Shkup, 29 qershor 2020: Zyra e Prokurorit të specializuar të Kosovës me seli në Hagë, më 24 prill 2020, u paraqiti Dhomave të specializuara të Kosovës një aktakuzë me 10 pika për t’u shqyrtuar nga Gjykata Speciale. Për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte akuzohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerë. Njoftimi u bë publik vetëm tri ditë para se të fillonte dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington. Për shqiptarët, në shkallë kombi, lajmi ishte befasues.
Askush nuk di të tregojë se kush qëndron pas kësaj djallëzie. Ka që thonë se ky ishte një komplot i Rusisë, i kurdisur në bashkëpunim dhe në bashkëveprim me qarqe të caktuara influente të BE-së. Të tjerë mendojnë se ky ishte një akt i ndërmarrë nga Parisi dhe Berlini, kundër presidentit amerikan Donald Tramp.
Rrallë ka ndodhur në historinë e botës që një dialog midis dy vendeve për të arritur një marrëveshje historike paqeje të mbahet paralelisht në dy qendra politike ndërkombëtare të vendosjes. Në rastin konkret, në Uashington dhe në Bruksel.
Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit filloi në mars të vitit 2011. Prej vitit 2013 e këndej janë mbajtur më se 120 takime, me ç’rast janë nënshkruar mbi 40 marrëveshje teknike. Brukseli duhet ta dijë se problemi është politik dhe jo teknik. Brenda këtij dialogu gati dhjetëvjeçar, ende nuk kemi një rezultat përfundimtar. Kjo tregon se BE-ja nuk ka pasur kapacitet të arrijë një zgjidhje përfundimtare për “çështjen”. Brenda këtyre dhjetë vjetëve, Gjermania nuk ka treguar ndonjë interesim konkret për ta zgjidhur “çështjen”. Franca ndërkaq, konsiderohet si një aleate e Serbisë.
Sipas serbëve, konstelacioni apo raporti i forcave sot, si në planin kontinental, ashtu edhe në atë global, nuk është ai i kohës së Rambujesë. Rusia sot, na qenkësh më e konsoliduar se dikur. Vitet e fundit, interesim për Ballkanin ka shfaqur edhe Kina. Këto dy fuqi të mëdha, Serbia i merr për aleate të saj.
Beogradi ka punuar pareshtur që “problemin” e Kosovës ta paraqes si një çështje të pazgjidhur, e që mund të zgjidhet me “kompromis”. Ka punuar pandërprerë që punën e Kosovës ta paraqesë si një “çështje” ruso-amerikane. Sipas Beogradit, “çështja” e Kosovës nuk është vetëm çështje e Uashingtonit dhe Berlinit, por edhe e Moskës.
Udhëheqësit serbë shpesh janë takuar me krerët politikë rusë: me ambasadorin rus në Beograd, me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergej Llavrov, me presidentin rus, Vladimir Putin. Mu në prag të takimit midis Thaçit dhe Vuçiqit në Uashington, kryetari i Serbisë më 23 dhe 24 qershor 2020 vizitoi Moskën ku u takua me Putinin. Gjatë çdo takimi serbo-rus, një prej temave ka qenë edhe “çështja” e Kosovës.
Rusia nuk do zgjidhje përfundimtare për Kosovën. Një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë do ta stabilizonte Ballkanin dhe do t’ia hapte Kosovës rrugën e integrimit në organizmat euro-atlantikë, ndërsa Serbisë – integrimin në Bashkimin Evropian. Kjo nuk është në interes të Moskës. Pikërisht për këtë arsye Moska është kundër çfarëdo marrëveshjeje midis dy palëve. Por, me këtë qëndrim të Moskës, Serbia shndërrohet në peng të Rusisë. Si rrjedhojë, e humb perspektivën evropiane.
Gjatë historisë politike të kohës më të re, që nga “Naçertanija” (1844) e Ilija Garashaninit e deri më sot, Serbia as edhe një ditë të vetme nuk ka qenë shtet demokratik. Për shoqërinë serbe, fjala “demokraci” është një nocion fiktiv.
Ballkani Perëndimor paraqet interes strategjik për fuqitë e mëdha. Prej këtij rajoni dilet në Adriatik dhe që andej, nëpër dete e oqeane. Rajoni është kryeurë që lidh kontinentin e vjetër me Azinë dhe Afrikën. Duke kaluar nëpër këtë rajon mbërrihet në vendet e gjirit Persik.
Rusia është e pranishme në rajon nëpërmjet Serbisë dhe Republikës Serbe të Bosnjës dhe Hercegovinës. Malin e Zi synon ta destabilizojë nëpërmjet serbëve që jetojnë aty. Maqedoninë synonte ta destabilizojë me ndihmën e faktorit antishqiptar – VMRO-së. Rusia synon ta shndërrojë Ballkanin në një rajon ku ndeshen interesat gjeopolitkë të saj, përballë ShBA-së.
* * *
Kosova është investim amerikan. Çdo zgjidhje përfundimtare nga dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, pa ShBA-në, nuk është veçse llogari pa hanxhiun. ShBA-ja është e pranishme në Ballkan qysh nga rënia e murit të Berlinit më 9 nëntor 1989 dhe fillimi i pluralizmit.
Me ndihmën e Uashingtonit:
– U realizua Konferenca e Rambujesë (Rambouillet), e cila i filloi punimet më 6 shkurt 1999, në Rambuje afër Parisit dhe zgjati deri më 22 mars 1999 ;
– U arrit Marrëveshja e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, më 9 qershor 1999, për të hyrë në fuqi më 11 qershor 1999. U nënshkrua nga komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, Majkëll Xhekson (Michael Jackson) dhe nga ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuar në Hagë për krime lufte dhe gjenocid;
– U arrit Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar më 13 gusht 2001. Nënshkrues ishin edhe lehtësuesit ndërkombëtarë në dialog Fransua Leotar dhe Xhejms Perdju;
– Shqipëria u bë anëtare e NATO-s. Ftesën për anëtarësim e mori në samitin e Bukureshtit që u mbajt më 2 prill 2008, ndërsa anëtare me të drejta të plota u bë në samitin e Strasburgut dhe Këlnit, të mbajtur më 2 prill 2009;
– Mali i Zi u bë anëtare e NATO-s, më 5 qershor 2017;
– U arrit Marrëveshja e Prespës, më 17 qershor 2018;
– Maqedonia u bë anëtare e NATO-s, më 27 mars 2020.
Tani ishte radha e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë. Por kjo u minua. Dikush thotë, nga Rusia. Të tjerë thonë, nga Parisi dhe Berlini, kundër Trampit.
Trampi, në mënyrën e vet, i mbron interesat e ShBA-së. Politika e tij has në kundërshtimin e Moskës, të Pekinit, të Berlinit dhe të Parisit.
* * *
Dialogu i Brukselit “për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit” është zhvilluar në prani të përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini (Fedrica Mogherini), d.m.th. shefes së diplomacisë evropiane, e cila është një politikane italiane.
Dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit, i zhvilluar gati dhjetë vjet në Bruksel nuk rezultoi me një zgjidhje përfundimtare. Nga kjo del se një zgjidhje përfundimtare nuk arrihet nëpërmjet dialogut, por nëpërmjet një plani të hartuar nga Uashingtoni, që do të ishte i pranueshëm për të dyja palët. Mutatis mutandis, diçka si plani që çoi në arritjen e Marrëveshjes së Prespës midis Shkupit dhe Athinës. Pa një plan të tillë, të hartuar prej amerikanëve, ky dialog mund të zgjasë pafundësisht. Kjo nuk është, as në dobi të Kosovës, as në dobi të Serbisë dhe as në interes të rajonit.
Kosova është interes strategjik amerikan i dorës së parë. Si e tillë, ajo nuk duhet të jetë pjesë e zgjedhjeve presidenciale të ShBA-së. Kosovën e kanë mbrojtur republikani Xhorxh Bushi i parë, demokratët Bill Klinton dhe Barak Obama, si dhe republikani Xhorxh Bushi i dytë. Pra, e kanë mbrojtur, si presidentët republikanë, ashtu edhe ata demokratë. Në botën demokratike, çështja e votës është një çështje personale, private dhe sekrete. Po qe se shqiptarët e Amerikës votojnë për njërin kandidatë dhe ndodh të fitojë tjetri, atëherë ç’ndodh pas kësaj?! A duhet për këtë të pësojë Kosova?! Cilido kandidat të fitojë në ShBA, Kosova është interes strategjik amerikan.
