SADRI RAMABAJA: MEMORIZIMI I HISTORISË NË SHËRBIM TË SË VËRTETËS

Pashtriku.org, 15. 04. 2012 – (Recension për librin e Bedri Islamit “LËVIZJA (Lindje e përgjakur) – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin, Tringa Design, Tetovë, 2012) – “Pjesa më e madhe e njerëzve më shumë parapëlqejnë të ndihen të qetë, se sa ta njohin të vërtetën. Epo mirë, unë jam ai që do ta prish qetësinë tuaj, duke jua thënë të vërtetën.” Ky postulat i Robert Kenedit do t`i shërbej si stimul nxitës Ibrahim Kelmendit gjatë gjithë kohës sa po shestonte për këtë bashkëbisedim. Ai në këtë libër ka sjellë të vërtetën ashtu si e kishte perceptuar dhe memorizuar, e me këtë ambientit tonë konservativ politik ia ka prishur qetësinë.
     E vërteta që duhej të thuhej
     Javën që lamë pas në të përditshmen gjermane (Sueddeutsche Zeitung) nobelisti gjerman për letërsi, shkrimtari që trajtohet si institucion moral më vete, Gynter Gras, publikoi poezinë e tij me titull tejet domethënës: Ajo e cila duhet të thuhet. Poezia ka si objekt rrezikun evident për shpërthimin e luftës mes Izraelit dhe Iranit, por edhe apokalipsën e mundshme atomike. Grasi merr guximin intelektual dhe shprehet hapur rreth kësaj çështje, duke tërhequr vërejtjen Izraelit dhe mbështetësve të tij për peshën e kryqit që do ta bartin, pavarësisht se është i vetëdijshëm se do të bëhet objekt çitjeje për shumë kritikë. Kjo poezi e pastër politike, tashmë është në qendër të debatit kulturor e politik gjerman. Grasi gjykon edhe klasën politike evropiane si të pa dinjitetshme. Atë e pengon heshtja e Evropës. Madje, siç do të komentoj e përditshmja italiane “La Republica”, kjo Evropë, sipas masës gjermane sot vlerësohet si një xhuxh, shikues i heshtur. Në këtë situatë, e djathta izraelite, që aktualisht është në krye të Izraelit, e bënë Grasin të ndjehet i trishtuar, megjithëse ai mbetet i lidhur me Izraelin dhe në krah të popullit hebre. Ky debat, nëse asgjë tjetër nuk prodhon, ai do ta çliroj edhe më tej shoqërinë gjermane nga vetëpërmbajtja dhe tabuizimi i ca temave që ndërlidhen me historinë gjermane, por edhe në rishikimin dhe ndërtimin e raporteve mes moralit politik dhe të vërtetës.

_______________

SHIKONI NJË BISEDË TË G.GRASS’it

*  *  *

     Libri i Bedri Islamit “LËVIZJA (Lindje e përgjakur) – bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin“, brenda pak ditësh, që kur u publikua është shndërruar në një bestseller të vërtetë, që rrallë ka ndodhur me ndonjë botim tjetër këto 10 vjetët e fundit. Ai ka ngjallur debatin e munguar publik për tema të heshtura, për ato tema pak të njohura nga opinioni, e sidomos nga brezi i ri, por edhe për tema që mediat dhe politika i kishin përpunuar në mënyrën se si u konvenonin, duke përmbysur realitetin historik… 

__________________________________

KOPERTINA E LIBRIT…

Shikoni në formatin e zmadhuar:

http://pashtriku.beepworld.de/files/libra/Libri_bedriut/lpk-kopertina.jpg

_________________________________________________

       Ibrahim Kelmendi në këtë bashkëbisedim të ndjeshëm, e thotë atë që duhej të thuhej. Ai flet për “lindjen e përgjakur” të Lëvizjes për Republikën e Kosovës (LPRK), për natën apokaliptike, kur vriten dy nga tre themeluesit e kësaj organizate historike. Duke vazhduar rrëfimin tutje, ai do të shndërrohet në kronistin më të mirë të kësaj organizate, e me këtë libër na e ka dhënë monografinë e munguar. Ndërkaq, duke kaluar rubikonin, ai rrëfen për krajatat e idealistëve që krijuan UÇK, duke mos lënë anash as pjesën që mund të cilësohet si një lloj puçi politik brenda UÇKsë – marrjen e saj nën kontroll nga katërshja e famshme që edhe sot e bën pushtetin në Kosovë. 

Protagonisti i librit Ibrahim Kelmendi

____________________________________

     Këtë të vërtetë askush nuk mund ta thoshte më mirë se Ibrahim Kelmendi. I mbetet shoqërisë sonë, medias, shkencës shqiptare… ta orientoj drejt debatin dhe të përfitoj sa më shumë nga ai.
     Në dobi të këtij qëllimi recensionin tim e kam përqendruar në pesë teza, që po i sjell më poshtë.
     1. Libri që memorizon historinë e bujshme të ilegales shqiptare
Historiografia shqiptare me këtë libër ka përfituar shumë. Në të ardhmen nuk do të mund të shkruaj askush diç serioze për këtë periudhë, për hapësirën shqiptare në ish Jugosllavi, pa cituar këtë libër. Për këtë arsye, libri mund të cilësohet si një monografi historike e llojit të vet për Lëvizjen Popullore të Republikës së Kosovës dhe ilegales shqiptare në ish Jugosllavi.
     2. Përballja me terrorin shtetëror 
     Ilegalja shqiptare, grupe të shumta të vogla që ishin formuar në vitet `70-ta e `80-ta, që figurativisht këtu në libër cilësohen si përrenjë, që një ditë do shndërrohen në lumin e furishëm me emrin LPK alias UÇK, pavarësisht se po përballeshin me strukturat shtetërore të një shteti të fuqishëm, siç ishte Jugosllavia, në fund, meqë diti të shfrytëzonte konjukturat gjeopolitike të kohës në dobi të interesit nacional, arriti të nxjerr Kosovën nga zgjedha pushtuese. Kjo përballje për individë të veçantë ishte fatale, për disa të tjerë sfilitëse. Më 17 janar 1982 në këtë përballje të ilegales kosovare me terrorin shtetëror jugosllav bien në altarin e lirisë dy nga tre themeluesit e LPK-së, Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zeka. Bashkë me ta bie edhe bashkëveprimtari i tyre Bardhosh Gërvalla. Ndaj të mbijetuarit (Ibrahim Kelmendit) fillon fushata e përqendruar, që në teoritë konspirative vlerësohet edhe si atentat shpirtëror.
     3. Ruajtja e LPRK – gurë sizifi
     Për Ibrahim Kelmendin, përderisa në skenë del gjenerata që do ta etablojë ilegalen dhe do t`i vë themelet e organizimit të LPRK-së (1987), si një Organizatë politiko – ushtarake, ruajtja e LPK-s dhe selitja e saj ishte shndërruar në qëllim jetësor. Ai do të ndjehet shumë i lehtësuar, sidomos në katër periudha vendimtare për organizatën: së pari, në kohën kur në emigracion do të dalin një pjesë e ilegales që arrin t`i shmanget arrestimeve të vitit 1995; së dyti, kur do të merret vendimi historik për themelimin e UÇK (1993); së treti, kur do të arrijë ta vë nën kontroll FARK-un dhe së katërti, më 24 mars 1999, kur NATO fillon bombardimin e Serbisë, ndërkaq shekulli i robërisë po fillonte epilogun e tij të pashmangshëm. Ndërkaq rikthimi në Kosovën e lirë, pas 27 vjet veprimtarie intensive, do të mund të cilësohet si rilindje e tij. Por në këtë ecje, atij me kohë do t`i bëhen krah përfaqësuesit më të denjë të brezit të idealistëve – pjesë e ilegales si: Emrush Xhemajli, Ali Ahmeti, Musa Xhaferi, Fadil Vata, Afrim Zhitia, Xhavit Haziri, Fehmi Lladrovci, Xhemail Fetahu, Bashkim Mazreku etj. etj….)
     4. Platforma politike e vitit 1995 dhe UÇK-ja – kurora të organizimit ilegal
     Në doktrinën politike të ilegales shqiptare lufta për çlirim ishte në qendër të vëmendjes në çdo dokument të saj. Në të gjitha programet e grupeve ilegale dhe organizatave që do të dalin në skenë, lufta për Republikë ishte mishërim i vullnetit politik të bërë publik gjatë pranverës kryengritëse të vitit 1981. Por, për studiuesit e shkencave politike, atyre juridike, historike etj, Platforma politike e vitit 1995 do ta bëjë të qartë orientimin definitiv të LPRK-së (në Kuvendin e 3-të të LPRK-së të mbajtur në Prishtinë /fundkorrik 1993/, emërtohet LPK – shën.SH.B) për krijimin e krahut të saj të armatosur dhe çlirimin e vendit nga zgjedha pushtuese serbe. Ndërkaq hartuesve të saj, parasëgjithash Kryesisë së LPK dhe vet kësaj organizate, do t`ju siguroj një vend nderi e respekti në historinë tonë. Përmes kësaj platforme, LPK-ja po grishte të gjitha forcat politike ekzistuese, edhe ato që vepronin brenda sistemit legal jugosllav, që të orientojnë forcat drejt unifikimit programor për çlirimin e vendit. Kjo platformë politike solli në jetë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
     5. Drejtoria politike e UÇK-në – struktura që mënjanoi Kryesinë e LPK-së
Vitet e luftës të pasqyruara në 200 faqet e fundit të librit, janë ndër më dramatiket.
Sërish LPK-ja do të përballet me komplotist të të gjitha ngjyrave. Por, nëse Sektori i veçantë i Kryesisë së LPK-së që kishte angazhuar Ali Ahmetin dhe Ibrahim Kelmendin që të përkujdesen për të sjell në radhët e UÇK-së sa më shumë ish oficer shqiptarë, që kishin shërbyer në Ushtrinë Jugosllave, të tjerë ishin kujtuar që shembëllim Fikret Abdiqit në Bosnjë, të krijonin të ashtuquajturat Forca të Armatosura të Kosovës, që i njohim me akronimin FARK. Mirëpo, nëse Ibrahim Kelmendi dhe Ali Ahmeti do të arrijnë që ta fusin nën kontroll këtë strukturë gangrenizuese antihistorike, FARK-un, (le t`më ndjejnë ushtarët e thjeshtë të këtij formacioni që nuk kishin dijeni për këtë projekt), ata, Aliu dhe Ibrahimi, çuditërisht nuk ia dolën dot ta ruajnë UÇK nga komplotistët e brendshëm. 

__________________________________________

KADRI VESELI, AZEM SYLA, XHAVIT HALITI DHE HASHIM THAÇI – KOMPLOTISTËT E ORGANIZATËS LPK, E CILA THEMELOJ USHTRINË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS.

_____________________________________________

     Më lejoni që për Drejtorinë politike, të shtruar këtu, të shtojë edhe diçka të pa thënë brenda këtij libri, por që hedh dritë mbi këtë tezë.
     Në muajt e parë të vitit 1998, në Zvicër intenzivisht po punohej për krijimin e Shtabit Mobilizues. Më 9 maj 1998 brenda këtij shtabi mblidhen përveç LPK-së e UNIKOMB-it edhe 13 organizata tjera, shoqata, grupe studentësh etj. Atëbotë po ndiqja kurse specializimi në Institutin për Studime Evropiane të Universitetit të Bazelit. Me autorizimin e kryesisë së UNIKOMB-it kisha publikuar një komunikatë përmes së cilës bënim me dije ngrirjen e aktivitetit politik të UNIKOMB-it gjithandej në Kosovë dhe jashtë saj. Anëtarësisë në Kosovë i bënim thirrje që t`i bashkohej UÇK-së, ndërkaq atyre në Perëndim të kontribuonin në fondin “Vendlindja thërret”. 
     Duke e parë mungesën e përfaqësimit politik të shkallës që kërkonte koha, në njërën prej mbledhjeve të Shtabit Mobilizues, pata propozuar që Shtabi i UÇK-së ose do të duhej që ta pranonte publikisht LPK-në si krah politik, ose këtë punë t`ia ngarkonte Lëvizjes për Bashkim Demokratik në Kosovë. Nëse nuk e bënte as njërën e as tjetrën, atëherë le ta themelojë një Drejtori politike dhe ta bëjë publik emrin e drejtorit dhe të përfaqësuesve të saj jashtë. Ndërkaq anëtarët e Shtabit kishim shprehur gatishmërinë për të hyrë në Kosovë dhe për t`u vënë në shërbim të UÇK-së.
     Këtë ide e kishte përvetësuar shpejt përfaqësuesi i LPK-së në këtë mbledhje të Shtabit, Ramadan Avdiu, dhe e kishte përcjell tutje tek klani i tij. Natyrisht as atëherë e as sot, nuk kam diçka kundër pse u përvetësua ideja. Përkundrazi, jam ndjerë i nderuar. Por, duke lexuar librin Lëvizja – Lindja e përgjakur… disi u ndjeva keq, meqë kisha ndjesinë që përmes kësaj ideje, mund të kem kontribuar në shmangien e Kryesisë së LPK-së si organi më i lartë politik dhe marrjen nën kontroll të plotë të UÇK-së nga katërshja e famshme (
Azem Syla, Xhavit Haliti, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi), për të cilën Ibrahim Kelmendi flet gjerësisht në këtë libër.
     Grupi i cilësuar nga Ibrahim Kelmendi që në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm më 12 dhjetor 1998 si “si katërshja që i është imponuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si `drejtuese`”. Ky grup përmes Drejtorisë Politike, mënjanoi organin legjitim udhëheqës politik të Luftës dhe UÇK-së – Kryesinë e LPK-së. Kjo katërshe që na prezantohen brenda këtyre 200 faqeve të fundit të këtij libri si klan më vete e mbështetur nga mekanizmat shtetëror të Tiranës zyrtare dhe të një lagje qendrash vendimmarrëse, që ju rrinin pranë përherë dhe kudo si hije, tashmë po shfrytëzohet për t`i shpëtuar “fëtyrën” Serbisë, duke pregatitur terrenin për një ndarje të butë të Kosovës.
     Media në Kosovë pjesës së fundit të librit as që ka pasur guximin t`i qaset. Arsyeja është e thjeshtë dhe fare lehtë e vetëkuptueshme. Mungesa e lirisë së shprehjes, konformizmi dhe klientelizmi tashmë e kanë ngulfatur dhe po e mbysin mendimin e lirë.
     Duke pasur parasysh edhe këtë fakt, publikimi i këtij libri në këto qaste historike, promovimi i tij kudo në qendrat shqiptare, e sidomos ky këtu në Prishtinë, merr peshë të llojit të vet. Ndërkaq ky libër për rëndësinë që pritet të ketë në mendimin politik modern shqiptar, në historiografinë shqiptare të kohës së re, tek strukturat politike që ushqehen në burimin e idealizmës shqiptare (e LPK-ja dhe UÇK-ja tashmë do të mbesin burim i pashtershëm i këtij idealizmi), merr konotacion shtesë pozitiv dhe tejet domethënës. 
     Përfundim
     Protagonistët e kësaj kthese historike, ata që i përkisnin lagjes së idealistëve titanë, për veprimtarinë e të cilëve hidhet dritë në këtë libër, aktualisht janë në defanzivë. Natyrisht se e drejta historike është në anën e tyre, por kjo nuk mjafton. Kësaj lagjeje tashmë i janë ngritur shumë barrikada, gjithandej, në të gjitha institucionet, jo vetëm në ato politike. Kësaj lagjeje idealistësh i është pamundësuar që përmes institucioneve të kontribuojnë në rrumbullaksimin e çështjes shqiptare në përmasat dhe nivelin që kërkon çasti historik. E çasti historik nëpër të cilin po përvijohet aktualiteti politik në dy republikat tona dhe në Maqedoninë shqiptare, kërkon njerëz jo vetëm të ditur, të aftë e të formuar politikisht, por edhe idealistë, të tillë siç ishin anëtarët e LPK-së.

 _____________________________________________________

(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura