(Prishtinë, 28. 11. 2012) – I ndeshur midis tri mundësive: të flas për historinë e Shqipërisë përgjatë shekullit XX; diplomacinë e shtetit shqiptar në 100 vjet të ekzistimit të tij apo për genocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve brenda kësaj periudhe, u përcaktova për një qasje që, logjikisht dhe nga ana metodologjike, bën të mundshme shkrirjen në një temë të përbashkët të tria këtyre aspekteve, duke e bërë pamjen për 100 vjet të shtetit shqiptar më të plotë. Fjala ime nuk përmbledh vetëm data, ngjarje, dukuri, personazhe, analiza, sinteza dhe “prognoza të shtrira në kohë të gjatë”. Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë janë shfletuar “dokumente, shkresa e shkrime”, po parafrazoj një thënie të Petro Markos, “për të dëshmuar ç’kishim parë e ç’kishim dëgjuar, ç’kishim qarë e ç’kishim kënduar, ç’ishte e thënë e ç’na kishin zënë veshët” për 100 vjet të ekzistimit të shtetit shqiptar.
Disa përfundime në mbyllje të fjalës do ta përmbledhin thelbin e temës bosht të kësaj akademie.
I prirur që t’i shmangem klisheve dhe stereotipeve në paraqitjet publike, kumtesën time po e nisi me një aforizëm: “Historia e hidhur mund t’i përsëritet dhe i përsëritet vetëm një populli dhe një kombi që nuk ka mësuar prej saj”. Shqiptarët patën një të kaluar të bujshme. Historia pothuajse asnjëherë nuk iu doli zot. Në pjesën e fundit të fjalës do të përgjigjem, ndër të tjera, në pyetjen: çka nuk mësuan shqiptarët për këto 100 vjet?
Ne sot shënojmë dhe festojmë 100 vjetorin e Vlorës, e ballafaqohemi me realitetin e hidhur të Londrës, që “na i qepi rrobat pa na marrë fare masën e trupit”. Po kalojmë 100 vjet pavarësie të Shqipërisë, e cila nuk na u njoh; po kalojmë 100 vjet variacione synimesh kombëtare për t’u bërë “zot i vetës”në truallin tonë jetësor; po kalojmë 100 vjet sfidash të kohës që e sfiduan vetë kauzën tonë.
100 vjet prej pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarët e kanë shtetin që përfshin më pak se gjysmën e popullit shqiptar në Ballkan. Njëkohësisht, kanë dhe shtetin e Kosovës. Ky është realiteti shqiptar. Fjala ime do të jetë më shumë sintetizuese sesa analizuese; më shumë medituese sesa verbalizuese dhe më shumë kritike sesa oportunizuese. Vetë shpallja e pavarësisë së Shqipërisë shënon aktin më të rëndësishëm historik të shqiptarëve për 100 vjetët e fundit. Moszhbërja e kombit, mbrojtja dhe ruajtja e palcës kurrizore të tij, është, të thuash, arritje më vete, kur kihen parasysh gjitha trysnitë dhe agresionet e vendeve fqinje, për ta zhbërë shtetin shqiptar dhe gjithë kombin. Nëse shekulli i kaluar ishte shekull i padrejtësive ndaj shqiptarëve, ky shekull do të duhej të ishte dhe ushqehemi me shpresë se do të jetë shekull i shqiptarëve.
1. Historia
Pa analizuar shkaqet, theksojmë sesa u përket shqiptarëve, Evropa në të kaluarën, cënoi rëndë tërësinë territoriale të tyre, madje bëri përpjekje që edhe t’i shlyejë nga harta gjeopolitike e saj. Padrejtësitë e Evropës ndaj shqiptarëve filluan qysh nga Kongresi i Berlinit (1878). Në të vërtëtë, “akti i parë i dramës shqiptare” u luajt në Shën Stefan afër Stambollit, “qytet ku disa shekuj me rradhë do të vendosej për fatin e shqiptarëve”. Akti i dytë luhet në kryeqytetin gjerman, Berlin, në të njëjtin vit, kurse akti i tretë “do të luhet në kryeqytetin anglez, në Londër, 34 vjet më vonë”.
Marrëveshja e Shën Stefanit prodhoi “dy pasoja tragjike” për shqiptarët: e para, “aty fillon të zbatohet koncepti politik i zgjidhjes së çështjes shqiptare*përmes copëtimit dhe, e dyta, aty fillon të përfillet spastrimi etnik i shqiptarëve prej trojeve që pushtojnë fqinjët ballkanikë”.1
Përfundimi që mund të nxirret lehtësisht nga Marrëveshja e Shën Stefanit është “roli i madh i faktorit sllav në zgjidhjen e çështjes lindore”.
Kongresi i Berlinit (1878) konsiderohet “gjithsesi ngjarja më e madhe e kohës në planin politik, por edhe në atë diplomatik, e cila, me vendimet e veta, do të ndikojë në zhvillimet e gjithëmbarshme historike evropiane, po edhe më gjerë, për t’ua hapur rrugën pikërisht atyre koniukturave me të cilat do të ushqehen sfera të ndryshme të interesit, që do të arrinë edhe deri te ditët tona, do të ndikojë drejtpërsëdrejti që Lidhja Shqiptare e Prizrenit, jo vetëm të themelohet, por njëherësh të marrë edhe kahun që fillimisht kishte(me kërkesën e ruajtjes së territoreve shqiptare) dhe të ruajë kërkesën e saj kryesore për autonomi brenda një vilajeti shqiptar (që do të përfshinte të katër vilajetet e deriatëhershme të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës), kërkesë kjo që e tillë do të mbetet në të gjitha fazat, si një përcaktim historik me shumë dilema dhe vështirësi madje, që do t’ia hap udhën zhvillimeve që do të çojnë te shpallja e pavarësisë së shtetit shqiptar, në nëntorin e vitit 1912”.2
Shqiptarëve nuk iu lejua pjesëmarrja në punimet e Kongresit të Berlinit, por ata iu drejtuan “nga jashtë”atij. Në emër të shqiptarëve Kongresit të Berlinit iu drejtua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila ishte një organizatë politike, por edhe “një grup intelektualësh që jetonin në ngulimet shqiptare jashtë Atdheut”.
Shqiptarët kishin dy kërkesa kryesore: e para, kundërshtimin e copëtimit të trojeve etnike dhe historike të shqiptarëve prej vendeve fqinje, dhe, e dyta, krijimin e një Vilajeti të Bashkuar dhe që shqiptarëve t’u njihej autonomia administrative dhe kulturore.
* Me çështje shqiptare kuptohet “çështja kombëtare e popullit shqiptar”, çështje kjo që “është shtruar prej Kongresit të Berlinit, 1878, veçanërisht prej Konferencës së Ambasadorëve në Londër, 1912- 1913”.
Ndërkohë, edhe përfaqësuesit e Malit të Zi dhe të Serbisë kishin kërkesat e veta në Kongresin e Berlinit. Ata kërkuan edhe më shumë “se ç’iu kishte dhënë Shën Stefani”. Të parët “kërkonin edhe Shkodrën, edhe territore tjera në Shqipërinë veriore, ku nuk kishte pasur kurrë malazez”, ndërkohë që të dytët “kërkonin edhe Kosovën, edhe Rrafshin e Dukagjinit”.
Kongresi i Berlinit – 1878
Disa fjalë më shumë për Konferencën e Londrës. Edhe pse Konferenca e Londrës(1912- 1913) u konvokua gjoja “me qëllim që të gjindej zgjidhje e krizës ballkanike dhe e vendosjes së një rendi të ri drejtësie dhe paqe në Ballkan” ajo, faktikisht, i solli padrejtësinë e re shqiptarëve. Ajo shënoi “aktin më tragjik të shqiptarëve”. Malit të Zi dhe Serbisë iu dhanë tokat shqiptare që ato i kishin pushtuar në luftërat ballkanike. Fatin tragjik e pësoi edhe Kosova.
Konferenca e Londrës u deklarua kundër idesë së një shteti shqiptar kombëtar dhe për një regjim të Gjashtë Fuqive të Mëdha në Shqipëri. Ambasadorët vendosen të mos përfillin asgjë “nga gjithë sa ishte bërë brenda në Shqipëri për organizimin e shtetit të ri”.
Gjithë trajtimi i çështjes shqiptare në Konferenëcën e Londrës…“nuk është veçse një pasqyrë; ishte në përputhje me vetë logjikën e politikës së Fuqive të Mëdha në çështjen shqiptare: pavarësia e Shqipërisë dhe krijimi i Shtetit Shqiptar mendoheshin jo si një kurorëzim tanimë më i arrirë i lëvizjes së një populli për emancipimin e as një zbatim i ri i parimit të kombësisë, por si fryt i lojës diplomatike, si zgjidhje koniukturale në funksion të ekuilibrit të ri të forcave në Ballkan”.3
Konferenca e Londrës ”nuk i përfilli asnjëherë ato që ishin aspiratat dhe interesat e popullit shqiptar si në momentin e dhënë ashtu dhe në perspektivë. Tokat shqiptare u përdorën nga Fuqitë e Mëdha si monedhë këmbimi në orvatjet për të pajtuar kontradiktat midis tyre dhe për t’u gjetur një dalje pretendimeve territoriale të tepruara të shteteve të Ballkanit”.4
Faktet flasin se Konferenca e Ambasadorëve të Londrës(1912-1913) dhe, më vonë, Konferenca e Versajës (1918-1920) ”i krijuan favore të gjitha Jugosllavive”, të cilat “shfrytëzuan rezultatet e luftërave ballkanike(1912- 1913) dhe brendapërbrenda kufijve të tyre përfshin Kosovën dhe trevat e tjera të shumicës etnike shqiptare”.
Konferenca e Londrës 1913
Sipas akademik Gazmend Zajmit, padrejtësitë e “të gjitha Jugosllavive” ndaj kombit shqiptar në Ballkan u manifestuan “në dy rrafshe historike”. Mbretëria e ish- Jugosllavisë, po sikurse dhe ish-Federata multinacionale e Jugosllavisë, mbërthyen gjysmën e kombit shqiptar në Ballkan, edhe pse si popull josllav, “duke neglizhuar edhe premtimin e dhënë mbi aplikimin e parimit të vetëvendosjes në rastin e Kosovës “që do të duhej”, si thuhej, “të bëhej pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore dhe për çka pati një deklarim politik të mbështetur nga Fuqitë e Mëdha në Konferencën e Bujanit(31. 12. 1943 – 1 dhe 2 janar 1944)”.5
Mirëpo, pas Luftës së Dytë Botërore, procedurat ndodhen ndryshe dhe Kosova u aneksua nga Serbia në kushtet dhe në rrethanat e administrimit ushtarak në vitin 1945, edhe pse asnjëherë nuk ishte pjesë e Serbisë. 6
2. Zhvillimet
Për 100 vjet të ekzistimit, shteti shqiptar u shoqërua me zhvillime nga më të ndryshmet.
