GJOKË DABAJ: INTELEKTUALËVE SHQIPTARË, FTESË PËR TË REFLEKTUAR!

Durrës, 7 shkurt 2021: Mora shkas nga një tubim atdhetarësh, që u bë në Prekaz më 17 janar 2021. Nuk u pa aty asnjë ekip televizioni, as nga Tirana, as nga Prishtina. Asnjë gazetë nuk shkroi asgjë lidhur me këtë ngjarje. E pra, kishin ardhur që nga Anglia, Altin Disha, Marselë Koçi e të tjerë. Kishin ardhur nga Tirana, nga Shkupi, nga Tepelena. Shqetësimi i tyre ishte: E sotmja dhe e ardhshmja e kombit shqiptar. I njëjti shqetësim, i njëjti alarm, për të cilin kanë dhënë jetën Jasharajt!
Që shkencëtarët tanë të sotëm (e kam fjalën kryesisht për filologët, por nuk lihen anash as të tjerët), nuk e kanë trurin aspak më të madh se një kokërr arrë, mjafton të shikojmë, në veprat e tyre, cilin vend e quajnë Shqipëri. Ku gjendet Shqipëria sipas konceptit të tyre prej “shkencëtari”?! Cilët janë kufijtë e Shqipërisë, në dallim nga kufijtë e Republikës së Shqipërisë?! Le t’i shfletojmë një për një tekstet e gjeografisë dhe të historisë, shkruar prej të këtillë “shkencëtarësh”! Si dhe sa ua kanë sqaruar këta “shkencëtarë” shqiptarëvet konceptin atdhe?! Cili është Atdheu i shqiptarëvet, sipas këtyre “shkencëtarëve”, të stolisur e të pompuar me tituj e me grada shkencore?!
Unë nuk them që këta njerëz nuk dinë asgjë. Përkundrazi, këta e kanë kokën plot me njohuri. Por, kur tjetri nuk di, teorikisht dhe praktikisht, cili është atdheu i tij, kjo nuk mund të emërtohet ndryshe, veçse invaliditet, gjymtim i mirëfilltë intelektual.

Në të njëjtën linjë janë edhe gazetarët shqiptarë. (Është, deri diku, e kuptueshme, sepse të tilla “njohuri” kanë marrë nëpër auditore. Por, deri diku! Sepse njeriu ka edhe trurin e vet!) Merrini një nga një gazetat e Tiranës dhe shihni deri ku shtrihet “gjeografia” e shkrimevet të tyre! Qendra, pika kryesore, ku ata furnizohen me lajme e opinione, është Sheshi “Skënderbe“. Disa shkojnë edhe pak më larg, deri te Kuvendi ose deri te Kryeministria. Ndonjëri arrin të japë ndonjë lajm (kryesisht të bujshëm), edhe nga Shkodra, nga Korça apo nga Saranda. Ky është “atdheu” i tyre! S’ka Shqipëri përtej Sarandës! S’ka Shqipëri përtej Shkodrës! Dhe s’ka Shqipëri përtej Kukësit! Të këtillë gazetarë, mendërisht të rrëgjuar, po na e tkurrin atdheun sistematikisht! Po na e bëjnë atdheun sa një grusht!
Përfytyroni sikur të mos ish bërë Kongresi i Lushnjës dhe sikur fuqitë e Evropës të mos e kishin pezulluar copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë! Këta gazetarë të sotëm nuk do të shkruanin asgjë, as për Gjirokastrën e Korçën, as për Shkodrën!
Një kryeministër i Republikës së Shqipërisë bëhet kryeministër me votat e shtetasvet të Republikës së Shqipërisë. Një kryeministër i Republikës së Kosovës bëhet kreministër me votat e shtetasvet të Republikës së Kosovës. Është krejt e kuptueshme, sepse kështu është copëzuar Shqipëria. Ky ka qenë rrisku i Shqipërisë, ca për faj të pjesës negative të paraardhësvet tanë dhe ca për faj të të huajvet. Por, pse këto copa Shqipërie të jenë copa, edhe në kokat, edhe në fjalët e këtyre pushtetarëve?!
A e di një kryeministër i Republikës së Shqipërisë se ai është bërë kryeministër me vetëm 0.5 për qind të shqiptarëvet, nëse marrim parasysh sa shqiptarë ka sot në Shqipëri e në botë?! Dhe kjo s’është aspak normale! Ai duhet ta dijë që kjo s’është normale dhe duhet ta thotë! T’ua thotë shqiptarëvet: Mua më kanë bërë kryeministër 0.5 për qind e shqiptarëvet, por unë do të përpiqem të jem një nga përfaqësuesit e krejt kombit tim. Ky ka qenë rrisku ynë, do të përpiqemi ta ndryshojmë aq sa të mundim.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura