SHERADIN BERISHA: KUR POLITIKANËT MILIONERË-NË SHQIPËRI DHE NË KOSOVË PASUROHEN NË KURRIZ TË POPULLIT TË VARFËR !?

Pashtriku.org, 26. 02. 2014 – (Kafshatë që s’kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,/kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi/kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta/që t’shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita/edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin/të tan jetën e vet derisa të vdesin. – Migjeni ‘Poema e mjerimit’)
Personaliteti më në zë i kulturës dhe letërsisë shqiptare, Faik Konica, në kohën kur Shqipëria ishte katandisur në varfëri e mjerim të thellë nga regjimi i Ahmet Zogut, oborrtarëve të tij ju kishte thënë: “Erdhët me nga një palë brekë në byth, ndërsa tani po ikni me pasuri përrallore”!!! Dhe këtë rrugë të pasurimit – duket se po e ndjek edhe oborri i politikanëve të sotëm në Shqipëri dhe në Kosovë !!!

Më shumë se fjalët – flet varfëria dhe mjerimi!

Sa për ilustrim shikoni këto video për varfërinë në Shqipëri dhe në Kosovë:

*********************

* * *
Në Kosovë sipas të dhënave të Agjencionit Kundër Korrupsionit, rezulton se pjesa më e madhe e politikanëve që përbëjnë legjislativin (kuvendin) dhe ekzekutivin (qeverinë) janë milionerë (!!!), ndërkohë që gjysma e popullsisë së aftë për punë është e papunë dhe jeton në vrafëri të skajshme! Duket paradoksale të ketë kaq shumë politikanë të pasur, në këtë vend ku po lulëzon gjithandej skamja dhe mjerimi, dhe për më keq nga kjo gjendje e rëndë dhe e papërballueshme qindra familje shqiptare detyrohen të ikin nga Kosova! Gjykoj se Komandanti legjendar Adem Jashari dhe mijëra bashkëluftëtarë të tij: (ata që ranë dëshmorë dhe shumë të tjerë që mbetën gjallë e jetojnë në skamje), nuk luftuan për një Kosovë të tillë !!!

VAJI I USHTARIT TË UҪK’së NGA SKAMJA!

Në një rrëfim për “Zërin” Invalidi i UÇK-së Kujtim Dervishaj, ka thënë se në moshën 17 vjeçare ka braktisur shkollën, ka shkuar në Shqipëri, është armatosur dhe kthehet si pjesëtar i Brigadës 112 ‘Arben Haliti’ të UÇK’ës,… “Unë jam veteran i luftës dhe jam i plagosur. Unë nuk gëzoj pensionin invalidor. Unë s’kam luftuar për pare, por për popull, por më lanë të gjithë anash, më lan pa punë dhe pa shtëpi”…”25 centë kushton një plumb. Sikur ta dija që po vjen kjo ditë, më mirë ia kisha dhënë vetit një plumb. Por, tash i kam katër fëmijë e ku t’i lë ata”, ka thënë me zemër të thyer Kujtim Dervishaj.  Pas luftës, fatin e Kujtim Dervishajt e kanë edhe qindra luftëtarë tjerë të Ushtrisë Ҫlirimitare të Kosovës.

* * *
Në vijim sjellë një dëshmi rrënqethëse të një luftëtari të orëve të para të UÇK’së, që ka evidentuar, Drejtori Ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, z. Behxhet Shala.
Ja se, çka shkruan Behxhet Shala, lidhur me këtë rast?!
“A jeni ju Behxhet Shala më pyeti një fytyrë e përvuajtur në rrugën “Nëna Terezë”, para restaurantit “Rings”. Pas pohimit tim, m’u lut ta takoj, kur të kem kohë të lirë ndonëse tha se nuk mund t’i zgjidh problemet. Anulova një takim të paraparë dhe e prita në zyrën e KMDLNJ’së, të njëjtën ditë. Ishte një burrë rreth të 50’ave, baba i tre fëmijëve dhe gjysh, gjithashtu. Dy here ishte dënuar për “faje” politike, armik i vëllazërim-bashkimit të dikurshëm që mund të përkthehet si multietnicitet i sotëm! Luftëtar i orëve të para të UÇK’së, pjesëtar për shumë vite i TMK’së, tash në rrugë! I papunë, i pa mjete për sigurimin e ekzistencës elementare për familjarët e tij, për veten as që mendonte! Rrëfehej për kohërat e luftës kur me bashkëluftëtarët e tij hapnin istikame, shkonin në vijat e para të frontit, ndanin një copë buke në pesë a më shumë pjesë dhe as që mendonin se mund të vriteshin, me një fjalë, nuk ia kishin frikë vdekjes! Tash, po ata ish’bashkëluftëtarë – komandantë që u pasuruan duke vjedhur paratë e djersës dhe gjakut, nuk ia hapin telefonin dhe nuk e presin për t’i dëgjuar hallet e tij! Bëhen se nuk janë në zyra ndonëse u dëgjohet zëri, largohen me vetura të blinduara kur ish’bashkëluftëtari i tyre largohet me këpucët e Lulit të Migjenit dhe pa asnjë shpresë se do të siguroj as ushqim të mjaftueshëm për familjen e tij! Nuk e lëshonte nga goja të Madhin Adem Jashari, Komandantin Legjendar të UÇK’së. Thoshte, të ishte gjallë vetëm dhjetë minuta e t’i shoh komandantat e tij, si përfituan nga lufta, gjaku i dëshmorëve dhe t’ua jep “shpërblimin“ e merituar! Tregonte për hajnitë që janë bërë në TMK, nga fillimi e sidomos në kohën e shpërbërjes! Filloi të dëneste, të qante me zë. Duke më kërkuar falje, i lëshoi poshtë një palë xhinse të stërpërdorura dhe i tregoi brekët që i vishte që nga viti 2000 (kur ishte pranuar në TMK) dhe të cilat kishin filluar të zbehen nga larjet e shpeshta. Nuk mund ta qetësoja. Merreni me mend luftëtarin që e ka sfiduar vdekjen shumë here në jetë e tash nuk i gjen kuptim jetës, nuk dëshiron të jetojë më! Vërtetë e tmerrshme, u gjeta në një situatë shumë të rëndë dhe nuk e di se si u përmbajtja. Nuk kisha guxim ta shikoja në sy, si t’i ndihmoja!” – thotë në fund miku im Behxhet Shala.
* * *
Në fakt gjendja e luftëtarëve të lirisë është edhe me e rëndë se kaq! Një dekadë pas luftës në Kosovë 45 ish’ushtarë të UÇK’së, për shkak të skamjes dhe varfërisë së skajshme, i kanë dhënë fund jetës së tyre në mënyrë të trishueshme!!! 

Kjo skamëri e skajshme dhe trishtuese, duket se është një Këmbanë ALARMI, për lidershipin e papërgjegjshëm politik e institucional të Shqipërisë dhe të Kosovës!

Sa për ilustrim në vijim shikoni këtë videomaterial:

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura