Vlorë, 5 gusht 2020: Vazhdojmë më tej. Por duke lexuar Herodotin, fare mirë, maqedonët mund t’i nxjerrësh edhe me origjinë doriane, pasi çuditërisht, këtu legjenda përputhet me faktet historike. Por jo vetëm kaq, themeluesit e maqedonisë, fillimisht janë nisur nga Argosi Pellazgjik dhe kanë bërë ato lëvizje që kanë bërë edhe dorianët, duke përfunduar tek malet e Pindit. Ja se çfarë na thotë Herodoti:
“…Lakedemonia qe e populluar nga dorianët… dorianët helenë… Pellazgët nuk kanë emigruar kurrë askund, ndërsa helenët ishin një racë që udhëtonte shumë. Kur mbreti i tyre ishte Deukalioni ata jetonin në Ftiotidë (Epir), por në kohën e Dorit, birit të Helenit ishin në rajonin e maleve Ossa dhe Olimp, që quhej Histeotidë. Pastaj u dëbuan andej nga kadmianët, u vendosën në malin e Pindit dhe u quajtën makednë. Më pas u shpërngulën në Driopidë dhe prej Driopidës më në fund mbritën në Peloponez dhe u bënë të njohur me emrin dorianë…”1.
Pra shumë qartë Herodoti na tregon se Dorianët kur ishin në malet e Pindit quheshin Makednë, kur zbritën në jug, në Driopidë, ata ndëruan emrin dhe u quajtën dorianë. Të mos harojmë se zbritja e dorianëve deri në Peloponez është quajtur “rikthim i heraklidëve”. Pasi historia njeh luftrat midis ushtrisë se Euristeut (i njohur në mitologji si tirani i Tirintit që detyroi Herakliun të realizoje dymbëdhjetë trimëritë e tij) në Peloponez me ushtrinë heraklide.
Por Herodoti, me thëniet e tij brilante, nuk na krijon mundësinë, që ne të jemi me mëdyshje. Ai është i bindur se mbretërit maqedonë janë pasardhës të Perdikës, i cili quhej helen, pasi si origjinë kishte Argosin Pellazgjik të Thesalisë. Por jo vetëm kaq, por ai bën lidhjen midis dorianëve heraklidë dhe Heraklidit Temen, gjyshi i Perdikës:
“…Që këta mbretër maqedonë, pasardhës të Perdikës janë vërtet helenë, siç pohojnë, unë jam i bindur për këtë… Kur Aleksandri (i biri i mbretit maqedonas, Amintës) dëshironte një herë të merrte pjesë në lojrat (Olimpike) dhe shkoi në Olimp, helenët pjesëmarrës në gara kërkuan përjashtimin e tij. Këto gara thoshin ata, janë për helenët dhe jo për barbarët. Por Aleksandri (bëhet fjalë për Aleksandrin e I-rë) e provoi që ishte vërtet argiv (Aleksandri mburrej se rridhte nga Heraklidi Temen, që kishte mbretëruar në Argos) prandaj edhe gjyqtarët e shpallën helen dhe në garën e vrapimit ai doli i pari…”2
Pra, siç na thotë edhe Herodoti, Aleksandri i Parë kishte babë Amintën, të cilin historia e njeh, dhe si katragjysh Perdikën e gojëdhënës, ku këtu ai del nga legjenda dhe bëhet një person real, si i biri i Temenit Heraklid.
Të njëjtën origjinë pellazgjike u nxjerr maqedonasve edhe Zhan Klod Favirial kur thotë: “Mbretëria e Maqedonisë-thonë Puarson dhe Caux në Saktësim i Historisë së Lashtë, f,311- ia detyron origjinën e saj një kolonie pellazgësh të dëbuar nga Histioktida prej Kadmenëve, rreth vitit 1302 p.e.s”…Nga ana e tij Justini na siguron se Maqedonasit ishin pellazgë.3
Në vazhdim, dorianët, por edhe maqedonasit, Herodoti i përmend edhe në Luftën Medike, ku popullsitë e disa qyteteve të Peloponezit i lidh me dorianët dhe maqedonasit e ardhur nga Pindi, Driopida dhe Dorida:
“…Lakedemonët ofruan 16 anije…Sikionët dhanë 15 anije, epidaurët 10, trezenasit 5, hermionezët 3,…të gjitha këto qytete, përveç Hermionës, u përkisnin fiseve doriane dhe maqedonase; banorët e tyre qenë shpërngulur në Peloponez nga Erinea dhe nga Pindi dhe, së fundi, nga Driopida. Hermionezët janë driopë, të dëbuar nga Herakliu dhe malianë nga toka që tani quhet Doridë…”.4
Nga të gjitha këto që thamë deri këtu, del se prijësit e Maqedonisë janë me origjinë pellazgjike nga Argosi pellazgjik (kolonia pellazge në Histiotidë), i cili në kohën e lashtë nuk ishte mbretëri, por një Konfederatë me parimet e një shteti modern, siç janë sot konfederatat. Argosi pellazgjik përbëhej nga: Pelazgtiotida, Ftiotida, Thesaliotida dhe Esteotida. Prej këtej është origjina e mbretërve maqedonë. Pra një origjinë pellazgjike, të cilën mund ta quajmë edhe doriane, por aspak helene.
Nisur nga këto që thamë më lart, mendoj se mund të arrijmë në përfundimin se origjina e maqedonasve të lashtë nuk është Traka. Populli i Maqedonisë së lashtë, nuk mund të jetë tjetër, përveç se paionët e lashtë; të cilëve prijësit maqedonë, duke filluar që nga Perdika, i cili mund të ketë jetuar në shekullin e IX ose të VIII p.e.s, nënshtruan një pjesë të territorit të Paionisë së lashtë.
Këtu, çuditërisht, të dhënat përputhem me ato që thonë autorët antikë, për lëvizjen e dorianëve pas përfundimit të Luftës së Trojës. Tani kuptohet, që paionët shkuan në Luftën e Trojës me “lulen e ushtrisë” së tyre. Fakti, që aty morën pjesë princërit dhe mbretërit e tyre, të cilët siç rëfen Homeri, i vrau Akili, ushtria e mbetur, gjatë kthimit për në atdhe është shkoqur më shumë, disa kanë mbetur rrugës dhe disa, siç rrëfen Herodoti, qëndruan në Perinth dhe në brigjet e gadishullit Kalkidik.
Nëqoftëse marrim dinastinë e mbretërve maqedonë nga Perdika deri tek i fundit, Perseu, që u ndesh me romakët, rezultojnë tetëmbëdhjetë mbretër, me një mesatare mbretërimi prej dyzetë vjetësh, del se periudha e dinastisë maqedone ka qënë rreth shtatë shekuj. Pra, përafërsisht, mbreti i parë maqedon, Perdika, i bie që të ketë mbretëruar në mesin e shekullit të IX p.e.s, kohë që përputhet me dyndjet doriane, si dhe me krijimin e dinastisë maqedone. Për dinastinë maqedonase nuk ka një numër të saktë mbretërish. Zhan Klod Faveirial e jep këtë dinasti me një numër të ndryshëm mbretërish: “Nga Karani deri tek Aleksandri i Madh, Eusebi llogarit 24 mbretër, Velei Paterkuli numëron 17, kurse Justini(L.33,k.2)…Prej Karanit deri tek Perseu, ishin 30 mbretër. Kjo monarki zgjati 923 vjet, por mbizotërimi i saj ishte vetëm 192 vjet…”.5 Nga lista e mësipërme e mbretërve të dinastisë maqedonase rezultojnë 24 mbretër.
Kuptohet, që në këtë situatë, shteti paion, pa mbretër dhe princër dhe pa një ushtri solide, është bërë e pre e Makednëve të Pindit, të cilët, afërmendsh rrëmbyen thelat më të majme, tokat pjellore midis grykëderdhjeve të lumenjve Haliakmon, Aks dhe Strimon. Fiset paione që banonin në këto toka u vunë në sundimin e maqedonasve të rinj dhe luftarakë, sivllezër të tyre me të njëjtën origjinë pellazgjike, por me të vetminndryshim; ndërsa Paionët ishin vendas autoktonë në tokat e tyre, Maqedonasit, elita pushtuese, ishin ardhacakë nga Thesalia. Pjesa e mbetur nga shteti Paion, pjesa veriore, që nga ajo kohë dhe deri në periudhën helenistike, të Aleksandrit të III-të, i mbiquajtur Aleksandri i Madh, pushtuesi i botës, ka qënë në luftë të vazhdueshme me maqedonasit e etur për pushtime dhe territore.
Madje, maqedonasit edhe artin luftarak, stratagjemat dhe taktikat, i kanë mësuar nga Paionët. Por jo vetëm, pjesë e popullit dhe ushtrisë maqedonase ishin paionët (për ato territore që ranë nën sundimin maqedonas), të cilët u pushtuan dhe sunduan prej kastës ushtarake pushtuese të maqedonasve. Kështu, falangat e Filipit të II, që mbahen mend në histori, forcën e tyre goditëse e kishin tek hushtat apo shtizat e gjata deri në pesë metra. Këtë Filipi, dhe të parët e tij, e kanë marrë nga paionët, pasi Homeri tek “Iliada” i quan ata “shtizorë me nam”.
Ka mjaft studius të kohëve moderne që pohojnë origjinën pellazgjike të maqedonasve. Së pari, po i drejtohemi Faveirialit, i cili thotë: “Justini na siguron se maqedonasit ishin pellazgë, dhe Straboni thotë se ata kishin të njëjtën veshje, flisnin të njëjtën gjuhë, kishin të njëjtat zakone me Epirotët.” 6
Së dyti, një nga ata që pohon origjinën pellazgjike të maqedonasve dhe i vlerëson ata si shqiptarë në fillim të shekullit të XIX, është edhe Adelung, i cili në veprën “Mithridates” (1806-1817) shkruan…Të tjerë i konsiderojnë maqedonasit si ilirë, ndërsa Justini (Libri VII,1) i konsideronte ata si pellazgë…Ende sot (fillimi i shek.XIX) maqedonasit nuk janë grekë dhe gjuha e tyre nuk është greqishtja, por shqipja…”7
Nisur nga të gjitha këto që thamë më lart, unë po të isha në vend të shqiptarëve të Maqedonisë, do të shkoja dhe do të vendosja tufa me lule tek shtatorja e Aleksandrit të Madh, si një bir i racës tonë dhe që nuk e lidh asgjë, as me helenët dhe as me sllavët. Madje, do të falenderoja publikisht qeverinë maqedonase dhe kryeministrin Gruevski për shtatoren e ngritur në qëndër të Shkupit për Aleksandrin, i cili si gjuhë amtare ka pasur shqipen, ndërsa si gjuhë kancelerie ka pasur greqishten e vjetër.
Shqiptarët e Maqedonisë e kanë “shitur” birin e tyre, Aleksandrin. Ata janë kapur fort pas Skënderbeut, duke pasur frikë se mos ua marrin edhe këtë. Por harojnë se shqiptarët e maqedonisë, nuk kanë pesëqind vjet në ato troje. Duke u nisur vetëm nga Lufta e Trojës, ku ata kanë qënë pjesëmarrës, nga krahu i Trojanëve, ata kanë gjalluar në këto troje tremijë e dyqind vjet. Ndërkohë që historia e tyre aty, në ato troje ku banojnë edhe sot e kësaj dite, është shumë e vjetër, mijëravjeçare; ashtu siç është e tillë për dardanët legjendarë dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët e Kosovës; ashtu siç është për shqiptarët e tjerë pasardhës të ilirëve me nam; dhe të fundit, por jo nga rëndësia, ashtu siç është e tillë për shqiptarët toskë, pasardhës të epirotëve legjendarë.
Dhe për t’u bindur për këto që thamë më lart, dhe, nuk jam i besueshëm, po ja jap fjalën bash Gjergj Kastriotit, Skënderbeut dhe atyre që kanë shkruar për të:
-Marin Barleci (1460-1513) shkruan: “…As Aleksandri yt epirotas, as ai Pirroja, mbreti rrufe i epirotëve (nga përshëndetja e mirëseardhjes që Davidi i Raguzës i drejton Skënderbeut-1462)…
“…Dhe s’është çudi, kur ti e ke zanafillën nga stërgjyshër e nga një vend i tillë, siç është sigurisht Epiri i pamposhtur apo Arbëria, i quajtur dikur Maqedoni…” (letër e Ferdinandit të Aragonës drejtuar Skënderbeut në vitin 1462)…
-Ndërsa Frang Bardhi (më 1636) na tregon, se çfarë i thotë Skënderbeu princit të Tarantos Xhovani-Antonio Orsinit, në letrën drejtuar atij, ku i shkruan: “..të parët tanë kanë qënë epirotë, nga të cilët ka dalë ai Pirroja me nam, hovin e të cilit mezi mundën ta përballojnë romakët…Në thënç se Arbëri është pjesë e Maqedonisë, atëhere të parët tanë i pranon edhe më fisnikë, sepse ata nën Aleksandrin u futën gjer në Indi…”.8
Nga të gjitha këto që thamë, betejat donkishotiane për emrin e Maqedonisë, midis të ashtuquajturëve helenë, që nuk janë gjë tjetër veçse një përzierje popujsh të helenizuar; dhe, të ashtuquajturëve maqedonas, të cilët nuk janë gjë tjetër veçse një përzierje sllavësh bullgarë, sërbësh, vllehësh të sllavizuar etj; është kaq qesharake dhe groteske.
Ndërkohë që trashëgimia e drejtëpërdrejtë mbi territoret, të cilat sot quhen Maqedoni, si ajo greke, e poshtëme (nga ultësirat e Egjeut e deri lart) dhe ajo e ashtuquajtura e sipërme; u takon shqiptarëve si pasardhës të drejtëpërdrejtë të Paionëve dhe Maqedonëve të lashtë. Madje më 1879, por edhe në prag të shpalljes së Pavarësisë nga Rilindasit tanë janë kërkuar territoret e pushtuara nga Turqia në pesë vilajete, përfshirë dhe atë të Selanikut, që i takon territoreve të lashta të Paionëve dhe më pas të Maqedonasve. Pra të zotët e vendit me emrin Maqedoni, për të cilin po grinden gjitonët tanë, kanë qënë në jetë të jetëve shqiptarët. Kuptohet, që edhe mua tani, më lind e drejta legjitime, edhe me “kanun”, që të propozoj si emër të këtij shteti të ri: PAIONIA e RE, duke u nisur nga shteti dhe banorët më të lashtë të kësaj toke.
Nëqoftëse ky emër nuk pranohet, se mund të thonë se është i vjetër dhe i papërshtatshëm. Atëhere mund t’u themi: Po emri Maqedoni nuk është i vjetër, kur ka dymijë e dyqind vjet që ky shtet nuk ekziston më?!! Po të ecim me këtë logjikë atëhere italianët duhet ta quanin Italinë: Republika Romake; Tunizia të quhej Republika e Kartagjenës; Franca të quhej Republika Galike; Gjermania të quhej Republika Gotike, apo Republika Franke, e kështu me rradhë, etj, etj.
Por meqënëse të zotët e vendit me emrin Maqedoni kanë qënë në jetë të jetëve shqiptarët. Mendoj se në emrin e tij duhet të përfaqësohen me domosdo shqiptarët. Çdo emër tjetër do të jetë i gënjeshtërt dhe jetëshkurtër, pavarësisht faktit në se politikanët shqiptarë të Maqedonisë do ta pranonin ose jo atë (në fakt ata e pranuan-Maqedonia e Veriut, që më shumë i bie të jetë Dardania).
Atëhere, cili do të ishte emri i saktë i këtij shteti hibrid? Meqënëse shqiptarët në Maqedoni nuk janë minoritet, por element shtetformues, atëhere duhet ndryshuar kushtetuta duke e kthyer atë në një shtet federal. Në këtë rast emri më i përshtatshëm do të ishte Republika Federale Sllavo-Shqiptare. Ta lenë rehat emrin Maqedoni. Ajo i takonte Aleksandrit të Madh dhe le të mbetet në histori bashkë me të.
Besnik Z. Imeri, Marrë nga libri “Epiri nga lashtësia deri në ditët e sotme”
– FUND –
_____________
Referenca:
1 Herodoti, Historitë, L.I, 56, f, 40
2 Herodoti, Historitë, L.V, 22, f, 298.
3 Zhan Klod Faveirial, Historia e Shqipërisë,Bot.Plejad-2004,Përkth.Frë.Gent Ulqini, f,53,54
4 Herodoti, Historitë, L., VIII, 43, f, 472
5 Zhan Klod Faveirial,Historia e Shqipërisë,Bot.Plejad-2004,Përkth.Frëngj.Gent Ulqini,f,54,71
6 Zhan Klod Faveirial,Historia e Shqipërisë,Bot.Plejad-2004,Përkth.Frëngj.Gent Ulqini,f,54
7 Johann Thunmann, “Historia dhe Gjuha e Shqiptarëve dhe Vllehëve”, Bot.gent Grafik-2018, Përkth.Origjinali.A.Gjoka & F.Vokopola, Shënime të përkthyesve, f.226
8 Dhimitër Pilika,Pellazgët Origjina Jonë e Mohuar,B.ENCIKLOPEDIKE-2005,f.29-30,35-36
***
BESNIK IMERI: PAIONIA E RE (III)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=10344