Vetë shpallja e pavarësisë, Shqipërinë “do ta gjejë në një gjendje të katandisur”. Shteti “ishte i rrethuar nga të gjitha anët me ushtri të huaja pushtuese, të cilat prisnin që ai sa më parë të ngulfatej ende pa filluar frymëmarrjen”.
Disa ditë pasi që në Vlorë të jetë shpallur pavarësia e Shqipërisë, me 17 dhjetor të vitit 1912, do të fillojë Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Kështu, Shqipëria “kishte kaluar në skenën politike evropiane, ku do të mbetet përgjithmonë,pa marrë parasysh tretmanin që do ta ketë, pavarësisht nga vështirësitë që do t’i shfaqen dhe pa marrë parasysh rolin që do të luajë në të”.7
Shqipëria qe shpallur shtet, edhe pse hapsira shqiptare, “ishte e pushtuar nga të gjitha anët nga ushtritë e Aleancës Ballkanike”. Për Shqipërinë “kishte rëndësi njohja e ekzistimit të saj qysh në fillim, pa marrë parasysh si do të bëhej kjo, meqë aty ndodhej edhe çelësi i zgjidhjes së shumë çështjeve të tjera, që lidheshin drejtpërdrejt me fillimet e normalitetit, i cili nuk mund të rikthehej pa largimin e ushtrive të vendeve pushtuese, të cilat mbanin peng pjesën më të madhe të vendit në rrethanat e gjendjeve ushtarake”.8
Rëndësi të veçantë kishte shkëputja e të gjitha lidhjeve me Perandorinë Osmane, si “udhë e kapërcimit nga Lindja në Perëndim”. Por, “anatema e trashëgimisë osmane” vazhdoi të jetojë. Mjafton të kujtohen kryengritjet pro- turke dhe kërkesa për “kthim Perandorisë Osmane”, gjatë viteve 1914 dhe 1915.
Qeveria e Princ Vidit, përkundër përpjekjeve, nuk ia doli ta realizojë synimin për një “Shqipëri evropiane”.* Dështimi i Princ Vidit “nuk ishte pasojë vetëm e paaftësisë së tij, por edhe nga ca faktorë të tjerë, të nxitur nga jashtë”.
Edhe pse koha e mbajtjes së Shqipërisë “nën mbikëqyrjen ndërkombëtare”, vendin nuk “do ta nxjerrë nga kriza”, megjithatë, “do t’ia heqë rrezikun e zhbërjes si shtet”, siç dëshironin fqinjët. Ishte kjo koha e trajtimit ndërkombëtar të Shqipërisë, nga njëra anë, dhe e dëshmimit të paaftësisë së vetë shqiptarëve “që të marrin përsipër fatet e vendit të vet”, nga ana tjetër.
*Princ Vidi kishte arritur në Shqipëri me 7 mars 1914. Pas dhjetë ditësh, kishte formuar qeverinë shqiptare. Prapaskenat dhe komplotet që do t’i bëhen Princ Vidit “do të jenë prapaskena bërjes së Shqipërisë shtet i mëvetësishëm”.
Edhe përkundër “zhvillimeve retrograde”, do të jetë “një pjesë e mirë e shqiptarëve” të cilët as nuk do ta pranojnë aleancën e dyshimtë me xhonturqit, as “formulën e Shqipërisë Osmane”.
Në janar të vitit 1914, Ismail Qemali do t’ia lëshojë pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, me pretekstin e të qenit “pjesëmarrës në një komplot kundër vendit”. Kjo u shfrytëzua nga Esad Toptani e të tjerë rreth tij “ta sjellin para një gjendje të nderë”.
Që nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër e deri te Konferenca e Paqes në Paris(që fillon me 18 janar 1919), fatet e Shqipërisë nuk do të dihen, sepse nga njëra anë, Fuqitë e Mëdha do ta njohin atë, ndërsa, nga ana tjetër, ajo prapëseprapë do të ripushtohet nga ushtritë e vendeve fqinje.
Në Konferencën e Paqes, çështja shqiptare arriri në një tretman që të ruheshin “kornizat e Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915. Në Konferencë iu dha mandati Italian ndaj Shqipërisë.
Në Traktatin e fshehtë të Londrës të prillit 1915, i lidhur midis Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë, hapsirën të cilën e mbanin austro-hungarezët, do ta pushtojnë italianët, ndërsa pjesa tjetër e trojeve shqiptare (Kosova, Maqedonia) do të ripushtohet nga Serbia”, e cila “do të futet edhe në pjesën e Shqipërisë Veriore dhe asaj të mesme, ndërkohë që Jugun, me përjashtim të Korçës e Gjirokastrës, ku do të mbesin forcat franceze, do ta pushtojnë grekët me pretendimet që së paku atje të instalojnë Vori- Epirin”. 9
Shqiptarët u revoltuan. Kundër vendimeve të Konferencës doli edhe Lëvizja Kombëtare Shqiptare, e cila nuk kishte ndonjë qendër të veprimit të saj. Pikërisht, “në këtë konfigurim të ushtrive pushtuese”, Shqipërinë “do ta gjejë Konferenca e Paqes”.
Italia, si fituese e luftës, do të përpiqet të merrë mandatin ndaj Shqipërisë, do të “dizanjojë përfaqësimin shqiptar” nga elemente proitaliane nga rradhët e shqiptarëve. Shqiptarët në mërgim prore organizoheshin në koloni për te mbrojtur interest kombëetare. Kështu, gjatë viteve 1914-1918, Shoqëria “Vatra”, koloni kjo e shqiptarëve në SHBA, të cilën e kryesonte Fan Noli, do të përkujdeset për një “platformë kombëtare”, e cila, siç mendohej, do të duhej të shërbente si “bazë për kërkesat e shqiptarëve, që do t’u paraqiteshin Fuqive të Mëdha”.
Ismail Qemali (1844 – 1919)
Ndërkohë, bëheshin organizime edhe brenda vendit. Në këtë mënyrë, demonstratat e mëdha të nëntorit 1919 si dhe manifestimi i gjerë i frymës patriotike të shqiptarëve brenda vendit i dhanë shtysën përfundimtare përgatitjeve për të thirrur Kongresin Kombëtar (në Lushnje).
Në Kongresin e Lushnjes që u hap me 21 janar 1920, do t’i thuhet jo konstruktit “Shqipëri myslimane”dhe mandatimit të Italisë për të vendosur për fatet e Shqipërisë.
Në të vërtetë, Kongresi i Lushnjes do të mbahet në mend për tri vendime: së pari, për mospajtimin me projektet e Konferencës së Paqes dhe përcaktimin kundër çdo mandati ose protektorati të huaj; së dyti, për sanksionimin e sovranitetit të plotë të shtetit shqiptar dhe, së treti, për rrëzimin e qeverisë së Durrësit, veprimtaria e së cilës vlerësohej antikombëtare.
Kongresi historik i Lushnjës do të nxjerrë qeverinë kombëtare të Sulejman Delvinës dhe Asamblenë Përfaqësuese, që do t’ia krijojë legjitimitetin asaj dhe veprimeve të tjera që do të ndërmerren drejt “rikthimit të sovranitetit të Shqipërisë”.
Në qeverinë e Delvinës rol të rëndësishëm do të ketë ministri i mbrojtjes Ahmet Zogu dhe lëvizja patriotike e cila do të fillojë “të rikthejë sovranitetin e Shqipërisë”.
Lufta për Vlorën do të jetë “njëra ndër faqet më të ndritshme të patriotizmit shqiptar, që jo vetëm do t’ia kthejë Shqipërisë atë që i takonte, por me hedhjen e forcave pushtuese italiane në det, do të ndikojë edhe në kahun e Konferencës së Paqes në Paris”. 10
Arritja e marrëveshjes së Delvinës me qeverinë italiane për tërheqjen e forcave italiane nga Vlora e rrethina, përfundimisht do ta heqë “nga rendi i ditës” jo vetëm “fantazmën e Traktatit të fshehtë të Londrës rreth copëtimit të Shqipërisë dhe si kompensim të krjimit të “Shqipërisë myslimane”, por “do t’i hedhë në ujë dhe pretendimet greke dhe serbe për të mbajtur pjesë të tjera të viseve shqiptare nga ato që i kishin marrë në Konferencën e Ambasadorëve të Londrës të vitit 1913…”
Gjatë viteve 1918- 1924, u zhvillua lufta për pavarësinë, tërësinë territoriale dhe demokracinë në Shqipëri.
Rezultatet nuk qenë inkuarajuese.
Qeveria e Durrësit e fundhjetorit 1918, me në krye Turhan Permetin, nuk realizoi asnjë program. Ishte “e paqartë sa i përket vendimeve të Konferencës së Londrës”.
Çlirimi i Vlorës dhe asgjësimi i ndërhyrjes jugosllave në kufirin veri- lindor të vendit “krijuan kushte të mbara për të qetësuar disi jetën e brendshme të Shqipërisë”. Por, krizat nuk kishin të ndalur. Në nëntor të vitit 1920 dorëhiqet qeveria e Delvinës. Në skenë doli kabineti i Iliaz Vrionit. Me 5 dhjetor 1920, miratohet ligji për zgjedhjet parlamentare,”të parat e këtij lloji në historinë e Shqipërisë së pavarur”.
Me 12 dhjetor 1922, Zogu bëhet kryeministër.
Në fund të vitit 1923, rilindi lëvizja mbarëpopullore për thirrjen e Asamblesë Kushtetuese që do të zgjidhte çështjen e formës së qeverisjes dhe të kushtetutës në Shqipëri. Zgjedhjet u shoqëruan me parregullësi dhe fallsifikime votash.
Pas atentatit ndaj tij, Zogu dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit dhe u largua jashtë shtetit për t’u mjekuar. Me 20 prill 1924, plagë të rënda mori Avni Rrustemi dhe vdiq pas dy ditësh. Pas varrimit, Vlora u bë qendër e përgatitjes së kryengritjes. Një “Këshill administrativ” e drejtoi Fan Noli. Me 16 qershor 1924, u formua qeveria revolucionare me në krye Fan Nolin. Mirëpo, ndërkohë ajo e humbi mbështetjen e masave. I jepej mbështetje Ahmet Zogut, që jetonte i fshehur në Beograd. Qeveria e Nolit nuk arriti ta shembë murin e izolimit diplomatik. Me 24 dhjetor 1924, Zogu hyri në Tiranë. Fan Noli, ndërkohë, arriti që të largohet nga Shqipëria.
3. Kalimi nga totalitarizmi në demokraci
Në Shqipëri kalimi nga totalitarizmi në demokraci “u krye krahasimisht në rrugë paqësore, pa përmendur këtu viktimat në kohën e lëvizjes studentore, në dhjetor të vitit 1990”.11
Me 1 dhjetor 1928, Parlamenti Shqiptar miratoi Kushtetutën e re, sipas së cilës Shqipëria shpallej mbretëri demokratike, parlamentare dhe e trashëgueshme. Shpallja e mbretërisë nuk ndryshoi asgjë në drejtimet kryesore të politikës së jashtme dhe të brendshme të Shqipërisë. Shqipërinë e kishte goditur edhe uria. Kriza ekonomike zgjati deri në vitin 1934.
Në gjysmën e dytë të viteve ’30, në Evropë “erdhi në pushtet një bllok qeverish fashiste”. Ato “përbënin një kërcënim të drejtpërdrejt për Ballkanin”. Rëndësia strategjikë e Shqipërisë ishte ushtarake, diplomatike, por edhe ekonomike.
Nuk do të bëjmë ndonjë vështrim të veçantë për vitet e luftës.
Për këto 100 vjet, në Shqipëri do të ndodhin krijimi I Republikës Popullore; lufta për njohjen ndërkombëtare; zgjedhja e alternativës socialiste; kthesa e vitit 1948; orientimi drejt BRSS-së; kriza në marrëdhënëit sovjeto- shqiptare; “mbështetja në forcat e veta”; prishja me Kinën; ndarja me totalitarizmin; kthesa e vitit 1990; udha drejt Evropës; fitorja e demokracisë; kthimi I socalistëve në pushtet; pushteti I demokratëve e zhvillime të tjera.
Po ndalemi te ndarja me totalitarizmin.
Vetëm pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, kur “folën dokumentet dhe dëshmitarët”( e paktë), që kishin mbetur gjallë, u bë e mundur “rivendosja e shkallë-shkallshme e së vërtetës” për atë që kishte ndodhur në Shqipëri. Ajo nuk ishte aspak e këndshme.Ishte kjo periudha jo e demokracisë, por e iluzionit të saj.
4. Një shembull për krimet dhe “vullnetin e fundit të të dënuarve”.
Për krimet në kohën e regjimit të Enver Hoxhës është folur dhe është shkruar shumë. Në arkivat e Shqipërisë gjenden shumë dokumente që dëshmojnë krimet enveriste. Do të sjellim një Dokument autentik Nr.Extra.Prot. 3/VII/1946. Ky dokument nuk sillet këtu për të dëshmuar krimet, por për të tërhequr vërejtjen për “vullnetin e fundit të të dënuarve”. Bëhet fjala për idealet e tyre.
Republika Popullore e Shqipërisë/Gjykata e Naltë Ushtarake/Prokurorija Tiranë, 3/VII/1946
Landa: Mbi ekzekutimin dhe vullnetin e fundit të denuarvet.
Gjykatës së Naltë Ushtarake. Këtu.
Sot më datën 3 Korrik 1946 n’ora 5 të mengjesit, u ekzekutuan të dënuarit me Vdekje, Qenan Dibra, Hivzi Golia, Sami Ceribashi, Talat Drini, Tut Këniku, Xhahit Koka, Mehmet-Ali Beshiri, Shaban Balla dhe Ali Kavaja.
Fjala e fundit e secilit në çastin e ekzekutimit ishte:
1) Talat Drini: Rroftë Shqipërija me Kosovën.
2) Hivzi Golia: Rroftë Shqipërija me Kosovën.
3) Tut Kërniku: Rroftë Shqipërija me Kosovën.
4) Qenan Dibra: Rroftë Shqipërija me Kosovën.
5) Xhahit Koka : Rroftë Shqipërija me Kosovën.
6) Mehmet- Ali Beshiri: Rroftë Shqipërija me Kosovën.
7) Shaban Balla: Ju lë kujdes familjen.
8) Ali Kavaja: Rroftë Zogu I -rë Mbret i Shqiptarëvet.Rroftë Shqipërija me Kosovën.Vdekjen e kemi hak.
9) Sami Ceribashi: Më në fund t’u plotësua dëshira o Prokuror. Edhe ti një ditë do t’a paguash si unë. Rroftë Shqipërija me Kosovën.
Qenan Dibra dorëzoi një letër të drejtuar familjes, me lutje që t’i dorëzohet.
Prokuror i Gjykatës së Lart Ushtarake
Kapiten I-rë
Nevzat Hasnedari
5. Ngjarjet e marsit të vitit 1997
Ngjarjet e marsit 1997 u shoqëruan me prodhimin e dhunës, rrëzimin e shtetit e “deri në tronditje të thellë të themeleve shoqërore, politike dhe ekonomike të vendit”. Këto ngjarje janë të kohës më të re dhe nuk do të ndalemi te to.
6. Diplomacia
Vetëizolacioni i diplomacisë shqiptare ishte tipari i saj kryesor. Lisen Bashkurti thekson tre formate të përshkallëzuara të diplomacisë shqiptare: neutraliteti; mbështetja në forcat e veta dhe vetëizolimi.12
Sipas tij, shkalla e parë përkon me dekadën e viteve ’60, nga prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sivjetik deri tek dalja nga Traktati i Varshavës; shkalla e dytë përfshin periudhën e dekadës ’70 deri në fillim të viteve ‘80; shkalla e tretë përfshin vitet ’80 deri në përfundimet e Luftës së Ftohtë.
Vëtëneutralizimi i Shqipërisë “u ndërmorr nga udhëheqja shqiptare e kohës si qëllim në vetvete dhe si një shkallë e parë drejt vetëizolimit”. Shqipëria e kishte mundësinë “për t’u vetëorintuar në çdo kohë”. Ajo nuk shfrytëzoi rastin “për t’iu bashkëngjitur çdo aleance, organizate e strukture me çfarëdolloj karakteri dhe të çfarëdolloj hapsire gjeografike e gjeopolitike”.
Neutralizimi i Shqipërisë “ishte një politikë e vetëpërcaktuar, e pa diktuar nga fqinjët, nga ndonjë fuqi a organizatë ndërkombëtare dhe as nga ndonjë konjukturë konfliktuale apo potencialisht kërcënuese për rajonin”. 13
Mbështja në forcat e veta dallohet nga izolimi “në kuptimin e reduktimit të kërcënimit: izolimi bëhet me anë të realizimit të procesit të shndërrimit të vendit në një faktor jotërheqës dhe që përjashton automatikisht praninë e huaj të çdo lloji; mbështetja në forcat e veta bëhet me anë të realizimit të procesit të vetësigurimit, duke ngritur vetë kapacitetet ushtarake për mbrotjen e kufijve. 14
Mbi bazën e këtij parimi, në Kushtetutën e vitit 1976, qe “ndalua marrja e ndihmave dhe kredive të huaja për zhvillimin ekonomik të vendit të çdolloj akitiviteti të huaj në vend”. Mbrojtja e vendit qe cilësua si “detyrë mbi detyrat”. Prishja e marrëdhënieve ekonomiko- ushtarake me Kinën në vitin 1978 e “shnëdrroi në platformë të përgjithshme parimin e mbështetjes në forcat e veta…”
Parimi i mbështetjes në forcat e veta “kufizonte çdo lloj ndihme e bashkëpunimi me jashtë, qoftë të karakterit ekonomiko-tregëtar, qoftë të karakterit të sigurisë kombëtare. Pra, në thelb, parimi i mbështetjes në forcat e veta shfaqej, sipas Lisen Bashkurtit, “si variacion paraprak i vetëizolimit të plotë të vendit në dekadën pasuese”.
Shqipëria ishte një vend që gjeografikisht “nuk kishte asnjë arsye për izolim”. Ajo shtrihej gjeografikisht “me një hapsirë të pafundme komunikimi, lëvizje, bashkëpunimi, me të gjitha anët e Kontinentit me Perëndimin dhe Lindjen e Jugun dhe Veriun me një det të hapur 500 kilometra. 15
Nga ana tjetër, gjeopolitikisht, “vendi nuk kishte faktorë real kërcënues fqinjësor dhe asnjë fuqi madhore apo aleancë ushtarake direkt kërcënuese për sigurimin kombëtar”.
Startegjia e vetëizolimit shkaktoi pasoja shumë komplekse dhe afatgjate për vendin. Pasoja më e rëndë ishte nga pikëpamja ekonomike. Në planin e politikës së jashtme, strategjia e vetëizolimit shkaktoi “shkëputjen e Shqipërisë nga rrjedhat e dukuritë më progresive të kohës, duke e lënë atë jashtë lëvizjeve e proceseve politike, ekonomike dhe strategjike si dhe jashtë dyerve të shumë organizatave ndërkombëtare, evropiane dhe euroatlantike”.
7. Genocidi ndaj shqiptarëve
Është e lashtë tendenca e krimit genocidal të pushtetit serb ndaj shqiptarëve. Fillimi i këtij synimi dhe “burimi frymëzues” për të ndeshen më shumë se 100 vjet. Në vitet 1998 dhe 1999 në Kosovë, vetëm “sa do të dalë haptazi në shesh krimi genocidal i pushtetit serb ndaj shqiptarëve,për të vërtetuar, qoftë lashtësinë, qoftë edhe vrazhdësinë e tij”.
Genocidi serb ndaj shqiptarëve mund të vështrohet në tri faza kryesore.
E para, nxitja e genocidit ndaj shqiptarëve qe nga 1878-ta.
E dyta, zhbërja e autonomisë së Kosovës me ligjet diskriminuese serbe ndaj shqiptarëve nga 1989-ta.
E treta, zhvendosja me dhunë e terror e 84.000 shqiptarëve të Kosovës, në vitin 1999. 16
Aktviteti i krimit asgjësues “u mbështet në dokumente zyrtare e shtetërore dhe në studime të mendimtarëve e të shkencëtarëve serbë, sikurse edhe në disa vepra të institucioneve arsimore, kulturore e shkencore të Serbisë”. 17
Në programin e genocitit të serbomëdhenjve, si shprehet studiuesi Shefqet Hoxha., “vend të veçantë ka zënë kolonizimi i tokave të shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera të pushtuara dhe serbizimi, gjegjësisht sllavizimi i tyre. Nepërmjet kësaj rruge, ata synonin të ndërronin strukturën e popullsisë dhe të përjetësonin sundimin e tyre. Kolonizimi e serbizimi kanë ecur krahas shfarosjes fizike dhe shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre historike”.18
Represioni i pushteti serb mbi shqiptarët në Kosovë ishte “shprehje e vrazhdë e konfliktësisë në sferën politike interetnike (sfera etnopolitike) rreth Kosovës”, konfliktësi kjo e kushtëzuar me “posesivizmin dhe shtetmadhësinë serbe ndaj Kosovës”. Ai posesivizëm çonte, pa dyshim, në “mohim të pabazë të së drejtës natyrore të popullsisë së Kosovës”, pra “të popullit shqiptar për vetëvendosje”, fakt ky që konfliktësisë shqiptaro-serbe “i jepte përmbajtje etno-politike të theksuar”.
8. Aktualiteti
Sot pjesa më e madhe e hapsirës shqiptare është “në agjendën e Evropës”, por mund të qëndrojë gjatë në “sallat e pritjes”. “Ngërçi i brendshëm politik” po e mban Shqipërinë larg dyerve të Evropës. Kosova ende nuk e ka rrumbullakuar statusin në veriun e saj. Bashkimi evropian mban qëndrim neutral karshi statusit të pavarur të saj. Shqiptarët në Maqedoni, në Kosovën Lindore, në Mal të Zi kanë probleme me realizimin e të drejtave kombëtare të tyre. Problemi i çamëve nuk është ngritur fare. Përmendet ndonjëherë sa “ndërgjegje për të larë”.
100 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë kanë ndryshuar dhe po ndryshojnë rrethanat dhe aspiratat e shqiptarëve. Shteti shqiptar që u shpall 100 vjet më parë”nuk arriti që të përfshijë në të shumicën e shqiptarëve që jetojnë në Ballkan”. Gati gjysma e popullit shqiptar “mbeti jashtë porocesit të shtetndërtimit të Shqipërisë dhe asaj iu imponua që “të përfshihet në procese të tjera të shtendërtimit në disa vende”. Disa nga ato procese, ende nuk janë mbyllur, përfshirë aty edhe Kosovën që, siç u tha, “ende nuk e ka rrumbullakuar statusin në veriun e saj”.
Shqiptarët prej objektivit që të kenë një shtet shqiptar, tash përballen me objektivin e “të bërit pjesë e Evropës së bashkuar”. Mirëpo, ajo rrugë nuk është “krejtësisht e qartë, veçanërisht për Kosovën që vazhdon të “mbetet peng i Serbisë sa i përket aspiratave të veta evropiane…”.19
Megjithate, përkundër të gjitha paqartësive, përcaktimi historik i Vlorës mbetet në programet e disa partive a forcave politike, si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë. Disa forca të tjera politike e kanë “riformuluar në nevojën e projektimit të hapsirës evropiane ku jetojnë shqiptarërt autoktonë”.
9. Çfarë nuk kemi mësuar për këto 100 vjet?
-për ndërvarësinë e segmenteve të veçuara të çështjes shqiptare;
-për domosdonë e paraqitjes si një komb politik;
-nuk e kemi kuptuar realitetin që na ka rrethuar;
-nuk e kemi parë të udhës që të veprojmë bashkërisht për interesa të përbashkëta;
-jemi paraqitur në konferenca ndërkombëtare pa marrëveshje në tryeza kombëtare;
-nuk kemi mësuar të ecim në binarë të njëjtë dhe në drejtim të njëjtë;
-nuk kemi kuptuar se pa qenë mirë në Tiranë nuk do të jetë mirë në Prishtinë; se pa qenë mirë në Prishtinë nuk do të jetë mirë as në Shkup e Tetovë, as në Preshevë dhe Ulqin;
-nuk jemi vetëdijësuar se jemi një popull i ndarë padrejtësisht, por jemi sjellur sikur të ishim gjashtë popuj dhe sikur të kishim gjashtë çështje;
-nuk e kemi mbajtur para vetës këshillën: të mos bashkëpunosh me të tëndin është njësoj sikur t’ia vesh zjarrin shtëpisë sate.
10. Çfarë nuk duhet të harrojmë?
-se kemi një gjak, një gjuhë dhe një gjeografi që mund ta mbajë gjallë identitetin kombëtar;
-se çështja jonë ende nuk njihet si çështje e një populli të ndarë padrejtësisht;
-se hapsira etnike shqiptare është një njësi kombëtare, historike, gjeografike, gjuhësore, kulturore e politike.
11. Çfarë nuk duhet të lejojmë?
Nuk duhet të lejojmë që të rritemi si popull e të tkurremi si komb. Për të ecur përpara, duhet kujtuar gabimet e së kaluarës, duhet mësuar dhe duhet ditur.
12. Çfarë Shqipërie duan shqiptarët?
Shqipëria ndien nevojën për ndryshime të mëdha. Për këto ndryshime kërkohet gatishmëri e të gjitha palëve. Ndryshe, nuk mund të përballohen as monopolet politike, as mungesa e shtetit të së drejtës, as mungesa e sundimit të ligjit, as problemet ekonomike, as krimi, as korrupsioni në rritje dhe as një dukuri tjetër negative që e shoqërojnë Shqipërinë në këtë fazë të zhvillimit të saj.
Shqiptarët duan një Shqipëri më të ndërtuar demokratikisht, më të ngritur politikisht dhe më të fuqishme kombëtarisht. Por, edhe vetë shqiptarët duhet të bëjnë më shumë për Shqipërinë, sepse vërtet nuk mjafton vetëm të jesh shqiptar që ta duash Shqipërinë.
13. Një numër konkluzionesh
Shqiptarët asnjëherë në të kaluarën nuk vendosen për fatin e tyre si popull dhe si komb.