Shqiptarët janë aleatë të natyrshëm të ShBA-së. Është e vetëkuptueshme se Uashingtoni dhe Berlini kanë interes të kenë marrëdhënie të mira edhe me Serbinë. Por këto dy qendra duhet ta dinë se partneritet strategjik me Serbinë kurrë s’mund të kenë, ngase ajo është satelite historike e Rusisë dhe e tillë do të mbetet. Një afrim midis Uashingtonit dhe Beogradit do ta shndërronte Serbinë në një shtet tepër të privilegjuar. Tani ajo do të kishte raporte të mira me që të tri fuqitë e mëdha: me Rusinë, me Kinën, me ShBA-në, përfshi këtu edhe fuqitë evropiane – Gjermaninë dhe Francën. Një partneritet strategjik i këtillë i Uashingtoni dhe Berlinit – me Serbinë, është utopi dhe iluzion. Përplasja e interesave të fuqive të mëdha nuk e lejojnë një gjë të tillë.
Shqiptarët ndërkaq, duke mos qenë sllavë, mbeten aleatë të natyrshëm dhe të përjetshëm të Uashingtonit dhe Berlinit. Por, për ta arritur këtë miqësi, shqiptarët duhet të jenë të devotshëm, të jenë në krye të detyrës.
Pa ndihmën dhe pa investimet amerikane, zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk mund të përfytyrohet. Askush përpos ShBA-së nuk mund të realizojë në Kosovë projekte ekonomike kapitale, me rëndësi strategjike.
* * *
Ka kohë që Serbia udhëhiqet nga pasardhësit e Millosheviqit dhe të Vojisllav Sheshelit. E këta janë kryetari Aleksandër Vuçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq. Këta dy ultranacionalistë kanë qenë mbështetës të drejtpërdrejtë të kriminelëve të luftës në ish-Jugosllavi. E udhëhequr prej “ish”-radikalit Vuçiq dhe nacional-socialistit, Daçiq dhe e mbështetur nga Putini, Serbia ndjek në rajon politikë destruktive, destabilizuese, hegjemoniste dhe ekspansioniste: Në Bosnjë dhe Hercegovinë, mbështet tendencat separatiste dhe secesioniste të Republikës Serbe të udhëhequr nga miku i Putinit, Milorad Dodik. Në Mal të Zi ka krijuar kolonë të pestë. Ndaj Kosovës ndjek politikë luftënxitëse, politikë force, luftë speciale, luftë psikologjike, përhap propagandë gebelsiane.
Kryekrimineli i Ballkanit – Vuçiq, e ka përkryer edhe retorikën demagogjike. Ai nuk ka dallim nga lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Megjithëkëtë, dyert e kancelarive, si në Paris, ashtu edhe në Berlin, nuk i ka të mbyllura. Turp për fuqitë evropiane. Raporte të mira ka edhe me Rexhep Taip Erdoganin.
Me investime ekonomike nga Rusia, nga Kina, nga Turqia, nga vende të caktuara arabe, nga Franca dhe nga Gjermania, Beogradi hiqet sikur nuk ka nevojë të ngutshme për t’u integruar në BE.
Nuk habit fakti kur në një Serbi të tillë investojnë Rusia dhe Kina. Investon Ankaraja dhe vende të caktuara arabe, financiarisht të fuqishme. Është për t’u habitur kur në këtë vend destabilizues investojnë Franca, e sidomos Gjermania. Më 15 korrik 2019 presidenti francez Emanuel Makron bëri një vizitë dyditëshe në Serbi. Gjatë takimit me Vuçiqin në Beograd nuk la pa e bërë publike se vendi i tij i shet armë Serbisë, një Serbie e cila në fillim të viteve ’90 bëri luftë kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinë dhe Kosovës, e cila në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë bëri gjenocid.
Kësaj Serbie, BE-ja i ka dhënë edhe datë për fillimin e bisedimeve integruese, duke e shndërruar kësisoj në të përkëdhelurën e vet. Në anën tjetër, Kosovës e cila i ka përmbushur të gjitha kriteret e Brukselit, i mohohet liberalizimi i vizave. Për Brukselin, Moldavia na qenkësh mbi Kosovën. Si është e mundur të diskriminohet Kosova kur në të, me vite kanë qenë të pranishme UNMIK-u dhe EULEXI?! Nëpërmjet liberalizimit të vizave Brukseli synon të ushtrojë trysni mbi Kosovën që t arrijë marrëveshje me Serbinë. Turp për Evropën. Politika konstruktive, stabilizuese dhe paqeruajtëse e Kosovës meriton nga Brukseli vlerësim objektiv dhe jo ndëshkim.
Po qe se midis Parisit dhe Berlinit, në një anë dhe administratës së presidentit Tramp, në anën tjetër, ka përplasje interesash, Kosova s’ka përse të jetë viktimë e këtij ballafaqimi. Kosova është shtet perëndimor, sikundër janë edhe vendet e Perëndimit, ku bën pjesë edhe ShBA-ja.
Brukseli nuk duhet të harrojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ky institucion me seli në Hagë përfaqëson gjykatën e nivelit më të lartë të Kombeve të Bashkuara. Pasditen e 22 korrikut të vitit 2010 bëri publik opinionin këshillimor lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gjatë fjalës së tij, kryetari i Gjykatës Hiasashi Ovada tha: “Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe as Rezolutën 1244”. Vendimi u mor me 10 vota për dhe 4 kundër.
* * *
Dialogu midis Prishtinës duhet të ndërpritet. Para se të nis, Kosova duhet t’i kërkojë Uashingtonit dhe Berlinit që ta detyrojnë Serbinë:
– Ta ndërpresë veprimet subversive lidhur me çnjohjen e Kosovës nga vendet që tanimë e kanë njohur;
– Ta ndërpresë veprimet destruktive lidhur me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare;
– T’i pranojë mallrat e Kosovës me dokumentacionin ku figuron emri kushtetues i saj “Republika e Kosovës”;
– Të ndërpresë gjenocidin e heshtur ndaj shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë);
– T’i japë fund instrumentalizimit të serbëve të Kosovës për qëllimet ekspansioniste të saj;
– Të njohë tërësinë e tokave apo integritetin territorial të Kosovës;
– Të njohë sovranitetin e Kosovës.
Uashingtoni dhe Berlini duhet ta dinë se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është dialog midis dy shteteve dhe jo dialog midis Serbisë dhe shqiptarëve. Çfarëdo dialogu jashtë pikave të sipërthëna nuk është veçse humbje kohe. Temë e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, me Uashingtonin si tertium interveniens duhet të jenë vetëm të drejtat e pakicës serbe në Kosovë si dhe ato të shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë).
Çfarëdo dialogu jashtë kësaj synon të krijojë një entitet serb në Kosovë, siç është Republika Serbe në Bosnjë e Hercegovinë, e cila synon të shkëputet prej saj për t’iu bashkëngjitur Serbisë.
S’ka shqiptar në rruzullin tokësor që do ta nënshkruante një gjë të tillë. Serbia le t’u krijojë entitet shqiptarëve në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), boshnjakëve në Sanxhak dhe hungarezëve në Vojvodinë, ku jetojnë pjesëtarë të 26 minoriteteve.
Pakica serbe në Kosovë që përbën jo më shumë se 5 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë së saj, gëzon të drejta si asnjë minoritet tjetër i rruzullit tokësor. Kushtetuta e Kosovës u garanton pakicave të drejta demokratike sipas standardeve evropiane më të larta.
* * *
Gjykata Speciale duhet të dijë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës:
– ka bërë luftë çlirimtare;
– ka luftuar kundër forcave ushtarake, policore dhe paramilitare pushtuese serbe;
– ka luftuar brenda territorit të Kosovës dhe jo në territor të Serbisë;
Ndërhyrja ushtarake e vendeve anëtare të NATO-s dëshmon se lufta e UÇK-së ka qenë historikisht e drejtë.
Gjykata Speciale duhet ta dijë se Serbia në Kosovë ka qenë:
pushtues dhe kolonizator;
– ka luftuar për të ruajtur statusin kolonialist dhe për të mbajtur nën kontroll territoret e pushtuara.
Gjykata Speciale duhet të dijë se gjatë luftës në Kosovë Serbia:
– ka kryer krime kundër njerëzimit;
– ka vrarë civilë, fëmijë, gra, pleq;
– ka çelur varre masive në të cilat i ka groposur civilët shqiptarë të ekzekutuar.
– ka shkelur konventat ndërkombëtare të luftës.
Gjykata Speciale duhet të dijë se forcat serbe:
– kanë kryer përdhunime; dhe
– kanë kryer ekzekutime masive.
Për të kryer pastrimin etnik të Kosovës, forcat e armatosura serbe dëbuan prej vatrave të veta rreth një milion shqiptarë të cilët u vendosën në Shqipëri dhe në pjesët shqiptare në Maqedoni. Serbia në Kosovë ka kryer gjenocid.
* * *
Në Gjykatën e Hagës, ndaj pjesëtarëve më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë zbatuar procese juridike, por procese politike. Udhëheqës të lartë të UÇK-së u mbajtën në Hagë vite të tëra, për t’u liruar pas shumë vitesh si të pafajshëm. Ky kalvar nuk mbaron me kaq. Të njëjtit, sërish viheshin pas grilave, për t’u liruar më pas, përsëri si të pafajshëm. Ç’gjykime janë këto ndaj shqiptarëve?! Kjo s’ka ndodhur as në mesjetë.
Këtu kemi të bëjmë me zëvendësim tezash. Në vend që për krime kundër njerëzimit dhe për kryerje gjenocidi të dënohen kriminelët e Serbisë, dënohen pjesëtarët më të lartë të UÇK-së e cila ka bërë luftë çlirimtare, historikisht të justifikueshme. Është absurde të dënohet luftëtari i lirisë, ndërsa agresori të amnistohet, për të mos thënë, të shpërblehet.
* * *
Problemi shqiptar nuk është vetëm i jashtëm. Është edhe i brendshëm. Është problem politik, ekonomik, social, moral dhe psikologjik. Probleme të natyrës së sipërthënë ka kudo ku janë shqiptarët në Ballkan. Përplasjet politike në të gjitha hapësirat shqiptare, si në asnjë vend tjetër të rajonit, e rrënojnë para botës imazhin e shqiptarëve si komb. Të tjerët do të thonë: ”Shqiptarët janë popull pa kapacitet shtetformues”.
Që nga çlirimi i Kosovës, faktori politik nuk ka ndjekur politikë shtetërore, por parapolitikë krahinore, zone dhe fisi. Me parapolitikë krahinore, zone apo fisi s’të pranon dot kush në arenën ndërkombëtare. Akuzat dhe aktakuzat e sotme nuk janë rastësi. Asgjë në histori nuk ka ndodhur rastësisht. Gjatë tërë periudhës së pluralizmit në hapësirat shqiptare ka mbizotëruar:
– politizimi dhe partizimi i skajshëm i institucioneve publike;
– politizimi dhe partizimi ekstrem i të gjitha poreve të shoqërisë;
– korrupsioni, nepotizmi dhe format e tjera të veprimeve të paligjshme;
– klientelizmi, joprofesionalizmi dhe diletantizmi;
– karrierizmi, ambiciet e sëmura, megalomania, lakmia për t’u pasuruar brenda nate;
– kontrollimi i mediumeve dhe mungesa e lirisë së shtypit;
– mungesa e lirisë së fjalës, e lirisë së shprehjes, e lirisë së mendimit ndryshe;
– ngulfatja e mendimit kritik, censura dhe autocensura;
– mercenarizmi i mediumeve, i analistëve politikë, i krijuesve të mendimit publik;
– simulimi i ekzistimit të lirisë së fjalës;
– shpëlarja e trurit të masave të gjera;
– disiplinimi i inteligjencies, oportunizmi dhe konformizmi i saj;
– mungesa e ndërgjegjes dhe e kulturës për shtet dhe komb në një pjesë të shoqërisë.
Si pasojë e sa më sipër kemi shpërnguljen në masë të të rinjve dhe krijimin e segmenteve të dëshpëruara dhe të deprimuara brenda shoqërisë. Në rrethana të tilla lindin dhe forcohen faktorët e ekstremit të majtë apo të ekstremit të djathtë.
Aty ku faktori politik ndjek parapolitikë krahinore, zone dhe fisi, asnjë subjekt politik nuk mund të fitojë më shumë se një të katërtën e numrit të përgjithshëm të votuesve. Shteti që udhëhiqet nga një parti politike e cila fiton jo më shumë se 25 për qind të trupit votues kurrë nuk mund të ketë qeveri të qëndrueshme. Ky raport i forcave në Kosovë do të vazhdojë edhe një kohë të gjatë. Kjo shkon në dëm të Kosovës.
Ndryshimet mund të bëhen duke i dhënë fund parapolitikës krahinore, të zonës dhe të fisit. Parapolitikat duhet të zëvendësohen me politikë kombëtare, d.m.th. shtetërore. Kjo nuk bëhet pa zhvillim ekonomik dhe pa ndërtuar shtet ligjor apo shtetin e së drejtës.
Shqiptarët maten me vetveten dhe e mundin njëri-tjetrin. Pra, e mundin vetveten. Politika e Kosovës duhet të matet me atë të rajonit dhe më gjerë.
Karakteristikë e lëvizjeve majtiste janë veprimet populiste dhe retorika denigruese. Gazi lotsjellës e rrënon prestigjin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Interesi i individit, i grupit, i koniunkturës apo i partisë nuk mund të jetë mbi interesin e shtetit. T’i quash oponentët politikë vite me radhë tradhtarë dhe me të njëjtët të krijosh koalicion qeveritar nuk është veçse infantilizëm politik dhe papërgjegjësi politike.
Shtetin e ndërtojnë dhe e udhëheqin idealistët dhe jo të pangopurit. Ai ngrihet mbi parime demokratike dhe jo mbi teka autoritare dhe autokratike.
Në Tiranë dhe në Prishtinë ke mundur të dëgjosh se “Hashim Thaçi bën shkëmbim territoresh, vetëm e vetëm për t’i shpëtuar Gjykatës së Hagës”. Shërbim më të madh se kjo, s’ke si i bën armikut. Shteti i ri nuk e merr dot veten me retorikën “Unë jam proamerikan, kurse ti je antiamerikan”.
Postime të Lidhura
PASHTRIKU: ZBARDHET MARRËVESHJA SHQIPËRI – SERBI, PËR PËRFITIME TË DIPLOMATËVE NË VEPRIMTARI FITIMPRURESE!
Pashtriku.org, 23. 01. 2013 – (Traktati fitimprurës për xhepat e pushtetarëve) – Dje, është bërë publike “marrëveshja ndërmjet Këshillit…
PIRRO PRIFTI: ALBANOFOBIA DHE EUROFOBIA – DY PARADOKSE QË GJENEROJNE ANTI’INTEGRIM!
Pashtriku.org, 15. 01. 2014 – Fjalët Albanofobë dhe Eurofobë të përmëndura përkatësisht nga S.Berisha në Mars 2013 dhe…
DR.ABDULLA MEHMETI: KATËR PRIORITETE PËR BALLKANIN PERËNDIMOR
Tetovë, 26 nëntor 2017: Bashkimi Europian, Rusia dhe Turqia nuk mund të prodhojnë stabilitet të jashtëm, përderisa nuk…
GJOKË DABAJ: ZONJA A. MERKEL DUHET TA KETË PARASYSH PSE FITOI KOMUNIZMI NË BALLKAN NË FUND TË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE
Durrës, 02. 09. 2015: Në ditët rreth 15 gushtit, kur festa e Shën Mërisë do të sillte në…