(Pashtriku.org, 26. 03. 2012) – Sllobodan Millosheviç dhe udhëheqja serbe, në vitin 1988-të me qëllim të arritjes së qëllimeve të programuara serbe, krahas presionit që ushtronte ndaj organeve Federative për t`ia hequr Kosovës statusin e autonomisë, në planin e brendshëm serb, e kishte filluar fushatën për ta përgatitur psiqikisht popullin serb për periudhën e luftrave “pushtuese”, të planifikuara nga klani millosheviçian, së pari kundër republikave të tjera në kuadër të Federatës ekzistuese, e pastaj edhe kundër shtetit fqinj, Shqipërisë.
Parlamenti serb ia heq Kosovës statusin e Elementit të Shtetit Federal
Udhëheqja politiko-ushtarake serbe, në krye me Sllobodan Millosheviçin, e mbështetur nga Akademia e Shkencave dhe nga Kisha ortodokse serbe, në prag të përmbysjes së Jugosllavisë së Jajcës, përgatitej për ta realizuar ëndrrën e vjetër serbe, të pa realizuar gjatë historisë, për krijimin e një shteti “të madh serb” sipas parimit: “Kudo që gjendet një varr serb – aty është Serbi”, pretendim ai i çmendurisë së Millosheviçit dhe udhëqjes serbe, që i shkaktoi katër luftra të përgjakshme brenda territorit të ish-shtetit jugosllav, gjatë të cilave u vranë e masakruan disa qindra mijë njerëz të pafajshëm. Dhe, çuditërisht, ajo nuk ishte përpjekja e parë, por, duket se as e mbrama, që serbët apo “servet” gjatë historisë bënë përpjekje për t`i trashëguar territoret e perandorive okupuese apo shteteve në shthurje.
Sllobodan Millosheviç, i nxitur dhe i frymëzuar nga teologjia politike serbe dhe nga programet e shumta të saj për ta bërë pastrimin etnik të territoreve të supozuara, sipas tyre, si serbe, dhe, në veçanti për t`i serbizuar të gjithë popujt tjerë qofshin ata kroatë, boshnjakë apo malazez, e , mbi të gjitha duke patur si qëllim themelor shfarosjen e kombit shqiptar dhe përvetësimin e territoreve shqiptare, mbase në nënvetëdijën e tij, ishte identifikuar me paraardhësit e tij, qoftë të periudhës historike kur Perandoria bizantine ishte në shpërbërje e sipër, e , të cilën, kishin tentuar ta trashëgonin përmes krijimit të një Perandorie serbo-greke, por, pretendimet e tilla kishin deshtuar nga depërtimi i trupave të Perandorisë osmane në tokat ballkanike; qoftë për t`u identifikuar me paraardhësit e tij, që kishin bërë përpjekje për ta serbizuar ortodoksinë greko-bizantine, duke i riemërtuar kishat ortodokse bizantine në kisha serbe, pra me ata paraardhës të tij, të cilët kishat romane (katolike) në tokat e ukupuara shqiptare gjatë Mesjetës, i riemërtuan si kisha serbe, e, në kuadër të asaj fushate, i detyruan të konvertojnë në ortodoksi një pjesë të madhe të shqiptarëve të besimit të krishterë të kishës romake, konvertim ai i dyfishtë, nga se krahas besimit ata e humbën etninë e tyre iliro-shqiptare dhe u serbizuan.
Millosheviç dhe klika e tij, pa dyshim kishin dëgjuar se edhe në rrethanat e rënies së Perandorisë osmane, paraardhësit e tij serbë, sërish kishin bërë përpjekje për t`u vënë edhe në rolin e Perandorisë osmane në Ballkan dhe, për t`i përvetësuar territoret e çliruara nga osmanet, por edhe për t`i asmiluar apo për t`i serbizuar kroatet, shqiptarët, malazezët, boshnjakët etj. Prandaj, shikuar në këtë kontekst, përpjekja e tij e fundit, ishte e treta me radhë në historinë serbe, që udhëheqja serbe pretendonte për t`i përvetësuar tokat e popujve të tjerë të Ballkanit dhe të vihej në krye të Udhëheqjes federative të Jugosllavisë së Jajcës, e cila ishte në shthurje e sipër, dhe, natyrisht për t`i avansuar serbët e tij në një mbikomb, i cili, sipas dogmës fetare, e quan veten si “Popull qiellor serb”.
Udhëheqjet serbe të frymëzuara nga teologjia politike serbe për veprime gjenocidiale kundër shqiptarëve, nuk kishin patur guxim të ballafaqohen me faktin e pamohueshëm se shqiptarët ishin e janë i vetmi popull, që në gjuhën e tyre e kanë ruajtur shprehjen “schisma apo skizma”, të shqipëruar me shprehjen “shkije-t”, shprehje ajo me të cilën ishin emërtuar të gjithë ata që nga besimi i krishterë roman apo nga katolicizmi kishin konvertuar në ortodoksi, dhe, e cila, në rastin tonë, në radhë të parë, u ishte drejtuar atyre shqiptarëve që kishin konvertuar nga besimi katolik në ortodoksi dhe, të cilët, krahas besimit e kishin përqafuar edhe etninë serve apo serbe. Pra, duket se politiko-teologët servë a serbë, i frikoheshin përballimit me faktin se shqiptarët nuk heqin dorë as nga historia e tyre, as nga tokat e tyre, e as nga objektet e trashëgimisë së tyre kultutore a fetare, pra as nga kishat e tyre të shndërruara në kisha orodokse, pavarësisht nga fakti se shumica e tyre janë të besimit islam.
Sllobodan Millosheviç dhe udhëheqja serbe, në vitin 1988-të me qëllim të arritjes së qëllimeve të programuara serbe, krahas presionit që ushtronte ndaj organeve Federative për t`ia hequr Kosovës statusin e autonomisë, në planin e brendshëm serb, e kishte filluar fushatën për ta përgatitur psiqikisht popullin serb për periudhën e luftrave “pushtuese”, të planifikuara nga klani millosheviçian, së pari kundër republikave të tjera në kuadër të Federatës ekzistuese, e pastaj edhe kundër shtetit fqinj, Shqipërisë.
