Vlorë, 30 korrik 2020: Përmbledhje/ Abstrakt
Me këtë kumtesë mbi procesin e edukimit kulturor në shkollat tona, do të përqëndrohemi në ecurinë e zhvillimit të arsimit të fëmijëve tanë, që natyrshëm kalojnë me botën e librave në vend të parë dhe me botën e lodrave në vend të dytë. Nxënësi ynë përparon kur funksion si duhet edukimi në familje dhe në shkollë, nëpërmjet raportit të drejtë të trekëndëshit: prind – nxënës – mësues, sa klasik aq dhe bashkëkohor, për nga dobia e rezultateve që ka sjellur, kur ka funksionuar sipas standardeve të kërkuara. Synimet e edukimit arrihen me ndershëmëri profesionale, me kulturë qytetare, me dashuri ndaj nxënësit, si ndaj fëmijës tënd dhe me vlerësimin e punës në grup, duke e konsideruar veten si pjesë e së tërës. Që udhëtimi i edukimit të vijojë përditshmërisht normalisht, ndër tre hallkat e zinxhirit të artë, gjykojmë se parësore del përgatitja e mësuesit si edukator, jo thjesht si teknicien, ekspert mësimor, por sidomos zotërues i metologjisë në procesin mësimor dhe edukativ të klasës e shkollës sonë. Nuk mund ta quajmë të drejtë që përgatitja e mësuesit si edukator të shikohet si ishull më vehte, e shkëputur nga dy hallkat e tjera të rëndësishme të sistemit: prindi dhe nxënësi. Secili ka vendin dhe rolin e tij në këtë proces, ku mësuesi jep dije e kulturë, nxënësi merr dije dhe edukohet, ndërsa prindi vijon me format e tij etiko-morale edukimin në familje, duke qenë hallka e ndërmjetme midis dhënësit – mësues dhe marrësit – nxënës.
Fjalët çelës/ kyçe: edukimi, shkolla, përgatitja, raporti mësues – nxënës – prind
1. Hyrje
Në rrafshin e pedagogjisë, kur flasim për edukimin, kuptojmë procesin e gjerë të formimit tërësor të personalitetit të njeriut, zhvillimin e tij gjatë gjithë jetës. Edukimi është një veprimtari e organizuar, e vetëdijshme, për të ndikuar mbi njerëzit, sidomos mbi brezat e rinj, për t’i formuar ata sipas një synimi të caktuar. Hapësirat e edukatës, ose përmasat e saj janë shumë të gjera. Ato shtrihen në tërë jetën tonë. Ndër fushat më kryesore, kryesisht në kuptimin, brendinë, rrugët kryesore të edukimit, prof. Musa Kraja ndërton këtë pemë pedagogjike të hapësirave të edukatës: “1. Edukata mendore, 2. Edukata morale, 2.1 Rrugët kryesore të edukimit moral, 2.2. Dy fushat konkrete të edukimit moral, 3. Edukata e punës, 4. Edukata teknike, 5. Edukata fizike, 6. Edukata shëndetësore, 7. Edukata estetike” . Çdo mësues e ka të qartë se ato zhvillohen në harmoni me njëra-tjetrën dhe jo të shkëputura, pra, edukata mendore zhvillohet në harmoni me edukatën fizike, edukatën e punës, morale, estetike, teknike, nëpërmjet veprimtarisë arsimore, edukative të shkollës, të institucioneve të tjera, të medias, familjes etj. Nxënësi formohet në dy hapësira të tilla që cilësohen si makromjedis dhe mikromjedis. Mikromjedisi përfaqëson ato rrethana dhe kushte konkretet në të cilat nxënësit tanë sillen ditë për ditë, kalojnë sidomos një pjesë të kohës së lirë. Këto mjedise i ndeshim kudo, si në krye të ndonjë rrugice, në sheshe, në oborrin e shkollës, në rrugë, në varësi të lagjeve të vjetra dhe tradicionale të qytetit, në një shesh fshati, tek furra, klubi, fusha e lojës etj. Ndërsa makromjedisi përfshin gjerësisht mjedisin e qytetit, të zonës, lagjes apo fshatit. Ka efekt shumë të madh në edukim. Makromjedisi i Dukatit, Nartës apo Kaninës nuk mund të jetë si në një zonë në Dibër, Elbasan apo Korçë. Shkolla është institucioni i mësimit dhe edukimit, shtëpia e dritës së dijes, vatër e edukimit kulturor. Edukimi i nxënësve kërkon marrëdhënie të shëndosha