TEUTA ZYMBERI: RRUGËTIMI I NJË VIGANI, ZJARR QË NUK SHUHET

Pashtriku.org, 28. 01. 2014 – (Vështrim rreth librit monografik “Rexhep Malaj – zjarr lufte që nuk shuhet” të autorit Agim Sylejmani.) – Në romanin „Rrugëtimi i një vigani“ dhe Monografia „Rexhep Malaj, zjarr që nuk shuhet”, të autorit, Agim Sylejmani, heroi kombëtar shfaqet shumë i madh nga shpirti dhe shumë i thellë nga mendimet. Shumë i arsimuar nga dija e kultura familjare dhe shumë i frymëzuar nga atdhedashuria e patriotizmi. I shkathtë, i zgjuar në aksione dhe i guximshëm në kërkesat politike të kohës. Duke lexuar të dy librat, që sjellin një arkiv të pasur të dorëshkrimeve e faksmileve të argumentuara, nxisin vëmendjen studimore për t’u rikthyer në një epokë hulumtimi, ku më së shumti brezit të ardhshëm i nevojiten dëshmitë.
Rexhep Malaj, ishte dhe është një dëshmi e bindjes politike-kombëtare, ku, për brezin e ri dëshmon gjenocidin serbosllav mbi të burgosurit politikë shqiptarë, mbi rininë studentore dhe mbi intelegjencën intelektuale shqiptare, që ushtronte Serbia dhunë sistematike duke suprimuar çdo të drejtë elementare për të jetuar si individ, si popull.
Jeta dhe veprimtaria e Rexhep Malajt ballafaqohet me sakrifica të mëdha sublime. Dashuria e tij për të qenë i lirë dhe për të pasur liri, në librat e Agim Sylejmanit nuk shfaqet vetëm hero simbolik, por shfaqet hero i gjallë i një epoke që ishte vetë personalisht dëshmitar i ngjarjeve në Kosovë, për të treguar hapur me veprimet e tij në shumë aksione kundër robërisë, se lufta dhe qëndresa çlirimtare nxjerrin nga robëria popullin e robëruar.

Zürich, 26.01.2014: Agim Sylejmani, Teuta Zymberi dhe Metush Zenuni.

Për shkak të karakterit të tij liridashës, heroi ynë përballet me torturat më të rënda në burgjet famëkeqe të Gjilanit, Prishtinës, Mitrovicës, Idrizovës, Prizrenit, Zenicës, Foçës, Mostarit. Ideali i tij me burim të forcës shpirtërore të vendosmërisë dhe mendjes atdhetare demaskon para botës rrethimin e hekurt të Serbisë mbi Kosovën e dashur të tij.
Autori, Agim Sylejmani, në dy librat e tij, na ofron neve si lexues, përfytyrimin e heroit, Rexhep Malaj, si vazhdimësi e heronjve nga legjendat epike dhe luftërat heroike.
Në historinë e zjarreve të luftërave heronjtë i takojnë heroizmave të veçantë, bëjnë diçka të veçantë nga virtytet që të mbesin përherë të zjarrtë në kujtesën e popullit.
Një heroizëm i Rexhep Malajt të kujton heroizmin e Oso Kukës, ku ndërlidhen me të dy bashkë identiteti kombëtar dhe atdhedashuria shpirtërore e fizike.
“S’kam ç’të bëj tjetër, Shkodra ime! Për ty po djeg veten time!
Edhe njëqind jetë po t’i kisha, për Shqipërinë flakë do t’i digjsha!” (Oso Kuka)
Identik ishte edhe ideali i Rexhep Malajt. Një flakë ndjenje që digjej për Shqipërinë. Vetë shkuarja e tij në Shqipëri dhe kthimi i sërishëm në Kosovë bën ndërlidhjen shpirtërore e fizike të një kombi padrejtësisht të ndarë në shekuj.
Në dy librat e autorit Agim Sylejmani, rruga e heroit Rexhep Malaj, ishte rruga drejt lirisë, rruga për çlirim nga pushtuesi serb, rruga shekullore për të qenë të bashkuar me Shqipërinë.
Rrugëtimi i një vigani është zjarr lufte që nuk shuhet në historinë e popullit shqiptar. Nuk shuhet ndjenja e madhe për ta madhëruar heroin, nuk shuhet parafytyrimi për ta dashur idealin dhe mendjen e heroit.
Të lexosh për heronj që pas vetes lanë lavdinë është krenari të ndihesh krenar edhe pa qoftë si lexues. E në këtë lavdi edhe fjalët që burojnë nga shpirti i axhës Mehmet, u japin këtyre rreshtave guxim e dinjitet familjarëve për të qëndruar zemërgjerë në heroizmin e heronjve:
“Për këtë flamur ke dhënë jetën, bir. Prandaj me të do të mbulojmë e të përcjellim në amshim”. Betimi në flamur edhe i dha lavdinë e përjetshme Rexhep Malajt.
Rënia heroike e Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës, në Kodrën e Trimave, nuk ishte rastësi! Ishte krisma e pushkës kundër robërisë. Se të flijohesh për liri, zë vendin e trimit në histori.
Romani “Rrugëtimi i një Vigani” dhe Monografia “Rexhep Malaj, zjarr që nuk shuhet” të autorit Agim Sylejmani, u përshkruan me një rikthesë emblematike të kujtimeve nga burgu, për t’i sjellë këto dy libra tek lexuesit njohjen më të gjërë për jetën dhe veprimtarinë e heroit kombëtar, Rexhep Malaj.
Teuta Zymberi – Zürich, 26. 01. 2014.

Zürich, 26.01.2014: Gjatë promovimit të librit “Rexhep Malaj – zjarr që nuk shuhet”.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura