New York, 5 gusht 2020: Axha im Mark Pjetër Luka kishte ndodhur në Podgoricë atë ditë që Rrok Gjoka Gjokaj kishte vrarë shefin (bosin) e tij të ndërmarrjes ku kishte punuar. Nuk e dijmë nëse kishte qënë sërb apo malazez. Natyrisht se i gjithë Titogradi( Podgorica) ishte tronditur atë ditë. Axha im Mark Pjetri ndërsa po largohej nga qyteti për t’u kthyer në vendlindje kishte dëgjuar shumë zhurmë e mallkime kundër Rrok Gjokës dhe kundër malësorëve shqiptarë. Në rrugë e sipër për në Triesh në Krye të Draçit kishte dëgjuar një grup sërbo-malazezësh duke mallkuar shqiptarët, bile njëri prej tyre kishte thënë duhet që të gjithë të dëbohen në Shqipëri. Por njëri prej atyre kishte thënë:” Nëse duan t’i dëbojmë atëherë duhet t’ia kthejmë Shqipërisë tokat e tyre ku ata jetojnë. Në atë çast ata kishin rënë në heshtje dhe asnjëri prej tyre nuk kishte bërë komente. Sikur e kishin kuptuar të vërtetën historike se tokat shqiptare të Malësisë ishin të pushtuara. Qëndrimi i tyre shumë i qëlluar dhe objektiv e kishte mahnitur axhën tim që nuk fliste kurrë për këto çështje sepse në atë kohë këto probleme ishin shumë delikate. As deklaratën e atij qytetari të Podgoricës nuk ua tregonte njerzëve që nuk u besonte. Në atë kohë isha shumë i ri dhe nxënës i shkollës tetëvjeçare në vendlindje. Ndërsa po shkonja në shkollë në mëngjez takova Mark Tomën Gegaj dhe si zakonisht e përshëndeta me fjalët e zakonshme: “natja e mirë dhe si kini njehë”? Mark Toma u duk shumë i trishtuar: Ai tha: “Si asht ma zi për mikun tim Rrok Gjokën dhe familjen a tij”. Nga rruga për në shkollë mbi shtëpinë e Palokë Ujkës vura re në Qafë të Lugur Budzës dy gjipa të Policisë që ishin drejtuar për në Stjepoh ku ishin zyrat ushtarake dhe civile pastaj arsimore dhe fetare. Natyrisht se ata ishin nisur për të biseduar me autoritet e vëndit. Në këtë rast nuk është folur për ndonjë sjellje te keqe ose bastisje nga ana e UDB-ës. Ata ishin kthyer pas disa orësh në kryeqytet dhe për këtë çështje nuk janë parë më. Radio-transmetimet dhe gazetat e komentuan këtë vrasje në mënyra të ndryshme. Por më vonë dëshmitarët kshin treguar për sjelljet e papranueshme dhe arrogante të atij sllavi shovinist. Fyerjen kundër Rrok Gjokës ai e kishte paguar me kokë, ashtu siç e kishte paguar edhe oficeri ushtarak jugosllav kur i kishte rënë shuplak të birit të Dodë Smajlit. Të dy këta kishin mbrojtur nderin personal të familjes dhe kombit Shqiptar.
Deklarata historike shumë e sinqertë dhe patriotike e Nikë Gjeloshaj me rastin e 13 korrikut më shtyri për t’i thënë disa fjalë për këtë çështje. Në atë moment mu kujtuan fjalët e axhës Mark Pjetrit që të gjithë e kanë respektuar sepse ishte shumë serioz. Fjalët e qytetarit të Podgoricës për dëbimin e malësorëve dhe kthimin e tokave të tyre Shqipërisë, kishin hapur për mua një dritare te re për të kaluarën dhe të ardhmen tonë. Kjo kishte ndodhur para pothuajse 60-vjetësh. Për pushtimin dhe ndarjen e tokave shqiptare është folur e kënduar në Malësi. Ndarja e Malësisë nga Mali i Zi ishte veprim i dhimbshëm dhe tragjik. Bile rapsodët e maleve tona këndonin:”Mallkua kjoftë tanë Evropa pse e ndau Shqipëninë copa copa”. Kjo këngë është kënduar deri kur u ndalua nga pushtuesit sërbo-malazezë. Ata që e këndonin këtë këngë ishin në shënjestër dhe të përgjuar nga sigurimi i vendit.
Para shumë vjetësh kisha dëgjuar për aktivitetet politike dhe shoqërore të këtij djali të ri nga Trieshi, që është bir i një prej familjeve më fisnike të Malësisë. Për Enciklopedinë malazeze që ishte botuar para shumë vjetësh nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Malit të Zi , ishte folur shumë në atë kohë, ngase ata kishin fyerë rëndë shqiptarët në atë vend, duke pohuar se ata nuk ishin autokton, por ardhacakë dhe fise nomadësh. Të gjithë shqiptarët serioz në Mal të Zi ishin ndjerë keq për këtë shtrëmbrim historik dhe ndonjëri nga ata kishte reaguar me shkrim për këtë çështje, por nuk kishte patur ndonjë reagim serioz, deri atë ditë që Nik Gjeloshaj e futi në makinën e grirjes së letrës dhe këtë e bëri në Parlament të Malit të Zi ku ishte deputet. Këtë akt patriotik e kishte bërë para deputetëve sërbo-malaz. At ditë kuptova se ky djal është trim e atdhetar dhe si i tillë duhet të mbështetet, pa asnjë dyshim dhe pa asnjë rezervë. Aktet e tilla nderohen shumë këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumë prej atyre akteve edhe janë dënuar nga politika e kohës por autorët e këtyre veprave nderohen përgjithëmonë. Shqiptarët atdhetarë të Kosovës gjatë pushtimit jugosllav kishin bërë shumë vepra të tilla. Ata nuk ngriteshin në këmbë kur bëhej intonimi i himnit kombëtar jugosllav “Hej Slloveni”. Kur pyesnin autoritet qeveritare jugosllave sidomos ato sërbe pse ata nuk ngriteshn në këmbë për të nderuar himnin kombëtar jugosllavë ata deklaronin se nuk ishin sllavë. Para 33-vjetësh Shtetet e Bashkuara kremtuan 200-vjetorin e Kushtetutës amerikane. Të gjithë e kremtuan në mënyrë solemne këtë festë të madhe. Gjykata e Lartë e kremtoi më shumë se të tjerët sepse ata ishin dhe janë interpretuesit kryesor të kësaj Kushtetute. Ata janë fjala e fundit e Drejtësisë së këtij vendi. Kjo Gjykatë ka 9 gjygjtarë. Të gjithë e festuan këtë ditë por jo gjykatësi afro-amerikan Thurgood Marshall. Ai nuk kishte marrë pjesë në ato solemnitete dhe ceremoni duke thënë se ajo Kushtetutë e kishte lënë popullin e tij afro-amerikan në skllavëri për më shumë se një shekull dhe pothuajse pa asnjë të drejtë deri në mesin e viteve 60 të shekullit të kaluar. Kolegët e tij të asaj Gjykate e kishin mirëkuptuar qëndrimin e tij dhe populli liridashës amerikan e kishte përshendetur këtë akt human të këtij juristi të famshëm. Këto ditë populli amerikan i tha lamtumirën e fundit kongresmenit të famshëm John Lewis që ishte njëri ndër kampionët më të nderuar të barazisë dhe drejtësisë në Shetetet e Bashkuara. Në mortin e John Lewis folën 4 ish presidentë të Shteteve të Bashkuara, John Lewis e kishte filluar aktivitetin e tij qysh në shkollën fillore dhe nuk ishte ndaluar asnjë herë deri atë ditë që dha shpirt në moshën 80-vjeçare. Të gjithë ata burra ose gra që punojnë për të mirën e populit të vet duke mos shkelur të drejtën e ndonjë populli tjetër do të nderohen nga Zoti dhe historia.
Qysh si fëmijë jam munduar t’i përciellë aktet dhe deklaratat me përmbajtje atdhetare të malësorëve tonë. Por nuk më kujtohet se kam dëgjuar deklaratë më të fuqishme politike se atë të Nik Gjeloshaj me rastin e 13 korrikut. Ky qëndrim është i fuqishëm sepse mbështetet në fakte historike që nuk mund t’i mohojnë as armiqtë më të tërbuar të popullit shqiptar. Nik Gjeloshaj ua bëri të ditur një herë e përgjithëmonë të vërtetën historike atyre që lehin dhe ulurojnë si bishë nëpër kuvende e kafene të Tuzit ose Podgoricës. Për fatëkeqësinë e tyre personale por jo të Malësisë me ato shkarravinat e tyre në shtypin sllavë u bëjnë thirrje shovinistëve sërbo-malazezë të jenë të kujdeshëm dhe vigjilantë se Kryetari i Komunës së Tuzit me deklarat e tij vën në dyshim sovranitetin dhe integritetin e Malit të Zi. Opozita gjoja politike në krye me Nikollajeviqët, Dukoviqët, dhe Gerganoviqët në emër të demokracisë po rrënojnë përparimin e Tuzit dhe të Malësisë. Në kohën kur ata ishin kryetar të asaj Komune nuk e kthyen një gur për së mbari dhe tash po bëjnë çmos ta pëngojnë përparimin e trojeve shqiptare. Dukoviqët dhe shokët e tij e mbajnë Kuvendin e Tuzit pëng, duke bërë obstruksione (filibuster) që të mos miratohen marrëveshjet për të cilat ka nevojë Tuzi dhe Malësia. Të gjitha këto mund t’i shihni në Youtube në TV. Boin.
Postime të Lidhura
BEDRI ISLAMI: SOT, NË PRAG TË 100 VJETORIT – ADEM JASHARI E MERITON TË JETË NË TRIBUNËN E RILINDËSVE
(Vjenë, 25. 11. 2012) – Sot, në prag të 100 vjetorit të shtetit shqiptar, shumë larg saj, në…
ALBIN KURTI ZBULON PLANIN E SERBISË PËR LIQENIN E BADOVCIT!
Pashtriku.org, 14 korrik 2017: I nominuari për kryeministër të Kosovës nga radhët e Vetëvendosje, Albin Kurti i ftuar…
GJOKË DABAJ: HOTI YNË, PSE NUK DITI T’I THOTË EVROPËS…?!
Durrës, 13 shtator 2020: Më erdhi turp nga vetja, kur e pashë dhe kur mora vesh ç’tha Abdullah…
FAHRI DAHRI: DY FAZAT E ‘ ÇËSHTJES ÇAME’ DHE E DREJTA PËR T’U TRAJTUAR DHE ZGJIDHUR
Itali, 7 shkurt 2018: Takimi i dy ministrave të jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, padyshim është një ngjarje…