të trekëndëshit mësues – nxënës – prind. Po bëjmë një paralelizëm jo thjeshtë për ilustrim figurativ. Nuk mjafton që pema të mbillet për t’u rritur e shëndetshme, duhet të ujitet, të krasitet, të punohet toka rrotull pemës (të prashitet, të plehërohet) etj. Agronomët, fermerët, bahçevanët i njohin mirë këto procese jetike për pemën dhe ia bëjnë me përpikmëri dhe në kohën e duhur. Kështu funksionon edhe puna me fëmijën, me nxënësit tanë. Falë përvojës shumëvjeçare në arsimin e cilkit të ulët, kemi vënë re që ka prindër që thonë: “Unë të dorëzoj fëmijën, ti, zotni mësues apo zonja mësuese je përgjegjës/ e për gjithçka ndaj tij”. Nuk mendojmë se është i drejtë një qëndrim i tillë i papërgjegjshëm, sepse fëmija vërtet në shkollë merr bazat e arsimimit dhe edukimit qytetar, por fëmija, që na është besuar, ka prindërit e tij, babën e nënën, që janë të pazëvendësueshëm, jo vetëm se është krijesa e tyre, por është edhe vijimi i jetës së tyre, kopja e tyre në kohë të re. Nga ana tjetër, në jo pak raste, mësuesi shfajsohet: “Është fëmijë me problem filan nxënës, s’merrem me të”. Edhe në këtë rast kemi mungesë përgjegjësie dhe aq më keq pandershëmri profesionale. Në qoftë se prindi, vërtet është babai apo nëna e nxënësit, ai në jetë mund të ketë profesion tjetër që ushtron, (jo detyrimisht mësues); mësuesi është në profesion mësues dhe detyrimisht duhet ta bëjë shumë mirë, sepse paguhet për ta ushtruar këtë profesion të nderuar me fëmijët, me brezat. Fëmijët vijnë në shkollë që të mësojnë lëndët sipas programit mësimor orë pas ore, ditë pas dite, semestër pas semestri e vit pas viti. Ata vijnë po aq të edukohen sipas normave qytetare dhe këto mesazhe edukimi t’i mishërojnë në jetë, të formësojnë shprehitë e kulturës qytetare dhe të rriten të shëndetshëm fizikisht, shkollarisht dhe qytetarisht. Në qendër të vëmendjes është nxënësi/ nxënësja. Që ai/ ajo të rritet dhe të bëhet i denjë për shkollën, familjen e shoqërinë, prindi dhe mësuesi duhet të bashkëpunojnë papushim, pa u lodhur, pa lozur “hidh e prit” “kungulleshkën” në kurriz të edukimit të nxënësit, por, në kuptimin më të mirë të fjalës, duhet të jenë shokë të ngushtë, sepse kanë një qëllim: edukimin e fëmijës/ nxënës. Nuk është objekt i kësaj kumtese puna e prindit me fëmijën e tij, por objekt kemi punën tonë si mësues me nxënësit tanë. Me kohë ka fituar qytetari shprehja “Mësuesi është prind i dytë për nxënësin” dhe popullariti i saj është mbushmendës, i motivuar. Kyçi për suksesin në punën me nxënësit është: mësimdhënia. Nuk është fjala vetëm tek spjegimi i duhur për dhënien e dijeve të mjaftueshme nxënësit hap pas hapi, por së pari komunikimi me ta, mënyra e të sjellurit, se, siç na kujton fjala e urtë e popullit: “Ç’të mbjellësh, do të korrësh”. Komunikimi është art më vete, art i bukur i fjalës së shprehur, ndëraq më i vështiri, po sa fisnik. Me fjalën e ngrohtë e bën për vete nxënësin e ai të do si prind; me fjalën e ftohtë, e largon, e humbet respektin e mundshëm të tij. Nxënësi vjen në shkollë të mësojë, të nxëjë, se ka nevojë të mbushet me dije. Ai vjen në shkollë të formohet, të edukohet, të zbatojë normat, rregullat, rregulloret, ligjet, kodet etike dhe estetike të jetesës. Nuk janë të gjithë nxënësit të mirësjellshëm në shkollë, se, po themi, ashtu janë mësuar në jetën parashkollore. Mësuesi prandaj është mësues, që t’i mësojë dhe edukojë, me qetësi e dashuri, pa i fyer, pa i prekur në personalitet, sepse temperamentet e tyre përbëjnë variante mozaikore, që nuk mund t’i imagjinojmë. Këtu ne na vjen në ndihmë pedagogjia dhe psikologjia. Prapë urtësia popullore na sjell në kujtesë fjalën e rrallë: “Gjuha hekur s’ka e hekur thyen”. Mësimdhënia nuk është abstrakte: nuk do të thotë të përvetësosh veç disa rregulla, ndërtime fjalish, pra nuk bëhet fjalë vetëm për lëndën në vetvete në lidhje me nxënësin. “Gjuha dhe kultura ndikojnë pareshtur mbi njëra-tjetrën” . Misioni ynë realizohet përditshëm në punën tonë me nxënësit e vështirë, të zgjuarit dhe nxënësit me kufizime të lehta. Thuhet se nxënësit me dhunti, një dorë të ngrohtë mësuesi duan dhe ecin. Vullneti, dëshira dhe ndershëmëria profesionale shfaqem më dukshëm në punën e diferencuar me nxënësit me probleme, apo të vështirë si quhen ndryshe.
2. Procesi i të nxënit, një proces i motivuar
Procesi i të mësuarit, në të cilin marrin pjesë mësuesit dhe nxënësit, përbëhet nga mësimdhënia, që realizohet kryeshisht nga mësuesi si organizator dhe drejtues i procesit mësimor, si dhe nga të nxënët, proces që e realizon nxënësi, fillimisht nën drejtimin e mësuesit dhe, gradualisht, drejt një të nxëni të pavarur. Ndodh që konceptet “të nxënit” dhe “të mësuarit përdoren në vend të njëri-tjetrit. Në fakt, ekzistojnë edhe kuptime të tjera.
Të nëxënët është një proces, nëpërmjet të cilit çdo nxënës dhe çdokush tjetër fiton njohuri, shkathtësi dhe shprehi. Njeriu gjatë gjithë jetës është nxënës. Edhe mësuesi mëson për vete, freskon njohuritë e fituara dhe aftësohet më tej, që të jetë mbushmendës, i plotë dhe jo i cunguar në dijet që u jep nxënësve, në përputhje me grupmoshën, programin mësimor – edukativ etj. Pra, kur themi që njeriu mëson gjatë gjithë jetës, kemi parasysh gjithë periudhën jetësore të tij, që sa lind, gjatë foshnjërisë, fëmijërisë e deri në pleqëri; mëson në shtëpi, në shumë fusha; mëson në shkollë, madje me synime të caktuara, sipas planeve dhe programeve të përcaktuara nga organizmat kompetente, për një vëllim të caktuar informacioni, njohurish, dhe arrin në përvetësimin e mënyrave të reja të zgjidhjeve, të kuptuarit, zbatimit të tyre në praktikë. Në këtë rrafsh, duke bërë dhe lidhjen e mikromjedisit me makromjedisin, njeriu mëson në shkollë, por mëson edhe në shoqëri, në libra, nëpërmjet burimeve të tjera të informacionit, duke mbetur të nxënit një proces i pandalshëm; mëson edhe në mënyrë të organizuar (në shkollë dhe në institucione të tjera që punojnë me plane dhe programe të caktuara), por ky proces, jashtë shkolle është edhe i rastësishëm. Ne përpiqemi që ky organizim të bëhet edhe në shtëpi. Në të nxënët nuk mund të kërkojmë receta absolute, pasi tek çdo nxënës ka edhe diçka origjinale në të nxënit e tij. Kjo nuk do të thotë që nxënësi të mos marrë në konsideratë përvojën e të tjerëve, kur ajo jep rezultate të mira. Ne mund të ndihmojmë nxënësin që të zgjedhë metodën më të mirë të të nxënit. Ky proces realizohet në mënyrë individuale. Prindi i cakton fëmijës një kënd të nxënies, por mbajtjen, shfrytëzimin e bën vetë nxënësi. Ai zgjedh mjetet shumë të domosdoshme, të cilat i përdor jo vetëm njëherë, por i ka mjete pune të përhershme, si fjalorë, atlasë, libra ushtrimesh, veç teksteve bazë të lëndëve. Të nxënit, si proces, nuk ndalet vetëm në kapjen e informacionit, edhe pse shfaqja e një modeli mund të thjeshtësojë përpunimin e përgjigjes. Përvetësim të vërtetë të informacionit do të vëmë re vetëm nëse kjo do të ketë një përgjigje të subjektit ndaj situatës dhe sipas konstruktivizmit (frytshmërisë, dobishmërisë; shën. im – A. H), nëse do të ketë kuptim apo ndërgjegjësim të kësaj sjelljeje të re, gjë që çon në një konceptim nga ana e nxënësit.