Shërbimi sekret serb në funksion të pararojës së politikës pushtuese serbe, i kishte hyrë inskenimit të demonstratave serbe, së pari në Kosovë e pastaj edhe në shumicën e qyteteve të Serbisë, të Malit të Zi dhe të Vojvodinës, demonstrata ato, të cilat, aty për aty, shndërrohen në mitingje shetitëse të disa qindra mijëra serbëve, në shumicën e rasteve të paguar, duke i vënë në ballë të tyre ca kuadra serbe të njohura për urrejtje ndaj shqiptarëve.
Gjatë atyre marshimeve të mitinggjinjve të paguar serbë lansoheshin parullat, si: “Vdekje shqiptarëve!; Na jepni armë!; Shkojmë në Kosovë!; Jetën e japim Kosovën s`e japim; Rroftë Serbia!; Shkodra është jona; Aty ku gjendet një varr serb është Serbi ” etj., që brohoriteshin shesheve të qyteteve të Serbisë e të Malit të Zi, – udhëheqja serbe arriti të krijojë atmosferë egërsuese kundërshqiptare, si pasojë e së cilës shqiptarët me banim në qytetët e Serbisë dhe të Malit të ZI, përndiqeshin, maltretoheshin e vriteshin.
Fushata antishqiptare, e ndërmarrë dhe e realizuar me mjete politike, administrative, propagandistike dhe ushtarake në planin e gjerë, gjatë viteve të 80-ta të shekullit të shkuar, e rriti disponimin antishqiptar në tërë ish’shtetin jugosllav, ndërkaq në planin serbo-madh, e unifikoi botëkuptimin mbi Kosovën si “Tokë serbe e okupuar nga shqiptarët”. Krijimi i atmosferës së mosdurimit ndaj shqiptarëve, solli për pasojë dëbimin dhe masakrimin e qindra familjeve shqiptare, të cilat kishin vendbanime të përhershme apo të përkohshme si në Beograd ashtu edhe në ndonjërin prej qyteteve të tjera të Serbisë. Në veçanti, kishte marrë përmasa dramatike, dukuria e maltretimit dhe e dëbimit të shqiptarëve, si dhe e djegia e dyqaneve dhe shtëpive të tyre, në Beograd.
Krahas mitingjeve dhe demonstratave të inskenuara gjatë vitit 1988-të, si dhe ndërhyrjeve sekrete nga prapaskena me qëllim të keqësimit të mëtejmë të marrëdhënieve shqiptaro – serbe në Kosovë, si dhe për ta futur në lojë edhe Parlamentin federativ, Milosheviç i nisi edhe veprimet institucionale, përmes inicimit të ndryshimeve dhe plotësimeve të Kushtetutes federative të vitit 1974. Mirëpo, meqë projektimet serbe e tejkalonin çështjen e Kosovës dhe preknin drejtpërdrejt edhe në interesat e republikave të tjera, e në veçanti në ato të Sllovenisë dhe të Kroacisë, Parlamenti federativ, i refuzoi kërkesat serbe mbi ndryshimin e statusit të dy krahinave, kështu që përpjekjet serbe për suspendimin e statusit politik të Kosovës në nivelin federativ përmes ndryshimeve dhe plotësimeve në Kushtetutën federative, dështuan në tërësi. Por, me atë dështim, nuk përfundojnë përpjekjet serbe për ndryshimin e statusit politik të Kosovës. Përkundrazi ato përmes represionit dhe dhunës kundër shqiptarëve kërcënonin për të marrë formë institucionale me ndryshimet kushtetuese dhe me suspendimin e statusit të Kosovës si Element konstituiv i Federatës.
Insistimet serbe për t`ia hequr Kosovës statusin e Elementit konstituiv në Federatë, krijuan gjendje alarmante në Kosovë dhe, në rethana të tilla, xehtarët e Trepçës vihen në mbrojtje të statusit politik të Kosovës sipas Kushtetutës federative të vitit 1974. Ata e nisën grevën e urisë në galeritë nëntokësore të Trepçës, më 20 shkurt 1989. Greva e tyre zgjërohet dhe merr përmasa të përgjithshme popullore kudo në Kosovë. Në shënjë solidariteti dhe përkrahjeje, në grevë hynë edhe nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e Univeristetit të Prishtinës, ndërkaq inteligjencia shqiptare e Kosovës, e përkrah grevën me nënshkrmin e “Apelit të 215-ve“.
Këqësimi i rrethanave politike, represioni dhe terrori i vazhdueshëm, që nga viti 1981 ndaj popullatës, i shtyri shqiptarët e Kosovës të vihen në mbrojtje të statusit të autonomisë së fituar më 1974, pra, i nxiti të bëjnë një hap pas në aspektin politik, në krahasim me kërkesën për Kosovën- Republikë të babarabartë në kuadër të Federates jugosllave, të paraqitur në Demonstratat e vitit 1981, nga rinia studentore dhe të përkrahur nga populli i Kosovës.
Pas dështimit të përpjekjeve të delegatëve serbë në vitin 1988-të për t`ia hequr statusin e autonomisë Kosovës përmes ndryshimeve të Kushtetutës federative, udhëhqja serbe i bëri ndryshimet në Kushtetutën republikane, duke i arsyetuar veprimet e tilla gjoja me domosdoshmërinë për t`i luftuar „Nacionalistët dhe separatistët shqiptarë, që tentonin ta shkatërronin Jugosllavinë federative”. Me ndryshimet e bëra në Kushtetutën e Serbisë, Kosovës ia hoqën statusin politik si Element i federalizmit jugosllav.
Deklarimi për amendamentet për kushtetutën e Serbisë, në Parlamentin e Kosovës qe bërë në rrethana të Gjendjes së jashtëzakonshme, në sajë të cilës pushteti serb vepronte në mbështetje të ligjeve të shtetrrethimit, duke ushtruar presion të hapur. Kështu, gjatë procedurës së deklarimit, Trupat ushtarako-policore serbe e kishin berë rrethimin e Parlamentit të Kosovës me tanke, autoblinda dhe artilerti të rëndë, ndërkaq pëfaqësuesit e shërbimeve sekrete serbe bënin shantazh e presion, si ndaj organeve politike dhe kushtetuese të Kosovës, ashtu edhe ndaj deputetëve në Parlament gjatë seancës, duke e keqpërdorur procedurën e votimit përmes votave të një numri individësh te pa mandat.
Aktin e deklarimit të “parlamentarëve” të Kosovës, udhëheqja serbe e formalizoi më 23 mars 1989-të, në sajë të përdorimit të mjeteve të presionit dhe të dhunës shtetërore. Një javë më pas, më 28 mars 1989-të, në Beograd, në mënyrë festive, i proklamuan ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë. Milosheviçi me at rast deklaronte: „Serbisë iu kthye sovraniteti juridik dhe shtetëror“. Dhe, deri sa në Beograd kremtoheshin ato ndryshime, në rrugët e Prishtinës dhe të qyteteve të tjera të Kosovës demonstronin mbi 200 mijë shqiptarë kundër ndryshimeve të dhunshme kushtetutare.
Policia serbe dhe njësitë e armatës serbo-jugosllave e vejnë në përdorim tërë arsenalin ushtarak kundër masave të demonstruesve shqiptarë, duke i vënë në radhet e para tanket dhe autoblindat dhe duke përdorur municionin dum-dum kundër masës duarthatë. Mes datës 27 dhe 29 mars 1989, sipas të dhënave zyrtare, u vranë 24 shqiptarë dhe u plagosën 180 të tjerë, ndërkaq sipas burimeve të tjera numri i të vrarëve ishte shumëfish më i madh. Pas këtyre ngjarjeve, pushteti okupator serb sërish e vuri Kosovën nën gjendje të jashtëzakonshme apo administrim ushtarako-policor, gjendje ajo që kishte vazhduar me ca ndërprerje të shkurtëra që nga viti 1981. Si pasojë e asaj gjendjeje i mbyllën të gjitha institucionet publike, Universitetin dhe shkollat e mesme e fillore dhe nisën fushatën e burgosjes dhe të dënimit me procedurë të shpejtë të mbi 900 intelektualëve shqiptarë të Kosovës, duke i akuzuar për organizimim apo për pjesëmarrje në demonstrata. Organizata për të drejtat njerëzore „ Helsinki Watch“, shkruante në raportin e saj se gjendja në Kosovë, gjatë asaj periudhe, mund të cilësohej si „Okupim ushtarak“ dhe „kolonizim“.
Për t` iu kundërvënë ndryshimeve të dhunshme kushtetutare të pushtetit serb, Parlamenti i Kosoves, më datën 2 korrik 1990-të, në mbledhjen e organizuar në rrethanat e kushteve të jashtëzakonshme, e aprovoi Deklaratën kushtetuese mbi “Kosovën si njësi te pavarur dhe të barabartë me njësitë tjera në Federatën-konfederaten jugosllave”. Më atë akt, Parlamenti i Kosovës e anuloi vendimin e datës 23 mars 1989, me të cilin qenë aprovuar amandamentet për Kushtetutën e Serbisë.
Në deklaratën e aprovuar, veç tjerash, thuhej se ajo shpreh vullnetin e shqiptarëve-popullit shumicë, që Kosova të jetë sovrane dhe e barabartë me njësite tjera federative në Jugosllavi. Dy muaj më pas, më 7 shtator 1990, në një seancë të posaçme, të organizuar ilegalisht në Kaçanik, Parlamenti i Kosovës e institucionalizoi vullnetin e popullit të Kosovës, duke e aprovuar dhe duke e shpallur Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, parlamenti serb, më 28 shtator 1990, e aprovoi Kushtetutën e Serbisë, sipas së cilës, krahinat nuk ishin më njësi të pavarura dhe konstituive të Federatës jugosllave, por ishin shndërruar në pjesë të republikës së Serbisë.
Doktrina e “Politikës së durimit” dhe pasojat e saj
Dhjetëvjeçari i fundit i shekullit të shkuar, paraqet , njëkohësisht, edhe fillimin e shthurjes së Bllokut socialist në Evropën lindore. Ndikimet e asaj shthurjeje u hetuan edhe në Ballkan, por, siç ka ndodhur gjithnjë gjatë historisë, aty ndryshimet dhe proceset e reja, u përcollën me ngjarje të bujshme, me konflikte e luftra të ashpra që zgjatën mes viteve 1991-1999. Aventurën e tyre, të përmbushur me urrejtje patologjike kundër popujve të tjerë, e paguan me jetëra rreth 300 mijë njerëz në Bosnje, në Kroaci e në Kosovë.
Shenjat e para, që sinjalizonin mundësinë e organizimit të formave të reja të veprimit politik, të cilësuara si forma plurale, që u shfaqen në vitin 1991, u pritën me tumirim edhe në Kosovën e okupuar, ku shumica absolute shqiptare, ndodhej në një gjendje të rëndë të okupimit, dhe nën peshën e ligjeve të egra diskriminuese serbe, pa asnjë të drejtë qytetare – edhe përkundër faktit se hapësira politike për një organizim të ri dhe për veprimtari pluraliste politike ishte shumë e kufizuar.
Fillimi i veprimit pluralo-politik, krijoi përshtypjen mashtruese të gjoja nismës së një demokratizimi të brishtë, por, në fakt ishte ajo një lustër, që pushteti serbo-malazez e vente në përdorim për ta maskuar gjenocidin që ushtronte në Kosovë. Sidoqoftë, rrënimi i sistemit, që kishte filluar me shpërbërjen e Lidhjes së Komunistëve – partisë në pushtet, krijoi mundësinë për shfaqjen e konturave të para të veprimit plural, por edhe të një udhëheqjeje të re shqiptare, e cila me të dalë në skenën politike, u gjend paksa e befasuar dhe e pa përgatitur për t`u ndeshur me sfidat e reja që e prisnin në planin e çlirimit kombëtar dhe të krijimit të shtetit të Kosovës.
Konturat e projekt – programeve të para të subjekteve politike, nuk përmbanin asgjë nga përvoja e rezistencës gjysmëshekullore të Lëvizjes kombëtare shqiptare. Elita e promovuar ishte pjesë e një klase politike që sapo kishte konvertuar nga Lidhja e Komunistëve, elitë e cila nuk posedonte ndonjë përvojë në fushën e rezistencës kundër okupatorit, qoftë me mjete legale apo nga ilegaliteti, prandaj rrethanat e kishin zënë të papregatitur dhe të pa strategji të caktuar për t`u marrë me problemin e Kosovës së okupuar. Kështu, e zënë në befasi, që në nismë ajo u deklarua se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet me mjete demokratike dhe me politikë paqësore, por nuk e precizoi as atëherë e as më vonë, se cilat ishin ato mjete demokratike me të cilat do të mund të çlirohej Kosova?!
