BESIM CENGU: VETËM KUR SHKRUHET HISTORIA, NUK HARROHET

Pashtriku.org, 26 mars 2018: (…Fragment nga libri “Përmasat e mbijetesës).
Fati është një nga bashkëudhëtarët e njerëzve. Si një nga njerëzit, pjesë e kësaj shoqërie, edhe unë pata fatin, që në motin më të lig të kombit tonë, të jem gazetar, që bashkë me kolegët e mi, të ndjek gjithë ngjarjet që ndodhën në Kosovë, por edhe kudo, ku u diskutua problemi i madh shqiptar. Mjerisht, kufinjtë e Shqipërisë janë rrudhur nëpër mugëtirën e shekujve, e kjo gjë nuk ka ndodhur kot. Janë plot arsye, që argumentojnë këtë fat të keq.

Pozita tejet e favorshme gjeografike ku jetojnë shqiptarët, është argumenti i parë dhe më kryesori. Ndodhemi mu në gjirin e Evropës, nga ku “mund të shikohet gjithë bota”, siç qe shprehur një udhëheqës sovjetik kur vizitoi Shqipërinë në vitet 60-të, ndërsa presidenti Bill Klinton, në fjalimin e datës 24 Mars 1999, pikërisht atë ditë kur u dha urdhri për sulmin mbi Jugosllavinë, theksoi që në fillim se “Kosova, është një vend i vogël, por ajo ndodhet në një pikë kyqe të rëndësishme ndërmjet Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, në pikëtakimin e fesë islame me të dyja degët e krishtërimit: Perëndimor e Ortodoks”. Nuk ka se si të shpjegohet rëndësia që kishte kjo luftë kundër luftës, më qartë e më mirë, se nga këto që tha presidenti amerikan.

Me këtë luftë, bota e civilizuar vendosi gurin e parë në themelin e rendit të ri botëror mu në Kosovë, pikërisht në zemrën e gjithë territoreve shqiptare, që fatkeqësisht janë të coptuar në pesë shtete. Realisht, dimensionet e kësaj lufte morën përmasa krejt të reja. Ajo nuk ishte thjesht një luftë kundër një diktature donkishoteske e izoluar në Gadishullin Ballkanik, por ishte një luftë vizionare me vlera gjithëbotërore. Kjo luftë ka synimin e qartë për të prishur klishetë e vjetra etatiste të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore dhe të ndërtojë raporte e vlera të reja humane krejt tjera në përputhje me zhvillimin global të shoqërisë njerëzore.
Lufta kundër luftës në Kosovë, u bë për të ndërtuar raporte të tjera njerëzore në mbrojtje të civilizimit e përparimit të njerëzimit. Pikërisht për këtë, Kosova do të mbetet në histori si trualli ku filluan të ndërtohen konceptet e reja të një mentaliteti të ri, ku secili komb të mos e ndjej veten inferior kundrejt një kombi tjetër, ku kudo të triumfojnë marrëdhëniet zhvilluese, e jo urrejtjet antihumane e nacionalizmat meskin të botës së vjetër.
Lufta kundër luftës në Irak, në këtë kontekst, është akt vazhdues i suksesshmën i botës së qytetëruar për ndërtimin e këtij rendi të ri, i cili në të njëjtën kohë është edhe domosdo e shekullit të XXI.

Në fundin e konfliktit të pranverës së vitit 1999 në Kosovë, më 10 Qershor, një ditë pas nënshkrimit të kapitullimit të ushtrisë jugosllave në Kumanovë, Presidenti Bill Klinton, tha se: “…Ne luftën e bëmë për tre qëllime: T’i krijojmë mundësi popullit kosovar, viktimave të mizorive më të mbrapshta në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në siguri e vetqeverisje; t’u kërkonin forcave serbe, përgjegjëse për këto mizori, të largoheshin nga Kosova; si dhe të dislokonin një forcë ndërkombëtare të sigurisë, me NATO-n në qendër, për t’i mbrojtur të gjithë njerëzit e asaj treve të trazuar – si serbët edhe shqiptarët”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura