Toronto (Kanada), 14 korrik 2020: Fjala korrupsion vjen nga anglishtja, që do të thotë ryshfetmarrje, mitosje, thyerje me pará. Përkufizim: Korrupsioni është sjellje e pandershme ose mashtruese nga ata që janë në pushtet, zakonisht përfshin ryshfetin.
Korrupsioni nuk luftohet me llafe boshe, siç janë këto: “Të luftojmë korrupsionin…”. Ai luftohet me rritjen e mirëqënies së popullit.
Si ta rrisim sa më shpejt mirëqënien e popullit shqiptar, që të shpëtojmë sa më parë nga e keqja e madhe me emrin korrupsion? Bindja e autorit të këtij shkrimi është, se vetëm nafta dhe gazi mund ta pasurojnë shumë shpejt shtetin dhe popullin tonë. Ato mund ta rrisin shpejt mirëqënien. Kam parasysh “një naftë të madhe” Pse? Sepse Shqipëria dhe Kosova kanë perspektiva shumë të mëdha për naftë dhe gaz, të ngjashme me Norvegjinë, Azerbajxhanin etj.
Në botë, të gjitha kombet kanë pasur dhe kanë njerëz të korruptuar, por kombi ynë shqiptar historikisht ka pasur dhe ka jo pak njerëz të korruptuar, spiunë dhe deri tek njerëz të shitur tek të huajt. Një miku im më shkruante: “Çuditem, pse kombet fqinje me Shqipërinë nuk kanë nxjerr spiunë apo tradhëtarë në sherbim të kombit shqiptar? Përkundrazi, pse kombi ynë historikisht ka nxjerr spiunë apo tradhëtarë në sherbim të fqinjve? Janë aq shumë, sa nuk mund të llogariten….”
Lind pyetja: Cila është arsyeja, që kemi nxjerr jo pak spiunë dhe tradhëtarë? E kemi në gjak spiunllëkun dhe tradhëtinë? Jo, nuk i kemi aspak në gjak. Populli ynë është fisnik. Arsyeja është se historikisht kombi ynë i vogël ka qenë i pushtuar nga të huajt, i shtypur, i grabitur, i varfëruar…. Populli ynë thotë: Fukarallëk-maskarallëk. Pra, fukarallëku bëri që jo pak prej nesh të korruptohen, të shiten dhe të blihen për pesë pará. Turku na korruptoi me anë të ryshfetit. Për shembull, Vrionasit e Beratit etj. u bënë shumë të pasur, sepse i shërbyen turkut, duke marrë si ryshfet shumë toka të Myzeqesë. Sot, duke qenë të varfër, jo pak prej nesh korruptohen (shiten, blihen) për pak pará, ose për favore të ndryshme. Këtë e dikton lufta e pandershme për një jetë personale dhe familjare më të mirë, paçka se në dëm të shoqërisë, në dëm të popullit dhe të atdheut. Po pushtetarët tanë të pasur, pse janë të korruptuar? Sepse ata fillimisht ishin të varfër, dhe me anë të korrupsionit (ryshfetmarrjes, pandershmërisë etj.) u bënë të pasur. Tani ata nuk dalin dot nga zullumi i madh, ku janë futur….Ata duhen nxjerr nga ky zullum. Pas vitit 1990, korrupsioni në Shqipëri është shumë i përhapur. Ai vepron që nga zyrat e pushtetit të ulët lokal dhe deri tek zyrat e pushtetit qendror qeveritar.
Popujt, që kanë mirëqënie, e kanë më pak të zhvilluar korrupsionin. Ky është një fakt i padiskutueshëm. Korrupsioni pothuajse nuk ekziston në shtetet e zhvilluara të Europës Qendrore dhe Veriore. Mirëqënia të bënë më të sjellshëm, më të zhvilluar, më të edukuar dhe të kulturuar, më të disiplinuar, më krenar dhe atdhetar….Kush është shumë i varfër nuk mendon fare për këto gjëra. Ai e ka mendjen tek sigurimi i bukës për familjen, sigurimi i veshjes, çatisë mbi kokë etj.
Pra, korrupsioni nuk luftohet me llafe boshe, siç janë këto: “Të luftojmë korrupsionin…”. Ai luftohet me rritjen e mirëqënies së popullit. Mirëqënia sjell zhvillim të gjithanshëm. Çelësi, për zhdukjen e korrupsionit, ose pakësimin e tij në maksimum, është mirëqënia.
Si ta rrisim sa më shpejt mirëqënien e popullit shqiptar, që të shpëtojmë sa më parë nga e keqja e madhe me emrin korrupsion? Për këtë mund të ketë mendime të ndryshme, por bindja e autorit të këtij shkrimi është, se vetëm nafta dhe gazi mund ta pasurojnë shumë shpejt shtetin dhe popullin tonë. Ato mund ta rrisin shpejt mirëqënien. Kam parasysh “një naftë të madhe” Pse? Sepse Shqipëria dhe Kosova kanë perspektiva shumë të mëdha për naftë dhe gaz, të ngjashme me Norvegjinë, Azerbajxhanin etj. Norvegjia është shembull konkret, se si me anë të zhvillimit të sektorit shtetëror të naftës mund të pasurohet shumë shpejt shteti dhe populli. Të marrim shembull prej saj. Ne mendojmë se tani na mungojnë specialistët e naftës, por në fillim edhe Norvegjia nuk kishte specialistë për naftën, Ajo i përgatiti shumë shpejt specialistët. Ashtu të veprojmë edhe ne.
Prandaj, çfarë duhet bërë?
Duhet shtetëzuar (nacionalizuar, kombëtarizuar) nafta, gazi dhe minierat. Por shtetëzimin e naftës etj. e pengojnë të huajt dhe qeveritarër tanë të korruptuar, sepse është kundër interesave të tyre grabitqare. Prandaj, për këtë duhet të jemi të përgatitur mirë. Pas shtetëzimit, investimet kryesore duhen bërë në sektorin shtetëror të naftës. Në këtë sektor duhet të vihen në punë edhe paratë e popullit. Kërkimet dhe shfrytëzimin e naftës dhe të gazit etj. duhet t’i bëjnë vet shqiptarët Kështu mund të shpëtojmë nga e keqja e madhe, e quajtur korrupsion. Nuk shoh rrugë tjetër për shpëtim. Provat e tjera, siç janë zhvillimi i turizmit dhe agroturizmit etj., janë vetëm mashtrime.