Ishte pikërisht koha kur popujt tjerë të ish-shtetit Jugosllav bënin përgatitjet për ndarje dhe për krijimin e shteteve dhe shtetësive të tyre, të qena e të pa qena, ndërkaq “Elita shqiptare”, duke mos gjetur mjete adekuate për t`iu kundërvënë veprimeve antishqiptare të pushtetit okupues serb, e as t`i krijojë parakushtet themelore për krijimin e shtetit të pavarur të Kosovës, e nxiste popullin e vet t`ia ruajë qetësinë Serbisë, duke i premtuar liri e pavarësi, në sajë të durimit dhe të kërkesës për demokraci, me dy gishta të ngritur, vend e pa vend, si V-në e Victorias.
Kështu, në sajë të një fillimi të mbarë, që nga aprovimi i Deklaratës kushtetuese, para ndërtesës së Parlamentit të Kosovës, e deri me organizimin e suksesshsëm të Referendumit për Kosovën shtet të pavarur në kuadër të Federatës, qe krijuar pështypja se faktori shqiptar e kishte marrë veten për t`u vënë në ballë të popullit, që një farë masë ishte përgatitur psiqikisht gjatë dy decenieve paraprake për t`u ndeshur me sfidat që e prisnin, por përshtypja nuk u bë realitet, nga se “Elita partiake” iu ças për së mbrapshti çështjeve aqë të rëndësishme, siç ishte krijimi i rrethanave për çlirim nga okupatori shekullor serb, duke u mbështetur në analiza politike të gabuara dhe duke vepruar politikisht me metoda të papërdorshme për rrethanat që i kishte krijuar okupimi në jetën e shqiptarëve në Kosovë.
E nxitur nga faktorë të jashtëm për të vënë në jetë forma të tilla të punës politike apo duke i imagjinuar vetvetiu format e rezistencës paqësore, udhëheqja partiake e nxiti përçarjen e Lëvizjes Kombëtare, duke futur gverre mes partive politike në formim dhe grupacioneve të tjera shoqërore dhe, me vetëdije të plotë, e stimuloi luftën për pushtetin e pa qenë, në vend se tërë energjinë dhe vrullin gjithëkombëtar ta orientonte për realizimin e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur.
Deri sa për nismën e veprimtarisë plurale-politike, mund të kuptohej se elitës partiake i mungonte sensi për veprime adekuate konform rrethanave përkatëse të gjendjes së okupimit, që thellohej gjithnjë e më tepër në të gjitha sferat e jetës, për veprimet e mëvonshme të saj , në rrethanat e konsolidimit të saj brenda radhëve të LDK-së, ishte e padyshimtë se veprimet e saj politike kishin prapavi dhe qëllim të caktuar për ta mbajtur popullin jashtë kohë e hapësire, duke ia ngjallur shpresën se lirinë do t`ia sillnin të tjerët. Pra, në rrethana të tilla, mjaft të rënda, ajo i hyri qerimit të hesapeve me kundërshtarët e mundshëm politikë, të cilët, sipas saj, nuk gëzonin të drejtën të mendonin ndryshe. Kështu, ndaj dy–tri partive politike, që kishin mendim tjetër apo që supozohej se do të kishin mendim tjetër, e pat vënë në përdorim parimin e „marrjes së kalasë nga brendë“, duke i infiltruar kuadrat e LDK-së në to, dhe ai çast kishte shënuar fillimin e përçarjes në lëvizjen politike të shqiptarëve të Kosovës, e cila e kishte arritur kulmin e veprimtarisë së vet në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të shkuar me ngjarjet e mëdha politike, që e karakterizonin atë periudhë, siç ishin: shpallja e Deklaratës Kushtetuese, aprovimi i Kushtetutës së Kaçanikut, mbajtja e Kuvendit të Pajtimit Kombëtar te Verrat e Llukës, mbajtja e Referendumit për Kosovën e pavarur etj. Kështu, duke manipuluar mes rezistencës paqësore dhe “politikës së durimit”, udhëheqja partiake e LDK-së arriti ta vejë përçarjen në funksion të ruajtjes së njëmendshmërisë politike, duke i promovuar dështimet e vazhdueshme politike në fitore apo duke i imagjinuar fitoret në planin e realizimit të pavarësisë kombëtare, duke synuar ngritjen e “piramidave politike” përmes të cilave ruhej ideja fikse mbi format e pushtetit, që mund të shëndrroheshin në shtet, pra për t`i shpëtuar falimentimit para popullit të vet.
Psikologjia e okupimit
Përçarja dhe përpjekjet për ta konzervuar gjendjen, duke e pacifikuar masën e gjerë të popullit shqiptar do të jenë dy levat kryesore të politikës së LDK-së, dhe të politikës së “durimit”, pasojat e të cilës do të jenë shumë të mëdha, veç tjerash, edhe në shmangien e vëmendjes së faktorit të jashtëm, në veçanti të faktorit evropian për t`u marrë më seriozisht me metodat brutale që çonin deri në gjenocid, që i ushtronte pushteti serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Prandaj, nuk ishte kurrfarë rastësie që politika pasive që në fakt ishte politikë tërësisht inferiore, e udhëhequr për një periudhë të gjatë, nuk u kuptua seriozisht as nga okupatori as nga faktori ndërkombëtar, madje në masën më të madhe ajo i shkoi përshtati edhe okupatorit, sepse gjatë gjithë viteve të luftës në Kroaci e në Bosnje pikërisht ashtu siç i duhej atij, Kosova ishte vend i qetë dhe i patrazira, që përkundej në endërrën e republikës dhe të pavarësisë fiktive, për qetësimin e të cilës Serbisë nuk i nevojiteshin kurrfarë forcash as njësish speciale, as kurrfarë mjetesh të posaçme financiare, sepse Kosova qetësohej dhe finansohej nga njërëzit e saj, e madje në masë të madhe, direkt apo indirekt, finansohej edhe okupatori me mjetet e shumëta devizore.
Qetësinë deri në heshtje varri, e mbanin politikanët kosovarë me doktrinën e tyre politike të quajtur “politikë e durimit”, doktrinë e cila u përkrah, u propagandua dhe u shit nga ca „teoricienë“ kosovarë, si kombëtare e shpëtimtare.
Edhe përkundër faktit se ishte në dijeni të plotë për gjendjen aktuale në Ballkan, ashtu sikundër edhe për finalen e pasuksesshme të politikës shqiptare të aplikuar pas vitit 1991, elita partiake sillej me komoditet, pa u trazuar fare për të ndërtuar shtetin, për të cilin thoshin se populli apo një pjësë e tij, ua kishte dhënë bësimin, ndërkaq shqetësohej e reagonte me nervozitet në rastet, kur vërente se po i rrezikohej pushteti i imagjinuar personal, natyrisht së bashku me privilegjet që i ofronte, duke harruar se po s`u ndërtua shteti i Republikës së Kosovës, pa vonese do të humbnin edhe pushtetin e tyre fiktivo-personal, e mbase edhe diç më shumë, ashtu sikundër u ndodhi pa kaluar shumë kohë.
Lëvizja Kombëtare Shqiptare qoftë nga shkaku e një sjelljeje të tillë të elitës partiake, qoftë nga mosverprimi aktiv, nga marrja me vetveten dhe nga mosaftësia për ta vlerësuar drejt gjendjen aktuale politike, si brenda rradhëve të veta, ashtu edhe atyre të okupatorit, kishte rënë në letargji të plotë. Udhëheqja partiake në vend se vetëdijësonte popullin për forcën e tij, që ishte aq e madhe sa s`mund të mposhtej me asgjë, e madje as me “ hekur e zjarr“, as me uri e me ekspedita ndeshkuese, i ofronte opcionin, sipas të cilit realizimi i synimeve kombëtare duhej të arrihej me rezistencë pasive dhe me durim, ndonëse shihej qartazi se ai opcion nuk kishte dhënë rezultate.
Udhëheqja partiake, që e konsideronte veten si legjitime, përpiqej me të gjitha mjetet për ta vënë në gjumë edhe më tej popullin e vet, duke bëre lansime të nduarnduarta, të pa kurrfarë mbështetjeje në gjendjen faktike, sipas të cilave trumbetohej gjoja se liria ishte në prag, se bisedat me Sërbinë për pavarësinë e Kosovës me praninë e një përfaqësuesi të tretë së shpejti do të fillonin, se zyra informative e SHBA-ve në Kosovë, që pritej të hapej, do të ishte njëlloj përfaqësie diplomatike dhe se ai fakt nënkuptonte një lloj pranimi të pavarësisë së Kosovës nga ana e Shteteveve të Bashkuara dhe një sërë krijimesh të tjera, të cilat jo vetëm që nuk i shërbenin këndelljes dhe mobilizimit të popullit, por përkundrazi ato popullin e venin në agoni të mëtejme, duke ia ngulitur kështu edhe me tej shpresën se çlirimi dhe pavarësia e Kosovës mund dhe duhej të pritej nga të huajit. Dhe, i gjithë ai mashtrim i qëllimshëm bëhej në rrethanat kur asnjë institucion ndërkombëtar, i radhitur nga propaganda lëdekeiste si miqësor apo më pak miqësor, nuk e kishte përkrahur e as nuk e përkrahte konstituimin e Republikës se Kosovës si shtet të pavarur e sovran dhe nuk e pranonte idenë mbi mundësinë e shkëputjes së Kosovës nga Serbia. Prandaj, veprimet politike të “udhëheqjes legjitime” të shqiptarëve të Kosovës gjatë peiudhës 1991-1999, e deri në përfundimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në planin e realizimit të synimeve kombëtare, – krjimin e shtetit të të pavarur dhe sovran të Kosovës, ngelën të parealizuara.
Cenohet mënyra e të menduarit dhe të vepruarit kolektiv
Udhëheqja partiako-politike shqiptare, shpeshherë, pasivitetin dhe mospunën e vet ua përshtati interesave të okupatorit, duke ia lehtësuar punën për të vënë rregull e qetësi në Kosovë, pikërisht në situatat e në rrethanat, kur aty nuk do të duhej të kishte as rregull e as qetësi. Pasojat e ndikimit që kishte bërë qëndrimi i gjatë nën okupim, u pa se ishin të pranishme në mënyrën e përceptimit kolektiv të formave të dhunës e të nënshtrimit ndaj forcave okupuese.
Nga brerjet e vazhdueshme të psikologjisë së okupimit, ishte cenuar rëndë mënyra e të menduarit dhe të vepruarit kolektiv, e mbase edhe individualiteti kombëtar. Se prekjet e tilla ishin të pranishme në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit konkret, u hetua në Kosovë, kur e tërë energjia dhe vrulli kombëtar i shqiptarëve të Kosovës shpenzohej në drejtim të “ sjelljes me durim”, pra, për t`u bërë sa më të durueshëm, për t`i mos ia kthyer dorën okupatorit dhe, në veçanti, për ta nxitur fushatën e ikjes masive të të rinjve të gjinisë mashkullore sa më larg nga trojet e veta, për të lënë plang e shtëpi.
Sjelljet e tilla flisnin për faktin se njëriu i thjeshtë kishte qenë për një periudhë të gjatë i shkelur, i lënë pasdore, i manipuluar dhe i mashtruar. Qytetarët e rendomtë, ajo tërësia që definohet si popull, ju kishin nënshtruar formave çnjërëzore të çintegrimit të personalitetit dhe të individualitetit të vet kombëtar, qoftë duke qenë të keqpërdorur e të mashtruar, qoftë duke qenë të dresuar dhe të ndërsyer, në radhë të parë kundër rrethit të vet. Mbase nga kënde të tilla lypset shikuar përpjekjet me ngulm të “elitës partiake”, që “filozofitë dhe logjikat e huaja” të shartuara si forma autoktone të veprimit , dhe të pagëzuara si “politikë e durimit”, t`i aplikojë në jetën e përditshme, edhe pse e kishin fare qartë, që në start se ato s`përkonin fare me traditën, kulturën, historinë dhe rrethanat politike në Kosovë.
Përpjekjet për vënien në jetë të atyre metodave të konsideruara si “politikë paqësore” apo si “politikë e durimit”, e gërryen dhe e stërkeqën individualitetin kombëtar dhe e krijuan brenda masës së gjerë popullore ndjenjën e pamundësisë për të vepruar kundër okupatorit, e ntrashën ndjenjën e tmerrit kolektiv nga okupatori dhe e krijuan e psikologjinë e gjendjes së pashpresë, me moton „Kah sytë-këmbët“, gjendje e cila, pa vonesë, i pat lënë vatrat shqiptare, gjatë periudhës 1990-1998, pa meshkuj të moshës aktive, dhe si pasojë e saj, ngeli pjesa dërmuese e vajzave shqiptare të pamartuara apo u shtynë për një decenie e më shumë martesat e tyre.
Themelet e një “strategjie” të tillë, qenë vënë në rrethanat e një okupimi të thellë, kur okupatori me forcat e tij, dita-ditës, e shtonte presionin ndaj popullsisë shqiptare, duke i përdorur të gjitha mjetet me të cilat dispononte, ndërkaq subjektet politike shqiptare, siç quheshin partitë politike, kishin rënë në kllapi, duke u tundur në shtratin e ëndrrave për Kosovën e pavarur, dhe as që shfaqnin gatishmëri për t`u këndellur dhe për t`u vënë në ballë të popullit. Ndonëse ajo politikë jipte efekte kontraproduktive në planin e realizimit të synimeve kombëtare, e madje, në një masë të madhe, edhe degradonte identitetin dhe të individualitetin kombëtar, ajo propagandohej ditë e natë nga kuadrat partiake
Rezistenca aktive kundër okupuesve serbë, e filluar në disa mjedise të Kosovës, vihej në thumb të kritikave nga ca individë që pretendonin ta mbronin zërin e mirë të rezistencës pasive të LDK-së. Ndonjë syrësh, që ishte indoktrinuar pak më shumë me “suksesin”, që ajo mund t`i sillte popullit tonë, pat shkuar aq larg saqë për pak të shpallte si antikombëtar edhe Gjergj Kastriotin-Skëndërbeun, pse edhe ai në atë kohën e vet, nuk kishtë qënë “i zgjuar sa duhet” për të apilikuar rezistencën paqësore kundër pushtuesve otomanë, dhe, në atë mënyrë, “do t`i kishtë çliruar tokat shqiptare, pa derdhur gjak?!”, ashtu siç bënin lëdekeistët në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të shkuar.
Një numër autorësh shqiptarë vazhdonin me brëshëri sulmesh kundër bartësve të mendimit të zgjidhjes kombëtare me mjete të tjera, me luftë çlirimtare. Të tillët bënin kërdinë duke i ofenduar publikisht përfaqësuesit e grupimeve që mendonin ndryshe. Kështu, në ndonjë rast, si bie fjala në „ Rilindja“, që botohej jashtë Kosovë, në gusht të vitit 1992, veç tjerash shkruante: „Ata (…) janë persona me ambicje të sëmura, liderë të vetëzgjedhur, hipokritë, persona që atdhedashurinë e kanë tregëti, aventurierë të papërgjegjësi“ etj.
Koha e lansimit të ofendimeve të tilla puçej me fillimin e dy proceseve politike, të organizuara nga okupatorët serbë në Prishtinë, kundër shqiptarëve të akuzuar gjoja për terrorizëm dhe për nxitje të kryengritjes në Kosovë. E njëjta gazetë theksonte se “Serbia ka të angazhuar më tepër se 250 mijë trupa në Kosovë“, duke u bërë, në mënyrë të pavetëdije, propaganduese të luftës speciale serbe, duke futur frikë e tmerr dhe duke krijuar ndjenjën disfatiste, sipas se cilës dilte se “një force që nuk mund t`i kundërvihesh në mënyrë të barabartë, do të duhej nënshtruar”. E vërteta ishte se serbët në Kosovë nuk e arrinin atë numër as me banorë e lene më me policë e ushtarë.
Ruajtja e “Status quo-së”
Mashtrimet, konstruktimet dhe lansimet e nduarnduarta që i bënte ekipi i specializuar, kishin si qëllim themelor vënien në “gjumë“ të masave të gjera popullore. Popullit i thuhej se liria ishte në prag, se bisedat me Serbinë për pavarësinë e Kosovës me praninë e një përfaqësuësi të tretë se shpejti do të fillonin, se hapja e zyrës informative të SHBA-ve në Kosovë do të jetë njëlloj përfaqësie diplomatike dhe hapja e saj gjoja nënkuptonte një lloj pranimi të pavarësisë se Kosovës nga ana e Shteteveve të Bashkuara dhe një sërë krijimesh të tjera, të cilat jo vetëm që nuk i shërbenin këndelljes dhe mobilizimit të popullit, por përkundrazi atë e venin në agoni të mëtejme, duke ia ngulitur edhe më tëj shpresën se çlirimi dhe pavarësia e Kosovës duhej të pritej nga të huajit. Ndërkaq, në atë kohë dihej me saktësi se asnjë institucion ndërkombëtar, i radhitur nga propaganda ditore si miqësor apo më pak miqësor, nuk e kishte përkrahur shpalljen e Republikës së Kosovës, si shtet të pavarur e sovran, dhe nuk e kishte pranuar idenë e mundësise se shkëputjes nga Serbia, me përjashtim të Shqipërisë, por edhe ajo e mbështeste fort parimin e mosndryshimit të kufinjve.
Qëndrimi i institucioneve ndërkombërtare përkitazi me bisedat e mundshme shqiptaro-serbe për zgjidhjen e problemit shqiptar, nuk mbështetej në vullnetin e shprehur të shqiptareve të Kosovës në referndumin e organizuar për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, por, përkundrazi si zgjidhje e shihte gjendjen faktike të Kosovës, si pjese integrale e Serbisë.
