PROF.DR.ABDULLA MEHMETI: PËR NJË QEVERI TË QËNDRUESHME TË MAQEDONISË VERIORE DHE FORCIMIN E FAKTORIT SHQIPTAR NË PUSHTET

Tetovë, 7 gusht 2020: Pushteti, miq, pushteti, kush e shijoi e aty nuk mbeti?!
Politikanët e korruptuar dhe të dyshuar për krime në pushtetin e kaluar do t’i diskualifikojë faktori ndërkombëtar (përmes licencave speciale), nuk kanë nevojë drejtuesit e partive politike të hapin fronte mes vete, për interesa të ngushta partiake, duke e dëmtuar interesin e përgjithshëm të shqiptarëve në këtë shtet.
Partitë politike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore nuk i përfaqësojnë interesat e drejtuesve të tyre në pushtet, por interesat e qytetarëve dhe të votuesve.
A
rsyetimet e disa drejtuesve të partive politike të opozitës shqiptare, se BDI është koha të kalojë në opozitë nuk janë arsye për mosbashkimin e faktorit politik shqiptar në këtë shtet, së paku kësaj radhe kur e kërkon nevoja, meqë tani flasin numrat dhe vullneti politik i qytetarëve i shprehur përmes votës në zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut, ndërsa kur është dashur kjo parti të kalojë në opozitë, shumica e këtyre politikanëve të sotëm opozitarë ia kanë mbajtur ison duke ndarë pushtet, interesa dhe privilegje bashkë me funksionarët e kësaj partie, kundër interesave të qytetarëve shqiptarë. Mos harroni se politika është profesion delikat, që nuk lejon ushtrimin e veprimtarisë me korrespondencë!
Është e qartë se çdo parti politike ka nevojë të kalojë në opozitë, për shkak të rifreskimit dhe reformimit të saj pas qëndrimin një kohë të gjatë në pushtet, por kjo me BDI-në nuk ka ndodhur për fajin e qytetarëve, por për mungesë të alternativave dhe opsioneve politike serioze të shqiptarëve, sidomos nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2008 e këndej.
Përrallat me motive dhe personazhe atdhetare apo tradhtare kanë përfunduar me anëtarësimin e Maqedonisë Veriore në NATO dhe me obligimet që do t’i merr pushteti i ardhshëm për plotësimin e kushteve për anëtarësim në BE.
Përderisa të gjitha partitë politike të shqiptarëve (shumica e drejtuesve të tyre) kanë qenë në pushtetet e mëparshëm, qendror dhe lokal, së bashku me partitë tjera shqiptare dhe joshqiptare, cila mund të jetë arsyeja që tani kur e kërkon nevoja të mos jenë bashkë në qeverinë e ardhshme, për realizimin e interesave strategjike, në radhë të parë për forcimin e faktorit politik shqiptar, për tejkalimin e situatës së rëndë shëndetësore dhe ekonomike si pasojë e pandemisë aktuale, si dhe për angazhimin më serioz në përmbushjen e kushteve për anëtarësim në BE dhe forcimin e pozitës së shtetit në NATO, bashkë me shtetet tjera të Ilirikut (Ballkanit) Perëndimor?
Çdo veprim i drejtuesve të partive politike ndiqet me vëmendje nga opinioni vendës dhe ndërkombëtar, prandaj, mbetet në përgjegjësinë e drejtuesve të këtyre partive politike se si do të veprojnë në këtë rast, pa harruar se dështimet, qasja e gabueshme në këtë proces do t’u kushtojë më shtrenjtë vetë këtyre partive në të ardhmen se sa qytetarëve shqiptarë.
Pas anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në NATO, loja e partive politike pozitë-opozitë e humb rëndësinë e saj, meqë për secilin kandidat për ministër, zëvendësministër apo bartës të ndonjë funksioni të lartë në pushtet do të kërkohet sigurimi i licencës përkatëse, apo më saktë, të gjithë do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë ndërkombëtar për pastërtinë e figurave të tyre.
Për t’u kuptuar më qartë, mund të ndodhë që nga radhët e “atdhetarëve” të rezultojnë plot tradhtarë dhe nga radhët e “tradhtarëve” të dalin disa atdhetarë.
Situata ua imponon shqiptarëve në këto rrethana të pushojnë me fushatat e tyre të manipulimit me ndjenjat e qytetarëve, meqë nuk ka në këtë shtet mekanizëm të kontrollit për pastërtinë e figurave për bartësit e funksioneve të larat shtetërore dhe publike.
Jam shumë i sigurt që tani e tutje loja do të luhet ndryshe, prandaj nuk duhet të nguten drejtuesit e partive politike me kualifikime dhe diskualifikime të kundërshtarëve politikë. Atë që është dashur ta bëjnë ata me kohë nuk kanë arritur ta bëjnë, kurse tani është koha për qasje ndryshe ndaj këtyre çështjeve. Vetëm bashkimi i forcave politike (në të gjitha partitë ka kuadro të përgatitur politikisht dhe profesionalisht) mund t’u sjellë ndonjë dobi shqiptarëve në të ardhmen, përndryshe edhe gjatë kohë do të dëgjohen vetëm tupanët e partive politike, për interesa të klaneve të ngushta të tyre dhe ndoshta për interesa të huaja.
Tani është koha kur secili duhet ta tregojë veten, sa i vlen lëkura dhe fytyra kur janë në pyetje interesat e përgjithshme të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore. Zgjedhjet komunale vijnë së shpejti, secila parti le ta dëshmojë veten, forcën dhe ndikimin, kush sa e ka besimin te qytetarët dhe votuesit shqiptarë. Urojmë të bëjnë çudira, nëse do të dinë dhe mundin!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura