Pashtriku, 22 korrik 2020:
7.51 Hasan Ramadani
I lindur më 8. 9. 1959 në Pribovc të Bujanovcit.
Ka mbaruar gjimnazin.
I martuar, ka katër fëmijë
Jeton dhe punon në Zvicër.
Në OMLK është organizuar më 1980 dhe ka vepruar në celulë me
Sabri Sherifin dhe Mefail Bajramin.
U arrestua më 20.4.1983 dhe u dënua me dy vite burg.
Veprimtarinë atdhetare e vazhdoi edhe pas lirimit nga burgu.
Nga viti 1994 jeton në Zvicër dhe vepron në LKÇK.
7.52 Sadri Sherifi
I lindur më 16.7.1954 në Qarr të Bujanocit.
Ka mbaruar Fakultetin Filozofik.
I martuar, baba i dy fëmijëve.
Jeton dhe punon në Zvicër, si punëtor social.
Si fëmijë ishte ndikuar shumë nga rrëfimet e nënës për vëllanë e saj që për shkak të veprimeve të tij luftarake kundër pushtuesve serbo-sllavë, në vitin 1949 e kishte lënë vendlindjen dhe ishte vendosur në Shqipëri. Për të emri Shqipëri po bëhej gjithnjë e më i dashur, jo vetëm se aty kishte gjetur shpëtim daja, por e kishte kuptuar se me të e lidhte diçka më e madhe; se ishte i saj dhe se ajo ishte e tij.
Një radio që ia kishte dhuruar familjes dajë Selman Ramadani ishte bërë mjet i fuqishëm edukimi dhe frymëzimi për Sadriun e ri, sepse dëgjonin rregullisht emisionet e Radio Tiranës dhe Radio Kukësit.
Gjatë studimeve në Universitetin e Prishtinës nuk ishte i organizuar, por kishte lidhje me Ilmi Ramadanin e Rexhep Malajn dhe i ndihmonte në veprimtarinë e tyre derisa u arrestuan më 1975.
Më vonë u bë pjesëtar i një grupi prej katër vetash që e quajtën „Shqiponjat e arta“, veprimtaria e të cilit qe kufizuar në sigurimin, leximin dhe shpërndarjen e literaturës ilegale. Nga fundi i vitit 1978, kur doli nga burgu Ilmi Ramadani, ai u tërhoq nga ky grup dhe shkoi në shërbimin ushtarak. Pasi edhe më parë e kishin bastisur familjen e tij, policia vetëm disa ditë pas kthimit nga ushtria, e arreston Sadriun në maj 1980 dhe e mbajti për katër ditë nën hetime.
Pas disa aksioneve që kishte kryer duke prishur parulla armike, nëpërmjet Ilmi Ramadanit, pranohet në radhët e Organizatës, ku vepronte në celulë me të dhe me ish të dënuarin politik, Fazli Abdullahun. Ai mbante afër edhe disa nga bashkëveprimtarët nga “Shqiponjat e arta”, kurse më vonë formuan celulë të re me veprimtarët Sabri Sherifi, Hasan Ramadani dhe Mefail Bajrami.
Më 1 maj 1981 e arrestojnë sërish për ta liruar nga gjysma e qershorit. Pas kalimit të Ilmiut në ilegalitet, lidhjet e ndërprera me OMLK i rivendos nëpërmjet Basri Musmuratit, por edhe atë e arrestojnë shpejt. Punën e vazhdon me Nazmi Hoxhën. Nazmiun e arrestuan në fillim të dhjetorit 1981, kurse Sadriun më 25 dhjetor për ta dënuar në korrik të vitit 1982 me gjashtë vjet burg.
7.53 Sabit Rexhepi
I lindur më 7. 1. 1947 në Skifteraj të Vitisë.
Ka mbaruar Shkollën e Lartë të Tekstilit në Leskovc.
I martuar dhe baba i pesë fëmijëve.
Jeton në Gjilan.
Ka punuar në Kombinatin e Tekstilit në Gjilan, si udhëheqës ndërrimi.
Në përcaktimin e tij për rezistencë kundër pushtuesve, kishin ndikuar tregimet e gjata në oda të burrave, aksioni për mbledhjen e armëve më 1956, kur babai i tij torturohet rëndë dhe gjymtohet, arrestimet e veprimtarëve atdhetarë dhe qëndresa e tyre, demonstratat e vitit 1968, Radio Tirana dhe literatura e lexuar.
Më 1979 organizohet ilegalisht duke vepruar bashkë me Nazmi Hoxhën.
Sabiti kishte një makinë personale të cilën e shfrytëzoi gjerësisht për nevojat e Lëvizjes, duke bartur materiale konspirative dhe veprimtarë ilegalë. Ai kishte marrë pjesë në shpërndarjen e Traktit në Tetovë dhe Gostivar më 27 mars 1981 bashkë me Nazmi Hoxhën.
Gruaja e tij, Hatixhja e ndihmonte shpesh në shpërndarjen e materialeve propagandistike dhe për strehimin e tyre e të veprimtarëve, si Shaip Ismaili, Hydajet Hyseni (1981) etj.
Ai kishte kontakte edhe me veprimtarë të tjerë, Naim Salihu, Ferid Çollaku, Sabri Sherifi etj.
Në përpjekje për zgjerim të radhëve kishte përgatitur si kandidatë Memin Demirin, inxhinier dhe Faruk Sadikun nga Budrika, por nuk arriti t’i anëtarësonte.
Më 1981 në Kombinatin ku punonte i ka mbrojtur hapur demonstratat e atëhershme.
Më 16. 12. 1981 arrestohet dhe dënohet me gjashtë vjet burg.
Më 1988 për mbrojtje të kushtetutshmërisë së Kosovës dënohet sërish me 30 ditë burg.
Më 1990 angazhohet në LDK, në SHBH “Nënë Tereza” dhe në Këshillin e Pajtimit të gjaqeve.
Më 1994 arratiset në Shqipëri, ku punon në Fabrikën e Nazmi Hoxhës. Më 1999 atje ka strehuar shumë të dëbuar kosovarë nga forcat serbe.
Aktualisht është i angazhuar në PDK.
7.54 Haxhere Hajrizi
Është lindur më 16. 10. 1956 në Kizharekë të Drenasit.
Ka mbaruar Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prishtinë, mami.
Është e martuar dhe nënë e tre fëmijëve.
Jeton në Prishtinë dhe punon si kryeinfermiere në QKU, Klinika e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë.
Është edukuar në frymën patriotike në familje e në shkollë dhe nga literatura e lexuar, nga Radio Tirana, Televizioni Shqiptar dhe së fundi me vetë angazhimin në Organizatë.
Në radhët e GRK hyri në vitin 1974 dhe në celula punonte me veprimtarët, Gani Sylaj e Hamide Sylaj (1974-1976), Mehmet Hajrizi (1976-1982), Naser Hajrizi (1979-1981), Mustafa Ademi (1978-1980), Ismail Syla (1981).
7.55 Ramiz Abdyli
I lindur më 10.11.1944 në Velekincë të Gjilanit.
Ka mbaruar shkollimin e mesëm, pensionist.
I martuar, pesë fëmijë.
Jeton në Zvicër.
Fillimet e formimit patriotik i ka marrë qysh në fëmijëri, pasi rritej në një familje tradicionalisht patriotike. Babai i tij, Ramush Dalip Avdyli ishte luftëtar i afërt i heroit Mulla Idriz Gjilani që udhëhoqi luftën për mbrojtjen e Kosovës Lindore. Edhe daja , Sabit Haliti pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, më 1947 burgoset dhe dënohet me 16 vjet heqje lirie ngase nuk ishte pajtuar me tradhtinë që i ishte bërë popullit shqiptar të Kosovës të mbetej nën regjimin serbo-jugosllav. Më vonë, më 1953, Demush Mustafa, kushëri i tij, kapet me një grup veprimtarësh të tjerë pas vrasjes së dy agjentëve serbë dhe dënohet me 13 burgim.
Me dajën Sabit ka vepruar në ilegalitet, duke lexuar dhe shpërndarë literaturë të ndaluar, e cila vinte nga Shqipëria, kurse më 1968 demonstruan për legalizimin e flamurit kombëtar.
Në fillim të viteve ’70 emigron në Zvicër për të punuar, ku më 1980 vepronte bashkë me veprimtarët në kantonin e Sent Galenit (St.Gallen) si Nexhmedin Ahmeti, Brahim Arifi, Fatmir Mehmeti, Isa Avdyli, të gjithë nga Gjilani, mandej Nuhi Muhadri, Gjakovë, Musa Ferraj, Gjakovë/Shqipëri, Smaj Halitaj, Pejë, Idriz Sulejmani, Murat Avdullahu, Tetovë, Dedë Zefi, Kabash, Viti, Shefket Tafa, Kërçovë, Ahmet Gostivari, Gostivar, Ismet Rashiti, Viti (me vendbanim në një kanton tjetër) e shumë të tjerë, të cilët kanë organizuar dhe përkrahur çdo manifestim.
Më pas, kur Kadri Zeka dhe Hasan Malaj botonin gazetën “Liria” bie në kontakt me ta dhe merr ta shpërndajë atë ndër bashkatdhetarët bashkë me librin “Këngët e Lirisë” .
Ai kishte marrë pjesë në demonstratat e organizuara në Bernë, Zyrih, Gjenevë, Munih, Shtutgart, Strasburg, Bon, Bruksel e Frankfurt.
Pas rënies së Kadri Zekës dhe vëllezërve Gërvalla, ngarkohet me shpërndarjen e organit “Zëri i Kosovës dhe tërë materialit propagandues mbeti në përgjegjësinë e tij, për kantonet St.Gallen, Thurgau, Appenzell dhe deri në Lihtenshtajn.
Gjatë veprimtarisë atje ai mbante lidhje edhe me veprimtarët Ali Ahmeti, i cili merrte literaturë prej tij, Shefket Asani dhe Ahmet Gostivari, të cilët e kanë ndihmuar rritjen e buxhetit të Lëvizjes etj.
Sa herë kthehej në Kosovë Ramizi ngarkohej me libra, filma, fletushka e teknikë, kurse në Zvicër dërgoi me një rast akte të shumta akuzash të të burgosurve politikë shqiptarë, të cilat i kishte mbledhur nëpër burgje daja i tij 70 vjeçar, Sabit Haliti, pas një dënimi tjetër që kishte mbajtur prej 18 muajsh. Këto akte iu dhanë Hasan Malajt dhe u dorëzuan në selinë e Kombeve të Bashkuara.
Më 21 dhjetor 1985 sapo kishte mbërritur nga Zvicra në Gjilan, forca të shumta policore i rrethuan shtëpinë, e arrestuan dhe më vonë dënohet me një vit burg.
Më 1989 ia del të sigurojë një pasaportë false dhe të ikte nga Kosova në Zvicër. Atje kontakton me përfaqësuesin e Amnesti Internacional, Z. Bovard, të cilin e ka informuar për çdo gjë që ndodhte në Kosovë.
Ishte veprimtar i Partisë Shqiptare Demokristiane, pastaj i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike dhe e ka mbështetur fondin “Vendlindja Thërret” .
Pas çlirimit, prej fillimit e deri në shuarje ishte anëtar i Shoqatës “Miqtë e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës”.
VIJON …
___________
Mehmet Hajrizi: Shenime për veprimtarinë e Fazli Abdullahut, Tone Buzhala-Gashi, Remzie Limanit dhe Sabri Sherifit (60)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10278