Institucionet ndërkombëtare e njihnin Kosovën si pjëse integrale të Sërbise, dhe bisedat eventuale shqiptaro-serbe, që i iniconin faktorët ndërkombëtarë, mund të bëheshin vetëm për zgjidhje në kuadër të shtetit serbo-malazez, ndërkaq çështja e shkallës se autonomise së mundshme për të cilën do të duhej të bisedohej, jo vetëm që nuk ishte definuar sa duhej, por madje atyre ditëve, ishte hequr krejtësisht nga fjalori i diplomatëve, siç e ilustronte edhe rasti kur Kristofer, pas përfundimit të vizitës në Beograd lidhur me zgjidhjen e mundshme të çështjës së Kosovës, i pat përmendur vetëm të drejtat e njeriut dhe ato qytetare. Atyre ditëve një gazetë e Beogradit shkruante: ” Shqiptarët po e refuzuekan autonominë që nuk ua jap askush ?!”.
Ishte fakt i pamohueshëm se okupimi bëhej gjithnjë e më i rëndë, ndërkaq pasojat e tij ishin katastrofale për popullin shqiptar. Gjendja ishte si ajo e një nate kur vret gjeja nga të katër anët – mbytëse nga të pabësit, shpërthyëse nga shpifarakët, ishtë situatë rrënqëthëse e mjerimit dhe paaftësisë për të kthyer dinjitetin e shkelur kombëtar; ishte njëkohësisht situatë dramatike e tragjike, e krijuar nga okupimi dhe depërtimi i okupatorit në poret kombëtare, por edhe e ntrashur nga ndjenja e fjetur dhe e përkundur me shpresën se të tjëret do të duhej të bënin punën e shqiptarëve: t`ua çlironin atdheun për ta, apo t`ua falnin shqiptarëve të Kosovës lirinë e pavarësinë; ishte ajo situatë e krijuar nga okupimi dhe lufta psikologjike e okupatorit, e ushtruar ditë e nat, të cilës i shkonte ndorësh, edhe politika e udhëhequr shqiptare, në mos me asgjë tjetër, se pakut, pse ia lente duart e lira armikut për të bërë gjithçka, pikërisht në kohën kur ai, okupatori, ishte kokë e këmbë i zhytur në dy fronte dhe kur gjendej nën sankcionet ndërkombëtare.
Nëse bëhen përpjekje për ta pasqyruar sa më realisht atë periudhë, del fare e qartë se politika e proklamuar si rezistencë paqësore, që në nismën e saj, ishte mbështetur në vlerësime të gabueshme të situatës dhe të rrethanave politike në të cilat gjendeshin shqiptarët e Kosovës, e, në raport me ato vlerësime, e kishte çvlerësuar rëndësinë e faktorit të brendshëm-popullit shqiptar të Kosovës dhe gatishmërisë së tij për t`u çliruar nga okupimi klasik serbo-madh.
Lufta e UÇK-së dhe ndërhyrja e NAT-os
Në gjysmën e dytë të viteve të nëntëdhjeta bëhej gjithnjë më e qartë se politika e ashtuquajtur e “durimit” nuk kishte gjetur mjete adekuate për t`iu kundërvënë formave brutale të okupimit serbo-malazez, prandaj dukej qartazi se shumica e shqiptarve ishin të zhgënjyer. Goditjen më të madhe shpirëtrore shumica shqiptare e mori me mospërfilljen që iu bë çështjes së Kosovës në Deyton.
“Elita politike” e përbërë nga LDK-ja e kishte mashtruar popullin gjoja se administrata amerikane e përkrahte pavarësinë e Kosovës nga Serbia dhe çlirimin e saj me mjete politike, ndërkaq takimi i Dejtonit, e kishte qartësuar situatën deri në imtësi, nga se problemi i saj ishte heshtur si lëshim për të mos ia “prishur disponimin” Millosheviçit.
Në në atmosferë të tillë, disa muaj pas Marrëveshjes së Dejtonit, në pranverën e vitit 1996, doli para opinionit të brendshëm e të jashtëm Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Goditjet e saj kundër pozicioneve të armikut lënin të kuptohej se ato planifikoheshin nga profesionistët, synimi i të cilëve ishte arritja e objektivave të caktuara politike dhe strategjike. Pas shkurtit të vitit 1998, UÇK- ja i kishte avansuar aksionet e formacioneve të saj në aspektin taktiko–strategjik, duke ua përshtatur kushteve konkrete në raport me ambientin dhe forcën e armikut, siç ishte shmangia, në rrethana të caktuara, e konfrontimeve të drejtpërdrejta kundër forcave okupatore serbe, strategji ajo që u përdor deri në përfundimin definitiv të luftës.
Gjatë fazës së parë të luftës e deri në fundverën e vitit 1998, Ushtria Çlirimtare e Kosovës arriti ta çlirojë dhe ta mbajë nën kontroll të plotë afro 50% të territorit të Kosovës, e madje edhe pas tërheqjeve strategjike, por edhe humbjeve të ca territoreve gjatë ofensivave serbe të shtatorit, ajo arriti t`i rikthejë ato në gjysmën e dytë të tetorit 1998, ndërkaq, pas tre muajsh, në fillim të shkurtit të vitit 1999 UÇK-ja sërish e kishte nën kontroll rreth gjysmën e territoreve të Kosovës, duke i ruajtur në mënyrë konstante edhe korridoret për furnizim me armatim dhe me njërëz. Taktika e aplikuar gjatë luftës, për t`i mbajtur nën kontroll madje edhe gjatë ofensivave më të egra të armatës serbe, si territoret e çliruara ashtu dhe korridoret e furnizimit, përmes të cilave bëhej përtrija e radhëve të UÇK-së dhe përgatitja e luftëtarëve të rinj, UÇK-së ia mundësoi ekzistencën dhe ia siguroi fitoren përfundmtare.
Me përjashtim të ca periudhave të shkurtëra kohore, qoftë gjatë kohës kur Kosova gjendej nën Perandorinë Osmane, qoftë më vonë mes viteve mes viteve 1920-1924, ishte ajo hera e parë që ushtria kombëtare – Ushtria Çlirimtare e Kosovës, arriti ta çlirojë dhe ta kontrollojë rreth gjysmën e territoreve të Kosovës dhe t`i krijojë kushtet që popullsia në territoret e lira, jo vetëm të ndjehet e lirë dhe e çliruar nga okupatori, por, edhe të qeverisej dhe të administrohej nga vetë populli shqiptar. Atyre ditëve, qytetarët e rendomtë shqiptarë të viseve të çliruara nga UÇK-ja, duke menduar në lirinë e fituar me gjakun e dëshmorëve dhe viktimave të shumta të shkaktuara nga barbarizmi serb, edhe pse kishin humbur pjesëtarët e familjes, edhe pse një pjesë e tyre kishin ngelë pa plang e shtëpi, e thonin troç : „E kemi ba Shqipni“, duke e lidhur kuptimin e nocionit “ Shqipni” me kuptimin e lirisë së fituar me gjak, për të shtuar se atë “Shqipni” apo atë liri “s`do të dalë forcë, që mund të na e marrë“, duke shprehur kështu gatishmërinë që lirinë e përgjithmonshme, ta mbrojnë me krejt çfarë kishin, e edhe me jetën e e tyre.
Forcat e UÇK-së në Dukagjin, pas ikjes së forcave të FAR-kut, në fundverën e vitit 1988-të, u tërhoqën në thellësinë e territoreve, në fshatrat e Dushkajës dhe në Rugovë e në bjeshkët e saj. Aty e morën veten dhe i stabilizuan radhet. Numri më i madh i ushtarëve të UÇK-së, që ishin tërhequr në Shqipëri së bashkut me popullin pas forcave të FARK-ut, sërish u kthyen në njësitet e veta për të vazhduar luftën deri në çlirim. Me shtimin e radhëve të UÇK-së, rritet dukshëm edhe forca goditëse dhe kthimi në pozicionet e humbura gjatë ofensivës serbe të shtatorit. Përfundimisht, UÇK-ja në atë teritor ishte stabilizuar dhe e kishte rritur dukshëm numrin e ushtarëve në fillim të nëntorit të vitit 1998.
Aftësia e UÇK-së për t`u rigrupuar, për t`u përtrirë dhe për të ndërmarrë aksione luftarake befasuese kundër forcave të okupatorit, pikërisht në situatat kur armikun e mbante shpresa se ia ka arritur ta eliminojë nga skena luftarake, flet për faktin se Shtabi i Përgjithshëm, në rrethana të caktuara vuri në përdorim taktika të sprovuara të luftës partizane, që u treguan shumë të suksesshme kundër forcave të kombinuara serbe.
Sukseset e arritura në fushën e luftës, UÇK- në e bënë forcë të pathyeshme dhe faktor të rëndësishëm ushtarako-politik, i cili, për herë të parë në historinë e Kosovës, arriti ta diktojë dhe ta orientojë rrjedhën e mëtejmë të ngjarjeve, për ta prurë çështjen e Kosovës në rrugë të zgjidhjes në Rambouillet dhe në Paris, dhe për të përshpejtuar intervenimin e NATO-s.
Udhëheqja serbe në krye me Milosheviçin, duke parë dështimin total, si në planin luftarak ashtu edhe në atë ndërkombëtar, në fazën përfundimtare të luftës, do t`i qaset realizimit të planit “ Patkoi” dhe do të ndërmarrë fushatën më të egër që njëh historia deri me sot, – asgjasimin e tërësishëm të shqiptarëve të Kosovës, duke i përdorur të gjitha mjetet. Sipas informacioneve të besueshme, gjatë ofensivave të egra, të përndjekjes së shqiptarëve, trupat militaro-paramilitare serbe likuiduan mbi 15 mijë civilë shqiptarë, i bënë rrafsh me tokë mbi gjysmën e shtëpive të Kosovës dhe i dëbuan mbi 1 milion e 600 mijë shqiptarë nga trojet e tyre. Nga ky numër rreth 600 mijë shqiptarë kërkuan shpëtim maleve dhe bjeshkëve të pakalueshme të Kosovës, kurse mbi 900 mijë u vendosën në Shqipëri, Maqedoni, Bosne, Mal të Zi etj. Numri i saktë i shqiptarëve të zhdukur dhe numri i grave dhe vajzave të dhunuara ka ngelë gjithnjë enigmë, dhe vështirë se do të sqarohet ndonjëherë.
Lufta çlirimtare e UÇK-së dhe e popullit shqiptar kundër forcave okupatore serbe, e cila u fitua, si në planin ushtarak ashtu edhe në atë politik, ishte rrjedhojë dhe, njëkohësisht, kurorëzim i përpjekjeve të kahmotshme shqiptare, qoftë për ta ruajtur pacenueshmërinë e trojeve shqiptare, qoftë për ta çliruar Kosovën nga robëria e gjatë nën sundimin serb. Në fakt, ishte ajo luftë e filluar që moti, që nga periudha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u ndërpre, brenda territorit adiministrativ të Kosovës, me hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë, në qershorin e vitit 1999, dhe me largimi e përgjithmonshëm të forcave serbe nga Koaova. Ajo luftë do të ngelë si ekzemplar në historinë e luftrave çlirimtare, qoftë për faktin se UÇK-ja ballafaqohej me një armik me epërsi të shumëfishtë, si në njërëz ashtu edhe në teknikë luftarake, qoftë edhe për fatkeqësinë, që shfaqej përmes mospërfilljes së disa grupacioneve të caktuara brendakombëtare ndaj doomosdoshmërisë së rezistencës me armë kundër armukut, grupacione ato, të cilat, jo vetëm njëherë, u shprehën me mohim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe luftës së saj çlirimtare, për të sjellë dilema, në veçanti mes një pjese të popullsisë së qyteteve dhe të dy-tri regjioneve, që thuaja deri në mars të vitit 1999 ngelën jashtë flakës së luftës.
Lufta e fituar kundër një okupatori, forca e të cilit në njërëz dhe në armë, ishte shumëfish më e madhe se sa e UÇK-së, dëbimi i dhunshëm që shumëherë u quajt “ekzod biblik”, si dhe kthimi i vrullshëm dhe i pa pritur, i pa parë dhe i pa ndodhur ndonjëherë në histori, që nga java e parë e hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, i rreth një milioni shqiptarëve të dëbuar, në rrethanat, kur akoma rrugët s`ishin pastruar nga minat, në rrethanat kur gjysma e shtëpive të Kosovës ishin rrafsh me tokë, – flet për një popull të lidhur mish e thue me trollin e vet dhe hap një kaptinë të re në historinë e shqiptarëve të Kosovës, e mbase në historinë e shqiptarëve në tërësi.
FUND