Si rrjedhojë e re e të nxënit, nga faktorë objektivë dhe subjektivë, nga familja, shkolla, shkolla, shoqëria, media, nga studimi individual, vetëedukimi, vetëveprimi, vetëarsimimi, këmbëngulja, ambicja nga nxitja dhe stimulimi i përdorur prej mësuesve, shkollës, institucioneve të specializuara, etj., sigurohet një përvetësim aktiv, nxitet më tej mendimi dhe veprimi i nxënësve. Ky është edhe synimi i punës sonë si mësues. “Shkolla nuk është as vend i “pavarësisë së nxënësit” nga mësuesit, por as fushë beteje, për të treguar “Unin” apo egocentrizmin pedagogjik të mësuesit” . Një vëmendje e veçantë ndaj teknikave të informacinit, teknikave të të nxënët shkollor ka dhënë rezultat, si një veprimtari me karakter të thelluar individual, prej nga rrjedh edhe domosdoshmëria e njohjes dhe e zotërimit të teknikave për ta realizuar atë si një rrugë që lehtëson shumë përqëndrimin e forcave dhe energjive tek nxënësi. Në aparatin pedagogjik të tekstit mund të formulohen pyetje nga vetë nxënësi. Pas pyetjeve shtrohet problemi i vetëkontrollit, leximit aktiv me theksime të veçanta në pauzat domethënëse dhe në të menduarit gjatë asaj kohe, në shënimet gjatë të lexuarit, në nxjerrjen e çështjeve kryesore, në formulimin e një skeleti etj., aty zënë vendin edhe riprodhimi i informacionit, zbatimi i tij si efektshmëri e të nxënit. Niveli më i lartë i veprimtarisë është zgjidhja e problemeve me ndihmën e njohurive të reja të përvetësuara. Provimi është metodë e të nxënit intensive. Kur flasim për teknikat e të nxënit, kujtojmë skemën e thjeshtë që përfshin:
– Të dëgjuarit
– Të lexuarit
– Të shënuarit
– Riprodhimi i pavarur
– Diskutimi
– Zgjidhja e problemeve.
Është thënë që të nxënit është një proces i motivuar. Nxënësi mund të mësojë nga që i pëlqen të nxënit. Është e nevojshme të theksohet se në organizimin e mësimit, nëse duam të kemi pjesëmarrjen e nxënësit duhet të fillojmë të sigurohemi që rezultati i pritur të integrohet midis projekteve të subjektit, domethënë të merret nga ai si një kontribut për realizimin e objektivave të tij. Mësuesi mund të ruajë procedurën e tij vetëm pasi të jetë informuar mbi gjuhën, konceptet, aftësinë e funksioneve mendore dhe stilet e njohjes së nxënësit. Në praktikë, njohja e nxënësve duhet të jetë objekt i vazhdueshëm i kërkimit nga ana e tij. Në këtë kuadër, është me interes të shihet se ç’vend i lihet motivimit, nevojave dhe interesave të nxënësit, cilët janë funksionet mendore të nxitura, cilat janë modelet e propozuara dhe cili është qëllimi për të cilin i vendosim nxënësit:
– Sepse do të marrë fillimisht nota të mira dhe më tej një dëftesë, diplomë a çertifikatë;
– Sepse nuk do të përsërisë vitin shkollor;
– Sepse ngulmojnë prindërit dhe nxënësi nuk do t’ua prishë atyre. Në këtë pikëpamje, ndeshim dhe alternativë të kundërt. Ajo që është themelore për ta kuptuar është se fëmijët mësojnë në mënyrë të pavarur, jo në grupe (siç ndosh me konviktorët – nxënës të shkollave të mesme apo studentët e universiteteve); ata mësojnë nga interesi dhe kureshtja që kanë, jo nga tendenca për të kënaqur të rriturit.
– Sepse dëshirojnë të përmbushin një ego personale;
-Sepse kërkojnë të arrijnë synime personale në gjuhë të huaj, në matematikë etj., nëpërmjet të cilave të arrijnë objektiva të domosdoshme për vetveten.
Të nxënit mund të udhëhiqet nga qëllime të çastit ose nga një gjerësi e qëllimit të tij në të mësuar. Gjithashtu, të nxënët është rezultat i aftësive të shumta: lidhet me aftësinë për të planifikuar kohën, për të mos pranuar ndikimin e elementëve irelevantë (të panevojshëm, të tepërt, të pavend; shën. im – A. H) të nxënit, për të shmangur tërheqësit e vëmendjes, për të zotëruar veten, për t’u mbështetur në forcat e tij, për të bashkëpunuar në grup.
3. Përgatitja e mësuesit si mësimdhënës, si edukator i nxënësit
Në punën e përditshme me nxënësit, me klasat, mësuesi nuk mund të shfaqet thjesht si një profesionist i aftë dhe aq. Për profesionin mësuesi ka marrë diplomën. Siç u shprehëm edhe më lart, mësuesi punën e ka me nxënësit dhe me librat, me tekstet mësimorë dhe ato ndihmëse të edukimit të nxënësve të tij. Si frymën që merr, mësuesi duhet të përditësojë njohuritë bashkëkohore. Aq më tepër rritet përgjegjësia e tij për thithjen e materialit të nevojshëm nga bota e informacionit, sidomos sot kur fëmija është më i zgjuar dhe, të paktën, ka njohuri më të shumta se bashkëmoshatarët e tij para 10 vjetësh. Përse mos të shtrojmë pyetjen: a është i aftë mësuesi të ndjekë prurjet e reja nga bota digjitale? A është zoti t’ua transmentojë në mënyrën e duhur dhe në masën e caktuar fëmijve që prindërit i kanë dërguar në shkollë për të nxënë? Mos vallë ka edhe raste kur mësuesi sfidohet nga nxënësi për mikrobotën e dijeve të marra nga libri dhe interneti? Si përballohet kjo gjendje? Së pari, një gjendje e tillë as që nuk duhet të mendohet nga askush prej armatës së mësuesve, sepse nuk jemi thjeshtë mësimdhënës, por misionarë të dritës diturore. Një mësues i paplotësuar me dije të përditësuara ndoshta do të ishte më mirë të bënte diçka tjetër më të dobishme për vete e për familjen e tij se sa të futej në klasë, në auditoret e shkollës dhe të ndjenjte skuqje në ndërgjegjen profesionale, kur intuita, memoria e mbushur nga të dhënat që na “bombardojnë” nëpërmjet celularit, laptopit, kompjuterit e mjeteve të tjera të “qelqit digjital” apo freskia informative e ndonjë nxënësi me prirje apo kushdo qoftë tjetër ta zinte “gafil”…, domethënë të papërgatitur!…
Mësuesi, qoftë tek nxënësi, qoftë tek prindi, është imazhi i edukimit të fëmijës që vjen në shkollë të pajiset me dije e kulturë qytetare. Kujtojmë dijetarët e periudhës së lashtësisë, që nga Soktrati, Platoni, Aristoteli, Demokriti e Kuintiliani, të cilët që ndikuan fuqishëm në edukimin e brezave, i mësuan ata dhe i pajisën me dituritë e duhura, hodhën themelet e veprimtarisë mësimore, edukative, duke i pasuruar proceset e teknikat deri tek përcaktimi i tri shkallëve të të mësuarit: intuitën, mësimin teorik, ushtrimet. Mësuesit e sotëm nuk kanë se si mos të kujtojnë me nderim personalitetet pedagogjike në nivel botëror për Mesjetën, të cilët i dhanë një frymë të re pedagogjike dhe të virtytshme arsimit, që nga pedagogu i shquar italian Vitorino de Feltre (1378-1446), që themeloi shkollën e tij “Shtëpia e gëzuar” ku krijoi mjedis tërheqës. Veç letërsisë, në atë shkollë mësohej algjebra, astronomia, dituri natyre etj. Kujtojmë humanistin anglez Tomas Mor (1478-1535), pedagogun dhe reformatorin çek Jan Amos Komenski (1592-1670), mendimtari tjetër anglez Xhon Lok (1632-1704) si dhe pedagogun dhe filozofin e madh zvicerian Zhan Zhak Ruso (1712-1778), i cili gabimisht ka hyrë në një pjesë të mirë të literaturës shqipe si autor francez. Pa u futur në rrjedhën e figurave të shumëfuqishme të arsimit dhe edukimit, do të kishte më shumë dobi për formimin tonë si mësues njohja dhe homazhi për personalitetet që u shquan në mendimin pedagogjik të Kohës së Re, si Johan H. Pestalocin, Johan F. Herbartin, Fridrih Frebel, Adolf Disterveg, K. D. Ushinski, Xhon Djui, Georg Kershenshtajner, A. S. Makarenko dhe William Killpatrirk. Po ndalojmë pakëz tek personaliteti i Johann Heinrich Pestalocit (1746-1827), mësues i shquar zvicerian, studiues, filozof e shkrimtar i përmasave botërore, i cili vuri bazat didaktikën e arsimit fillor. Tek ai spikatën idetë e mëdha për personalitetin e mësuesit, për rolin e tij në të gjithë veprimtarinë mësimore – edukative, për rolin e jashtëzakonshëm të nënës, si edukatore natyrore e fëmijës, për lidhjen e mësimit me praktikën, me prodhimin e jetën, si dhe në fusha të rëndësishme të edukimit moral, të edukatës së punës, etj. Idetë e Pestalocit ushtruan ndikim të madh mbi arsimin amerikan të shek. XIX. Pa e quajtur të nevojshme përmendjen nderuesve ndaj rilindasve tanë, që luftuar për liri dhe arsim kombëtar, duke u përulur para tyre, para pishtarëve të arsimit shqip në shekullin XX dhe dritanëve të dijes në periudhat historike vijuese, mendojmë të përmendim një përkufizim klasifikues të historianit të arsimit, profesor, akademik, Mësues i Popullit Hamit Beqja (1929-2011): “Në pedagogji ka dhe dy ndarje të mëdha-didaktikë dhe edukatë, më konkretisht teori dhe metodologji e të mësuarit (pra didaktikë). Didaktika është shumë konkrete, është shumë aplikative, shumë eksperimentale. Por edhe shumë normative. Dhe kur ka normativitet nuk mund të mos ketë edhe doza pedantizmi dhe pak formalizmi, qoftë edhe “sui generis” (i llojit të vet, lloj më vete, i veçantë; shën. im – A. H). Jemi ndërgjegjësuar për misionin e gjerë socio-edukativ që ka marrë shkolla jonë në ditët e sotme dhe që me sa duket ka për të qenë një konstante që do ta theksojë këtë fizionomi edhe për të ardhmen. Roli i ri i shkollës në formimin qytetar dhe intelektual të nxënësit (brenda hapësirave diturore të grupmoshës) në shoqërinë tonë moderne kërkon një këndvështrim konkret të trekëndëshit mësues, nxënës, “fryma e shkollës” (nga mjediset familjare dhe sociale, gjeografia prej nga vjen kontingjenti nxënësve). Në procesin mësimor edukativ, motivimi i mësimnxënies ka dhënë rezultat kur është parë i pashkëputur pa motivimin optimal në rritjen e efektivitetit të mësimnxënies. Forma më elementare e mësimnxënies konsiston në krijimin e stadeve të nevojës, ku bashkëveprojnë situata “presion – barrierë’ dhe situata “shtrirje – tendencë”. Është i përhapur në shumë vende koncepti i një dinamike si një faktor motivues i shkollarit. Më 1970, Arnold përpunoi modelin teorik të motivimit të mësimnxënies, duke vënë në raport vertikal faktorët: “tension emocionues” – E, “intensitet i impulsit shtytës” – I dhe Frenimi” – R, pra I=E/R. Është pikërisht mësuesi që duhet të jetë mjeshtër i motivimit të mësinxënies, që mësimdhënien e trajton si harmoni e shëndetshme të dy këndvështrimve: mësimdhënia si art dhe mësimdhënia si shkencë. Në arsim roli kryesor është i mësuesit, vështruar në shërbim të bashkëpunëtorit të tij të pandarë dhe të përjetshëm: nxënësit. Kur diskutohet për tekstin është fjala e mësuesit ajo që i jep forcë e jetë. Kur flitet për metodat mësimore, është mësuesi që zgjedh; për edukimin, është mësuesi edukator; për marrëdhëniet mësues-nxënës është pikërisht ai që u jep tonin pozitiv ose dhe për shqetësime të këtyre marrëdhënieve; pra është mësuesi një figurë e pazëvendsueshme, personaliteti i të cilit është i lidhur me tërë problemet mësimore-edukative në shkollë.
Përfundime
Përvoja e punës dhe sidomos ballafaqimi me tekstet e fushës, që e trajtojnë pedagogjinë si shkencë mbi edukimin, edhe ne mund të shprehemi se mësuesi është hallka kryesore e veprimtarisë në shkollë. Ai është drejtues, organizues i procesit mësimor, interpretues i dokumentacionit shkollor, nga puna e të cilit varet veprimtaria e të tërë hallkave që veprojnë në shkollë ose në lidhej dhe bashkëpunim me të. Vetë natyra e punës së mësuesit kërkon që personaliteti i tij të përfshijë:
– Paralelisht vijmë tek idea e parë “lind”. Normalsht pamja e tij të jetë normale. Kjo është e dëshirueshme, kur është e bukur është edhe më mirë.
– Një përgatitje të përgjithshme shkencore dhe kulturore.
– Mësuesi duhet të jetë i thelluar në lëndën e tij, në profilin e ngushtë, duke ndjekur dijet bashkëkohore, informacionin e ri që sjellin shndërrimet e vrullshme në disiplinën e tij, përvojat e reja, duke zgjeruar dhe aktualizuar në mënyrë të pandërprerë dijet në dispilinën e tij shkencore.
– Mësuesi duhet të ketë përgatitje pedagogjike, didaktike dhe metodike.
– Mësuesi duhet të dallohet nga pasioni për punën me fëmijët, dashuria dhe respekti për personalitetin e nxënësit.
-Është e domosdoshme që mësuesi të ketë një figurë shoqërore dhe morale të rregullt.
Vetëm kështu, i veshur me këto cilësi e virtyte, mësuesi realizon 5 rolet e tij në shërbim të nxënësve në shkollë si ekspert mësimor, drejtues dhe udhëheqës i klasës së tij, si këshilltar, si model dhe si motivues i nxënësve për një të mësuar aktiv, për të pasur interesim dhe logjikë nga nxnësit e tij.
MSc. Albert Habazaj
Përgjegjës i Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ALBANIA
__________________
Bibliografia:
1. Beqja, Hamit: “Gjurmë jete. Vepra 7”, Tiranë, Neraida, 2016.
2. Buletini shkencor, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, nr. 3/ vol. 2, 2015.
3. Kraja, Musa, “Pedagogjia”, Tiranë, Migreeralb, 2009.
4. Tushi, Gëzim: “Edukimi në familje dhe në shkollë: kontekste të reja të marrëdhënieve prind-mësues-nxënës”, Tiranë, Toena, 2017.