Problemi qendror me shqiptarët është të mosnjohurit e çështjes së tyre si një çështje e popullit të ndarë padrejtësisht.
Shqiptarët duhet ta rishkruajnë historinë e tyre, sepse ajo, në të kaluarën, qe shkrirë në historinë e shteteve dhe të popujve që sundonin në trojet e tyre.
Shqiptarët kanë dëshmuar se asnjëherë nuk kanë pasur dhe as sot nuk kanë pretendime përtej hapsirës së tyre etnike. Ata asnjëherë nuk ishin pushtues, ndërkohë që shumë koihë qenë të pushtuar nga shtetet fqinje, kryesisht nga shteti serb.
Qendrat ndërkombëtare të vendosjes përdorën standarde të dyfishta në zgjidhjen e konflikteve ndëretnike. Ato, nga njëra anë, pranuan ndryshimin e kufijve me dhunë e genocid në mjediset heterogjene etnike, ndërsa, nga ana tjetër, mohuan vetëvendosjen e shqiptarëve në hapsirën e tyre homogjene etnike.
100 vjet prej pavarësisë së Shqipërisë, çështja shqiptare nuk mori fizionominë e plotë të zgjidhjes së saj.20
Ndonëse në përmasa më të dobësuara, Kosova, e shpallur shtet sovran dhe e pavarur, vazhdon akoma të jetë nën trajtimin ndërkombëtar.
14. Çfarë u duhet shqiptarëve?
Të kuptuarit e çështjes shqiptare si një çështje duhet të zë vendin qendror dhe të bëhet kryefjalë e mendimit politk të tyre.
Shqiptarëve u duhen qëndrime të përbashkëta për çështje të përbashkëta duke marrë vendime të mëdha për çështje të mëdha dhe duke mos e gjymtuar, por duke e mbrojtur dhe ruajtur tërësinë e çështjes.
Integrimet kombëtare duhet të kultivohen dhe të zhvillohen e përparohen më shumë. Nuk ka pothuajse asnjë fushë të jetës në të cilën shqiptarët nuk mund të bëhen bashkë në projekte mbarëkombëtare. Këtë nuk mund t’ua ndalojë askush. Barrierat e brendshme nuk duhet të bremëzojnë përpjekjet për t’ i bashkuar resurset në vlera mbarëkombëtare.
Më në fund, shqiptarët duhet të aftësohen që t’i flasin të nesërmes dhe të pasnesërmes, në mënyrë që të merren me të ardhmen e tyre.
Në të gjitha këto procese, Shqipëria mban një përgjegjësi më të madhe. Në raportet e brendshme, duhet të kalojë nga “demokracia e qeverisur” në “demokracinë qevererisëse”, ndërsa në raportet me shqiptarët e tjerë të shpërndarë, prej saj kërkohen “pozicionime më të zhdërvjellta, duke e qëruar strumbullarin e politikës shqiptare nga nyjat e lëkurat e panevojshme që janë ruajtur për shumë kohë”.
______________
Shënime bibliografike
1-Rexhep Qosja, Çështja shqiptare, historia e politika, Prishtinë, 1994.
2-Jusuf Buxhovi, ”Kongresi i Berlinit 1878”, Historiografi, “Faik Konica”, Prishtinë, 2008
3-Shih: Arben Puto, Pavarësia shqiptare dhe diplomacia e Fuqive të Mëdha, “8 Nëntori”, Tiranë, 1978.
4- Po aty.
5-Esat Stavileci, Çështja e Kosovës në veprën e Gazmend Zajmit, Shoqata e Pavarur e Juristëve e Kosovës, Prishtinë, 1997.
6-Për këtë në kumtesën e autorit të këtij punimi në Konferencën Shkencore të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës “100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë dhe Kosova 100 vjet pas”, Prishtinë, 13 shtator 2012.
7-Jusuf Buxhovi, Nga Shqipëria Osmane te Shqipëria Evropiane, “Faik Konica”, Prishtinë, 2010.
8 -Po aty.
9 -J. Buxhovi,po aty.
10 -Po aty.
11-Nina Smirnova, Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX, “Ideart”, Tiranë, 2004.
12-Shih: Diplomacia shqiptare, vëllimi i III, Tiranë, 2004.
13-Po aty.
14-Po aty.
15-Po aty.
16-Më gjerësisht: Esat Stavileci, Lufta e Kosovës 1998-1999 dhe disa mendime për të ardhmen, Shqiptarët në shekullin XX, Universite Libre Internationale Bruxelles, Bruksel,2012.
17-Shih kontributin e Pajazit Nushit në librin: Esat Stavileci, Pajazit Nushi, Të vërteta për Kosovën, shqip e anglisht, Lidhja Shqiptare në Botë, Prishtinë, 2000.
18-Shqiptarët në shekullin XX, Universite Libre Internationale Bruxelles, Bruksel, 2012.
19-Veton Surroi, “Koha Ditore”, Prishtinë, 9 qeroshor 2012.
20-Shih: Esat Stavileci, Pavarësia e Shqipërisë dhe çështja e pazgjidhur shqiptare, Konferencë Shkencore në Institutin Albanologjik, Prishtinë, 11 e 12 qershor 2012.
(Kumtesë e përgatitur për Akademinë solemne të Lidhjes Shqiptare në Botë me rastin e shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Frankfurt, 20 tetor 2012)
……………………………………………………….
(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)