet ta dimë që jeta nuk mbrohet vetëm me armë. Armën duhet ta kesh gati gjithmonë, por ajo do të përdoret vetëm atëherë kur s’ke rrugë tjetër. Këto që thashë më sipër janë mbrojtja më efikase, garancia që edhe armët, në qofshim të detyruar t’i përdorim, të sjellin liri, jo robëri.
Gjokë Dabaj, Durrës 17 qershor 2020
VIJON…
___________
GJOKË DABAJ: GENOCIDI SËRBOMADH, NËN PETKUN E KOMUNISTËVE JUGOSLLAVË!

https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=10183

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura