XHELAL ZEJNELI: EQREM ÇABEJ (1908 – 1980)

Shkup, 8 gusht 2020: Historia e një gjuhe është histori e atij populli
Eqrem Çabej (Gjirokastër, 1908 – Romë, 1980) është një ndër përfaqësuesit më të shquar të gjuhësisë së re shqiptare. Lindi në Gjirokastër, më 7 gusht 1908, ndërsa vdiq në Romë, më 13 gusht 1980. Në Romë kishte vajtur për t’u mjekuar nga një sëmundje e rëndë. Në periudhën kur jetoi Çabej, populli shqiptar përjetoi ngjarje nga më të rëndësishmet të historisë së tij shumëshekullore në trojet e veta në brigjet lindore të Adriatikut dhe të Jonit.
Mësimet e para i mori në Gjirokastër. Në vitin 1921 atje mbaroi shkollën qytetëse. Duke qenë se këtë shkollë e mbaroi me sukses të shkëlqyer, fitoi të drejtën e një burse të dhënë nga Prefektura e Gjirokastrës, për të vazhduar shkollimin e mesëm dhe studimet e larta jashtë Shqipërisë. Sikundër të rinj të tjerë shqiptarë, edhe Çabej mori rrugën e mërgimit, në kërkim të diturisë.
Në kujtimet e të nipit Dragush Çabejit, aty nga viti 1967, midis tjerash thuhet: “Çabej kishte shumë mall për Gjirokastrën. Në prill të 1967-s e prita sa erdhi. Zbriti te Sheshi i Çerçizit. Qëndroi një copë herë duke parë monumentin e tij. Pastaj e brodhi me sy të gjithë qytetin. Isha njëmbëdhjetë vjeç pa bërë. Morëm Qafën e Pazarit. Qëndroi para shtëpisë së tij. … Ja libraria e Nimet Karagjozit. Këtu nxënësit e shkollës blinin libra e broshura të Buzukut, Matrëngës, Samiut, Naimit, letërsi klasike frënge…”
Për të vazhduar studimet, Çabej u dërgua në Austri. Ai dhe shokët e ti shqiptarë përpiqeshin të paraqiteshin sa më mirë në atë mjedis të ri të panjohur. Ata nisën të mbanin edhe kravata. Në fillim e patën ca vështirë derisa mësuan t’i lidhnin. Një gjë të tillë ai e rikujtonte shpesh me njëfarë humori. Për këtë flet në kujtimet e veta edhe gruaja e tij, Shyretja, duke e cituar Çabejin: “Ishte nata e parë në Vjenë dhe të gjithë bashkëstudentët e mi e kishin shqetësim si do të bënin në mëngjes të lidhnin kravatën. Unë nuk flisja, po mendjen aty e kisha. Në mëngjes, shumica me kravata në dorë, i luteshin njëri-tjetrit për t’ua lidhur. Kur më panë mua me kravatën të lidhur, shtangën për një çast, pastaj m’u zemëruan që nuk i kisha ndihmuar. U qetësuan kur u fola: Edhe nuk dija ta lidhja. Kam fjetur pa e hequr fare kravatën…”
Në Austri, para se të hynte në ndonjë shkollë, iu desh të qëndronte një vit pranë familjes Rainmyler, në St. Pölten afër Vjenës, për të mësuar gjermanishten. Ishte një familje e kulturuar dhe dashamirëse. Çabej punoi shumë për ta përvetësuar sa më shpejt gjermanishten. Me zellin e madh dhe me sjelljen shembullore la përshtypje shumë të mira. Familja që e strehoi për një vit, me Çabejin dhe me familjen e tij mbajti lidhje të vazhdueshme.
Nga një letër e 82-vjeçares Eli Rainmyler dërguar vajzës së profesor Çabejit në vitin1977, midis tjerash thuhet: “… një ditë djemtë (nga Shqipëria) erdhën. Burri im, me shikimin e tij prej njohësi, zgjodhi Eqrem Çabejin. Ishte një djalë trim dhe im shoq i gëzohej shumë nxënësit të vullnetshëm. Na duhej ta nxirrnin me zor në kopsht djalin, që s’ndahej dot nga librat. Pas disa vjetësh, kur e dha provimin e pranimit për në klasën e pestë të gjimnazit, ndërsa profesori i gjermanishtes pas pak kohe konstatoi se Çabeji ishte më i miri i klasës, ne të gjithë ishim krenarë për të…”
Pas një vit qëndrimi në St. Pölten për të mësuar gjermanishten, Çabej i mori njëherësh dy klasa të gjimnazit që e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1926 në Klagenfurt të Austrisë.
I ati, një gjykatës i diplomuar në Dar-ul-Hukuk të Stambollit, e këshilloi të birin të vazhdonte universitetin për mjekësi. Por Çabeji dëshironte të bëhej gjuhëtar. I ati ia ktheu prerazi: “Gjuhësia është për pasanikët, kurse neve na duhet një zanat që të na sigurojë jetën”. Djali, “i bindur”, u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Romës. Këtu shkonte në bibliotekat romane dhe më fort studionte vepra gjuhësore e letrare.
Bashkëshortja e Çabejit, duke parafrazuar Çabejin, tregon një detaj tjetër: “Një profesori tim një ditë iu duk se kam shprehi për muzikore. Më propozoi që të regjistrohesha në një shkollë muzikore. Në fillim edhe mua më pëlqente kjo ide. Vendosa t’i shkruaja babait. Ai m’u përgjigj prerë: “Shiko shkollën dhe hiqe nga mendja qemanen”. E fshiva nga kujtesa shkollën e muzikës. Po muzikën jo…”
Në vitin akademik 1927-1928 u regjistrua në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Gracit. Këtu ndoqi studimet për dy semestra. Pas kësaj, studimet i vazhdoi në Universitetin e Vjenës.
Dega e gjuhësisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Vjenës kishte një traditë të çmuar. Aty kishin punuar profesorë të shquar si: sllavistët e njohur Franc Miklosiç* (Franz Miklosich, 1813-1891), Vatroslav Jagiç (1838-1923), romanisti me emër Vilhelm Majer-Lybke (Meyer-Lübke, 1861-1936) etj.
Shënim: Franc Miklosiç (Franz Miklosich, 1813-1891) – sllavist, ballkanolog dhe albanolog slloven, profesor në Universitetin e Vjenës, akademik (Austri). Ka botuar edhe studime për gjuhën shqipe si “Albanische Forschungen” (Hulumtime shqiptare) I, II. Për shqipen ka shkruar edhe studime të tjera sidomos në “Die slavischen Elemente im Rumänischen” (Elementet sllave në rumanishte). Është autor i veprës “Vergleichende Grammatik der slavischen Sprachen” (Gramatika krahasuese e gjuhëve sllave) në katër vëllime (1852-1875); mbahet si themelues i sllavistikës moderne apo i filologjisë sllave. Ka përkrahur tezën e prejardhjes ilire të gjuhës shqipe.
Vatroslav Jagiç (1838-1923) – gjuhëtar me prejardhje kroate, autor i disa veprave për historinë e gjuhës dhe të letërsisë sllave.
Vilhelm Majer-Lybke (Meyer-Lübke, 1861-1936) – romanist me prejardhje zvicerane. Ka botuar studimin e gjatë “Rumänisch, romanisch, abanesisch” dhe e ka ripunuar studimin e albanologut austriak Gustav Majerit (Gustav Mejer, 1850-1900) “Die lateinischen Elemente im Albanesischen” (Elementet latine në shqip). Majer-Lybke është autor i veprës madhore “Grammatik der Romanischen Sprachen” (Gramatikë e gjuhëve romane) etj.
* * *
Në kohën që u regjistrua Çabej, në atë universitet punonin, ndër të tjerë, indoevropianisti dhe grecisti i njohur Paul Kreçmer* (Paul Kretschmer, 1866-1956), albanologu i dëgjuar Norbert Jokl (1877-1942), arkeologu dhe historiani i njohur Karl Paç (Karl Patsch, 1865-1945) etj.
Shënim: Paul Kreçmer (Paul Kretschmer, 1866-1956) – gjuhëtar i shquar me prejardhje gjermane. Ka shkruar edhe për ilirishten dhe shqipen. Me rastin e vdekjes së tij, Çabej ka shkruar një nekrologji të botuar më 1957.
Norbert Jokl (Norbert Jokl, 1877-1942) – gjuhëtar dhe albanolog i shquar austriak me prejardhje çifute. Lindi në Bzenec të Moravisë. Më 1907 filloi ta mësonte shqipen si autodidakt. Si kryebibliotekist në Universitetin e Vjenës dha njëkohësisht mësim si pedagog i jashtëm për shqipen, për gjuhët baltike etj. U zhduk nga nazistët më 1942. Më 1972, me rastin e 30-vjetorit të vdekjes së tij, në Insbruk të Austrisë u organizua një konferencë ndërkombëtare. Në të morën pjesë edhe gjuhëtarë shqiptarë. Tërë jetën e vet ia kushtoi studimit të gjuhës shqipe. Punoi në fushën e etimologjisë dhe të fjalëformimit historik, të marrëdhënieve të shqipes me gjuhët e tjera, për fonetikën dhe morfologjinë historike të saj. Si vëllime më vete arriti të botonte vetëm “Studien zur albanesischen Etymologie und Wortbildung”, Vjenë 1911 (Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin e shqipes) dhe “Linguistisch-kulturhistorische Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen”, Berlin-Lajpcig, 1923 (Gjurmë gjuhësore e historike-kulturore nga lëmi i shqipes). Për shqipen ka edhe studime të tjera. Më 1937, me rastin e 25-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, vizitoi Shqipërinë. Jokli mbrojti autoktoninë e shqiptarëve, po duke e vendosur djepin e parë të tyre në Dardaninë e lashtë, Kosova e sotme.
Karl Paç (Carl Patsch, 1865-1945) – arkeolog dhe historian austriak, një nga themeluesit e arkeologjisë ilire. Prej viti 1921 profesor në Universitetin e Vjenës dhe drejtor i Institutit Ballkanik po aty. Rrezen e interesave të tij shkencore e zgjeroi edhe mbi Shqipërinë. Arritjet e hulumtimeve të veta i përfshiu në librin “Das Sandschak Berat in Albanien” (Sanxhaku i Beratit në Shqipëri, Vjenë 1904). Në vitet 1922-1924 punoi në Shqipëri dhe ndihmoi një përpjekjet për ngritjen e një muzeu kombëtar. Botoi në shqip dy libra: “Ilirët” dhe “Gjendja ekonomike e kulturore e Shqipërisë në kohën e kalueme”, Tiranë 1923, 1925. Mendimi i tij, i shprehur në disa punime, për një nënshtresë trake në trevën e ardianëve e të dardanëve ilirë dhe për përbërjen etnike helene të qyteteve ilire Klos e Bylis, është rrëzuar nga studimet e mëvonshme.
* * *
Në Austri ishte krijuar një traditë e mirë për studimin e historisë së gjuhës shqipe dhe të historisë së popullit shqiptar. Mjafton të përmendet vepra e njohur “Albanesische Studien” (Studime shqiptare, 1854) e konsullit austriak në Janinë, me prejardhje gjermane, Georg fon Han* (Gerge von Hahn, 1811-1869) si dhe veprimtaria albanologjike e Gustav Majerit (Gustav Meyer, 1850-1900). Këtu duhet shtuar edhe veprimtarinë shkencore të albanologëve austriakë Norbert Joklit dhe të Maksimilian Lambercit (Maximilian Lambertz, 1882-1963).
Nga sa më sipër rezulton se vendimi i Çabejit për t’i vazhduar studimet universitare në Vjenë ishte plotësisht i përligjur.
Shënim: Georg fon Han (Gerge von Hahn, 1811-1869) – albanolog austriak me prejardhje gjermane, një nga themeluesit e shkencës së albanologjisë. Përpos veprës së sipërthënë, është autor edhe i veprave “Reise von Belgrad nach Saloniki” (Udhëtim nga Beogradi në Selanik) dhe “Reise durch die Gebiete des Drin und Vardar” (Udhëtim nëpër viset e Drinit dhe të Vardarit, 1867-1869).
Gustav Majer (Gustav Mejer, 1850-1900) – albanolog austriak me prejardhje gjermane, një nga themeluesit e albanologjisë, grecist dhe turkolog, profesor i gjuhësisë krahasuese indoevropiane në Universitetin e Gracit. Ndër të tjera, ka botuar veprën “Etymologisches Wortebuch der albanesischen Sprache” (Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe, 1891) dhe gjashtë vëllime të serisë “Albanesische Studien”, I – VI, (Studime shqiptare, Vjenë 1883-1897). Vuri në dukje edhe praninë e një numri jo të vogël fjalësh shqipe në gjuhën greke. Gustav Majeri përcaktoi shkencërisht se gjuha shqipe vjen nga ilirishtja dhe se ajo zë një vend të veçantë midis gjuhëve indoevropiane.
Maksimilian Lamberc (Maximilian Lambertz, 1882-1963) – gjuhëtar austriak. Mori pjesë në punën e Komisisë Letrare Shqipe. Ka botuar disa vepra për folklorin shqiptar, si “Die Volkspoesie der Albaner” (Poezia popullore shqiptare, Sarajevë 1917), “Albanische Märchen und andere Texte zur albanischen Volkskunde” (Përralla shqiptare dhe të tjera tekste të folklorit shqiptar, Vjenë 1922), “Epika popullore shqiptare”, 1958) etj.
* * *
Në kohën që Çabej shkoi në Universitetin e Vjenës, vazhdonte të mbajë ligjërata për indoevropianistikën, gjuhëtari i njohur Paul Kreçmer. Ky do të jetë edhe një nga nënshkruesit e diplomës së gjuhëtarit tonë të ardhshëm. Nëpërmjet letërkëmbimit, Çabej do të mbajë lidhje me të, edhe pas mbarimit të studimeve. Lidhje më të shpeshta, si gjatë studimeve universitare, ashtu edhe pas mbarimit të tyre, Çabej do të mbajë me Norbert Joklin. Pas vdekjes së Gustav Majerit dhe pasi Holger Pedersen* filloi të merrej më pak me shqipen dhe më shumë me gjuhë të tjera, Norbert Jokli mbeti albanologu më prodhimtar.
Shënim: Holger Pedersen (1867-1953) – gjuhëtar danez, indoevropianist, keltolog dhe albanolog. Profesor i gjuhëve sllave dhe i gramatikës krahasuese indoevropiane në Universitetin e Kopenhagës. Është marrë edhe me armenishten, me gjuhët baltike-sllave, me gjuhët semitike, me gjuhët ugro-fine. Më 1893 qëndroi në Korfuz. U interesua të mblidhte përralla dhe këngë popullore shqiptare. Bëri një vizitë të shkurtër në Sarandë e Delvinë. Materialin e mbledhur e botoi më 1895 në veprën “Albanesische Texte mit Glossar” (Tekste shqipe me fjalor, 1895). Botoi studime me vlerë për shqipen, si: “Kontribut për historinë e gjuhës shqipe” (1894); “Die Gutturale im Albanesischen” (Grykoret në gjuhën shqipe, 1900); “Das Neutrum im Albanesischen” (Asnjanësi në shqipen, 1899), “Albanesisch 1905” (Shqip 1905) etj. Vuri në dukje se dallimi midis dy dialekteve të shqipes është shumë më i vogël sesa dallimet dialektore të shumë gjuhëve të tjera. Mbajti një qëndrim kritik ndaj mbivlerësimit të ndikimit të huaj mbi gjuhën shqipe. Mbrojti tezën e prejardhjes së shqipes nga ilirishtja. Studimet e tij për shqipen janë përkthyer dhe kanë dalë në dritë me titullin “Studime për gjuhën shqipe”, botuar nga AShAK, Prishtinë 2003.
* * *
Norbert Jokli ishte mik i Shqipërisë. Të gjitha energjitë e veta i përqendroi në studimet kushtuar shqipes dhe historisë së saj. Prej vitit 1916 deri në vitin 1940, në revistën “Indogermanisches Jahrbuch” (Vjetari indoevropian), mbajti rubrikën bibliografike për studimet mbi gjuhën shqipe dhe për Shqipërinë. Jokli e mbajti afër studentin e talentuar, Çabejin, kështu që midis tyre u zhvillua një bashkëpunim i frytshëm.
Punën studimore rreth gjuhës shqipe Çabej e nisi qysh kur ishte student. Në Universitetin e Vjenës, për të marrë diplomën me gradën e doktorit, studenti duhej të mbronte një disertacion. Për këtë qëllim, diplomanti Çabej zgjodhi temën “Studime italo-shqiptare” (Italoalbanische Studien). Në vitin 1932, për këtë disertacion shkoi e mblodhi material pranë arbëreshëve të Sicilisë. Disertacionin e mbrojti më 7 tetor 1933 para Prof. dr. Paul Kreçmerit, Prof. dr. Norbert Joklit dhe Prof. dr. Karl Paçit. Për këtë, Universiteti i Vjenës ia dha diplomën për gradën doktor. Diploma, përkrah vlerësimit shkëlqyeshëm (Ausgezeichnet), është nënshkruar nga tre profesorët e lartpërmendur.
Disertacioni prej 145 faqesh të daktilografuara përbëhet prej pesë kapitujsh. Kreu i parë bën fjalë për emigrimin e arbëreshëve dhe për përhapjen e tyre në Italinë e Jugut dhe në Sicili (f. 1-50). I dyti përmban një skicë të sistemit gramatikor (f. 51-94). Në kreun e tretë trajtohet fjalëformimi dhe fjalori (f. 95-113): prapashtesat romane, etimologjia popullore, kalke gjuhësore dhe huazime (gjermane, turke, arabe). Në kreun e katërt janë përfshirë tekste të mbledhura nga vetë autori (f. 114-130): jeta baritore dhe mjekësia popullore, përralla, këngë, balada e Kostandinit të vogël, ringjallja e Lazërit. Kreu i pestë përmban një fjalorth.
Qysh në vitet e para të studimeve, krahas punës si student, Çabej ka bërë punë kërkimore në fushën e gjuhësisë e të letërsisë. Në “Gazeta e re” të datës 22 shkurt 1929 botoi një artikull vlerësues mbi poezinë e Lasgush Poradecit (emri i vërtetë Llazër Gusho, 1899-1987). Në vitin 1929, kur ende ishte student në Gracë, Çabej kishte shkruar artikujt “Një shkrim i panjohur i De Radës” dhe “Kundër pseudofilologëve”. Në artikullin e dytë Çabej kritikon disa të ashtuquajtur intelektualë shqiptarë që orvateshin të shiteshin si të përgatitur për çështje të vështira filologjike, nga të cilat nuk merrnin erë fare. Studenti 22-vjeçar i quan diletantë, ashtu siç ishin. Artikulli, jo pa arsye, nuk e pa dritën e shtypit. Midis tjerash, i riu i talentuar ngrihet me guxim dhe shkruan: “Zakoni i botës së qytetëruar e do që të luftohet për ide, e jo për inate personale, për çfryrjen e të cilëvet janë të çelura kaq gjykatore!” “… Gjuha është sendi më i çmueshëm i një populli dhe për popullin shqiptar është i vetmi thesar!…”
Me kërkesat serioze ndaj studimeve shkencore në fushën e gjuhësisë, ky i ri tërhoqi vëmendjen e profesorëve të shquar si P. Kreçmeri, N. Jokli etj. Për çështje të rëndësishme nga lëmi i gjuhësisë Çabej diskutonte me profesorët e vet, kur takohej me ta apo përmes letrave. Në njërën prej shumë letrave të N. Joklit, të datës 7 prill 1940, profesori me emër i drejtohet Çabejit me “I dashur mik”. “Shpesh kujtoj me ëndje ato vite të punës sonë…, bisedat e shumta e të zjarrta për të gjitha problemet e shkencës albanologjike dhe të historisë s saj.”
Autoritetet drejtuese të Universitetit të Vjenës i propozuan të diplomuarit Çabej të qëndronte në atë universitet si asistent pranë N. Joklit. Por, për të porsadiplomuarin shqiptar, balta e mëmëdheut ishte më e ëmbël se kryeqyteti i ish-Perandorisë Austro-hungareze.
Çabej 25-vjeçar, pas mbarimit të studimeve universitare u kthye në Shqipëri. Dituritë dhe energjitë e tij do t’i vërë në shërbim të atdheut. Në Shqipëri, nga plaga e analfabetizmit vuanin 80 për qind e popullsisë. Niveli i përgatitjes së nxënësve ishte ende larg nivelit mesatar të kohës. Numri i nxënësve nëpër shkolla ishte shumë i vogël.
Çabej u emërua nëndrejtor i konviktit “Malet tona”, pranë gjimnazit të Shkodrës, me të drejtën për të dhënë edhe orë mësimi në atë shkollë. Në këtë gjimnaz, të themeluar në vitin 1922, Çabej zhvilloi lëndën e letërsisë shqipe. Nga teksti “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe” të botuar më 1936, në orët e mësimit ai jepte edhe njohuri për gjuhën dhe folklorin shqiptar.
Në vitin shkollor 1935-1936 Çabej u transferua në Shkollën Normale të Elbasanit. Për kulturën e gjerë, për sjelljen dhe lidhjet e tij me nxënësit, ka lënë përshtypje shumë të mira, si në Shkodër, ashtu edhe në Elbasan. Edhe në Normalen e Elbasanit Çabej qëndroi vetëm një vit. U transferua në Ministrinë e Arsimit për t’u marrë me drejtimin e arsimit të mesëm. Një emërim të tillë, ai nuk e kishte mirëpritur. Kërkesa e Çabejit që të riemërohet si profesor i letërsisë në liceun e Tiranës, nuk u pranua. Drejtuesit e dikasterit të sipërthënë e dërguan në Shkollën e Plotësimit Ushtarak! Pas mbarimit të kësaj shkolle autoritetet vendosën që Çabej të transferohet si profesor në Gjirokastër.
Më 25 korrik 1930, në ceremoninë e varrimit të atdhetarit të Rilindjes, Bajo Topullit (1868-1930) Çabej mbajti ligjëratë, në të cilën ndërmjet tjerash thotë: “Ti, o rrëzuari lis, si ata lisa që ngrihen në malet tona! Ti, mësues e edukator i kaq brezave shqiptare! Bajo, prehu, pra! Dergje trupin tënd te balta jote! Për Atdheun që e bëre dhe na e le trashëgim, mos ki frikë! Ne djalëria betohemi këtu para trupit tënd, se ç’fitove ti, ne do ta ruajmë, qoftë edhe me gjakun tonë….”
Gjatë viteve 1938-1939 e gjejmë përsëri arsimtar. Tani në Gjirokastër, ku vazhdoi të jepte mësimin e letërsisë, të bashkërenduar me elemente të gjuhës shqipe. Një prej ish-nxënësve të tij, midis tjerash thotë: “Profesor Çabej na kënaqte me shpjegimet e tij për letërsinë arbëreshe…” Ai i këshillonte nxënësit që në hartime të shkruanin shkurt e qartë.
Një ish-nxënës e kujton Çabejin për orën e mësimit të mbajtur më 12 ose 13 prill 1939, pas pushtimit fashist të Shqipërisë: “Ai erdhi në mësim i vrenjtur dhe i mërzitur…”
Në vitin shkollor 1939-1940 Çabej u transferua në Gjimnazin e Tiranës, ku u ngarkua me drejtimin e shkollës. Autoritetet pushtuese më kot shpresonin ta bënin për vete profesorin me kulturë. Ai nuk bëhej vegël e tyre. Në një shkresë të datës 29.7.1940, për Çabejin midis tjerash thuhet: “… Deri më sot nuk ka treguar asnjë shenjë afrimi në politikën fashiste. Duhet konsideruar i rrezikshëm dhe duhen marrë masa për ta shkarkuar nga detyra…”
Autoritet pushtuese italiane e larguan Çabejin nga Shqipëria, duke i gjetur një “punë shkencore” pranë Akademisë së Shkencave në Romë. Këtu ai e shfrytëzoi qëndrimin e tij për të punuar për “Atlasin gjuhësor shqiptar”.
Në autobiografinë e tij Çabej ndër të tjera shkruan: “Kam hedhur poshtë çdo propozim për bashkëpunim me të huajin…”
Në Romë Çabej qëndroi deri në korrik të vitit 1944. Buka e huaj është e kripur. Rëndë është të ngjitesh e të zbresësh nëpër shkallët e botës. Mëmëdheu kishte nevojë për të. U kthye në Shqipëri.
Pas viti 1945 u krye riorganizimi i Institutit të Shkencave me tre sektorë: gjuhë-letërsi, histori-gjeografi dhe shkencat natyrore. Më 1946 u hap në Tiranë e para shkollë e lartë, ish-Instituti Pedagogjik dyvjeçar me katër degë: gjuhë-letërsi, histori-gjeografi, matematikë-fizikë dhe kimi-biologji. Më 1951 ky institut u shndërrua në Institut Pedagogjik katërvjeçar. Më 1957 u themelua Universiteti i Tiranës. Pedagogë të kësaj kohe, midis tjerësh ishin: personaliteti i shkencës dhe i arsimit Aleksandër Xhuvani (1880-1961), gjuhëtari, dijetari, albanologu Eqrem Çabej (1908-1980), gjuhëtari Kostaq Cipo (1892-1952), historiani Aleks Buda (1911-1993), shkrimtari, poeti dhe studiuesi Dhimitër Shuteriqi (1915-2003), gjuhëtari dhe albanologu Mahir Domi (1917-2000) etj. Çabej është ndër anëtarët themelues të ASHSH dhe anëtar i Presidiumit të saj.
Në Institutin Pedagogjik dyvjeçar në Tiranë Çabej zhvilloi lëndët linguistikë dhe albanologji. Ai e vazhdoi punën pedagogjike edhe më pas në Institutin Pedagogjik katërvjeçar, e sidomos në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, që në kuadër të Universitetit të Tiranës, u ngrit mbi bazën e Institutit katërvjeçar. Këtu ai zhvilloi për shumë vjet lëndët Hyrje në historinë e gjuhës shqipe dhe Fonetika historike e shqipes, për të cilën hartoi edhe tekstin përkatës. Më 1957 ky tekst me 94 faqe, u botua si dispensë. I zgjeruar, u ribotua disa herë. Si libër u ribotua edhe në Prishtinë.
Duke qenë se ishte punonjës shkencor, më parë në ish-Institutin e Shkencave, ndërsa pas riorganizimit të tij në vitin 1957, në Institutin e Gjuhës e të Letërsisë, punën pedagogjike Çabej e kryente si pedagog i jashtëm. Ai punonte në sektorin e gjuhësisë, që më parë drejtohej nga Aleksandër Xhuvani, ndërsa prej vitit 1955, nga Mahir Domi.
Në veprimtarinë gjysmëshekullore të Çabejit vendin kryesor e zë prodhimtari e tij e pasur shkencore. Sipas disa studiuesve, veprimtari e tij mund të ndahet në dy faza kryesore.
Faza e parë vazhdon deri në fund të vitit 1944, ndërsa e dyta nis pas vitit 1945. Në fazën e parë ai është marrë me studime thjesht shkencore, por edhe me botime për arsim të mesëm. Në fazën e parë të veprimtarisë së tij bie në sy interesimi i madh, jo vetëm për gjuhësinë, por edhe për folklorin dhe letërsinë artistike, me një anim të lehtë nga kjo fushë e dytë.
Në studimet gjuhësore të asaj periudhe bëjnë pjesë: “Tekste italo-shqiptare” botuar më 1935 në Hylli i Dritës XI; “Elemente dialektore nga Italia” botuar në vitin 1936 në gjermanisht në revistën e Vjenës Glotta, XXV; “Marrëdhëniet midis shqipes dhe rumanishtes” botuar në vitin 1936 në gjermanisht në Revue internationale des etudes balkaniques (revistë në gjuhën frënge), Beograd, Viti I, Nr. 2; “Shprehje dhe frazeologji paralele në gjuhët ballkanike”, botuar në revistën e sipërthënë, Nr. 4-6; “Atlasi gjuhësor shqiptar”, Grottaferrata, 1943.
Fushës së folklorit dhe të letërsisë i takojnë punimet: “Kënga e Leonorës në poezinë popullore shqiptare”, botuar më 1934 në revistën Normalisti, Elbasan; “Zakone dhe doke të shqiptarëve”, revista Illyria I (1936); “Kostandini i vogëlith dhe kthimi i Odiseut”, Hylli i Dritës (1936); “Për gjenezën e literaturës shqipe”, Hylli i Dritës (1937); Kulti dhe vijimi i hyjneshës Diana në Ballkan”, botuar më 1941 gjermanisht në Lajpcig.
Në studimet me karakter gjuhësor, letrar dhe folklorik bëjnë pjesë: “Studime italo-shqiptare” dhe teksti për shkolla të mesme “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”. Ky tekst është i ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë jepen njohuri mbi gjuhën, mbi gjuhët e botës, mbi gjuhët indoevropiane dhe mbi shqipen. Në të dytën jepen njohuri për shkrimtarët e vjetër shqiptarë dhe arbëreshë, për shkrimtarët e shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX, si dhe për poezinë popullore shqiptare dhe arbëreshe. Në pjesën e tretë, që përfundon me faqen 201, janë përfshirë pjesë të zgjedhura nga shkrimtarët e vjetër shqiptarë dhe arbëreshë, nga shkrimtarët shqiptarë dhe arbëreshë të shekullit XX, nga poezia popullore e arbëreshëve të Greqisë dhe të Italisë si dhe nga Shqipëria.
Veprimtaria shkencore e Çabejit mori një zhvillim shumë më të madh në fazën e dytë, d.m.th. pas viti 1945, kur ai punoi pranë ish-Institutit të Shkencave dhe më vonë pranë Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë dhe njëkohësisht edhe si pedagog në shkollën e lartë.
Çabej bashkëpunoi edhe me gjuhëtarë të tjerë: me profesor Aleksandër Xhuvanin për hartimin e monografive “Parashtesat e gjuhës shqipe” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1962) që janë dy nga studimet shkencore më të rëndësishme të gjuhësisë shqiptare. Ky bashkëpunim i këtyre dy dijetarëve të shquar duhet t’u shërbejë si shembull edhe të tjerëve. Me A. Xhuvanin, Çabej ka bashkëpunuar edhe në vepra të tjera. Për shpirtgjerësinë e këtij dijetari, Çabej shkruan me nderim.
Çabej ka bashkëpunuar edhe në mjaft vepra kolektive, si në përgatitjen e Fjalorit serbo-kroatisht – shqip (1947) dhe në hartimin e 13 terminologjive për shkenca të ndryshme. Ka bashkëpunuar edhe në redaksitë e revistave shkencore të ish-Institutit të Shkencave dhe të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, në komisionet përgatitore të konferencave dhe të sesioneve shkencore të organizuara nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, si dhe në komisionin përgatitor të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972).
Veprimtaria e tij shkencore në fushën e gjuhësisë ka qenë pa krahasim më e frytshme dhe më e rëndësishme se në fusha të tjera. Krahas bashkëpunimit në vepra kolektive me karakter gjuhësor, Çabej ndërmori edhe disa punime të rëndësishme afatgjata që diktoheshin edhe nga kërkesat e reja të zhvillimit të gjuhësisë shqiptare. Si dishepull i gjuhëtarëve të mëdhenj si Kreçmeri, Jokli etj., ai i vuri vetes si detyrë afatgjatë sqarimin e disa çështjeve të rëndësishme të gjuhës shqipe që kërkonin zgjidhje sa më të argumentuara. Është fjala sidomos për studimet në rrafshin historik (diakronik) ku deri atëherë, fjalën e parë dhe të fundit e thoshin pothuaj vetëm studiuesit e huaj. Gjuhëtarët shqiptarë ishin marrë kryesisht me çështje të gjuhës së sotme shqipe. Studime nga fusha e historisë së shqipes ishin ndërmarrë rrallë. Përpjekje të tilla kishte bërë studiuesi arbëresh Dhimitër Kamarda (1821-1882), autor i veprës Saggio di grammatologia comparata sulla lingua albanese (Sprovë gramatologjie të krahasuar mbi gjuhën shqipe, vëllimi I 1864 dhe vëllimi II (shtojcë) 1866. Këtu mund të përmenden edhe Aleksandër Xhuvani, studiuesi arbëresh Marko la Piana (Marco La Piana, 1883-1958) etj.
Falë punës themelvënëse të disa gjuhëtarëve si Aleksandër Xhuvani, Kostaq Cipo, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Selman Riza (Gjakovë, 1909 – Tiranë, 1988) etj. nisi të zhvillohet mendimi gjuhësor shqiptar në rrafshin bashkëkohor (sinkronik) dhe historik (diakronik). Tani e tutje shqipja do të studiohet në mënyrë të shumanshme, përfshirë edhe studimin historik të saj. Aleksandër Xhuvani dhe Mahir Domi kanë përkrahur çdo nismë për zhvillimin e shpejtë të gjuhësisë shqiptare.
Shënim:Kostaq Cipo (1892-1952) gjuhëtar, filolog, veprimtar i arsimit; autor i veprave Gramatika shqipe (1949) dhe Sintaksa (1952);
Mahir Domi (1915-2000) gjuhëtar, profesor, akademik. Mori pjesë në hartimin e “Fjalorit të gjuhës shqipe” (1954); kryeredaktor i “Gramatikës së gjuhës shqipe” (në dy vëllime); redaktor dhe bashkautor librit “Sintaksa”, vëllimi II. Ka hartuar tekste universitare “Morfologjia historike e shqipes” (1961) dhe “Sintaksa e gjuhës shqipe”, pjesa I (1968), pjesa II (1969). Është edhe autor i veprave të tjera si dhe i shkrimeve studimore në lëmin e gjuhës apo të gramatikës së shqipes.
* * *
Duke pasur dashuri të madhe për gjuhën amtare, Çabej i përqendroi energjitë e veta për të hedhur sa më shumë dritë mbi historinë e kësaj gjuhe të lashtë të Ballkanit, pa lënë pas dore edhe çështjet e shqipes bashkëkohore. Ndihmesë më të rëndësishme ka dhënë në fushën e etimologjisë, të fonetikës historike, të gramatikës historike e të dialektologjisë si dhe për çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe. Pra, në këtë periudhë ai iu përkushtua studimit diakronik të shqipes. Profesorët e tij në Universitetin e Vjenës P. Kreçmeri dhe N. Jokli, si indoevropianistë, merreshin kryesisht me studime diakronike.
Pas vitit 1945, studimet albanologjike jashtë Shqipërisë nisën të pësojnë një rënie të dukshme. N. Jokli, albanologu më prodhimtar i viteve ’20 e ’30 të shekullit XX, më 1942 u zhduk tragjikisht nga nazistët gjermanë. Holger Pederseni, tanimë i mplakur, nuk merrej më me shqipen. Kjo zbrazëti e krijuar në këtë fushë studimesh duhej mbushur. Përpjekje të suksesshme mund të bëheshin vetëm në Shqipëri. Krahas thellimit të studimit sinkronik të shqipes, filloi në Shqipëri edhe studimi diakronik i kësaj gjuhe, që mori hov sidomos me punën e frytshme të Çabejit dhe të disa gjuhëtarëve të tjerë që ecën gjurmëve të tij.
Arritjet e gjuhësisë së re shqiptare kanë bërë të mundur edhe zhvillimin e mëtejshëm të një bashkëpunimi shkencor midis studiuesve shqiptarë dhe albanologëve, ballkanologëve dhe indoevropianistëve në vende të ndryshme të botës.
Si në studimet etimologjike ashtu edhe në ato për fonetikën, gramatikën dhe dialektologjinë historike, Çabej është mbështetur në parimin që, duke u nisur nga faza e dokumentuar e shqipes, të ngjitemi shkallë-shkallë në fazat më të hershme të saj. Metoda hulumtuese e tij bazohet në krahasimin e brendshëm, duke u nisur nga e njohura për të zbuluar të panjohurën. Ai u mbështet edhe në krahasimin me gjuhët e tjera indoevropiane. Në shqyrtimin historik të fjalëve ose të dukurive të shqipes ai mori në shqyrtim edhe përhapjen e tyre gjeografike.
Në studimet etimologjike e ka zbatuar parimin e shkollës “Fjalët dhe sendet”, të zbatuar edhe nga mësuesi i tij N. Jokli. Sipas kësaj shkolle gjuhësore, duhen pasur parasysh lidhjet e ndërsjella midis sendeve dhe fjalëve përkatëse. Kjo shkollë u themelua në fillim të shekullit XX nga gjuhëtari austriak Rudolf Meringer (1859-1931) dhe nga gjuhëtari gjerman Hugo Shuhard (Hugo Schuchardt, 1842-1927) dhe ka të bëjë me një drejtim kërkimor në fushën e onomastikës.
Çabej iu përvesh punës për vjeljen sistematike të fjalëve dhe të shprehjeve të shqipes jo vetëm nga fjalorët e kësaj gjuhe, por edhe nga veprat e autorëve të vjetër shqiptarë dhe arbëreshë, nga botimet me materiale dialektore të arbëreshëve të Greqisë, të Italisë, nga ngulimet e tjera të vjetra shqiptare, si dhe nga krahina të ndryshme të Shqipërisë.
Gjatë viteve 1950-1980 Çabej hartoi dhe botoi një numër të madh veprash shkencore, artikujsh shkencorë dhe kumtesash në fusha të ndryshme të dijes: në gjuhësinë historike dhe përshkruese të shqipes, në ballkanistikë, dialektologji, folklor, letërsi etj. Shkrimet e tij u botuan brenda dhe jashtë Shqipërisë. Kryet e vendit në veprimtarinë e tij shkencore e zënë studimet etimologjike në fushë të gjuhës.
Çështja e burimit të gjuhës shqipe, sidomos gjatë shekullit XX ka ngjallu diskutime të shumta. Mbase për këtë arsye Çabej është marrë edhe me prejardhjen e shqipes. Për dijetarët e mëparshëm prejardhja e shqipes nga ilirishtja ishte një gjë e vetëkuptueshme. Por nga fundi i shekullit XIX, e sidomos gjatë shekullit XX ,disa dijetarë e kanë kundërshtuar këtë mendim dhe kanë mbrojtur hipotezat, sipas të cilave shqipja është bijë e trakishtes, apo e së ashtuquajturës dako-mizishte etj. Me argumente gjuhësore, historike-gjeografike etj., Çabej i ka kundërshtuar ato hipoteza dhe ka mbrojtur tezën e burimit ilir të shqipes. Nëpërmjet ndihmesave të tij, kjo tezë ka gjetur tashmë përkrahje te një numër gjithnjë më i madh studiuesish të huaj.
Çabej ka dhënë ndihmesë edhe në fushën e fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes. Studimet në këtë fushë u ribotuan në vitin 1988 në një vëllim më vete, me titullin “Studime për fonetikën historike të gjuhës shqipe”.
Si studiues i evolucionit historik të shqipes, Çabej u mor edhe me hulumtimin e dialekteve të kësaj gjuhe. Në fushën e dialektologjisë ka dhënë ndihmesë të madhe. Është ndalur sidomos te të folmet e shqipes që ruajnë më shumë elemente arkaike, siç janë të folmet e arbëreshëve të Italisë.
Vëmendje të veçantë i kushtoi studimit të autorëve të vjetër shqiptarë. Studioi gjuhën e Gjon Buzukut (shek.. XVI), “Mesharin” (1555) e të cilit e ribotoi të transliteruar dhe të transkribuar.
Çabej njihet si një gjuhëtar që është marrë me probleme të historisë së gjuhës shqipe. Por, ai ka punuar mjaft edhe për gjuhën e sotme letrare. Në artikullin “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” të botuar më 1979, vë në dukje nevojën e pastrimit të shqipes nga fjalët e huaja të panevojshme. Mori pjesë në 13 komisione për hartimin e terminologjisë së shkencave dhe të disiplinave të ndryshme dhe për hartimin e fjalorëve të terminologjisë për botanikën, matematikën dhe mekanikën teorike, energjinë atomike, termodinamikën, optikën, akustikën, elektromagnetizmin, mekanikën, elektroteknikën, kiminë, gjeologjinë, arkitekturën dhe gjuhësinë.
Çabej tregoi interesim edhe për folklorin dhe letërsinë. Në krijimet popullore ai gjente edhe elemente arkaike, që i hynin në punë për studimet diakronike. Këtu duhen përmendur shkrimet “Poezia popullore e arbëreshëve të Italisë”, botuar më 1961 dhe “Disa figura të besimeve popullore shqiptare”, botuar më 1972, etj.
Nga shkrimet për letërsinë mund të përmenden “Vatra dhe bota në poezinë e De Radës”, botuar më 1965; “Fan Noli ynë”, botuar më 1965; dhe “Disa burra të shquar të arbëreshëve të Italisë”, botuar më 1974, ku bëhet fjalë edhe për hulumtuesin dhe poetin Nikollë Keta (1741-1803).
Çabej ka marrë pjesë nëpër konferenca dhe kongrese shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke dhënë ndihmesa të rëndësishme me kumtesa, referate dhe diskutime. Në konferencat dhe kongreset e mbajtura brenda vendit duhen përmendur ato të viteve 1952; 1962; Tiranë 1969; Tiranë 1972; sërish Tiranë 1972. Nga konferencat ndërkombëtare duhen përmendur: Firence-Pizë 1961; Sofje 1966; Insbruk 1972 etj.
Artikujt dhe studimet e Çabejit janë botuar në shqip dhe në gjuhë të huaja. Studimet në gjuhën shqipe i ka botuar nëpër revistat shkencore të Shqipërisë dhe të Kosovës, në revistat kulturore dhe në gazetat e Maqedonisë e të Malit të Zi. Bibliografinë e punimeve të Çabejit e ka botuar më 1981 studiuesi Jup Kastrati (1924-2002).
Një numër të madh artikujsh shkencorë, Çabej ka botuar edhe në gjuhë të huaja nëpër revista ose nëpër vëllime përkujtimore në vende të ndryshme të botës: në Austri, në Francë, në Greqi, në Gjermani, në Itali, në Jugosllavi – Beograd (1936, 1938), në Poloni, në Rumani, në Turqi.
Veprimtaria shkencore e Çabejit ka pasur jehonë të madhe në Kosovë. Të gjitha shkrimet e tij janë ribotuar me titullin “Studime gjuhësore”, I-VII, Prishtinë 1975-1977. Botimi i tyre ka vazhduar.
Gjatë vitit shkollor 1971-1972 e më pas, Çabeji ka mbajtur një kurs leksionesh pasuniversitare apo ligjërata edhe në Universitetin e Prishtinës.
Në organet e shtypit shkencor të Austrisë, Gjermanisë, Rumanisë, Italisë, Francës, Polonisë etj., për studimet e Çabejit, studiues të huaj kanë botuar recensione të shumta.
Çabeji ka pasur letërkëmbim me gjuhëtarë të huaj, si: Holger Pedersen, Paul Kreçmer, Norbert Jokli, Karl Paç, Maksimilian Lamberc, gjuhëtari rumun Aleksandër Graur (Alexandru Graur, 1900-1988), gjuhëtari rumun Aleksandër Roseti (Alexandru Rosetti, 1895-1990), gjuhëtari bullgar Vladimir Georgiev (1908-1986), gjuhëtari dhe albanologu polak Vaklav Cimohovski (Veclav Cimohovski, 1912-1982), gjuhëtari rumun Haralambie Mihëjesku (Haralambie Mihaescu, 1907-1985) etj.
* * *
Çabeji argumentoi në mënyrë shkencore prejardhjen ilire të gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar, autoktoninë e tij në trevat ku banon sot në Gadishullin Ballkanik, vuri në dukje rolin dhënës të shqipes ndaj gjuhëve me të cilat ra në kontakt dhe unitetin e kulturës materiale e shpirtërore shqiptare.
* * *
Vdekja e parakohshme e ndërpreu në mes punën këtij dijetari të shquar. Për t’u mjekuar nga sëmundja e pashërueshme, u dërgua tri herë në një klinikë të Romës, ku dhe i mbylli sytë për të vajtur në pavdekësi. Për në banesën e përjetshme u përcoll më 17 gusht 1980. Prehet në gjirin e dheut mëmë, ku e kaloi fëmijërinë, u burrërua dhe u zhvillua si dijetar. Në ceremoninë e varrimit të Çabejit lexoi nekrolog historiani Aleks Buda (1911-1993).
Puna shkencore dhe pedagogjike e babait të gjuhës shqipe është vlerësuar me çmime të shumta. Shumë institucione kulturore, shkencore dhe arsimore në të gjitha trojet shqiptare mbajnë emrin e Çabejit. Krahas çmimeve të tjera, është dekoruar edhe me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në vitin 1988 organizoi një sesion shkencor kushtuar veprës së tij.
Për jetën dhe veprën e dijetarit të madh ka hartuar monografi profesor Shaban Demiraj, “Eqrem Çabej”, Tiranë 1990.
“Eqrem Çabej është dijetar dhe njeri i madh” – Ismail Kadare

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura