Tetovë, 26 korrik 2020: Krerët e një partie politike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, pas rezultateve nga zgjedhjet parlamentare, meqë kjo parti ka fituar më shumë mandate deputetësh në bllokun e partive politike të shqiptarëve (15 deputetë), në prag të bisedimeve për formimin e qeverisë së ardhshme të këtij shteti kanë deklaruar disa herë se kjo parti ka vendosur vija të kuqe, mes të cilave edhe respektimin dhe zbatimin pa kushte të tri marrëveshjeve: Marrëveshjes kornizë të Ohrit, Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë dhe të Marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë Veriore dhe Greqisë.
Për opinionin dhe lexuesit këto edhe mund të jenë deklarata të zakonshme, qëndrime të një partie politike të përgjegjshme për politikat e saj afatgjata, por në esencë, kjo a është kështu?
Mes këtyre deklaratave nga krerët e një partie politike të shqiptarëve dhe deklaratave nga disa parti të tjera politike maqedonase, ka kundërshtime thelbësore, sidomos në lidhje me marrëveshjet e Maqedonisë Veriore me shtetet fqinje, Bullgarinë dhe Greqinë.
Mënyra e qasjes së shqiptarëve ndaj këtyre çështjeve, jo vetëm e partive politike, analistëve dhe medieve, është aq e përciptë, e paargumentuar dhe me flluska të propagandës, sa bie ndesh edhe me qëndrimin zyrtar të shtetit edhe me qëndrimet kundër kësaj politike të artikuluar fuqishëm nga disa parti politike të maqedonasve dhe të qarqeve të ndryshme intelektuale në vend dhe jashtë vendit, të cilat këto ndryshime të mëdha në politikat e shtetit, të jashtme dhe të brendshme, saqë krijohet përshtypja se bëhet fjalë për dy epoka të ndryshme të historisë së shtetit të Maqedonisë dhe të popullit maqedonas. Në fakt, në asnjërën nga dy marrëveshjet e fundit (historike) mes Maqedonisë dhe dy shteteve të saj fqinje nuk përmendet asgjë nga interesat kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet, sikur fare nuk ekzistojnë, as identiteti, histori, gjuha, kultura, as afirmimi dhe as nevoja për ndryshimin e tyre, siç përmenden dhe preken interesat e popullit maqedonas, identiteti, gjuha historia, kultura, dhe jo vetëm çështja e ndryshimit të emrit të shtetit, apo miqësia dhe bashkëpunimi normal mes dy shteteve fqinje.
Përderisa pala shqiptare nuk ka qenë e përfshirë në bisedime dhe as në nënshkrimin e ndonjërës nga këto marrëveshje, cila është kompetenca, nevoja dhe interesi i krerëve të kësaj partie për interpretimin e tyre, për dobinë dhe dëmet që mund t’ua shkaktojnë shtetit dhe sidomos popullit maqedonas, asnjë dobi të vetme për popullin shqiptar në këtë shtet?
Këto deklarata mund të jenë të dobishme vetëm në kuadër të politikave globale, në rajon dhe më gjerë, të dobishme për procesin e integrimeve të vendit në NATO dhe për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, por assesi nuk duhet të përcaktohen si vija të kuqe nga faktori politik shqiptar në lidhje me negociatat për formimin e qeverisë së re, me vija të kuqe për marrëveshje të cilat me asgjë nuk lidhen me interesin kombëtar të shqiptarëve, meqë shqiptarët janë përjashtuar absolutisht nga këto dy marrëveshje, si edhe nga Kushtetuta dhe ligjet e këtij shteti.
Krerët e kësaj partie politike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, të BDI-së, sillen sikur janë drejtues të ndonjë krye ambasade që i përfaqëson interesat e gjithë bashkësisë ndërkombëtare në këtë shtet, apo si një qendër për koordinimin e bashkëpunimit dhe zhvillimit mes shteteve të rajonit, jo si një parti politike që përfaqëson interesat konkrete dhe reale të shqiptarëve në këtë shtet.
Për ta kuptuar më qartë këtë kotësi, mashtrim dhe demagogji, krerëve të kësaj partie politike duhet t’u kërkohet së pari shpjegime dhe sqarime në lidhje me këto çështje thelbësore, e që lidhen me marrëveshjet të cilat kjo parti i ka vendosur si vija të kuqe për bashkëqeverisje me parti të tjera në të ardhmen.
Cili është shpjegimi tyre në lidhje me Marrëveshjen kornizë të Ohrit, e cila ka dobësi thelbësore në raport me të drejtat e popullit shqiptar në Maqedoni, për afatin e saj të skaduar, mosrealizimin e pikave më të rëndësishme të saj edhe pas njëzet vjetësh, si dhe për (mos)perspektivën e zbatimit, me të cilën mbetet e mbyllur përgjithmonë çështja e shqiptarëve në Maqedoni, përderisa shqiptarët me anë të saj janë definuar si pakicë kombëtare, popull pa identitet, si numër dhe përqindje (20%), ndërsa çështja e gjuhës shqipe zyrtare është kufizuar në të drejta të gjuhës së një pakice kombëtare dhe më keq se kaq, si grup qytetarësh prej 20%, të cilët flasin një gjuhë të ndryshme nga gjuha zyrtare maqedonase?!
Krerët e kësaj partie duhet ta pranojnë se Marrëveshja e Ohrit është një marrëveshje kornizë, jo marrëveshje e plotë dhe përfundimtare, si e tillë edhe e pambyllur, me obligime të qarta për palët nënshkruese.
Krerët e kësaj partie, me vendosjen e kësaj Marrëveshje në preambulën e kushtetutës, me dorën e tyre e kanë çuar atë në histori dhe përmes saj e kanë mbërthyer çështjen shqiptare, të drejtat kombëtare të shqiptarëve për një periudhë, deri në ndryshimet e reja të domosdoshme të Kushtetutës së Maqedonisë Veriore.
Krerët e kësaj partie duhet ta shpjegojnë dhe të japin sqarime edhe për vijat e kuqe në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, e cila përveç ndryshimit të emrit të shtetit, bart me vete edhe detyrime të mëdha nga palët nënshkruese, sidomos heqjen dorë nga shteti i Maqedonisë Veriore dhe nga populli maqedonas nga periudha e Antikës, nga e drejta e popullit të sotëm maqedonas për ta mbrojtur dhe afirmuar të drejtën e trashëgimisë nga Maqedonia Antike dhe gjithçka që lidhet me atë periudhë, me histori, trashëgimi kulturore, figura historike, simbole etj., siç definohet me këtë Marrëveshje edhe sanksionimi me ligj (dënimet) për shfrytëzimin, afirmimin apo përdorimin e tyre.
Cili është programi dhe cila është strategjie e kësaj partie politike, nëse mbetet edhe më tej në pushtet, nëse edhe shqiptarët heqin dorë nga trashëgimia e tyre kulturore, duke pasur parasysh se shqiptarët janë popull autokton në këtë shtet, se historia dhe e kaluara e tij në trojet e veta etnike në Maqedoninë Veriore nuk mund të kufizohet dhe ndalohet me asnjë marrëveshje politike, siç mund të ndodhë me popullin maqedonas, i cili ka një histori të re të krijimit të kombit dhe të shtetit, nga viti 1944, siç definohet qartë edhe me Marrëveshjen me Bullgarinë edhe me Marrëveshjen me Greqinë.
Nëse përmes këtyre marrëveshjeve i mohohet popullit maqedonas lidhja e tij me periudhën antike dhe me Mesjetën, i mohohet gjuha, historia dhe identiteti i tij i veçantë, kjo me asgjë nuk i obligon shqiptarët në Maqedoni të heqin dorë nga këto vlera, nga identiteti, trashëgimia kulturore, gjuha dhe historia e tyre. Ku i gjejnë vijat e kuqe krerët e kësaj partie politike në këto çështje? Nëse shqiptarët e konsiderojnë Maqedoninë për shtet të tyre të përbashkët me të tjerët, kjo nuk nënkupton se edhe identitetin e tyre kombëtare, kulturën, gjuhën dhe historinë duhet ta njëjtësojnë me popujt tjerë të këtij shteti.
Përfundimisht, secila parti politike në radhë të parë duhet t’i njeh kornizat e veprimit të saj, pa pretenduar se gjithçka që lidhet me interesin kombëtar të shqiptarëve është pronë e saj dhe detyrim për t’i mbrojtur dhe afirmuar ato. Interesi shtetëror, interesi kombëtar dhe interesi politik i një partie dhe i krerëve të saj duhet të përcaktohen qartë dhe të respektohen, që të mos sjellin paqartësi, probleme dhe implikime të tjera në jetën e popullit që duhet t’i shërbejnë.
Në lidhje me Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë, duke pasur parasysh përmbajtjen e saj, sidomos me kushtëzimet e kohës së fundit (veton e palës bullgare) për anëtarësimin e Maqedonisë Veriore në BE, për heqjen dorë të popullit maqedonas nga gjuha, historia dhe figurat më të rëndësishme nga e kaluara e tij, pa të cilat ky popull nuk mund të ndërtojë identitet të veçantë kombëtar, me këtë ta rrezikojë edhe të drejtën historike për krijimin e shtetit të tij, qëndrimet e një partie politike të shqiptarëve në lidhje me këto çështje, në kontestin e hapur mes dy popujve fqinj të shqiptarëve, maqedonasve dhe bullgarëve, jo vetëm se është tepër pretenduese, por edhe naive dhe pa asnjë peshë.
Përfundimisht, nga një parti politike mund të përcaktohen edhe vija të kuqe, para formimit të një qeverie apo ndonjë rasti tjetër, por assesi nuk mund të jenë produktive, të dobishme dhe me interes strategjik vijat e kuqe që lidhen me marrëveshjet mes popujve të tjerë, por jo edhe me interesin e qytetarëve dhe të popullit që e përfaqëson kjo parti.
Se cilat janë interesat strategjike të populli shqiptar në Maqedoninë Veriore nuk ka nevojë të shpjegohet dhe përsëriten në këtë rast.
Urojmë që krerëve të kësaj partie politike t’u bëhet pushka top, por top që kërcet për të drejtat i mohuara të popullit shqiptar në këtë shtet, jo top për në muze me histori të falsifikuara që nuk mund t’i shërbejnë me asgjë qytetërimit të sotëm, aq më pak popullit shqiptar, të cilit i janë vjedhur dhe falsifikuar e kaluara dhe i është mbyllur perspektiva, pikërisht nga qasjet e këtilla të politikës, jo vetëm sot, por me dekada më parë.
Postime të Lidhura
DR.JAKUP KRASNIQI: AZEM VLLASI ISHTE NDËR TË PARËT QË DEMONSTRATAT E VITIT 1981 I CILËSOJ ‘KUNDËRREVOLUCIONARE’!
Prishtinë, 19. 03. 2015 – (Këtu do të lexoni edhe si Vllasi i jugosllavizuar e quante edhe Enver…
KRYEMINISTRI ALBIN KURTI PRITI NË ZYRË FILANTROPIN E RI TË FAMILJES SOROS, ALEKSANDËR SOROS-in
KRYEMINISTRI ALBIN KURTI PRITI NË ZYRË FILANTROPIN E RI TË FAMILJES SOROS, ALEKSANDËR SOROS-in Nga Sheradin Berisha, Pashtriku…
BEHXHET SHALA BAJGORA: NUK KA SKENARE TË MIRA, ME SKENARISTË TË KËQINJ!
Prishtinë, 31 janar 2019: (Dikujt po i kruhet , dikujt po i luhet) – Mund edhe të mos…
LODHJA E PRESIDENTIT!
LODHJA E PRESIDENTIT! Nga Sheradin Berisha, Facebook 15 Prill 2022 Presidenti i SHBA-ve Joe Biden, të enjten ka…